Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zilia​—Një tipar që mund të na helmojë mendjen

Zilia​—Një tipar që mund të na helmojë mendjen

Zilia​—Një tipar që mund të na helmojë mendjen

E kishte Napoleon Bonaparti. Edhe Jul Cezari. Edhe Aleksandri i Madh. Ndonëse të mbuluar me lavdi e pushtet, këta burra kishin në zemër një tipar që mund të helmojë mendjen. Të tre i brente zilia për dikë tjetër.

«Napoleoni kishte zili Cezarin, Cezari kishte zili Aleksandrin [e Madh], kurse Aleksandri, ma do mendja se kishte zili Herkulin, që as ka ekzistuar ndonjëherë»,—shkroi filozofi anglez Bertrand Rasëll. Zilia mund t’i hyjë kujtdo, pavarësisht nga pasuria, nga aftësitë apo nga suksesi në jetë.

Zilia është një ndjenjë mërie ndaj të tjerëve për shkak të zotërimeve, të mirëqenies, të avantazheve që gëzojnë, e kështu me radhë. Një vepër biblike referimi bën këtë dallim mes zilisë dhe xhelozisë: «‘Xhelozia’ . . . lidhet me dëshirën për të qenë po aq në gjendje sa një tjetër, kurse fjala ‘zili’ lidhet me dëshirën për t’ia zhvatur tjetrit atë që ka.» Ziliqarit jo vetëm i vjen plasja për atë që ka dikush tjetër, por edhe dëshiron t’ia marrë.

Është e mençur të shqyrtojmë si mund të lindë brenda nesh zilia dhe ç’pasoja ka. Sidomos duhet të dimë çfarë masash të marrim që të mos na drejtojë zilia në jetë.

NJË FRYMË QË MUND T’U FRYJË FLAKËVE TË ZILISË

Njerëzit e papërsosur janë ‘të prirur drejt zilisë’, por ka një sërë faktorësh që mund ta ushqejnë dhe ta përforcojnë këtë prirje. (Jak. 4:5) Apostulli Pavël nxori në pah një prej tyre: «Le të mos kemi frymën e unit dhe të mos ngjallim konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur zili njëri-tjetrin.» (Gal. 5:26) Fryma e konkurrencës mund ta përkeqësojë prirjen tonë të papërsosur drejt zilisë. Dy të krishterë, Kristina dhe Hozeja, * panë sa e vërtetë është kjo.

Kristina, që është pioniere e rregullt, thotë: «Shpesh më ndodh t’i shoh me zili të tjerët. Atë që kanë ata, e krahasoj me atë që nuk kam unë.» Njëherë Kristina po hante bashkë me një çift që ka privilegjin të shërbejë në veprën udhëtuese. Tek bluante në mend se ajo dhe i shoqi, Eriku, kishin pak a shumë një moshë me mbikëqyrësin udhëtues e gruan e tij dhe se në të kaluarën kishin pasur caktime të ngjashme, tha: «Edhe burri im është plak. Si është kjo punë, që ju jeni në veprën udhëtuese kurse ne s’jemi gjë hiç?» Flakët e zilisë, të ndezura edhe më fort nga fryma e konkurrencës, e verbuan aq sa nuk shihte ç’punë të shkëlqyer po bënin ajo dhe i shoqi dhe ndihej e pakënaqur me jetën e vet.

Hozeja donte të ishte shërbëtor ndihmës në kongregacion. Kur disa të tjerë u emëruan, por ai jo, i shihte me zili dhe u mbush me mllef ndaj koordinatorit të trupit të pleqve. «Nga zilia, ushqeja urrejtje për atë vëlla dhe i keqinterpretoja qëllimet e tij,—rrëfen Hozeja.—Kur të drejton zilia në jetë, përqendrohesh te vetja dhe nuk mendon dot me kthjelltësi.»

Ç’NA MËSOJNË SHEMBUJT BIBLIKË?

Bibla është plot shembuj paralajmërues. (1 Kor. 10:11) Disa prej tyre tregojnë jo vetëm si zhvillohet zilia, por edhe si i helmon kjo ndjenjë ata që e lejojnë t’i pushtojë.

Për shembull, Kaini, biri i parëlindur i Adamit dhe Evës, u nxeh kur Jehovai pranoi flijimin e Abelit, por jo të tijin. Kaini mund ta kishte ndrequr atë situatë, mirëpo zilia ia erri sytë aq sa vrau të vëllanë. (Zan. 4:4-8) Ja pse Bibla thotë se Kaini «vinte nga i ligu», Satanai.​—1 Gjon. 3:12.

Dhjetë vëllezërit e Jozefit e shihnin me zili lidhjen e veçantë që kishte ai me të atin. Kur Jozefi u tregoi ëndrrat e tij profetike, urrejtja iu shtua e madje donin ta vritnin. Në fund e shitën si skllav dhe mizorisht bënë që i ati të pandehte se Jozefi kishte vdekur. (Zan. 37:4-11, 23-28, 31-33) Vite më pas, e pranuan se kishin mëkatuar dhe i thanë njëri-tjetrit: «Patjetër jemi fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë vuajtjen e shpirtit të tij, kur na luste të ishim të dhembshur me të, por nuk e dëgjuam.»​—Zan. 42:21; 50:15-19.

Në rastin e Korahut, të Datanit dhe të Abiramit, zilia lindi kur i krahasuan privilegjet e tyre me ato të Moisiut e të Aaronit. E akuzuan Moisiun se ‘hiqej si princ’ dhe e mbante veten më lart se të tjerët. (Num. 16:13) Kjo akuzë s’ishte aspak e vërtetë. (Num. 11:14, 15) Moisiun e kishte emëruar vetë Jehovai. Mirëpo, ata rebelë i gërryente zilia për pozitën e Moisiut. Në fund, si pasojë e zilisë, u shfarosën nga dora e Jehovait.​—Psal. 106:16, 17.

Mbreti Solomon e pa me sytë e vet deri në ç’pikë mund ta çojë zilia njeriun. Një grua që i kish vdekur fëmija i sapolindur, u orvat të mashtronte një shoqen e vet se fëmija i vdekur ishte i saji. Në gjyqin që u bë për këtë, gënjeshtarja madje ishte dakord të vritej foshnja që kishte mbetur gjallë. Gjithsesi, Solomoni u kujdes që fëmija t’i jepej nënës së vërtetë.​—1 Mbret. 3:16-27.

Zilia mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Shembujt biblikë të mësipërm tregojnë se ajo mund të çojë në urrejtje, padrejtësi dhe vrasje. Veç kësaj, në secilin rast viktima nuk e meritonte aspak të keqen që iu bë. Si të sigurohemi se nuk na drejton zilia në jetë? Ç’masa mund të marrim si kundërhelme për zilinë?

KUNDËRHELME TË FORTA

Kultivo dashuri dhe përzemërsi vëllazërore. Apostulli Pjetër i këshilloi të krishterët: «Tani që i keni pastruar shpirtrat tuaj nëpërmjet bindjes ndaj së vërtetës, që solli si rrjedhim një përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi, kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra.» (1 Pjet. 1:22) Po çfarë është dashuria? Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta.» (1 Kor. 13:4, 5) Kur ushqejmë në zemër këtë dashuri për të tjerët, mbytet prirja e keqe drejt zilisë. (1 Pjet. 2:1) Për shembull, Jonatani në vend që ta kishte zili Davidin, ‘e donte si shpirtin e vet’.​—1 Sam. 18:1.

Shoqërohu me bashkëbesimtarët. Kompozitori i Psalmit 73 i kishte zili të ligjtë që bënin një jetë luksoze e pa telashe. Por, pasi shkoi në «shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë», e mposhti zilinë. (Psal. 73:3-5, 17) Falë shoqërimit me bashkadhuruesit, psalmisti dalloi ç’bekime kishte ‘duke iu afruar Perëndisë’. (Psal. 73:28) Shoqërimi i rregullt me bashkëbesimtarët në mbledhjet e krishtere mund të na sjellë të njëjtën dobi.

Përpiqu të veprosh mirë. Kur vuri re se Kaini kishte zhvilluar zilinë dhe urrejtjen, Perëndia i tha: ‘Kthe rrugë dhe vepro mirë.’ (Zan. 4:7) Ç’nënkupton për të krishterët ‘të veprojnë mirë’? Jezui tha ‘ta duam Jehovain, Perëndinë tonë, me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë dhe me gjithë mendjen tonë e ta duam të afërmin si veten’. (Mat. 22:37-39) Kënaqësia që provojmë kur jetën tonë e përdorim kryesisht për t’i shërbyer Jehovait dhe për të ndihmuar të tjerët, është një kundërhelm i fortë ndaj ndjenjave të zilisë. Pjesëmarrja domethënëse në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve është një mënyrë e shkëlqyer për t’i shërbyer Perëndisë e të tjerëve dhe na sjell ‘bekimin e Jehovait’.​—Prov. 10:22.

‘Gëzo me ata që gëzojnë.’ (Rom. 12:15) Jezuin e gëzoi suksesi i dishepujve dhe tha se do të kryenin gjëra më të mëdha se ai në veprën e predikimit. (Luka 10:17, 21; Gjoni 14:12) Ne jemi të bashkuar si shërbëtorë të Jehovait, ndaj suksesi i çdonjërit prej nesh është bekim për të gjithë. (1 Kor. 12:25, 26) Kështu, në vend që të bëhemi ziliqarë, a nuk duhet të gëzojmë kur të tjerët marrin përgjegjësi më të mëdha?

NJË BETEJË ASPAK E LEHTË

Lufta kundër zilisë mund të jetë e gjatë. Kristina pranon: «Akoma kam një prirje të fortë drejt zilisë. Sado që e urrej, kjo ndjenjë është brenda meje dhe më duhet ta shtyp vazhdimisht.» Hozeja ka bërë një luftë të ngjashme. «Jehovai më ndihmoi të vlerësoja cilësitë e mira të koordinatorit të trupit të pleqve,—thotë ai.—Ia dola mbanë vetëm falë marrëdhënies së mirë me Perëndinë.»

Zilia është një nga «veprat e mishit» kundër së cilës duhet të luftojë çdo i krishterë. (Gal. 5:19-21) Kur nuk lejojmë të na drejtojë zilia në jetë, jemi më të lumtur dhe kënaqim Atin tonë qiellor, Jehovain.

[Shënimi]

^ par. 7 Emrat janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 17]

‘Gëzo me ata që gëzojnë’