Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

Këndvështrimi ndryshon gjithçka!

Këndvështrimi ndryshon gjithçka!

Si mendon, cila prej gjërave të mëposhtme ndikon më shumë te lumturia jote?

  • Rrethanat e tua

  • Gjenet e tua

  • Këndvështrimi yt

DISA do të zgjidhnin «rrethanat», mbase duke thënë: «Do të isha i lumtur po të kisha . . .

  • më shumë para.»

  • një martesë të suksesshme.»

  • shëndet më të mirë.»

Në të vërtetë, shpesh lumturia nuk varet shumë nga rrethanat dhe gjenet, por nga këndvështrimi. Dhe ky është lajm i mirë. Pse? Sepse ndryshe nga rrethanat ose gjenet, mbi të cilat ke pak ose aspak kontroll, ti e ke në dorë këndvështrimin tënd.

«PORSI ILAÇ»

Një proverb biblik thotë: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç, por një frymë e dërrmuar i than kockat.» (Proverbat 17:22) Me fjalë të tjera, këndvështrimi yt ndryshon gjithçka. Mund të ndikojë nëse do ta arrish një synim a do të heqësh dorë prej tij ose nëse do të shfaqësh anën më të mirë a më të keqe nga një ngjarje tragjike.

Disa mund të jenë skeptikë ndaj kësaj ideje. Mund të arsyetojnë:

  • «Pse t’i fsheh problemet e mia pas një maske optimizmi?»

  • «Sado pozitiv të jem, nuk do ta ndryshoj situatën time.»

  • «Më mirë të jem realist se ëndërrimtar.»

Këto mund të duken arsyetime me vend. Megjithatë, nxjerr dobi kur ke një këndvështrim pozitiv. Për ta ilustruar, shqyrto situatat vijuese.

 Aleksi dhe Brajani punojnë fort në të njëjtin vend, por në projekte të ndryshme. Pasi analizon punën e tyre, shefi u tregon disa gabime serioze në secilin projekt.

  • Aleksi: «Harxhova gjithë atë kohë dhe energji për këtë projekt, por prapëseprapë nuk e bëra siç duhej. Kurrë nuk do t’ia dal mbanë në këtë punë. Sado fort të punoj, nuk mjafton kurrë. Pse të përpiqem prapë?»

  • Brajani: «Shefi më vuri në dukje disa aspekte të punës sime që i pëlqyen, por kisha bërë ca gabime serioze. Kam nxjerrë disa mësime të vlefshme që do të më ndihmojnë të bëj më mirë herën tjetër.»

SI MENDON?

  • Pas gjashtë muajsh, cili do të jetë punëtor më i aftë: Aleksi apo Brajani?

  • Po të ishe punëdhënës, cilin prej tyre ka më shumë mundësi ta punësoje ose ta mbaje në punë?

  • Kur zhgënjehesh, reagimet e tua me cilin prej këtyre dy burrave ngjajnë?

Anisa dhe Britni herë pas here ndihen të vetmuara. Secila prej tyre e përballon ndryshe këtë situatë.

  • Anisa përqendrohet më tepër te vetja. Ajo nuk pranon të bëjë gjëra për të tjerët nëse nuk janë ata të parët që bëjnë diçka për të. Anisa arsyeton: «Pse duhet ta harxhoj kohën për njerëz që nuk më japin asgjë në këmbim?»

  • Britni përpiqet fort të jetë dashamirëse e të bëjë gjëra të mira për të tjerët, pavarësisht nëse janë mirënjohës apo jo. Ajo jeton sipas Rregullës së Artë: i trajton të tjerët ashtu siç dëshiron që ta trajtojnë. (Luka 6:31) Britni ndihet e kënaqur kur u bën mirë të tjerëve, pavarësisht si reagojnë ata.

SI MENDON?

  • Cilën prej këtyre të dyjave do të doje ta kishe shoqe ti?

  • Cila prej tyre ka më shumë të ngjarë të jetë e kënaqur me të tjerët?

  • Nëse herë pas here vuan vetminë, reagon më shumë si Anisa apo si Britni?

Mbase njeh njerëz që janë si Brajani dhe Britni. Madje mund të mendosh se ti vetë je si ata. Nëse është kështu, pa dyshim e kupton se këndvështrimi yt ndryshon gjithçka në jetën tënde. Por, po sikur të jesh më shumë si Aleksi ose si Anisa? Shqyrto tri mënyra se si mund të të ndihmojë Bibla të kesh një pikëpamje më pozitive për vështirësitë e jetës.

 1 SHMANG PESIMIZMIN

BIBLA THOTË: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.»Proverbat 24:10.

Ç’DO TË THOTË KJO: Pesimizmi do të të shterojë forcën që të nevojitet për ta përmirësuar situatën tënde ose për ta përballuar atë.

SHEMBULL: Kur ishte fëmijë, Xhuliza nuk ishte aspak e lumtur. I ati ishte i alkoolizuar dhe familja e saj ishte e varfër. Ata u shpërngulën nga njëri vend në tjetrin. Në fillim Xhuliza ishte pesimiste për situatën e saj në jetë, por më pas ndryshoi. Çfarë e ndihmoi? Ajo thotë: «Edhe para se prindërit të kapërcenin vështirësitë, Bibla më ndihmoi të përmirësoja këndvështrimin tim. E deri sot e kësaj dite mendimet nga Bibla më ndihmojnë të mos bie në pesimizëm. Tani, kur të tjerët shfaqin tipare që s’më pëlqejnë, përpiqem të kuptoj pse sillen ashtu.»

Siç mësoi Xhuliza, Bibla është një libër me parime të shëndosha. Këshillat e saj mund të të ndihmojnë të përballosh rrethanat negative. Për shembull, Efesianëve 4:23 thotë: ‘Rinohuni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj.’

Siç nënkupton ky varg, këndvështrimi yt nuk është i skalitur në gur. Ti mund ‘të rinohesh’ në mënyrën si mendon, domethënë mund ta ndryshosh atë. Mirëpo, ky ndryshim është diçka e vazhdueshme.

2 PËRQENDROHU TE GJËRAT POZITIVE

BIBLA THOTË: «Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.»Proverbat 15:15.

Ç’DO TË THOTË KJO: Nëse sheh gjithçka në mënyrë negative, do të ndihesh ‘i munduar’ dhe çdo ditë do të të duket ‘e keqe’ ose e zymtë. Por, nëse përqendrohesh te gjërat pozitive, do të jesh «i gëzuar në zemër», madje do të kesh hare. E ke vetë në dorë.

SHEMBULL: Si pasojë e disa operacioneve për të hequr një tumor në tru, Janko kishte kufizime fizike që ndikonin te lëvizja dhe te të folurit. Ngaqë mendonte se këto do ta pengonin të arrinte synimet, për vite të tëra Janko ishte tejet i shkurajuar. Por pastaj ndryshoi. Në ç’mënyrë? Ai thotë: «Në vend që të përqendrohesha te kufizimet, mësova ta mbaja mendjen në gjëra inkurajuese.»

Për shembull, Janko e bën këtë duke lexuar Biblën. Ai thotë: «Falë kësaj vazhdoj të mendoj në mënyrë pozitive. Nuk kam hequr dorë nga synimet afatgjata, por po përqendrohem në synime më të vogla që mund të arrij tani. Kur më vijnë mendime shkurajuese, mendoj për arsyet e shumta pse duhet të jem i lumtur.»

Ashtu si Janko, edhe ti mund t’u bësh ballë mendimeve pesimiste dhe t’i zëvendësosh me diçka pozitive. Nëse po kalon rrethana negative, mbase një problem shëndetësor siç kishte Janko, pyet veten: «A është vërtet e pashpresë situata ime? Jam në një rrugë pa krye, apo kjo është thjesht një pengesë?» Mëso t’i frenosh mendimet negative duke u përqendruar te diçka pozitive.

 3 BËJ GJËRA PËR TË TJERËT

BIBLA THOTË: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»Veprat 20:35.

Ç’DO TË THOTË KJO: Kur jep me altruizëm, provon kënaqësi të thellë. Pse? Ngaqë nuk u krijuam thjesht për të plotësuar nevojat tona. (Filipianëve 2:3, 4; 1 Gjonit 4:11) Gëzimi që provojmë kur japim, mund të na ndihmojë të përballojmë rrethanat negative në jetë.

SHEMBULL: Hosueja vuan nga sëmundja e shpinës së ndarë, një problem i rëndë në shtyllën kurrizore. Shpesh ka dhembje therëse. Por Hosueja bën një jetë produktive duke ndihmuar të tjerët. Ai shprehet: «Në vend që të them ‘S’e bëj dot këtë’, kënaqem duke menduar për mënyrat praktike se si mund t’i ndihmoj njerëzit për nevojat e tyre të përditshme. Gjej mënyra për të bërë gjëra të ndryshme për të tjerët dhe kjo ma mbush jetën me lumturi.»

JA Ç’MUND TË BËSH

Kërko raste për të qenë vetëmohues. Për shembull, a mund të përgatitësh një vakt për një fqinj të sëmurë? A njeh të moshuar që kanë nevojë për ndihmë për ndonjë punë në shtëpi?

Kujdesu për këndvështrimin tënd siç do të bëje me një kopsht. Shkuli me rrënjë barishtet helmuese të pesimizmit dhe të negativitetit. Mbill farat e optimizmit realist dhe plehëroje jetën me veprime që sjellin emocione pozitive. Nga ana emocionale do të kesh një prodhim që do të ta bëjë jetën shumë më të këndshme. Kështu do të vërtetosh se këndvështrimi ndryshon gjithçka!

Për hir të shëndetit, disa mësojnë t’u thonë «jo» ca lloj ushqimeve; mund të bësh po njësoj edhe me këndvështrimet negative