Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si do të mposhtet vdekja armike?

Si do të mposhtet vdekja armike?

EDHE pse mosbindja e prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, solli mëkat dhe vdekje te të gjithë njerëzit, qëllimi i Perëndisë për familjen njerëzore nuk ndryshoi. Në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël, Perëndia na siguron sa e sa herë se qëllimi i tij ka mbetur i njëjtë.

  • «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​Psalmi 37:29.

  • «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.»​Isaia 25:8.

  • «Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.»​1 Korintasve 15:26.

  • «Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»​Zbulesa 21:4.

Si «do ta përpijë» Perëndia vdekjen armike ‘duke e asgjësuar’? Bibla tregon qartë se «të drejtët . . . do të banojnë përgjithmonë» në tokë. Por thotë edhe se «nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën». (Eklisiastiu 7:20) A nënkupton kjo se, që të zhdukë vdekjen, Perëndia do të shkelë standardet e veta? As që bëhet fjalë! Perëndia s’do ta bëjë kurrë këtë, sepse «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Atëherë, si do ta përmbushë qëllimin e dashur që kishte kur krijoi njerëzit?

PERËNDIA «DO TË PËRPIJË VDEKJEN PËRGJITHMONË».​—ISAIA 25:8

NJË SHPËRBLESË QË MPOSHT VDEKJEN

Perëndia Jehova mori një masë të dashur që ta çlironte njerëzimin nga vdekja​—pagoi një shpërblesë. Në thelb, shpërblesa është diçka me të njëjtën vlerë që paguhet për të mbuluar dëmet ose për të plotësuar atë që kërkon drejtësia. Meqë të gjithë njerëzit janë mëkatarë dhe të dënuar me vdekje, Bibla thotë hapur: «Por asnjëri prej tyre nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë, as i jep dot Perëndisë një shpërblesë për të, (çmimi i shpengimit për shpirtin e tyre është aq i lartë, sa mbetet përgjithmonë i papaguar).»​—Psalmi 49:7, 8.

Kur një njeri i papërsosur vdes, paguan dënimin vetëm për mëkatet e veta. Ama veten nuk e çliron dot nga papërsosmëria e as paguan dot për mëkatet e një tjetri që ta çlirojë nga vdekja. (Romakëve 6:7) Kishim nevojë që një njeri i përsosur e pa mëkat të jepte jetën për mëkatet tona, jo për të vetat.—Hebrenjve 10:1-4.

Dhe Perëndia bëri pikërisht këtë: dërgoi nga qielli Birin e tij, Jezuin, që të lindte në tokë si njeri i përsosur, pa mëkat. (1 Pjetrit 2:22) Jezui tha se erdhi «të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Marku 10:45) Ai vdiq që të mposhtte vdekjen armike dhe ne të kemi jetë.—Gjoni 3:16.

KUR DO TË MPOSHTET VDEKJA?

Në përmbushje të profecisë së Biblës, sot jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», të cilat provojnë se po jetojmë «në ditët e fundit» të këtij sistemi të lig. (2 Timoteut 3:1) Ditët e fundit do të arrijnë kulmin në «ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm». (2 Pjetrit 3:3, 7) Mirëpo, ata që e duan Perëndinë, do t’i mbijetojnë shkatërrimit dhe do të bekohen me «jetën e përhershme».​—Mateu 25:46.

Jezui erdhi «të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz».​—Marku 10:45

Miliona të tjerë do të kenë mundësi të fitojnë jetën e përhershme kur të ringjallen. Kur vizitoi qytetin e Nainit, Jezui bëri një ringjallje. Një vejushe i kishte vdekur biri i vetëm, ndaj Jezui e ktheu në jetë ‘i shtyrë nga keqardhja’. (Luka 7:11-15) Gjithashtu, apostulli Pavël tha: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» Kjo shpresë e patundur është një shprehje e jashtëzakonshme e dashurisë që ka Perëndia për njerëzit.—Veprat 24:15.

Miliarda njerëz kanë shpresë të jetojnë përgjithmonë. Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Në atë kohë, ata do të përjetojnë personalisht fjalët emocionuese dhe ngushëlluese që apostulli Pavël shkroi rreth 2.000 vjet më parë: «Ku është fitorja jote, o vdekje? Ku është thumbi yt, o vdekje?» (1 Korintasve 15:55) Vdekja, armikja e frikshme e njerëzimit, do të jetë mposhtur!