Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PYETJA 1

Si filloi jeta?

Si filloi jeta?

«Nga vijnë fëmijët?» Kur ishe i vogël, a e ke bërë ndonjëherë këtë pyetje që i ka zënë në befasi prindërit? Nëse po, si të janë përgjigjur? Në varësi të moshës sate dhe të personalitetit të tyre, ndoshta e kanë shpërfillur pyetjen ose të kanë dhënë një përgjigje të shpejtë tërë siklet. Ose mund të kenë sajuar ndonjë histori që më vonë e ke kuptuar se ishte trillim. Natyrisht, që fëmija të përgatitet siç duhet për moshën e rritur dhe për martesën, herët a vonë duhet të mësojë për mrekullitë e riprodhimit seksual.

Ashtu siç ndihen në siklet shumë prindër kur duhet të shpjegojnë nga vijnë fëmijët, disa shkencëtarë duket se ngurrojnë të shpjegojnë një pyetje edhe më themelore: nga erdhi jeta? Një përgjigje bindëse për këtë pyetje, mund të ndikojë thellësisht në pikëpamjen që ka një njeri për jetën. Pra, si filloi jeta?

Një qelizë-vezë njerëzore e fekonduar, e zmadhuar rreth 800 herë

Çfarë pohojnë shumë shkencëtarë? Shumë nga ata që besojnë tek evolucioni, do të të thoshin se jeta filloi miliarda vjet më parë buzë një pellgu të lashtë që u mbush me ujë gjatë një batice, ose thellë në oqean. Ata mendojnë se në një vend të tillë, lëndët kimike u bashkuan vetvetiu në struktura si flluska, formuan molekula komplekse dhe nisën të shumoheshin. Besojnë se çdo formë jete në tokë lindi rastësisht nga një ose më shumë qeliza të tilla «të thjeshta» fillestare.

Shkencëtarë të tjerë po kaq të respektuar, që gjithashtu mbështetin evolucionin, nuk janë dakord. Ata teorizojnë se qelizat e para ose të paktën përbërësit e tyre kryesorë, kanë mbërritur në tokë nga kozmosi. Përse? Sepse, me gjithë përpjekjet e tyre më të mira, shkencëtarët nuk kanë arritur të provojnë se jeta mund të lindë vetvetiu nga molekulat e pajeta. Këtë dilemë e nxori në pah në vitin 2008 profesori i biologjisë Aleksandër Menezh. Ai tha se gjatë 50 viteve  të fundit, «s’ka asnjë provë konkrete që të mbështetë hipotezat e shfaqjes spontane të jetës në Tokë thjesht nga një supë molekulare, dhe asnjë përparim domethënës në njohuritë shkencore nuk të çon në këtë drejtim».1

Çfarë zbulojnë provat? Përgjigjja për pyetjen se nga vijnë fëmijët, është më se e dokumentuar dhe e padiskutueshme. Jeta vjen gjithnjë nga jeta që tashmë ekziston. Por, po të ecim shumë prapa në kohë, a ka vërtet mundësi që të jetë shkelur ky ligj themelor? A mund të lindë vërtet vetvetiu jeta nga lëndët kimike të pajeta? Sa mundësi ka që të ndodhë kjo?

Siç e kanë kuptuar kërkuesit, që një qelizë të mbijetojë, duhet të bashkëveprojnë të paktën tri lloje të ndryshme molekulash komplekse: ADN-ja (acidi dezoksiribonukleik), ARN-ja (acidi ribonukleik) dhe proteinat. Sot, janë të paktë shkencëtarët që do të thoshin se një qelizë e plotë e gjallë u formua papritur dhe rastësisht nga një përzierje lëndësh kimike jo të gjalla. Po sa probabilitet ka që të jenë formuar rastësisht ARN-ja ose proteinat?

Stanli Milëri, 1953

Shumë shkencëtarë mendojnë se jeta mund të lindë rastësisht, për shkak të një eksperimenti që u bë fillimisht në vitin 1953. Atë vit, Stanli L. Milëri arriti të prodhonte disa aminoacide, që janë përbërësit kimikë bazë të proteinave, duke kaluar shkarkime elektrike nëpër një përzierje gazesh që supozohej se paraqiste atmosferën e tokës primitive. Që nga ajo kohë, janë gjetur aminoacide edhe te një meteorit. A nënkuptojnë këto zbulime se të gjithë përbërësit kimikë bazë të jetës mund të vijnë fare lehtë rastësisht?

Robert Shapiroja, profesor nderi i kimisë në Universitetin e Nju-Jorkut, thotë: «Disa shkrimtarë kanë nxjerrë përfundimin se të gjithë përbërësit kimikë bazë të jetës mund të formohen lehtësisht në eksperimente të tipit të Milërit dhe ishin të pranishëm te meteoritët. Kjo nuk është e vërtetë.»2

Mendo për molekulën e ARN-së. Ajo përbëhet nga molekula më të vogla, të quajtura nukleotide. Nukleotidi është një lloj molekule e ndryshme nga aminoacidi dhe vetëm pak më komplekse. Shapiroja thotë se «nuk është raportuar asnjë rast që një nukleotid i ndonjë lloji të jetë prodhuar në eksperimente me shkarkime elektrike ose të ketë dalë nga studimet e meteoritëve».3 Më tej, thotë se probabiliteti që pjesët e një molekule ARN-je vetëriprodhuese të bashkoheshin rastësisht nga një pellg me përbërës kimikë bazë «është kaq i vogël, saqë, sikur të ndodhte qoftë edhe një herë të vetme në universin fizik, kjo do të konsiderohej diçka shumë fatlume».4

ARN-ja (1) duhet për të prodhuar proteinat (2), por proteinat janë të përfshira në prodhimin e ARN-së. Si mund të ketë ardhur rastësisht ndonjëra prej tyre, e jo më të dyja? Ribozome (3) do të shqyrtohen në pjesën 2.

Po molekulat proteinike? Ato mund të përbëhen nga 50 deri në disa mijëra aminoacide të lidhura së bashku sipas një rendi shumë specifik. Një proteinë tipike në një  qelizë «të thjeshtë» përmban 200 aminoacide. Edhe në këto qeliza ka mijëra lloje të ndryshme proteinash. Është llogaritur se probabiliteti që një proteinë e vetme që përmban vetëm 100 aminoacide të formohej rastësisht në tokë, është rreth 1 në një milion miliardë.

Nëse krijimi i molekulave komplekse në laborator kërkon zotësinë e një shkencëtari, a mund të kenë ardhur vërtet rastësisht molekulat shumë më komplekse të qelizës?

Kërkuesi Hubert P. Jokei, i cili mbështet mësimin e evolucionit, shkon edhe më tej. Ai thotë: «Është e pamundur që në origjinën e jetës të kenë qenë ‘të parat proteinat’.»5 Për të bërë proteinat duhet ARN-ja, por në prodhimin e ARN-së janë të përfshira proteinat. Po sikur, pavarësisht nga mundësia jashtëzakonisht e vogël, edhe proteinat, edhe molekulat e ARN-së të jenë shfaqur rastësisht në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë? Sa gjasa do të kishte që të bashkëvepronin për të formuar një lloj jete vetëriprodhuese dhe të pavarur? «Probabiliteti që kjo të ndodhë rastësisht (me një përzierje të rastësishme proteinash dhe ARN-je) duket pabesueshmërisht i vogël»,​—thotë dr. Karola Klelandi, anëtare e Institutit Astrobiologjik të Aeronautikës Kombëtare dhe të Administrimit të Hapësirës. «Megjithatë,​—vazhdon ajo,—​shumica e kërkuesve me sa duket mendojnë që mjafton të kuptojnë si u shfaqën vetë proteinat dhe ARN-ja në kushtet natyrore primitive, se pastaj do të kuptohet vetiu se si arritën të bashkëvepronin.» Për teoritë aktuale se si mund të kenë ardhur rastësisht këta përbërës kimikë bazë të jetës, ajo thotë: «Asnjëra prej tyre nuk na ka dhënë një shpjegim të kënaqshëm se si ndodhi kjo.»6

Nëse për të krijuar e programuar një robot të pajetë duhet një qenie inteligjente, ç’do të duhej për të krijuar një qelizë të gjallë, e jo më pastaj një njeri?

Pse kanë rëndësi këto fakte? Mendo për vështirësinë që hasin kërkuesit që mendojnë se jeta erdhi rastësisht. Ata kanë gjetur disa aminoacide që gjenden edhe në qelizat e gjalla. Në laboratorët e tyre, me eksperimente të menduara e të drejtuara me kujdes, kanë prodhuar molekula të tjera më komplekse. Së fundi, shpresojnë të formojnë të gjitha pjesët që duhen për të ndërtuar një qelizë «të thjeshtë». Situata e tyre mund të krahasohet me situatën e një shkencëtari, i cili merr elemente që gjenden në natyrë, i transformon në hekur, plastikë, silikon e tela, dhe me to ndërton një robot. Pastaj e programon robotin që të arrijë të ndërtojë kopje të vetes. Çfarë do të arrijë të provojë me këtë? Më së shumti, që një qenie inteligjente mund të ndërtojë një makineri mbresëlënëse.

Po kështu, sikur shkencëtarët të arrijnë ndonjëherë të ndërtojnë një qelizë, do të  bëjnë diçka vërtet mahnitëse, por a do të provonin me këtë se qeliza mund të bëhet rastësisht? E vetmja gjë që do të provonin, do të ishte e kundërta, apo jo?!

Çfarë mendon ti? Të gjitha provat shkencore deri më tani tregojnë se jeta mund të vijë vetëm nga jeta që tashmë ekziston. Të besosh se edhe një qelizë «e thjeshtë» e gjallë erdhi rastësisht nga lëndë kimike të pajeta, kërkon një dozë të madhe besimi të verbër.

Duke pasur parasysh faktet, a je gati të besosh kështu? Para se të përgjigjesh, shqyrtoje më nga afër mënyrën si është ndërtuar qeliza. Kjo do të të ndihmojë të dallosh nëse teoritë që propagandojnë disa shkencëtarë se nga erdhi jeta, janë logjike apo janë po aq imagjinare sa historitë që sajojnë disa prindër kur i pyesin se nga vijnë fëmijët.

Probabiliteti që ADN-ja të jetë formuar rastësisht, do të shqyrtohet në pjesën 3: «Nga erdhën udhëzimet?»

Profesor Shapiroja nuk beson se jeta u krijua. Ai beson se jeta erdhi rastësisht në ndonjë mënyrë që ende nuk kuptohet plotësisht.Në vitin 2009, shkencëtarët në Universitetin e Mançesterit, Angli, raportuan se arritën të krijonin disa nukleotide në laborator. Megjithatë, Shapiroja thotë se receta e tyre «nuk plotëson në asnjë mënyrë kriteret e mia për të gjetur një shteg të besueshëm për në botën e ARN-së».

Dr. Klelandi nuk e beson tregimin biblik për krijimin. Beson se jeta erdhi rastësisht në ndonjë mënyrë që ende nuk kuptohet plotësisht.