INTERVISTË | SELINA GRANOLERASI
Një specialiste veshkash shpjegon besimin e saj
Dr. Selina Granolerasi është mjeke e specializuar për sëmundjet e veshkave në Francë. Më tepër se 20 vjet pasi u bë mjeke, ajo arriti në përfundimin se ka një Krijues që interesohet për ne. Zgjohuni! bëri disa pyetje për profesionin dhe besimin.
Na trego diçka për fëmijërinë
Familja ime erdhi të jetonte nga Spanja në Francë kur isha nëntë vjeçe. Edhe pse prindërit ishin katolikë, në moshën 16-vjeçare nuk besoja më te Zoti. Mendoja se feja nuk lidhej me realitetin. Kur dikush më pyeste si filloi jeta nëse nuk kishte Zot, i përgjigjesha: «Tani për tani shkencëtarët nuk e shpjegojnë dot, por një ditë do ta shpjegojnë.»
Pse u nxite të studioje për sëmundjet e veshkave?
Studioja në një fakultet mjekësie në Monpelie, Francë. Një profesor më informoi për punën në nefrologji, degë e mjekësisë që përfshin veshkat. Puna përfshinte studime dhe kujdesje për pacientët. Ishte tamam ajo që doja. Në vitin 1990, fillova të merresha me studime për përdorimin klinik të eritropojetinës sintetike (EPO), që kontrollon prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut në kockat tona. Në atë kohë kjo konsiderohej fushë studimi relativisht e re.
Pse fillove të mendoje për Perëndinë?
Në vitin 1979, burri im, Floreali, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Kurse mua nuk më interesonte. Që fëmijë isha ngopur me fenë. Gjithsesi, burri e fëmijët u bënë Dëshmitarë dhe shpejt gati të gjithë miqtë ishin Dëshmitarë. Njëra prej tyre, Patrisia, më sugjeroi të lutesha. Ajo tha: «Nëse në qiell nuk ndodhet dikush, nuk humbet gjë, por nëse po, ke për të parë ç’do të ndodhë.»
Vite më vonë, zura të mendoja për domethënien e jetës dhe m’u kujtuan fjalët e Patrisias. Nisa të lutesha për t’i kuptuar gjërat më mirë.Pse fillove të mendoje për domethënien e jetës?
Sulmi terrorist në Qendrën Tregtare Botërore në Nju-Jork, më shtyu të mendoja për ligësinë e madhe të shoqërisë së sotme. Mendoja: «Ekstremizmi fetar rrezikon të ardhmen tonë. Por ja, rrethohem nga Dëshmitarët e Jehovait që janë kaq paqësorë. Nuk janë ekstremistë dhe zbatojnë Biblën. Ndoshta duhet ta shqyrtoj edhe unë.» Prandaj nisa ta lexoja vetë Biblën.
Si mjeke, a e kishe të vështirë të besoje te një Krijues?
Jo. Kisha respekt të thellë për projektin tejet të zhvilluar të trupit tonë. Për shembull, të mahnit mënyra si veshkat kontrollojnë sasinë e rruazave të kuqe të gjakut.
Pse mendon kështu?
M’u mbush mendja se vetëm Perëndia mund të projektonte një sistem të tillë me kaq mjeshtëri
Siç mund të dihet, rruazat e kuqe të gjakut transportojnë oksigjenin. Nëse humbet shumë gjak ose je në lartësi të mëdha, trupit i mungon oksigjeni. Në veshkat tona ka mekanizma që kontrollojnë sasinë e oksigjenit. Kur këto mekanizma dallojnë mungesë oksigjeni në gjak, aktivizojnë prodhimin e EPO-s, niveli i së cilës mund të rritet me mijëra herë. EPO-ja stimulon prodhimin e më shumë rruazave të kuqe në palcën e kockave, dhe kështu transportohet më shumë oksigjen. E gjithë kjo është e mrekullueshme! Habitem pse m’u desh ta studioja këtë proces për dhjetë vjet, para se të më mbushej mendja se vetëm Perëndia mund të projektonte një sistem të tillë me kaq mjeshtëri!
Ç’përshtypje kishe për Biblën?
Kisha lexuar shumë libra historie dhe romane të famshme, por e pashë menjëherë se Bibla ishte ndryshe. Këshillat e saj janë kaq praktike, sa duhet të vijnë nga një burim më i lartë se njeriu. Personazhi i Jezuit më mrekullonte. E kuptova se ishte person real. Kishte ndjenja dhe miq. Kur kisha pyetje, bëja kërkime në enciklopedi e në vepra të tjera referimi, meqë nuk doja të përdorja botimet e Dëshmitarëve të Jehovait.
Çfarë kërkimesh bëre?
Bëra kërkime në libra historie . . . Si përfundim, u binda se kjo profeci biblike ishte plotësuar tamam në kohë
Mes gjërave të tjera, më ngjallte kureshtjen mënyra si Bibla e parathoshte vitin e pagëzimit të Jezuit. Ajo tregon me saktësi sa kohë do të kalonte nga viti i 20-të i mbretërimit të sundimtarit pers Artakserks dhe vitit kur Jezui do të paraqitej si Mesia. * Jam mësuar me kërkime, pasi është pjesë e punës sime. Kështu që bëra kërkime në libra historie që të konfirmoja datat e sundimit të Artakserksit dhe datat e shërbimit të Jezuit. Si përfundim, u binda se kjo profeci biblike ishte plotësuar tamam në kohë dhe se Bibla duhej të ishte e frymëzuar nga Perëndia.
^ par. 19 Shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, faqet 197-199.