Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Marrëdhëniet seksuale para martesës

Marrëdhëniet seksuale para martesës

A është i gabuar seksi para martese?

«Vullneti i Perëndisë është ky: . . . të rrini larg nga kurvëria.»​1 Selanikasve 4:3.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Disa kultura i tolerojnë marrëdhëniet seksuale mes të rriturve të pamartuar, nëse të dy janë dakord. Në disa vende pranohet që adoleshentët e pamartuar të përfshihen në disa forma të intimitetit seksual.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla përdor fjalën ‘kurvëri’ për marrëdhëniet seksuale jashtë martese. Perëndia pret që adhuruesit e tij ‘të rrinë larg nga kurvëria’. (1 Selanikasve 4:3) Kurvëria renditet mes mëkateve të rënda, si tradhtia bashkëshortore, spiritizmi, dehja, idhujtaria, vrasja dhe vjedhja.​—1 Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Një arsye është paralajmërimi i Biblës se «Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit». (Hebrenjve 13:4) Ç’është më e rëndësishmja, kur u bindemi ligjeve të Perëndisë për moralin seksual, tregojmë se e duam Perëndinë Jehova. (1 Gjonit 5:3) Nga ana e tij, Jehovai i bekon ata që zbatojnë urdhërimet e tij.​—Isaia 48:18.

A është imorale që të pamartuarit të përfshihen në ndonjë formë të intimitetit seksual?

«Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju.»​—Efesianëve 5:3.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Mjaft veta mendojnë se, përveç marrëdhënieve seksuale, nuk ka gjë të keqe që dy partnerë të pamartuar të përfshihen në intimitet seksual.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Kur flet për praktikat seksuale imorale, Bibla nuk përmend vetëm kurvërinë, por edhe «ndyrësinë» dhe «sjelljen e shthurur». (2 Korintasve 12:21) Kjo tregon se ka disa forma të intimitetit seksual që e fyejnë Perëndinë kur bëhen jashtë martesës, madje edhe kur nuk bëhet fjalë për kryerje të marrëdhënieve seksuale.

Me pak fjalë, mesazhi i Biblës për marrëdhëniet seksuale është se intimiteti seksual lejohet vetëm brenda martesës. Gjithashtu, Bibla nuk e miraton ‘urinë seksuale epshore’. (1 Selanikasve 4:5) Çfarë nënkupton kjo? Le të marrim një shembull që vlen si për burrat, edhe për gratë. Ndoshta një grua është e vendosur të mos kryejë marrëdhënie me të dashurin. Por përfshihet në forma të tjera të intimitetit seksual me të. Në këtë mënyrë ata po kërkojnë me uri ose epsh diçka që nuk u përket. Prandaj janë fajtorë për «uri seksuale epshore». Bibla e dënon këtë lloj lakmie seksuale.​—Efesianëve 5:3-5.

Si ta shmangësh imoralitetin seksual?

«Ikni nga kurvëria!»​—1 Korintasve 6:18.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Sipas Biblës, ata që kryejnë marrëdhënie seksuale para martese rrezikojnë të humbasin miqësinë me Perëndinë.​—Kolosianëve 3:5, 6.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla këshillon ‘të ikim nga kurvëria’. (1 Korintasve 6:18) Kjo do të thotë se dikush duhet të rrijë sa më larg të mundet nga gjithçka që e josh për imoralitet seksual. (Proverbat 22:3) Për shembull, që të qëndrojë i pastër moralisht është jetësore të mos shoqërohet me ata që shpërfillin parimet e Perëndisë për marrëdhëniet seksuale. Bibla paralajmëron: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»​—Proverbat 13:20.

Po ta mbushim mendjen me mendime imorale, kjo mund të na çojë drejt sjelljes së gabuar seksuale. (Romakëve 8:5, 6) Kështu, është e mençur të shmangim muzikën, videot, materialet e shtypura e gjithçka tjetër që i keqparaqet marrëdhëniet seksuale ose që në ndonjë formë nxit sjelljen seksuale që fyen Perëndinë.​—Psalmi 101:3.