Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’pikëpamje kanë Perëndia dhe Krishti për gratë?

Ç’pikëpamje kanë Perëndia dhe Krishti për gratë?

Ç’pikëpamje kanë Perëndia dhe Krishti për gratë?

SI MUND të kemi një tablo të plotë për pikëpamjen që ka Perëndia Jehova për gratë? Një mënyrë është që të shqyrtojmë qëndrimin dhe sjelljen e Jezu Krishtit, i cili është «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm» dhe pasqyron me përsosmëri pikëpamjen e Perëndisë. (Kolosianëve 1:15) Mënyra se si sillej Jezui me gratë tregon se Jehovai dhe Jezui i respektojnë ato, dhe patjetër nuk e miratojnë trajtimin shtypës që është kaq i zakonshëm në shumë vende.

Shqyrtoni për shembull, rastin kur Jezui foli me një grua pranë një pusi. Në Ungjillin e Gjonit thuhet: «Një grua nga Samaria vajti të nxirrte ujë. Jezui i tha: ‘Më jep pak ujë.’» Jezui ishte i gatshëm të fliste në publik me një grua samaritane, megjithëse shumica e judenjve nuk bëheshin me samaritanët. Sipas një enciklopedie, për judenjtë, «të bisedoje me një grua në publik, ishte një gjë tejet skandaloze». (The International Standard Bible Encyclopedia) Megjithatë, Jezui i trajtonte gratë me respekt dhe konsideratë. Ai nuk kishte paragjykime për shkak të racës ose gjinisë. Përkundrazi, pikërisht gjatë bisedës me gruan samaritane, Jezui për herë të parë e identifikoi qartë veten si Mesia.​—Gjoni 4:7-9, 25, 26.

Në një rast tjetër, Jezuit iu afrua një grua që prej 12 vjetësh vuante nga një rrjedhje gjaku. Kjo sëmundje e vinte në siklet dhe e ligështonte. Kur e preku Jezuin, ajo u shërua në çast. «Jezui u kthye, e pa dhe i tha: ‘Merr zemër, bijë, besimi yt të shëroi.’» (Mateu 9:22) Sipas Ligjit të Moisiut, një grua në gjendjen e saj nuk duhej të rrinte mes njerëzve, e jo më t’i prekte ata. Sidoqoftë, Jezui nuk i bërtiti. Përkundrazi, me dhembshuri e ngushëlloi dhe e quajti «bijë». Sa duhet ta ketë lehtësuar ajo fjalë! Dhe sa i lumtur duhet të jetë ndier Jezui që e shëroi!

Pasi u ringjall, Jezui iu shfaq për herë të parë Maria-Magdalenës dhe një dishepulle që Bibla e quan «Maria tjetër». Jezui mund t’i ishte shfaqur për herë të parë Pjetrit, Gjonit ose një prej dishepujve të tjerë. Por ai u dha dinjitet grave duke u dhënë mundësinë që të ishin dëshmitaret e para okulare të ringjalljes së tij. Një engjëll u tha atyre t’ua njoftonin këtë ngjarje mahnitëse dishepujve të Jezuit. Kur gratë po nxitonin të çonin lajmin, iu shfaq Jezui e u tha: «Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi.» (Mateu 28:1, 5-10) Sigurisht, Jezui nuk u ndikua nga paragjykimet e zakonshme të judenjve të kohës së tij, sipas të cilëve dëshmia e grave nuk ishte e vlefshme nga ana ligjore.

Kështu, Jezui nuk kishte aspak paragjykime ndaj grave dhe as i toleronte qëndrimet maskiliste ndaj tyre. Përkundrazi, tregoi se i respektonte dhe i çmonte gratë. Dhuna ndaj grave ishte krejtësisht në kundërshtim me mësimet e Jezuit dhe mund të jemi të sigurt se qëndrimi i tij pasqyronte me përsosmëri Atin e tij, Jehovain.

Perëndia është kujdesur për gratë

«Në kohën e lashtë, askund në vendet e Mesdheut ose të Lindjes së Afërt gratë nuk kishin atë liri që gëzojnë sot në shoqërinë perëndimore. Në përgjithësi gratë shiheshin si më të ulëta se burrat, ashtu si skllevërit shiheshin më të ulët se njerëzit e lirë dhe të rinjtë më të ulët se të moshuarit. . . . Fëmijët meshkuj çmoheshin më shumë se femrat dhe disa herë vajzat e sapolindura i linin të vdisnin të braktisura në rrugë.» Kështu e përshkruan një fjalor biblik qëndrimin mbizotërues ndaj femrave në kohët e lashta. Në shumë raste ato konsideroheshin njësoj si skllevërit.

Bibla u shkrua në një kohë kur zakonet e njerëzve pasqyronin këtë qëndrim. Megjithatë, ligji i Perëndisë i shprehur në Bibël tregonte konsideratë të lartë për gratë, dhe kjo ishte në kontrast të thellë me qëndrimet e shumë kulturave të lashta.

Interesimi i Jehovait për mirëqenien e grave duket qartë nga rastet kur ai u erdhi në ndihmë adhurueseve të tij. Ai ndërhyri dy herë për të mbrojtur Sarën, gruan e bukur të Abrahamit, që të mos e përdhunonin. (Zanafilla 12:14-20; 20:1-7) Perëndia tregoi hir ndaj Leas, gruas që Jakobi e donte më pak, ‘duke ia çelur asaj barkun’ që të lindte një djalë. (Zanafilla 29:31, 32) Kur dy mami izraelite që i frikësoheshin Perëndisë, rrezikuan jetën për të mbrojtur foshnjat izraelite që të mos i vritnin egjiptianët, Jehovai si shpërblim «i bëri ato me familje». (Dalja 1:17, 20, 21) Gjithashtu ai iu përgjigj lutjes së zjarrtë të Hanës. (1 Samuelit 1:10, 20) Dhe, kur vejusha e një profeti pati probleme me një huadhënës që donte t’ia merrte fëmijët si skllevër për të shlyer borxhin, Jehovai nuk e la në baltë. Me dashuri Perëndia bëri që profeti Elija t’ia shtonte sasinë e mbetur të vajit. Kështu ajo mundi të paguante borxhin dhe të kishte mjaft vaj edhe për familjen. Në këtë mënyrë mbrojti familjen, por edhe ruajti dinjitetin e vet.​—Dalja 22:22, 23; 2 Mbretërve 4:1-7.

Profetët vazhdimisht e dënuan shfrytëzimin e grave ose ushtrimin e dhunës ndaj tyre. Profeti Jeremia u tha izraelitëve në emër të Jehovait: «Gjykoni me drejtësi dhe bëni atë që është e drejtë, çlirojeni atë që i është bërë një padrejtësi nga dora e mashtruesit dhe mos keqtrajtoni asnjë të ardhur, jetim a vejushë. Mos përdorni dhunë ndaj tyre. Mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend.» (Jeremia 22:2, 3) Më parë, njerëzit e pasur e me pushtet në Izrael ishin dënuar ngaqë i kishin dëbuar gratë nga shtëpitë dhe i kishin keqtrajtuar fëmijët. (Mikea 2:9) Perëndia i drejtësisë i konsideron si veprime të liga dhe i dënon vuajtjet që u shkaktohen grave dhe fëmijëve të tyre.

‘Gruaja e zonjë’

Shkrimtari i lashtë i librit të Proverbave bën një përshkrim të përshtatshëm të një gruaje të zonjë. Meqë ky përshkrim i bukur i rolit dhe i pozitës së gruas është pjesë e Fjalës së Jehovait, jemi të sigurt se Perëndia është dakord me këtë përshkrim. Në vend që të jetë e shtypur ose të shihet si më e ulët, një grua e tillë vlerësohet, respektohet dhe gëzon besimin e të tjerëve.

‘Gruaja e zonjë’ e kapitullit 31 të Proverbave është punëtore e palodhur. Ajo e bën çdo punë me kënaqësi dhe merret me tregti, e madje me shitblerjet e pronave. Ia vë syrin një are dhe e blen. Bën veshje të poshtme dhe i shet. U jep breza tregtarëve. Punon me zell e me gjithë forcat. Për më tepër, vlerësohet për fjalët e mençura dhe dashamirësinë. Si rrjedhim, çmohet shumë nga burri e bijtë e saj, dhe ajo që është më e rëndësishme, çmohet nga Jehovai.

Gratë nuk janë krijuar për të qenë viktima të burrave që përfitojnë prej tyre, i keqtrajtojnë ose abuzojnë me to në çdo formë. Përkundrazi, gruaja është krijuar si «një plotësim» për burrin e saj, e që ta përmbushë këtë rol mirë dhe me gëzim.​—Zanafilla 2:18.

Nderojini ato

Kur u shkroi burrave të krishterë se si duhej t’i trajtonin gratë, Pjetri, një shkrimtar i frymëzuar i Biblës, i nxiti burrat të imitonin Jehovain dhe Jezu Krishtin. ‘Ju burra, vazhdoni t’i nderoni gratë’,​—shkroi ai. (1 Pjetrit 3:7) Të nderosh dikë nënkupton ta vlerësosh dhe ta respektosh tepër. Prandaj, burri që e nderon gruan nuk e poshtëron, nuk e ul ose nuk e keqtrajton atë dhunshëm. Përkundrazi, me fjalë e me vepra​—në sy të të tjerëve dhe kur janë vetëm​—ai tregon se e çmon dhe e do.

Kur bashkëshorti e nderon gruan, pa dyshim kjo sjell lumturi në martesë. Shqyrtoni shembullin e Karlosit dhe të Sesiljas. Pas disa kohësh që ishin martuar, shpesh debatonin pa arritur kurrë në një zgjidhje. Hera-herës nuk i flitnin më njëri-tjetrit. Nuk dinin si t’i zgjidhnin problemet. Ai ishte agresiv; ajo tepër kërkuese dhe krenare. Por, kur filluan të studionin Biblën dhe të zbatonin atë që mësonin, situata nisi të përmirësohej. Sesilja thotë: «E kuptoj se mësimet dhe shembulli i Jezuit më kanë ndryshuar personalitetin, e po kështu edhe bashkëshortit tim. Falë shembullit të Jezuit jam bërë më e përulur dhe mirëkuptuese. Kam mësuar t’i kërkoj ndihmë Jehovait nëpërmjet lutjes, siç bënte edhe Jezui. Karlosi ka mësuar të jetë më tolerues e të shfaqë më tepër vetëkontroll​—ta nderojë gruan siç dëshiron Jehovai.»

Martesa e tyre nuk është e përsosur, por ajo u ka bërë ballë stuhive të jetës. Vitet e fundit atyre u është dashur të përballojnë vështirësi serioze: Karlosi humbi punën dhe u operua ngaqë ishte me kancer. Megjithatë, këto dallgë nuk e kanë lëkundur lidhjen e tyre martesore, që është bërë gjithnjë e më e fortë.

Që kur njerëzit mëkatuan dhe u bënë të papërsosur, në shumë kultura gratë nuk janë nderuar. Me to është abuzuar fizikisht, mendërisht dhe seksualisht. Por Jehovai nuk kishte si qëllim që ato të trajtoheshin kështu. Bibla tregon qartë se, pavarësisht nga pikëpamjet që mund të mbizotërojnë, të gjitha gratë duhen trajtuar me nder e respekt. Këtë të drejtë ua ka dhënë Perëndia.

[Figura në faqet 4, 5]

Gruaja samaritane

[Figura në faqet 4, 5]

Një grua e sëmurë

[Figura në faqet 4, 5]

Maria-Magdalena

[Figura në faqen 6]

Jehovai e mbrojti Sarën dy herë

[Figura në faqen 7]

Martesa e Karlosit dhe e Sesiljës ishte në rrezik

[Figura në faqen 7]

Karlosi dhe Sesilja sot