Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kriza në bujqësi do të marrë fund

Kriza në bujqësi do të marrë fund

Kriza në bujqësi do të marrë fund

«DISA njerëz, të cilët e shohin thjesht si spektatorë gjendjen që po kalojnë fermerët, ka shumë mundësi të pyesin se përse dikush do të donte të merrej ende me bujqësi»,​—thotë Radni, fermer që prej tre brezash. Megjithatë, miliona njerëz anembanë botës vazhdojnë të merren me bujqësi. Në disa vende në zhvillim nuk ke shumë mundësi për të zgjedhur se ç’punë të bësh; puna në bujqësi mund ta ndihmojë familjen që të paktën të ketë bukën e përditshme.

Për më tepër, shumë familje mendojnë se të merresh me bujqësi nuk është thjesht një punë, por një mënyrë jetese. Numri i njerëzve që kanë vazhduar të merren me bujqësi, pavarësisht nga thatësira, sëmundjet, kushtet e rënda ekonomike dhe kriza të tjera, dëshmon për optimizmin dhe dashurinë e tyre për jetën në fermë. Para se të shqyrtojmë zgjidhjen e krizës në bujqësi, le të shohim se si disa fermerë kanë marrë ndihmë për ta përballuar atë.

Si po e përballojnë?

Puna në bujqësi mbart në vetvete disa vështirësi të pashmangshme. Duhet pranuar se moti, ekonomia dhe shumë faktorë të tjerë thjesht është e pamundur të kontrollohen. «Një mësim i hidhur për shumë fermerë është se puna e palodhur nuk të bën gjithmonë të suksesshëm,​—thotë një raport i botuar nga Cooperative Extension Service në Karolinën e Veriut.​—Etika e punës, e rrënjosur në vetë jetën e çdo fermeri, nuk të jep gjithmonë shpërblimet që premton. Për çdo fermer, ka kushte dhe faktorë që nuk janë në dorën e tij.» Një fermer i moshuar tregoi se si arriti ta ruante gëzimin, me këto fjalë: «Thjesht kam mësuar të përshtatem me gjërat që janë të pashmangshme.»

Një proverb i vjetër thotë: «Kush e ka mendjen te era nuk ka për të mbjellë dhe kush rri e shikon retë nuk ka për të korrur.» (Predikuesi 11:4) Pasiguria dhe pavendosmëria mund të jenë paralizuese. Nëse mendimet negative zëvendësohen nga veprime konkrete pozitive, kjo mund të ndihmojë për të pakësuar stresin e panevojshëm.

Po kështu edhe ushqimi i duhur, pushimi i mjaftueshëm dhe ushtrimet fizike të përshtatshme mund të ndikojnë për mirë. The Western Producer raporton se fermerët që kujdesen për shëndetin «marrin vendime më të mira». Një fermer me emrin Juxhin dhe gruaja e tij Kandasa thanë për revistën Zgjohuni!: «Pushimi i duhur na ndihmon për të përballuar stresin. Problemet duken më të vogla dhe më të lehta për t’u zgjidhur kur jemi të çlodhur. Ndikon për mirë edhe ngrënia e rregullt e të gjitha vakteve, sidomos kur hamë së bashku si familje.» Kjo këshillë është në përputhje me atë që thotë Bibla: «Çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.»​—Predikuesi 3:13.

Mbështetje për familjen

Një fermer tha për Zgjohuni!: «Shumë familjeve të fermerëve iu është dashur të mbahen ekonomikisht duke bërë edhe një punë tjetër, përveç bujqësisë. Ndonëse bëhet me synimin për t’u lehtësuar nga stresi për anën financiare, kjo gjë mund të krijojë strese të tjera që kanë lidhje me marrëdhëniet me njerëzit. Disa familje fermerësh që dikur ishin të lidhura ngushtë tani nuk e mbështetin më si më parë njëra-tjetrën.» Si mund t’ia dalin mbanë familjet?

Gati 2.700 vjet më parë, kryetarëve të familjeve iu dha kjo këshillë: «Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.» (Fjalët e urta 24:27) Rendi, baba dhe fermer që vjen nga një familje, e cila prej katër brezash merret me bujqësi, thotë: «Të gjesh kohë për të treguar vlerësim për familjarët është e domosdoshme. Çdo pjesëtar i familjes ka nevojë për mbështetje dhe dashuri. Fjalët dhe veprimet e dashura bëjnë që secili të ndiejë se e duan dhe e vlerësojnë.»

Sidomos fëmijët kanë nevojë t’u japësh siguri kur ndodhin ndryshime të mëdha. Humbja që ndiejnë fëmijët kur familjes i merret ferma është krahasuar me humbjen që provon një fëmijë, prindërit e të cilit janë divorcuar ose kanë vdekur. Ata kanë nevojë të dinë se nuk është faji i tyre dhe se familja do të qëndrojë e bashkuar.

Si mund të ndihmojnë të tjerët?

Fermerët e stresuar mund të mbyllen në vetvete, duke shmangur edhe miqtë. (Fjalët e urta 18:1) Megjithatë, kur kalon vështirësi një person ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e të tjerëve.

A keni ndonjë mik ose fqinj që po vuan si pasojë e krizës në bujqësi? Edhe thjesht po të tregoni se e ndieni shqetësimin e tyre mund të jetë një ndihmë për këta njerëz. «Vetë fakti që miqtë tanë i kuptojnë vështirësitë që po kalojmë është një ngushëllim për ne»,​—thotë një fermer me emrin Rani. Po, merrni iniciativën që t’i vizitoni miqtë tuaj dhe dëgjojini kur shprehin ndjenjat.

Vizita të tilla ishin të dobishme për Xhekun. Ai tregon: «I kujtoj me dashuri ato kohë kur miqtë e shihnin se sa i stresuar isha dhe më bënin vizita dashamirëse për të më dhënë zemër.» Nuk është e nevojshme që dikush të jetë specialist për punët në bujqësi që të japë mbështetje emocionale. Radni, që përmendëm në fillim, thotë: «Thjesht fakti që miqtë e mi e kuptojnë se ç’barrë të rëndë po mbaj më jep forcën dhe dëshirën për të bërë gjithçka që kam mundësi.» Kjo gjë na sjell ndër mend fjalën e urtë që gjendet në Bibël: «Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.»​—Fjalët e urta 17:17.

Një zgjidhje e përhershme

Kriza në bujqësi është vetëm një nga provat e shumta që tregojnë se njeriu nuk është i aftë të administrojë me sukses tokën dhe pasuritë e saj. Profeti Jeremia tha: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Është e qartë se njeriu ka nevojë për ndihmën hyjnore. Dhe mund të jeni të sigurt se kjo ndihmë do të vijë së shpejti.

Bibla thotë: «Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante.» (Zanafilla 2:15) Po, pikërisht urdhri i Krijuesit tonë bëri të lindte bujqësia. Shekuj më vonë, Perëndia e çoi popullin e tij, Izraelin, në vendin e Kanaanit. Dëshmia e frymëzuar nga Perëndia thotë për këtë vend: «Thith ujin e shiut që vjen nga qielli; një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, fillimi i vitit deri në mbarim të tij.» (Ligji i përtërirë 11:11, 12) Jehovai u dha edhe ligje që nuk do t’i lejonin njerëzit ta keqpërdornin Tokën e Premtuar. Për shembull, izraelitët duhej t’i linin djerr arat, vreshtat dhe ullishtat e tyre çdo shtatë vjet. (Eksodi 23:10, 11) Në këtë mënyrë do të ruhej pjelloria e tokës.

Mund të jemi të sigurt se në të ardhmen, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë​—një qeveri qiellore e drejtuar nga Jezu Krishti​—toka do të ketë një prodhimtari të paparë. (Isaia 35:1-7) Kur ishte në tokë, Sundimtari i caktuar i kësaj Mbretërie, Jezu Krishti, tregoi aftësinë e tij për të kontrolluar forcat e natyrës që ndikojnë te bujqësia. (Marku 4:37-41) Psalmi 72 përshkruan kushtet kur ai do të ushtrojë fuqinë e tij për të shëruar tokën dhe banorët e saj. Ky psalm na siguron: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.» (Psalmi 72:16) Në botën e re të premtuar, populli i Perëndisë do të ketë prodhime mjaft të bollshme, që do të mblidhen plot hare.

[Diçitura në faqen 9]

«Një mësim i hidhur për shumë fermerë është se puna e palodhur nuk të bën gjithmonë të suksesshëm.»

[Figurat në faqen 10]

Kujdesi për nevojat emocionale dhe frymore të pjesëtarëve të familjes mund t’i ndihmojë ata t’i përballojnë vështirësitë

[Figura në faqen 10]

Nën sundimin hyjnor, toka do të prodhojë ushqim me bollëk të madh

[Burimi i figurës në faqen 9]

Garo Nalbandian