Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PYETJA 5

A është e arsyeshme ta besosh Biblën?

A është e arsyeshme ta besosh Biblën?

Të ka ndodhur ndonjëherë të kesh krijuar përshtypjen e gabuar për dikë? Ndoshta ke dëgjuar të tjerë të flitnin për të ose të përsëritnin fjalët e tij. Mendoje se s’do të të pëlqente, por duke e njohur, zbulove se ta kishin keqparaqitur. Shumë veta kanë pasur këtë përvojë me Biblën.

Mjaft njerëz të arsimuar kanë vlerësim të ulët për Biblën. A e kupton dot pse? Këtë libër shpesh e paraqitin ose e citojnë në një mënyrë që duket i paarsyeshëm, joshkencor ose thjesht i gabuar. A ka mundësi që Biblën ta kenë keqparaqitur?

Ndërsa lexoje këtë broshurë, a u habite kur pe se ajo që thotë Bibla është e saktë shkencërisht? Kjo u ndodh shumë njerëzve. Ata habiten edhe kur mësojnë se Bibla nuk i thotë disa nga gjërat që shumë fe pohojnë se i thotë. Për shembull, disa thonë se Bibla mëson që Perëndia e bëri universin dhe çdo formë jete në të për gjashtë ditë 24-orëshe. Por, në Bibël nuk ka asgjë që të bjerë ndesh me përllogaritjet e ndryshme të shkencëtarëve për moshën e universit ose të Tokës. *

Për më tepër, përmbledhja e shkurtër e Biblës se si e solli në ekzistencë Perëndia jetën në këtë planet, lë mjaft vend për hulumtime dhe teori shkencore. Vërtet, Bibla thotë se Perëndia krijoi çdo formë jete dhe se gjërat e gjalla janë krijuar ‘secila sipas llojit të vet’. (Zanafilla 1:​11, 21, 24) Këto pohime mund të bien ndesh me disa teori shkencore, por jo me faktet shkencore të provuara. Historia e shkencës tregon se teoritë shkojnë e vijnë, por faktet mbeten.

Gjithsesi, shumë njerëz ngurrojnë ta shqyrtojnë Biblën, sepse janë zhgënjyer nga feja. Te fetë ata vërejnë hipokrizi, korrupsion dhe luftënxitje. Por, a është e drejtë ta gjykojmë Biblën në bazë të sjelljes së disave që pohojnë se jetojnë sipas saj? Shumë shkencëtarë të njerëzishëm e të sinqertë janë tmerruar nga mënyra se si disa njerëz të dhunshëm e me paragjykime e kanë përdorur teorinë e evolucionit për të mbështetur synimet e tyre raciste. A do të ishte e drejtë ta gjykonim teorinë e evolucionit mbi këtë bazë? Patjetër që është më mirë të analizojmë çfarë thotë kjo teori dhe ta krahasojmë me provat që ekzistojnë.

Të nxitim të bësh të njëjtën gjë me Biblën. Mund të habitesh e të kënaqesh duke mësuar sa shumë ndryshojnë mësimet e saj nga ato të shumicës së feve. Në vend që të nxitë luftërat e dhunën etnike,  Bibla mëson se shërbëtorët e Perëndisë duhet të ndiejnë neveri për luftën e madje edhe për urrejtjen që çon në luftëra. (Isaia 2:2-4; Mateu 5:​43, 44; 26:52) Në vend që të nxitë fanatizmin dhe besimin pa prova, Bibla mëson se provat janë thelbësore për të pasur besim dhe se fuqia për të arsyetuar është e domosdoshme për t’i shërbyer Perëndisë. (Romakëve 12:1; Hebrenjve 11:1) Në vend që të na ndrydhë kureshtjen, Bibla na nxit të shqyrtojmë disa nga pyetjet më interesante e të vështira që kanë bërë ndonjëherë njerëzit.

Për shembull, a e ke pyetur ndonjëherë veten: «Nëse ka Zot, pse e lejon ligësinë?» Bibla ka përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje, si edhe për shumë të tjera. * Të nxitim ta vazhdosh kërkimin për të vërtetën. Mund të gjesh përgjigje mahnitëse, emocionuese, të arsyeshme dhe të bazuara në prova bindëse. Dhe kjo s’ka për të qenë rastësi.

^ par. 5 Për më shumë informacione, shih broshurën A u krijua jeta?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 Shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.