Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shijoje jetën që tani!

Shijoje jetën që tani!

JETË pa sëmundje, pa plakje dhe pa vdekje—kjo e ardhme e mrekullueshme mund të bëhet jotja. Megjithatë, për momentin jeta është plot halle e probleme. A ka ndonjë mënyrë si ta shijosh jetën që tani? Falë drejtimit të Biblës, mund të gëzosh një jetë të lumtur e të kënaqshme që sot. Shqyrto si të ndihmon Bibla të kapërcesh disa vështirësi.

SI TË GJESH KËNAQËSI

Këshilla e Biblës: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni.»​Hebrenjve 13:5.

Sot bombardohemi me reklama produktesh e shërbimesh të panumërta që sipas disave «duhet t’i kemi patjetër». Por, Bibla thotë se mund ‘të kënaqemi me gjërat që kemi’. Si?

Shmang ‘dashurinë për para’. Njerëzit sakrifikojnë shëndetin, familjen, miqësitë, normat morale, madje edhe dinjitetin​—gjithçka për hir të ‘dashurisë për para’. (1 Timoteut 6:10) Sa çmim i kripur! Në fund, ai që do pasurinë, «nuk do të ngopet» kurrë.​—Eklisiastiu 5:10.

Vër njerëzit para gjërave materiale. Këto gjëra kanë vendin e tyre, por s’mund të na duan e as të na çmojnë; kurse njerëzit po. Një ‘shok i vërtetë’ na e pasuron jetën.​—Proverbat 17:17.

PO TË NDJEKIM DREJTIMIN E BIBLËS, MUND TA SHIJOJMË JETËN QË TANI

SI TË PËRBALLOSH PROBLEMET ME SHËNDETIN

Këshilla e Biblës: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.»​Proverbat 17:22.

Gëzimi është si një «ilaç» që na ndihmon t’i përballojmë më lehtë sëmundjet. Por, si mund të jemi të gëzuar kur jemi sëmurë?

Ji mirënjohës. Nëse e mbajmë mendjen te problemi, «të gjitha ditët» do të duken të këqija. (Proverbat 15:15) Në vend të kësaj, Bibla na nxit ‘të tregohemi mirënjohës’. (Kolosianëve 3:15) Mëso të çmosh gjërat e bukura të jetës, sado të vogla qofshin. Një perëndim mbresëlënës, një puhizë e lehtë dhe buzëqeshja e një njeriu të dashur, ia shtojnë lezetin jetës.

Bëj për të tjerët. Edhe nëse s’jemi mirë me shëndet, «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Veprat 20:35) Dhe, kur të tjerët i çmojnë përpjekjet tona, ndiejmë një kënaqësi të thellë dhe i hedhim pas krahëve problemet. Jeta jonë do të bëhet më e bukur po të bëjmë diçka për t’ua zbukuruar jetën të tjerëve.

SI TË KESH MARTESË TË FORTË

Këshilla e Biblës: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.»​Filipianëve 1:10.

Çiftet që rrinë pak me njëri-tjetrin, rrezikojnë të dëmtojnë lidhjen e tyre. Burrat dhe gratë duhet t’i japin përparësi martesës, që është ndër gjërat më të rëndësishme të jetës.

Bëni gjëra së bashku. Në vend që t’ia lini rastësisë gjërat që mund të bëni si çift, pse të mos i planifikoni më përpara? Bibla thotë se «dy janë më mirë se një». (Eklisiastiu 4:9) Së bashku mund të gatuani një vakt, të dilni për kafe, të bëni një shëtitje ose të merreni me ndonjë hobi.

Shprehe dashurinë. Bibla i nxit burrin dhe gruan ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin. (Efesianëve 5:28, 33) Një buzëqeshje e ngrohtë, një përqafim i dashur apo një dhuratë e vogël mund ta forcojnë goxha lidhjen martesore. Dhe patjetër intimiteti seksual është një shprehje dashurie që i përket vetëm bashkëshortit ose bashkëshortes sate.​—Hebrenjve 13:4.