Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Vdekja u përpi përgjithmonë»

«Vdekja u përpi përgjithmonë»

«Vdekja u përpi përgjithmonë»

IMAGJINONI sikur në gazetë, të lexoni një artikull me titullin e mësipërm, në vend që të lexoni për një vajzë të vogël e cila ka vrarë veten. Sigurisht që asnjë gazetë nuk ka mundur të shkruajë ndonjëherë për diçka të tillë. Por ja që këto fjalë i gjejmë në një libër të shkruar mijëra vite më parë​—në Bibël.

Në Shkrimet e Shenjta shpjegohet mjaft qartë se çfarë është vdekja. Bibla nuk tregon vetëm përse vdesin njerëzit, por shpjegon edhe gjendjen e të vdekurve, si dhe shpresën që ka për njerëzit tanë të dashur të cilët nuk jetojnë më. Për më tepër, ajo flet për një kohë të rëndësishme kur do të mund të themi: «Vdekja u përpi përgjithmonë.»​—1 Korintasve 15:54.

Bibla e shpjegon vdekjen me fjalë të thjeshta, jo të ndërlikuara. Për shembull, ajo vazhdimisht e krahason vdekjen me ‘rënien në gjumë’, dhe për të vdekurit flet si të ishin «në gjumin e vdekjes». (Psalmi 13:3; 1 Selanikasve 4:13; Gjoni 11:11-14) Vdekja përcaktohet si një ‘armik’ yni. (1 Korintasve 15:26) Por, ç’është më e rëndësishmja, Bibla na ndihmon të kuptojmë pse vdekja është si gjumi, pse e mundon njerëzimin, dhe si do të mposhtet përfundimisht ky armik.

Përse vdesin njerëzit?

Libri i parë i Biblës thotë se Perëndia bëri njeriun e parë, Adamin, dhe e vendosi të jetonte në një vend parajsor. (Zanafilla 2:7, 15) Që në fillim të jetës, Adamit iu tregua ç’punë duhej të bënte dhe diçka që i ishte ndaluar rreptësisht. Në lidhje me një pemë të caktuar, në kopshtin e Edenit, Perëndia i tha: «Mos ha nga pema . . . , sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» * (Zanafilla 2:17) Kështu, Adami e kuptoi se vdekja nuk ishte e pashmangshme. Ajo do të vinte me siguri si pasojë e shkeljes së ligjit hyjnor.

Mjerisht, Adami dhe gruaja e tij, Eva, nuk u bindën. Me dashje, shpërfillën vullnetin e Krijuesit të tyre dhe vuajtën pasojat. ‘Jeni pluhur dhe në pluhur do të riktheheni’,​—u tha Perëndia, duke u treguar pasojat e mëkatit të tyre. (Zanafilla 3:19) Kështu, mëkati solli një mangësi serioze te njeriu: papërsosmërinë. Papërsosmëria ose gjendja mëkatare, nga ana e saj, do të sillte vdekjen.

Kjo mangësi, domethënë mëkati, iu kalua edhe pasardhësve të Adamit dhe të Evës, pra, gjithë racës njerëzore. Në njëfarë kuptimi, mëkati ishte si një sëmundje e trashëgueshme. Adami jo vetëm që humbi mundësinë për të jetuar pa dënimin e vdekjes, por ua kaloi papërsosmërinë edhe pasardhësve të tij. Kështu, e gjithë familja njerëzore ra në robërinë e mëkatit. Bibla thotë: «Ja përse, ashtu si nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»​—Romakëve 5:12.

«Mëkati hyri në botë»

Mëkati, kjo mangësi e trashëguar, nuk është diçka që mund të shihet në mikroskop. Fjala «mëkat» i referohet mangësisë morale dhe frymore që kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë, e cila ka edhe pasoja fizike. Megjithatë, Bibla zbulon se Perëndia ka menduar për zgjidhjen e këtij problemi. Apostulli Pavël shpjegon: «Paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, Pavli dha siguri të mëtejshme, duke thënë diçka që e konsideronte vërtet të rëndësishme: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.»​—1 Korintasve 15:22.

Është e qartë se Jezu Krishti luan një rol kyç në eliminimin e mëkatit dhe të vdekjes. Ai tha se erdhi në tokë që «të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave». (Mateu 20:28) Kjo është e ngjashme me rastin kur kanë rrëmbyer dikë, dhe për ta liruar duhet të paguhet një shumë e caktuar parash. Në rastin tonë, shpërblesa që mund të na çlirojë nga mëkati dhe nga vdekja, është jeta e përsosur njerëzore e Jezuit. *​—Veprat 10:39-43.

Për të siguruar shpërblesën, Perëndia dërgoi Jezuin në tokë që të sakrifikonte jetën e tij. «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai . . . të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Para vdekjes së tij flijuese, Krishti ‘dha dëshmi për të vërtetën’. (Gjoni 18:37) Gjatë shërbimit, ai mori shkas nga disa rrethana për të zbuluar të vërtetën rreth vdekjes.

«Vogëlushja . . . po fle»

Kur Jezui ishte këtu në tokë, vdekja nuk ishte një koncept i panjohur për të. Ai provoi hidhërimin që shkakton humbja e një të afërmi, dhe e dinte mjaft mirë që edhe vetë do të kishte një vdekje të parakohshme. (Mateu 17:22, 23) Me sa duket, disa muaj para se Jezui të ekzekutohej, vdiq Lazari, miku i tij i ngushtë. Nga ky rast kuptojmë se ç’pikëpamje kishte Jezui për vdekjen.

Sapo mori vesh për vdekjen e Lazarit, Jezui tha: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, por unë po marr udhën për atje që ta zgjoj nga gjumi.» Dishepujt menduan se, nëse Lazari po pushonte, atëherë do ta merrte veten. Por Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur.» (Gjoni 11:11-14) Nga sa kuptohet prej fjalëve të tij, Jezui e konsideronte vdekjen si gjumin. Vërtet që vdekjen mund ta kemi të vështirë ta kuptojmë, por gjumin jo. Kur bëjmë një gjumë të qetë natën, nuk jemi në dijeni për kohën që kalon dhe për atë që ndodh përreth nesh, sepse përkohësisht jemi në një gjendje të pavetëdijshme. Pikërisht kështu e shpjegon Bibla gjendjen e të vdekurve. Predikuesi 9:5, BR, thotë: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»

Një arsye tjetër pse Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin, ishte se njerëzit mund të zgjohen nga gjumi i vdekjes me anë të fuqisë së Perëndisë. Një herë, Jezui shkoi te një familje e hidhëruar, të cilëve sapo u kishte vdekur vajza e vogël. Jezui u tha: «Vogëlushja nuk vdiq, por po fle.» Pastaj, iu afrua vajzës që kishte vdekur, e kapi për dore dhe ajo «u ngrit». Me fjalë të tjera, u ringjall.​—Mateu 9:24, 25.

Jezui ringjalli edhe mikun e tij, Lazarin. Por, para se të kryente këtë mrekulli, ai ngushëlloi Martën, motrën e Lazarit, duke i thënë: «Yt vëlla do të ngrihet.» E bindur, Marta ia ktheu: «E di se do të ngrihet në ringjalljen në ditën e fundit.» (Gjoni 11:23, 24) Me sa duket, ajo besonte se, në një të ardhme, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë do të ringjalleshin.

Por, çfarë nënkupton saktësisht ringjallja? Fjala greke për «ringjallje» (anastasis) fjalë për fjalë do të thotë «të ngrihesh». Ajo nënkupton ngritjen nga vdekja. Disave mund t’u duket e pabesueshme, por, pasi tha se të vdekurit do të dëgjonin zërin e tij e do të ngriheshin, Jezui vazhdoi: «Mos u mrekulloni për këtë.» (Gjoni 5:28) Ringjalljet që kreu Jezui kur ishte në tokë, na bëjnë t’i besojmë premtimit të Biblës se të vdekurit, që janë në kujtesën e Perëndisë, do të zgjohen nga «gjumi» i tyre i gjatë. Zbulesa 20:13, në mënyrë profetike, thotë: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi [varri i përbashkët i njerëzimit] i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.»

A do të rikthehen në jetë këta të vdekur vetëm e vetëm që të plaken dhe të vdesin përsëri, pak a shumë si Lazari? Jo, nuk është ky qëllimi i Perëndisë. Bibla na siguron se do të vijë koha kur ‘nuk do të ketë më vdekje’, pra, askush nuk do të plaket e pastaj të vdesë.​—Zbulesa 21:4.

Vdekja është një armik. Njerëzimi ka edhe shumë armiq të tillë të përbashkët, si sëmundjet dhe plakjen, që gjithashtu shkaktojnë shumë vuajtje. Perëndia premton se do t’i zhdukë të gjitha këto, duke shpallur më në fund dënimin për armikun më të madh të njerëzimit. «Si armiku i fundit, ka për t’u asgjësuar vdekja.»​—1 Korintasve 15:26.

Kur të përmbushet ky premtim, njerëzit do të gëzojnë një jetë të përsosur, që s’do të cenohet më nga mëkati dhe vdekja. Ndërkohë, mund të ngushëllohemi nga fakti që të afërmit tanë, të cilët kanë vdekur, thjesht po pushojnë dhe, nëse janë në kujtesën e Perëndisë, do të ringjallen në kohën e duhur sipas tij.

Njohuria për vdekjen i jep kuptim jetës

Njohuria e saktë për vdekjen dhe shpresa e ringjalljes, mund të na e ndryshojnë pikëpamjen për jetën. Iani, që përmendëm në artikullin e mëparshëm, ishte rreth të njëzetave kur mësoi për shpjegimin e Biblës për vdekjen. «Gjithmonë kisha njëfarë shprese se babai ishte diku,​—thotë ai.​—Prandaj, kur mësova se ishte në gjumin e vdekjes, në fillim u bëra keq.» Megjithatë, kur lexoi premtimin e Perëndisë për ringjalljen e të vdekurve, Iani hovi nga gëzimi, pasi kuptoi që mund ta takonte përsëri babanë e tij. «Për herë të parë në jetën time, më pushtoi një ndjenjë paqeje»,​—kujton ai. Njohuria e duhur për vdekjen i dha paqe mendore dhe e qetësoi.

Klajvi dhe Brenda humbën djalin e tyre 21-vjeçar, Stivenin, në aksidentin e rëndë që përmendëm në artikullin e mëparshëm. Megjithëse e dinin çfarë thotë Bibla për vdekjen, prapëseprapë, kjo humbje e papritur ua copëtoi zemrën. Në fund të fundit, vdekja është një armik, dhe ‘thumbi’ i saj shkakton mjaft dhembje. Njohuria që kishin nga Shkrimet për gjendjen e të vdekurve, gradualisht ua fashiti dhembjen. Brenda thotë: «Njohuria e saktë për vdekjen, na dha mundësinë të rifillonim jetën dhe të bënim përpara. Por, ta dini se nuk kalojmë asnjë ditë pa menduar për kohën kur Stiveni do të zgjohet nga gjumi i thellë.»

«Ku është thumbi yt, o vdekje?»

Sigurisht që, nëse e dimë gjendjen e të vdekurve, mund të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për jetën. Nuk është e thënë që vdekja të jetë patjetër një enigmë. Mund ta gëzojmë jetën pa iu frikësuar vdekjes, si të ishte një armik që na kërcënon gjithë kohën. Dhe, kur e dimë se vdekja jo medoemos e shuan jetën tonë përgjithmonë, nuk e kemi më shtysën për të rendur pas kënaqësive me mendimin se «jeta është e shkurtër». Kur mendojmë se të afërmit tanë, që kanë vdekur dhe janë në kujtesën e Perëndisë, po flenë në gjumin e vdekjes duke pritur ringjalljen, kjo na ngushëllon dhe na rizgjon dëshirën për të jetuar.

Po, mund ta presim me besim të ardhmen, kur Perëndia Jehova, Dhënësi i jetës, do ta zhdukë vdekjen përgjithmonë. Çfarë bekimi do të jetë kur me plot gojën do të pyesim: «Ku është fitorja jote, o vdekje? Ku është thumbi yt, o vdekje?»​—1 Korintasve 15:55.

[Shënimet]

^ par. 6 Ky është shkrimi i parë në Bibël ku përmendet vdekja.

^ par. 11 Shpërblesa që kërkohej, ishte një jetë e përsosur njerëzore, sepse pikërisht këtë kishte humbur Adami. Mëkati u përhap te të gjithë njerëzit, kështu që asnjë njeri i papërsosur nuk mund të vlente si shpërblesë. Për këtë arsye, Perëndia dërgoi nga qielli Birin e tij. (Psalmi 49:7-9) Për të mësuar më shumë rreth kësaj, shih kapitullin e 7-të të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 5]

Mosbindja e Adamit dhe Evës solli si pasojë vdekjen

[Figura në faqen 6]

Jezui e kapi për dore vogëlushen dhe ajo u ngrit

[Figura në faqen 7]

Shumë njerëz presin kohën kur të afërmit e tyre të vdekur, ashtu si edhe Lazari, do të zgjohen nga gjumi i vdekjes