Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PYETJA 3

Nga erdhën udhëzimet?

Nga erdhën udhëzimet?

Çfarë e përcakton pamjen tënde të jashtme? Ngjyrën e syve, të flokëve, të lëkurës? Po gjatësinë, formën e trupit ose ngjashmërinë me njërin a me të dy prindërit? Çfarë i udhëzon majat e gishtave që të formojnë në njërën anë mollëza të buta dhe në anën tjetër thonj të fortë mbrojtës?

Në kohën e Çarls Darvinit, përgjigjet e këtyre pyetjeve ishin të mbuluara me mister. Vetë Darvini mahnitej nga mënyra si kalohen tiparet nga njëri brez në tjetrin, por dinte pak për ligjet e gjenetikës dhe akoma më pak për mekanizmat brenda qelizës që drejtojnë procesin e trashëgueshmërisë. Kurse tani, biologët kanë kaluar dekada të tëra duke studiuar gjenetikën e njeriut dhe udhëzimet e hollësishme që përmban një molekulë mahnitëse e quajtur ADN (acidi dezoksiribonukleik). Natyrisht, pyetja kryesore është: nga erdhën këto udhëzime?

Çfarë pohojnë shumë shkencëtarë? Shumë biologë dhe shkencëtarë të tjerë mendojnë se ADN-ja dhe udhëzimet e saj të koduara u shfaqën nëpërmjet ngjarjeve të rastësishme të padrejtuara nga dikush, që ndodhën gjatë miliona viteve. Ata thonë se nuk ka prova të projektimit as në strukturën e kësaj molekule, as në informacionin që mbart e përçon ajo dhe as në mënyrën se si funksionon.17

Çfarë thotë Bibla? Bibla lë të kuptohet se formimi i pjesëve të ndryshme të trupit të njeriut, e madje edhe koha e formimit të tyre, gjenden në një libër figurativ që e ka origjinën nga Perëndia. Vër re si e përshkroi këtë gjë mbreti David, nën drejtimin hyjnor, kur tha për Perëndinë: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij, ditët kur ato u formuan, megjithëse ende nuk ekzistonte asnjë prej tyre.»​—Psalmi 139:16.

Çfarë zbulojnë provat? Në qoftë se evolucioni është i vërtetë, atëherë duhet të duket logjikisht e mundur që ADN-ja të jetë shfaqur nga një seri ngjarjesh të rastësishme. Por nëse është e vërtetë Bibla, atëherë ADN-ja duhet të japë prova të forta se është produkt i një mendjeje inteligjente dhe të organizuar.

Kur shqyrtohet me terma shumë të thjeshtë, tema e ADN-ës është mjaft e kuptueshme e madje mahnitëse. Prandaj, le të bëjmë një udhëtim tjetër brenda një qelize. Por kësaj here do të vizitojmë një  qelizë njerëzore. Përfytyro sikur po shkon në një muze që është ndërtuar për të të mësuar se si punon kjo lloj qelize. I gjithë muzeu është model i një qelize njerëzore tipike, por i zmadhuar rreth 13.000.000 herë. Ka përmasat e një stadiumi gjigant ku mund të rrinë rreth 70.000 veta.

Sa hyn në muze, mbetesh gojëhapur nga ky vend magjepsës plot forma e struktura të çuditshme. Pranë qendrës së qelizës ndodhet bërthama, një sferë rreth 20 kate e lartë. Drejtohesh për tek ajo.

Një «arritje inxhinierike»​—Si paketohet ADN-ja? Paketimi i ADN-së brenda bërthamës është një arritje inxhinierike e jashtëzakonshme, si të paketosh 40 kilometra fill shumë të hollë në një top tenisi

Hyn te një derë në membranën ose cipën e jashtme të bërthamës dhe sheh përreth. Elementet kryesore në këtë dhomë janë 46 kromozome. Janë vendosur në çifte kromozomesh identike që kanë lartësi të ndryshme, po çifti më pranë teje është rreth 12 kate i lartë (1). Çdo kromozom ka një si ngushtim pranë mesit, kështu që duket si dy salsiçe të lidhura, por është i trashë si një trung peme masiv. Sheh se këto modele të kromozomeve janë mbështjellë nga një shumëllojshmëri shiritash. Kur i shkon më afër, sheh se çdo shirit horizontal e ndajnë vija vertikale. Mes tyre ka vija më të shkurtra horizontale (2). Mos janë stiva me libra këto? Jo, janë skaje të jashtme leqesh, të paketuar ngjeshur në kolona. Kap njërin skaj dhe ai lirohet. I mahnitur, sheh se leqet përbëhen nga spira më të vogla (3), që po ashtu janë vendosur me rregull. Brenda këtyre spirave ndodhet elementi kryesor i gjithë kësaj, diçka që ngjan me një litar shumë të gjatë. Çfarë është?

STRUKTURA E NJË MOLEKULE MAHNITËSE

Këtë pjesë të modelit të kromozomit, po e quajmë thjesht litar. Ky litar është rreth 2,6 centimetra i trashë. Është i mbështjellë fort rreth e qark cilindrave (4) që ndihmojnë për të formuar spira brenda spirave. Këto spira janë të lidhura pas një lloj skele që i mban në vendin e tyre. Në vitrinë ka një tabelë që shpjegon se litari është mbështjellë me shumë efektshmëri. Po ta tërhiqje litarin nga secili model i kromozomit dhe ta shtrije të gjithin, nga njëri skaj në tjetrin do të ishte sa gjysma e diametrit të Tokës. *

Një libër shkencor e quan këtë sistem të efektshëm paketimi «një arritje inxhinierike të jashtëzakonshme».18 A të duket bindëse ideja se nuk ka pasur inxhinier pas kësaj arritjeje? Nëse ky muze do të kishte një dyqan të stërmadh me miliona sende për shitje, të organizuara kaq mirë sa mund të gjeje me lehtësi çdo send që të nevojitej, a do të mendoje se vendin nuk e kishte sistemuar askush? Natyrisht që jo, por edhe kjo rregullsi do të ishte një arritje e vogël para këtij sistemi paketimi.

 Në vitrinën e muzeut ka një tabelë tjetër që të fton të marrësh në dorë një pjesë të këtij litari për ta parë më nga afër (5). Ndërsa e kalon nëpër gishta, sheh se ky nuk është një litar i çfarëdoshëm. Përbëhet nga dy zinxhirë të përdredhur me njëri-tjetrin. Zinxhirët janë të lidhur me shufra të vockla, në distancë të barabartë. Litari duket si një shkallë që është përdredhur aq sa i ngjan një shkalle spirale (6). Tani e kupton: po mban në dorë një model të molekulës së ADN-së, një nga misteret e mëdha të jetës!

Një molekulë e vetme ADN-je, e paketuar në mënyrë të rregullt me cilindrat dhe skelën e vet, përbën një kromozom. Shkallëzat e shkallës së ADN-së njihen si çifte bazash (7). Cili është funksioni i tyre? Për çfarë shërben e gjithë kjo? Një tabelë te vitrina jep një shpjegim të thjeshtuar.

SISTEMI BAZË I RUAJTJES SË INFORMACIONIT

Tabela thotë se çelësi për të kuptuar ADN-në gjendet tek ato shkallëza, pra te shufrat që lidhin dy anët e shkallës. Sikur kjo shkallë të ndahej për së gjati, secila anë e saj do të kishte nga një pjesë të shkallëzave. Këto janë vetëm të katër tipave. Shkencëtarët i quajnë A, T, G dhe C. Ata u mahnitën kur zbuluan se renditja e këtyre shkronjave e përçon informacionin me një lloj kodi.

 Ndoshta e di se në shekullin e 19-të u shpik kodi Mors, që njerëzit të komunikonin me anë të telegrafit. Ky kod kishte vetëm dy «shkronja», një pikë dhe një vizë. Megjithatë, mund të përdorej për të formuar fjalë ose fjali të panumërta. Kurse ADN-ja ka një kod me katër shkronja. Rendi në të cilin shfaqen këto shkronja​​—A, T, G dhe C​—formon «fjalë» që quhen kodone. Kodonet sistemohen duke formuar «tregime» që quhen gjene. Çdo gjen përmban mesatarisht 27.000 shkronja. Këto gjene dhe distancat e gjata midis tyre, përpilohen në «kapituj», që janë kromozomet individuale. Duhen 23 kromozome për të formuar gjithë «librin», domethënë gjenomin ose tërësinë e materialit gjenetik të një organizmi. *

Gjenomi do të përbënte një libër të stërmadh. Sa informacion do të mbante? Gjithsej, gjenomi njerëzor përbëhet nga rreth 3 miliardë çifte bazash ose shkallëza në shkallën e ADN-së.19 Përfytyro një seri enciklopedish në të cilën çdo vëllim ka mbi një mijë faqe. Gjenomi do të mbushte 428 vëllime të tilla. Po t’i shtojmë edhe kopjen e dytë që gjendet në çdo qelizë, do të kishim 856 vëllime. Nëse do ta shtypje vetë me makinë shkrimi gjenomin, kjo do të ishte një punë tetorëshe, pa pushime, që do të zgjaste 80 vjet.

Natyrisht, ajo që do të fitoje pasi të kishe bërë gjithë atë punë, nuk do të të vlente për trupin. Si do t’i futje ato qindra vëllime të mëdha në secilën nga 100 mijë miliardë qelizat e tua mikroskopike? Do të ishte krejt e pamundur të arrije ta ngjeshje kaq shumë të gjithë atë informacion.

Një profesor i biologjisë molekulare dhe shkencave kompjuterike, komentoi: «Një gram ADN, e cila po të thahej do të zinte afërsisht një centimetër kub vëllim, mund të mbajë informacion sa afro një mijë miliardë CD [kompakt disqe].»20 Ç’do të thotë kjo? Sill ndër mend se ADN-ja përmban gjenet, pra udhëzimet për të formuar një trup njerëzor unik. Çdo qelizë ka të gjitha udhëzimet që duhen. ADN-ja është kaq e mbushur me informacion, sa një lugë çaji me ADN do të mbartte udhëzime për të formuar edhe 350 herë sa numri i njerëzve që janë gjallë sot. ADN-ja që duhet për shtatë miliardë njerëzit që jetojnë sot në tokë, mezi do të formonte një shtresë të hollë në lugën e çajit.21

NJË LIBËR PA AUTOR?

Një gram ADN mbart informacione sa një mijë miliardë CD

Me gjithë përparimet në fushën e miniaturizimit, asnjë mjet i krijuar nga njeriu për ruajtjen e informacionit nuk i afrohet këtij kapaciteti. Gjithsesi, kompakt disku mund të shërbejë si krahasim i përshtatshëm. Mendo për këtë: një kompakt disk mund të na bëjë përshtypje me formën simetrike, sipërfaqen e shkëlqyeshme dhe ndërtimin e efektshëm. Shohim prova  të qarta se e kanë bërë njerëz inteligjentë. Por, po sikur disku të jetë i mbushur me informacione​—jo të dhëna të kota, por udhëzime koherente e të hollësishme për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e makinerive të ndërlikuara? Ky informacion nuk i ndryshon në mënyrë të dukshme peshën ose përmasat e diskut. Megjithatë, është elementi më i rëndësishëm i tij. A nuk do të të bindnin këto udhëzime të shkruara se pas kësaj duhet të ketë një mendje inteligjente? A nuk kërkon shkrimi një shkrimtar?

Nuk është absurde ta krahasojmë ADN-në me një kompakt disk a me një libër. Në fakt, një libër për gjenomin, thotë: «Në kuptimin e ngushtë të fjalës, koncepti i gjenomit si një libër as nuk është metaforë, por i mirëfilltë. Sido që të jetë formati (dixhital ose i shkruar), një libër mbetet libër. . . . Edhe gjenomi po ashtu.» Autori shton: «Gjenomi është një libër shumë i zgjuar, sepse, në kushtet e duhura, mund të fotokopjojë e të lexojë vetveten.»22 Kjo na sjell te një aspekt tjetër i rëndësishëm i ADN-së.

MAKINERI NË LËVIZJE

Ndërsa rri në këtë ambient të qetë, fillon të pyesësh veten nëse bërthama e qelizës është vërtet e palëvizshme si një muze. Pastaj, shikon një vitrinë tjetër. Mbi një kuti xhami që përmban një pjesë të modelit të ADN-së, ka një tabelë ku shkruhet: «Shtyp butonin për një demonstrim.» E shtyp butonin dhe dëgjohet një zë që shpjegon: «ADN-ja ka të paktën dy punë shumë të rëndësishme. E para quhet dyfishim. ADN-ja duhet të kopjohet, me qëllim që çdo qelizë e re të ketë një kopje të plotë të të njëjtit informacion gjenetik. Ju lutem, shihni këtë demonstrim.»

Nga një derë në njërin skaj të kutisë hyn një makineri që duket e ndërlikuar. Faktikisht është një grumbull robotësh të lidhur ngushtë së bashku. Makineria  shkon tek ADN-ja, kapet tek ajo dhe fillon të lëvizë përgjatë saj si një tren që lëviz mbi shina. Lëviz pak shpejt dhe ti nuk e sheh tamam ç’po bën, por mund ta shohësh kollaj se pas saj, tani ka dy litarë të plotë ADN-je dhe jo një.

Zëri shpjegon: «Ky është një version tepër i thjeshtuar i asaj që ndodh kur ADN-ja dyfishohet. Një grup makinerish molekulare që quhen enzima udhëtojnë përgjatë ADN-së, së pari duke e ndarë më dysh, pastaj duke përdorur çdo zinxhir si shabllon për të bërë një zinxhir të ri përplotësues. Nuk mund t’jua tregojmë të gjitha pjesët e përfshira, si mjetin e vockël që qëndron para makinerisë së dyfishimit dhe e pret njërën anë të ADN-së, që të rrotullohet lirshëm dhe të mos përdridhet tepër. Nuk mund t’ju tregojmë as se si ADN-ja ‘redaktohet’ disa herë. Gabimet diktohen dhe korrigjohen me një saktësi mahnitëse.»​​—Shih diagramin në  faqet 16 dhe 17.

Zëri vazhdon: «Ajo që mund t’ju tregojmë qartë, është shpejtësia. Siç e vutë re, ky robot lëvizte shumë shpejt, apo jo? Makineria reale e enzimës lëviz përgjatë ‘shinës’ së ADN-së me një shpejtësi rreth 100 shkallëza ose çifte bazash në sekondë.23 Sikur ‘shina’ të kishte përmasat e një shine treni, ky ‘motor’ do të lëvizte përgjatë saj me një shpejtësi rreth 80 kilometra në orë. Te bakteret, këto makineri të vogla dyfishimi mund të lëvizin dhjetë herë më shpejt se kaq. Në qelizën njerëzore, ka ushtri me qindra makineri të tilla dyfishimi që punojnë në të njëjtën kohë në pika të ndryshme të ‘shinës’ së ADN-së. Ato e kopjojnë të gjithë gjenomin vetëm për tetë orë.»24 (Shih kutinë « Një molekulë që mund të lexohet e kopjohet», në faqen 20.)

«LEXIMI» I ADN-SË

Robotët që dyfishojnë ADN-në dalin dalëngadalë nga skena. Ndërkohë shfaqet një makineri tjetër. Edhe ajo lëviz përgjatë një pjese të ADN-së, por më ngadalë. Ti shikon që litari i ADN-së hyn nga njëra anë e kësaj makinerie dhe del nga ana tjetër i pandryshuar. Por, nga një e çarë tjetër e makinerisë del një fije e vetme, e re, si një bisht që rritet. Çfarë po ndodh?

Sërish dëgjohet zëri që shpjegon: «Puna e dytë e ADN-së quhet transkriptim. ADN-ja nuk largohet kurrë nga streha e sigurt e bërthamës. Atëherë, si mund të lexohen e të përdoren gjenet e saj, që janë recetat për të gjitha proteinat që përbëjnë trupin? Kjo makineri e enzimës gjen një pikë përgjatë ADN-së ku një gjen është aktivizuar nga sinjalet kimike që vijnë nga jashtë bërthamës së qelizës. Pastaj,  kjo makineri përdor një molekulë që quhet ARN (acidi ribonukleik) që të bëjë një kopje të këtij gjeni. ARN-ja ngjan shumë si një zinxhir i vetëm i ADN-së, por është e ndryshme. Puna e saj është të marrë informacionet e koduara në gjene. ARN-ja i merr këto informacione kur është në makinerinë e enzimës, pastaj del nga bërthama dhe drejtohet për te një ribozom, ku të dhënat do të përdoren për të prodhuar një proteinë.»

Ndërsa sheh demonstrimin, mrekullohesh. Të lë shumë mbresa ky muze dhe zotësia e atyre që projektuan e ndërtuan makineritë e tij. Por, ç’do të ndodhte sikur gjithë ky vend, me vitrinat e tij, të vihej në lëvizje duke demonstruar mijëra e mijëra veprimet që ndodhin njëkohësisht në qelizën njerëzore? Sa shfaqje madhështore do të ishte!

E megjithatë, ti e kupton se të gjitha këto procese, të kryera nga makineri mikroskopike të ndërlikuara, po ndodhin në këtë moment në të 100 mijë miliardë qelizat e tua. ADN-ja po lexohet, duke siguruar udhëzime për të prodhuar qindra mijë proteinat e ndryshme që përbëjnë trupin tënd​​—enzimat, indet, organet e tij, e të  tjera. Në këtë moment, ADN-ja jote po kopjohet dhe po redaktohet për gabime, që në çdo qelizë të re të ketë udhëzime për t’u lexuar.

PSE KANË RËNDËSI KËTO FAKTE?

Të pyesim përsëri veten: «Nga erdhën gjithë këto udhëzime?» Bibla tregon se ky «libër» dhe shkrimi i tij, e kanë origjinën nga një Autor mbinjerëzor. A është vërtet i vjetëruar ose joshkencor ky përfundim?

Mendo për këtë: a munden njerëzit qoftë edhe ta ndërtojnë një muze si ai që sapo përshkruam? Do ta kishin tepër të vështirë. Shumë gjëra për gjenomin njerëzor dhe funksionimin e tij, akoma nuk kuptohen mirë. Shkencëtarët ende po përpiqen të kuptojnë ku janë të gjitha gjenet dhe çfarë bëjnë. Por gjenet përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të zinxhirit të ADN-së. Ç’të themi për të gjitha ato distanca të gjata ku nuk ka gjene? Këto pjesë, shkencëtarët i kanë quajtur ADN «pa vlerë», por kohët  e fundit e kanë ndrequr këtë pikëpamje. Ndoshta këto pjesë kontrollojnë se si dhe në ç’masë përdoren gjenet. Po edhe sikur shkencëtarët të mund të krijonin një model të plotë të ADN-së dhe të makinerive që e kopjojnë dhe e redaktojnë, a mund ta bënin të funksiononte si ajo e vërteta?

Pak para se të vdiste, shkencëtari i famshëm Riçard Fajnmën la këtë shënim në një dërrasë të zezë: «Atë që s’e krijoj dot, nuk e kuptoj.»25 Përulësia e tij e sinqertë të përtërin dhe pohimi i tij është patjetër i vërtetë në rastin e ADN-së. Shkencëtarët nuk mund ta krijojnë ADN-në me të gjitha makineritë e saj të dyfishimit e të transkriptimit, dhe as mund ta kuptojnë plotësisht atë. Megjithatë, disa pohojnë se e dinë që gjithçka erdhi nga disa gabime dhe ngjarje të rastësishme të padrejtuara nga dikush. A e mbështetin këtë përfundim provat që ke shqyrtuar deri tani?

Disa njerëz të ditur janë bindur se provat të çojnë në drejtimin e kundërt. Për shembull, Fransis Kriku, një shkencëtar që ndihmoi për zbulimin e strukturës helikale të dyfishtë të ADN-së, doli në përfundimin se kjo molekulë është tepër e organizuar e s’mund të jetë shfaqur nëpërmjet ngjarjeve të padrejtuara. Ai propozoi se ADN-në mund ta kenë dërguar në tokë jashtëtokësorë inteligjentë për të ndihmuar që të fillonte jeta këtu.26

Kohët e fundit, filozofi i njohur Entoni Flu, i cili për 50 vjet kishte mbrojtur ateizmin, bëri një kthesë 180 gradë. Në moshën 81-vjeçare, nisi të shprehte bindjen se në krijimin e jetës duhet të ketë pasur dorë njëfarë inteligjence. Pse ndryshoi mendim? Nga një studim i ADN-së. Kur e pyetën mos pikëpamja e tij e re nuk pëlqehej ndër shkencëtarët, thuhet se ai u përgjigj: «Aq më keq për ta. Gjatë gjithë jetës, mua më ka drejtuar parimi . . . ndiq provat, kudo që të çojnë.»27

Çfarë mendon ti? Ku të çojnë provat? Ta zëmë se gjen një dhomë kompjuteri në qendër të një fabrike. Kompjuteri punon me një program universal kompleks që drejton gjithë punimet në fabrikë. Për më tepër, programi vazhdimisht jep udhëzime se si të ndërtohet e të mirëmbahet çdo makineri atje, dhe bën kopje të vetvetes e i redakton. Në ç’përfundim do të të çonin këto prova? Që kompjuteri dhe programi i tij duhet të jenë bërë vetë apo që janë prodhuar nga mendje inteligjente dhe të organizuara? Provat flasin vetë.

^ par. 12 Manuali Biologjia molekulare e qelizës (anglisht) përdor një tjetër shkallë matjeje. Aty thuhet se të përpiqesh t’i paketosh këto fije të gjata në bërthamën e qelizës do të ishte si të përpiqeshe të paketoje 40 kilometra fill shumë të hollë në një top tenisi, por në një mënyrë kaq të rregullt e të organizuar, sa mund të arrish me lehtësi çdo pjesë të fijes.

^ par. 18 Qelizat përmbajnë dy kopje të plota të gjenomit, gjithsej 46 kromozome.