Të rritemi në njohurinë e saktë duke pasur «etje të madhe»

Të rritemi në njohurinë e saktë duke pasur «etje të madhe»

Të rritemi në njohurinë e saktë duke pasur «etje të madhe»

TË GJITHË shërbëtorët e Jehovait dëshirojnë të kenë miratimin e tij. Për këtë arsye, duam me gjithë zemër të përmirësojmë cilësinë e besimit tonë dhe të bëjmë shërbim të shenjtë me zell. Megjithatë, apostulli Pavël e drejton vëmendjen tonë te një rrezik i mundshëm, i cili solli pasoja edhe te disa judenj të kohës së tij. Ai tha: «Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.» (Rom. 10:2) Qartë, besimi dhe adhurimi ynë ndaj Jehovait nuk duhet të bazohen vetëm te ndjenjat. Kemi nevojë për njohurinë e saktë në lidhje me Krijuesin dhe vullnetin e tij.

Edhe në vende të tjera në shkrimet e tij Pavli tha se, për të pasur një sjellje që ka miratimin e Perëndisë, duhet të marrim njohuri me etje. Ai u lut që dishepujt e Krishtit ‘të jenë plot me njohuri të saktë’ të vullnetit të Perëndisë, ‘që të ecin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqejnë plotësisht atij’, ndërsa ‘vazhdojnë të japin fryt në çdo vepër të mirë e të rriten në njohurinë e saktë të Perëndisë’. (Kolos. 1:9, 10) Pse kemi kaq shumë nevojë për «njohurinë e saktë»? Dhe, pse duhet të rritemi në këtë njohuri?

Çelësi i besimit

Njohuria e saktë për Perëndinë dhe vullnetin e tij, siç është zbuluar në Bibël, është baza e besimit tonë. Pa këtë njohuri të saktë, besimi ynë te Jehovai do të ishte si një shtëpi me letra bixhozi që mund të prishet edhe nga një puhizë e lehtë. Pavli na inkurajon t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë me ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’ dhe ‘të përtërijmë mendjen tonë’. (Rom. 12:1, 2) Për këtë mund të na ndihmojë studimi i rregullt i Biblës.

Eva, një pioniere e rregullt nga Polonia, pranon: «Po të mos studioja rregullisht Fjalën e Perëndisë, nuk do të rritesha në njohurinë e saktë. Shumë shpejt do të humbja identitetin e krishterë, besimi im te Perëndia do të dobësohej dhe do të dëmtoja gjënë më të çmuar—marrëdhënien time me Perëndinë.» Mos na ndodhtë kurrë kjo gjë! Të shqyrtojmë shembullin e një njeriu që u rrit në njohurinë e saktë për Jehovain, dhe si rrjedhim gëzonte miratimin e tij.

«Oh, sa e dua ligjin tënd!»

Kënga poetike që në Bibël është renditur si Psalmi 119, përcjell ndjenjat e psalmistit për ligjet, përkujtuesit, urdhrat, urdhërimet dhe vendimet gjyqësore të Jehovait. Psalmisti shkroi: «Do t’i kem në zemër ligjet e tua. . . . Përkujtuesit e tu i kam në zemër.» Po kështu ai shkroi: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.»—Psal. 119:16, 24, 47, 48, 77, 97.

Shprehjet ‘kam në zemër’ dhe ‘mbaj mendjen’ nënkuptojnë meditim rreth Fjalës së Perëndisë, madje të gjesh kënaqësi gjatë një meditimi të tillë. Këto shprehje theksojnë dukshëm dëshirën që kishte psalmisti për të studiuar ligjin e Perëndisë. Kjo dëshirë nuk ishte thjesht një vërshim ndjenjash nga zemra e psalmistit. Përkundrazi, ai dëshironte me etje ‘ta mbante mendjen’ te ligji i Jehovait që të fitonte gjykim të thellë për fjalët e Tij. Nga qëndrimi i psalmistit mund të kuptojmë se ai donte ta njihte Perëndinë dhe vullnetin e Tij në mënyrë sa më të saktë.

Është e qartë se dashuria e psalmistit për Fjalën e Perëndisë buronte nga thellësia e zemrës së tij. Mund të pyesim veten: «A kam edhe unë dashuri të thellë për Fjalën e Perëndisë? A kënaqem duke lexuar dhe analizuar një pjesë të Biblës çdo ditë? A bëj përpjekje për të lexuar Fjalën e Perëndisë dhe a i lutem Jehovait para se ta lexoj atë? Nëse përgjigjemi «po» për këto pyetje, ka shumë të ngjarë që ‘po rritemi në njohurinë e saktë të Perëndisë’.

Eva thotë: «Përpiqem vazhdimisht të përmirësoj cilësinë e studimit personal. Që kur morëm broshurën ‘Të shohim vendin e mirë’, e përdor pothuajse çdo herë që studioj. Sipas nevojës, përpiqem gjithnjë e më shumë të bëj kërkime në botimin Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet dhe në vepra të tjera referimi.»

Të shqyrtojmë edhe shembullin e Vojçekut e të Maugozhatës, që kanë shumë përgjegjësi familjare. Si arrijnë të përfshijnë në programin e tyre studimin personal të Biblës? Ata thonë: «Lëmë kohë për të studiuar individualisht Fjalën e Perëndisë sipas mundësive. Pastaj, gjatë studimit tonë familjar dhe bisedave të përditshme, flasim për pikat që na duken interesante dhe nxitëse.» Studimi i thellë personal u sjell shumë gëzim dhe i ndihmon ‘të rriten në njohurinë e saktë’.

Të studiojmë me mendje të hapur

Si të krishterë besojmë se vullneti i Perëndisë është «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:3, 4) Kjo thekson sa e vlefshme është që të lexojmë Biblën dhe të përpiqemi ‘të kapim kuptimin e saj’. (Mat. 15:10) Një ndihmë për këtë është të studiojmë me mendje të hapur. Këtë qëndrim kishin bereasit e lashtë kur Pavli u dha lajmin e mirë. Bibla thotë: «[Ata] e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu.»—Vep. 17:11.

A ndiqni shembullin e bereasve duke pasur etje të madhe për Biblën dhe duke mos u shpërqendruar nga gjërat e panevojshme, teksa studioni Fjalën e Perëndisë? Një i krishterë mund të përpiqet të imitojë bereasit, edhe nëse në të kaluarën nuk i pëlqente të studionte. Për më tepër, disa njerëz priren të lexojnë e të studiojnë më pak ndërsa mosha kalon, por nuk duhet të jetë kështu me një të krishterë. Pavarësisht nga mosha, mund të përpiqeni të shmangni shpërqendrimet. Dhe, ndërsa lexoni, mund të kërkoni me etje informacione të cilat mund t’ua thoni edhe të tjerëve. Për shembull, a mund të vini si synim që t’i përmendni bashkëshortit ose një miku të krishterë gjëra që keni lexuar ose mësuar gjatë studimit tuaj? Duke bërë kështu, mund t’i ngulitni mirë në mendje e në zemër këto gjëra dhe në të njëjtën kohë mund të ndikoni për mirë te të tjerët.

Gjatë studimit ndiqni shembullin e Ezdrës, shërbëtorit të lashtë të Perëndisë, i cili «e kishte përgatitur zemrën e tij për t’u këshilluar me ligjin e Jehovait». (Ezd. 7:10) Si mund ta bëni këtë? Mund të krijoni një ambient të përshtatshëm për të studiuar. Më pas uluni dhe lutjuni Jehovait që t’ju japë drejtim e mençuri. (Jak. 1:5) Pyetni veten: «Çfarë pres që të mësoj gjatë këtij studimi?» Ndërsa lexoni, jini të vëmendshëm ndaj ideve kryesore. Mund t’i mbani shënim ato ose të shënoni pjesët që doni të kujtoni në veçanti. Shqyrtoni se si mund ta përdorni materialin kur predikoni, kur merrni vendime ose kur inkurajoni bashkëbesimtarët. Nga fundi i studimit, rishikoni shkurtimisht materialin që keni shqyrtuar. Kjo do t’ju ndihmojë të mbani në mendje atë që keni mësuar.

Eva përshkruan metodën e saj: «Kur lexoj Biblën, përdor referimet, Treguesin e Botimeve Watchtower dhe Bibliotekën Watchtower në CD-ROM. Mbaj shënime që t’i përdor në shërbim.»

Disa prej vitesh studiojnë thellë, duke u zhytur në gjërat frymore. (Prov. 2:1-5) Arrijnë ta bëjnë këtë edhe pse kanë shumë përgjegjësi dhe nuk e kanë të lehtë të gjejnë kohë. Nëse edhe ju keni rrethana të ngjashme, çfarë rregullimesh mund të bëni në programin tuaj?

Si ta gjejmë kohën?

Ka mundësi të jeni dakord se është më e lehtë të gjeni kohë për gjëra që ju pëlqejnë. Shumë kanë kuptuar se një ndihmë për t’u zhytur në studimin personal është të vënë një synim realist, si për shembull, të lexojnë tërë Biblën. Vërtet, mund të duket shumë e vështirë të lexoni gjenealogji të gjata, përshkrime të hollësishme të tempullit të lashtë ose profeci të ndërlikuara që duken sikur nuk lidhen me jetën e përditshme. Përpiquni të ndërmerrni hapa praktikë për të arritur synimin tuaj. Për shembull, para se të shqyrtoni një pjesë të Biblës që duket e vështirë, mund të lexoni për sfondin e saj historik ose për zbatimin e saj praktik. Këto informacione mund të gjenden në librin «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», i cili është në dispozicion në rreth 50 gjuhë.

Nëse përdorni imagjinatën teksa lexoni Biblën, kjo do t’ju nxitë shumë. Mund t’ju ndihmojë të krijoni në mendje një imazh të personazheve dhe të ngjarjeve që po lexoni. Duke zbatuar vetëm këto pak sugjerime, ka shumë mundësi që periudhat tuaja të studimit të bëhen më të këndshme e më shpërblyese. Si rrjedhim, do të jeni më të etur për të gjetur kohë për studimin. Do ta keni më të lehtë të ruani zakonin e leximit të Biblës çdo ditë.

Megjithëse sugjerimet e mësipërme mund të na ndihmojnë individualisht, çfarë mund të bëjë një familje që nuk ka shumë kohë të lirë? Pse të mos uleni bashkë e të diskutoni me qetësi për dobitë që mund të vijnë nga studimi familjar? Nga ky diskutim mund të dalin ide praktike, si për shembull, të ngriheni disa minuta më herët çdo ditë ose disa ditë në javë, që të shqyrtoni një pjesë nga Bibla. Ose nga diskutimi juaj mund të kuptoni se keni nevojë të rregulloni programin familjar. Për shembull, disa familjeve u është dukur praktike të shqyrtojnë shkrimin e ditës ose të lexojnë një pjesë nga Bibla, në fund të një vakti familjar. Para se dikush të fillojë të ngrejë tryezën ose të largohet për të bërë diçka tjetër, familja kalon 10 ose 15 minuta duke shqyrtuar Shkrimet ose duke bërë leximin e Biblës që kishin programuar. Në fillim kjo mund të duket paksa e vështirë, por shpejt mund të bëhet normale dhe shumë e këndshme për familjen.

Vojçeku dhe Maugozhata shpjegojnë se çfarë e ndihmoi familjen e tyre: «Në të kaluarën, na e hanin kohën aktivitete të parëndësishme. Vendosëm të pakësonim kohën që harxhonim duke dërguar mesazhe me anë të Internetit. Gjithashtu kufizuam kohën që kalonim duke u zbavitur dhe caktuam një ditë e një orar për një studim të thellë.» Sigurisht, kësaj familjeje nuk i vjen keq që bëri këto rregullime, e po kështu mund të jetë edhe për familjen tuaj.

Ia vlen të rritemi në njohurinë e saktë!

Studimi i thellë i Fjalës së Perëndisë mund të sjellë «fryt në çdo vepër të mirë». (Kolos. 1:10) Ndërsa bëni këtë në jetën tuaj, përparimi juaj do të duket qartë për të gjithë. Do të jeni persona frymorë që kanë kuptueshmëri të plotë për të vërtetat e Biblës. Vendimet tuaja do të jenë më të ekuilibruara e do të jeni më të aftë t’i ndihmoni të tjerët, si dhe nuk do të keni pikëpamjet ekstreme që karakterizojnë personat e painformuar. Mbi të gjitha, do të afroheni më shumë me Jehovain. Do të keni kuptueshmëri më të thellë për cilësitë e tij, dhe kjo do të duket qartë ndërsa u flitni të tjerëve për të.—1 Tim. 4:15; Jak. 4:8.

Pavarësisht nga mosha ose përvoja që keni, bëni çdo përpjekje që të vazhdoni të gjeni kënaqësi në Fjalën e Perëndisë dhe të bëni një studim të thellë të saj me mendje të hapur. Jini të sigurt se Jehovai nuk do t’i harrojë përpjekjet tuaja. (Hebr. 6:10) Ai do të derdhë mbi ju bekimet e tij të bollshme.

[Kutia në faqen 13]

KUR ‘RRITEMI NË NJOHURINË E SAKTË’. . .

Forcojmë besimin te Jehovai dhe ecim denjësisht për Të.​—Kolos. 1:9, 10

Fitojmë gjykim të thellë, dhe kështu jemi në gjendje të përdorim aftësi dalluese e të marrim vendime të mençura.​—Psal. 119:99

Provojmë gjithnjë e më shumë kënaqësi duke i ndihmuar të tjerët që t’i afrohen Jehovait.—Mat. 28:19, 20

[Figurat në faqen 14]

Mund të jetë e vështirë të gjeni një vend të përshtatshëm për të studiuar, por ia vlen

[Figura në faqen 15]

Disa familje lexojnë një pjesë të Biblës pas një vakti