Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fija e merimangës

Fija e merimangës

A është projektuar?

Fija e merimangës

▪ Është më e lehtë se pambuku, e megjithatë është më e fortë se çeliku me të njëjtën peshë. Për dekada me radhë shkencëtarët kanë studiuar fijen e merimangave endëse. Më shumë vëmendje ka tërhequr fija që këto merimanga përdorin si litar zbritës. Ajo është më e forta ndër shtatë llojet e fijeve që endin ato. Është më rezistente dhe më e papërshkueshme nga uji sesa fijet e krimbit të mëndafshit që përdoren zakonisht për veshje.

Shqyrtoni faktet: Për prodhimin e fijeve sintetike, siç janë fijet kevlar, duhet temperaturë e lartë dhe tretës organikë. Kurse merimanga e prodhon fijen në temperaturën e dhomës dhe si tretës përdor ujin. Për më tepër fija nga zbret merimanga është më e fortë se kevlari. Nëse do të kishte përmasat e një fushe futbolli, një rrjetë e endur me këto fije mund të ndalte një aeroplan shumë të madh në fluturim.

S’është çudi që studiuesit janë shumë të interesuar për fortësinë e «litarit» zbritës të merimangës. «Shkencëtarët duan ta shfrytëzojnë këtë veti për artikuj, si jelekët antiplumb e deri te kabllot e urave të varura»,​—shkruan Eme Kaningami në revistën Science News.

Të imitosh këto lloj fijesh nuk është e lehtë, sepse materiali krijohet brenda trupit të merimangës dhe procesi ende nuk është kuptuar plotësisht. «Kuptojmë sa të vegjël jemi kur shohim se shumë njerëz mjaft inteligjent po përpiqen të imitojnë atë që merimangat në bodrumet tona mund ta krijojnë natyrshëm»,​—thotë biologia Sheril Y. Hajashi, e cituar në revistën Chemical & Engineering News.

Si mendoni? A erdhi rastësisht në ekzistencë merimanga dhe fija e saj e fortë si çeliku apo është vepër e një Krijuesi inteligjent?

[Figura në faqen 24]

Pamje në mikroskop e fijes së merimangës tek sekretohet

[Burimi]

Copyright Dennis Kunkel Microscopy, Inc.