Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të mblidhemi bashkë për të adhuruar?

Pse duhet të mblidhemi bashkë për të adhuruar?

«Ditë për ditë ata ishin vazhdimisht së bashku në tempull.»​—VEP. 2:46.

KËNGËT: 20, 119

1-3. (a) Si kanë treguar të krishterët se kanë dëshirë të zjarrtë të mblidhen bashkë? (Shih figurën hapëse.) (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

KUR Korina ishte vetëm 17 vjeçe, mamaja e saj u arrestua dhe përfundoi në një kamp pune sovjetik. Më pas, vetë Korinën e internuan në Siberi, mijëra kilometra larg shtëpisë. Atje punonte në një fermë ku e trajtonin si skllave. Nganjëherë e detyronin të punonte jashtë në acarin e hidhur pa veshje të përshtatshme. Me gjithë kushtet e tmerrshme, Korina dhe një motër tjetër ishin të vendosura të ndiqnin një mbledhje kongregacioni.

Korina tregon: «U larguam nga vendi i punës në mbrëmje dhe ecëm për 25 kilometra deri te një stacion treni. Treni u nis në dy të mëngjesit e, pas gjashtë orësh udhëtim, zbritëm dhe ecëm 10 kilometra për te vendi i mbledhjes.» A ia vlejti gjithë ai udhëtim? Ajo thotë: «Në mbledhje studiuam Kullën e Rojës dhe kënduam këngë të Mbretërisë. Ajo përvojë na e ngriti zemrën peshë dhe na forcoi besimin.» Edhe pse u kthyen në punë tri ditë më vonë, përgjegjësit të fermës as që i ra në sy mungesa e Korinës dhe e shoqes së saj.

3 Rastet për t’u mbledhur bashkë kanë qenë gjithmonë të çmuara për popullin e Jehovait. Fill pasi u formua kongregacioni i krishterë, dishepujt e Jezuit «ishin vazhdimisht së bashku në tempull». (Vep. 2:46) Patjetër që edhe ti ke të njëjtën dëshirë si ata t’i ndjekësh rregullisht mbledhjet. Sidoqoftë, të gjithë të krishterët hasin pengesa. Puna, programi i ngjeshur ose sfilitja nga rutina e përditshme mund të na e bëjnë të vështirë të ndjekim mbledhjet. Ç’do të na motivojë që të përpiqemi t’i kapërcejmë këto pengesa dhe të ruajmë zakonin e mirë për të ndjekur mbledhjet? [1] Si mund t’i ndihmojmë studentët e Biblës dhe të tjerë që të kuptojnë sa rëndësi ka të vijnë në mbledhje? Në këtë artikull do të shqyrtojmë tetë arsye pse duhet të mblidhemi bashkë për të adhuruar. Këto arsye mund t’i grupojmë në tri kategori: si ndikon pjesëmarrja jote në mbledhje te ti vetë, si ndikon te të tjerët dhe si ndikon te Jehovai. [2]

SI NDIKON TE TI

4. Si na ndihmojnë mbledhjet të mësojmë për Jehovain?

4 Mbledhjet na arsimojnë. Çdo mbledhje kongregacioni na ndihmon të mësojmë për Perëndinë tonë, Jehovain. Për shembull, kohët e fundit, për gati dy vjet, shumica e kongregacioneve shqyrtuan në Studimin e Biblës në Kongregacion librin T’i afrohemi Jehovait. A nuk ta forcoi dashurinë për Atin tënd qiellor ai studim i cilësive të tij, tok me komentet nga zemra të vëllezërve e motrave? Veç kësaj, kur u kushtojmë vërtet vëmendje fjalimeve, demonstrimeve dhe leximit të Biblës, thellojmë njohurinë për Fjalën e Perëndisë. (Neh. 8:8) Për shembull, mendo çfarë margaritarësh zbulon çdo javë teksa përgatitesh dhe dëgjon pikat kryesore nga leximi i Biblës.

5. Si të kanë ndihmuar mbledhjet t’i vësh në jetë ato që ke mësuar nga Bibla dhe të përmirësosh mënyrën si predikon?

5 Mbledhjet na mësojnë t’i zbatojmë parimet e Biblës në çdo aspekt të jetës. (1 Sel. 4:9, 10) Për shembull, Studimi i Kullës së Rojës është bërë enkas për nevojat e popullit të Perëndisë. A të ka motivuar ndonjë Studim i Kullës së Rojës të shqyrtosh edhe një herë synimet, të falësh një bashkëbesimtar ose të përmirësosh cilësinë e lutjeve? Kemi edhe mbledhjen e mesjavës, që na bën më të aftë për shërbimin. Falë saj stërvitemi si ta predikojmë lajmin e mirë dhe si t’ua mësojmë me efektshmëri të tjerëve parimet biblike.​—Mat. 28:19, 20.

6. Si marrim zemër dhe mbetemi të fortë falë mbledhjeve?

6 Mbledhjet na japin zemër. Kjo botë mund të na sfilitë mendërisht dhe emocionalisht e të na dobësojë besimin. Krejt ndryshe, mbledhjet na japin zemër e na forcojnë. (Lexo Veprat 15:30-32.) Në shumë nga mbledhjet tona studiojmë si janë plotësuar profecitë e Biblës. Si rrjedhojë, ndihemi edhe më të sigurt se po njësoj do të plotësohen premtimet e Jehovait për të ardhmen. Natyrisht, nuk na inkurajojnë vetëm ata që flasin nga podiumi, por marrim forcë edhe nga bashkëbesimtarët që këndojnë e komentojnë nga zemra. (1 Kor. 14:26) E kur bisedojmë me vëllezërit e motrat para e pas mbledhjeve, ndihemi si në një familje të dashur dhe përtërihemi vërtet.​—1 Kor. 16:17, 18.

7. Pse është kaq e rëndësishme të jemi në mbledhje?

7 Mbledhjet na vënë nën ndikimin e frymës së shenjtë. Ja çfarë tha Jezu Krishti i lartësuar në qiell: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.» (Zbul. 2:7) Po, Jezui e drejton kongregacionin e krishterë nëpërmjet frymës së shenjtë. Kemi nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë që t’u bëjmë ballë tundimeve, që të kemi guxim e të jemi të përgatitur në shërbim dhe që të marrim vendime të mençura. A nuk duhet të përfitojmë nga çdo masë për të marrë frymën e shenjtë, përfshirë edhe mbledhjet?

SI NDIKON TE TË TJERËT

8. Kur vëllezërit na shohin në mbledhje dhe na dëgjojnë tek komentojmë e këndojmë, si i ndihmon kjo? (Shih edhe kutinë «Në fund të mbledhjes ndihet gjithmonë më mirë».)

8 Mbledhjet na japin mundësi t’u tregojmë vëllezërve se i duam. Ndalu e mendo mirë për vështirësitë që heqin disa vëllezër e motra në kongregacionin tënd. Apostulli Pavël tha: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin.» Më tej Pavli shpjegoi se mund ta tregojmë që interesohemi, ose merakosemi, për bashkëbesimtarët ‘duke mos i braktisur mbledhjet tona’. (Hebr. 10:24, 25) Prania jote në mbledhje tregon si i sheh bashkadhuruesit, tregon se ata e meritojnë kohën, vëmendjen dhe interesimin tënd. Veç kësaj, i inkurajon vëllezërit e motrat edhe ndërsa këndon e komenton nga zemra.​—Kolos. 3:16.

9, 10. (a) Shpjegoni si na ndihmojnë fjalët e Jezuit te Gjoni 10:16 që të kuptojmë pse ka rëndësi të mblidhemi me vëllezërit. (b) Si mund ta ndihmojmë dikë që e kanë hedhur poshtë familjarët kur shkojmë rregullisht në mbledhje?

9 Mbledhjet na bashkojnë me vëllazërinë. (Lexo Gjonin 10:16.) Jezui e krahasoi veten me një bari dhe dishepujt e tij me një kope delesh. Mendo pak: nëse dy dele janë lart në kodër, dy të tjera në luginë, kurse një dele po kullot tjetërkund, a do t’i quaje ato të pesta një kope? Zakonisht një kope delesh rri bashkë nën kujdesin e bariut. Po njësoj, nuk ka se si ta ndjekim pas Bariun tonë, nëse izolohemi me dashje. Që të jemi pjesë e ‘një kopeje të vetme’ nën «një bari të vetëm», duhet të mblidhemi me bashkëbesimtarët.

10 Sa herë që ndjekim një mbledhje, forcojmë unitetin e vëllazërisë sonë. (Psal. 133:1) Prindërit dhe familjarët i kanë hedhur poshtë disa nga bashkadhuruesit tanë. Megjithatë, Jezui premtoi se do t’u jepte një familje që do t’i donte e do të kujdesej për ta. (Mar. 10:29, 30) Kur i ndjek mbledhjet rregullisht, mund të bëhesh si një baba, nënë, vëlla a motër për ndonjë nga këta bashkëbesimtarë të shtrenjtë. A nuk na motivon kjo që të bëjmë çmos të jemi të pranishëm në të gjitha mbledhjet?

SI NDIKON TE JEHOVAI

11. Si na ndihmon pjesëmarrja në mbledhje t’i japim Jehovait atë që meriton?

11 Kur ndjekim mbledhjet, i japim Jehovait atë që meriton. Si Krijuesi ynë, Jehovai meriton ta lëvdojmë, ta lartësojmë, ta falënderojmë e ta nderojmë. (Lexo Zbulesën 7:12.) Kur lutemi, këndojmë dhe flasim për Jehovain në mbledhje, i japim atë që e meriton plotësisht​—adhurimin tonë. E shohim si thesar privilegjin që të nderojmë Atë që ka bërë kaq shumë për ne.

12. Si ndihet Jehovai kur i bindemi urdhrit të tij për të ndjekur mbledhjet?

12 Jehovai meriton edhe bindjen tonë. Ai na ka urdhëruar të mos i braktisim mbledhjet, sidomos në këto ditë të fundit. Jehovai kënaqet kur i bindemi me gatishmëri këtij urdhri. (1 Gjon. 3:22) Ai i vëren dhe i çmon përpjekjet që bëjmë për të ndjekur çdo mbledhje.​—Hebr. 6:10.

13, 14. Si afrohemi me Jehovain dhe Jezuin në mbledhje?

13 Kur ndjekim mbledhjet, i tregojmë Jehovait se duam të afrohemi me të dhe me Birin e tij. Në mbledhje, Mësuesi ynë i Madh na drejton nëpërmjet faqeve të Fjalës së tij, Biblës. (Isa. 30:20, 21) Madje edhe jobesimtarët që vijnë në mbledhjet tona mund të nxjerrin këtë përfundim: «Perëndia është vërtet mes jush.» (1 Kor. 14:23-25) Jehovai i bekon mbledhjet me frymën e tij të shenjtë dhe drejton aktivisht programin e mësimdhënies nga Bibla. Pra, në mbledhje dëgjojmë zërin e Jehovait dhe ndiejmë kujdesin e tij të dashur. Si rezultat, afrohemi me të.

14 Jezui tha: «Atje ku janë dy ose tre të mbledhur bashkë në emrin tim, edhe unë jam atje, mes tyre.» (Mat. 18:20) Në parim, ky pohim i Jezuit zbatohet për mbledhjet tona. Si kreu i kongregacionit, Krishti «ecën mes» kongregacioneve të popullit të Perëndisë. (Zbul. 1:20–2:1) Vetëm mendo! Jehovai dhe Jezui janë vërtet mes nesh që të na forcojnë në mbledhje. Si mendon se ndihet Jehovai kur vëren tek përpiqesh me mish e me shpirt të afrohesh me të dhe me Birin e tij?

15. Si i tregojmë Perëndisë se duam t’i bindemi kur shkojmë rregullisht në mbledhje?

15 Kur ndjekim mbledhjet, e bëjmë të qartë se përkrahim sovranitetin e Perëndisë. Edhe pse na urdhëron të ndjekim mbledhjet, Jehovai nuk na detyron t’i bindemi. (Isa. 43:23) Kështu, është në dorën tonë t’i tregojmë Jehovait sa e thellë është dashuria që kemi në zemër për të dhe sa me vendosmëri e përkrahim sovranitetin e tij. (Rom. 6:17) Për shembull, mund të gjendemi para presioneve të një punëdhënësi që këmbëngul të sakrifikojmë pjesëmarrjen e rregullt në mbledhje për hir të punës. Mund të hasim kundërshtime nga qeveria që na kërcënon me gjoba, burgim a më keq nëse mblidhemi bashkë për të adhuruar. Ose mund të tundohemi të bëjmë diçka për qejf, në vend që të shkojmë në mbledhje. Në secilën nga këto situata, na duhet të bëjmë një zgjedhje: kujt do t’i shërbejmë? (Vep. 5:29) Kur zgjedhim të mbështetim sovranitetin e Jehovait, i gëzojmë zemrën atij.​—Prov. 27:11.

NDIQI MBLEDHJET VAZHDIMISHT

16, 17. (a) Nga e dimë se mbledhjet ishin shumë të rëndësishme për të krishterët e shekullit të parë? (b) Si ndihej për mbledhjet vëllai Xhorxh Gangas?

16 Pas mrekullisë mbresëlënëse në festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s., të krishterët e hershëm nuk u mblodhën bashkë vetëm për një periudhë të shkurtër. ‘Ata i kushtoheshin mësimit të apostujve dhe ishin vazhdimisht së bashku në tempull.’ (Vep. 2:42, 46) Fjala greke e përkthyer «i kushtoheshin» nënkupton të mos heqësh dorë ose të ngulmosh duke u përpjekur fuqimisht në një drejtim. Ata të krishterë jetonin nën sundimin romak dhe hasnin kundërshtime nga krerët fetarë judenj, prandaj nuk e patën të lehtë të ndiqnin mbledhjet. Prapëseprapë, ata nuk hoqën dorë.

17 Shumë shërbëtorë të Jehovait sot kanë treguar çmueshmëri të thellë për mbledhjet. Xhorxh Gangasi, që shërbeu më shumë se 22 vjet në Trupin Udhëheqës, tha: «Për mua, një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë dhe një burim inkurajimi është të jem në mbledhje me vëllezërit. Sa herë që mundem, më pëlqen të shkoj ndër të parët në Sallën e Mbretërisë dhe të iki ndër të fundit. Më vërshon në zemër gëzimi kur flas me popullin e Perëndisë. Kur jam mes tyre, ndihem si në shtëpi me familjen time, në një parajsë që e gëzon vetëm populli i Perëndisë.» Pastaj shtonte: «Ashtu si busulla që tregon përherë veriun, edhe mendimi e dëshira ime më e thellë është të ndjek mbledhjet.»

18. Si ndihesh ti për mbledhjet, dhe çfarë je i vendosur të bësh?

18 A ndihesh edhe ti kështu për mbledhjet ku adhurojmë së bashku Jehovain? Atëherë, ji i vendosur të ngulmosh e të mos heqësh dorë nga përpjekjet e zellshme për t’i ndjekur mbledhjet rregullisht! Kështu do të tregosh se je në një mendje me mbretin David, që tha: «O Jehova, unë e dua shtëpinë ku banon ti!»​—Psal. 26:8.

^ [1] (paragrafi 3) Disa bashkëbesimtarë nuk janë në gjendje t’i ndjekin rregullisht mbledhjet për shkak të rrethanave që s’i kanë në dorë, si ndonjë sëmundje e rëndë. Ata mund të jenë të sigurt se Jehovai e kupton situatën e tyre dhe e çmon nga zemra adhurimin me gjithë shpirt që i bëjnë. Pleqtë mund t’i mbështetin këta të sëmurë që të nxjerrin dobi nga programet teokratike, ndoshta duke i ndihmuar të kenë një lidhje telefonike ose duke incizuar mbledhjet për ta.

^ [2] (paragrafi 3) Shih kutinë «Arsye pse duhet të ndjekim mbledhjet».