Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësime rreth jobesnikërisë

Mësime rreth jobesnikërisë

Kapitulli tetëmbëdhjetë

Mësime rreth jobesnikërisë

Isaia 22:1-25

1. Si mund të ishit ndier po të kishit qenë brenda një qyteti të lashtë të rrethuar?

PËRFYTYRONI se si do të ndiheshit po të ishit në një qytet të lashtë nën rrethim. Jashtë mureve gjendet armiku, i fuqishëm dhe i pamëshirshëm. E dini që shumë qytete të tjera janë mposhtur tashmë prej tij. Tani ai është i vendosur të pushtojë e të plaçkitë qytetin tuaj, si dhe të përdhunojë e të vrasë banorët e tij. Ushtria armike është tepër e fuqishme për t’u përballuar drejtpërdrejt në luftim; e vetmja shpresë është që muret e qytetit t’i pengojnë për t’u futur brenda. Ndërsa hidhni një vështrim nga muret, dalloni që armiku ka sjellë kulla rrethimi. Gjithashtu, ata kanë mekanizma që mund të hedhin gurë të mëdhenj për të prishur mbrojtjen tuaj. Ju shikoni trarët me majë metalike për shembjen e mureve, shkallët për t’u ngjitur në mure, harkëtarët, karrocat dhe hordhitë e ushtarëve. Ç’pamje tmerruese!

2. Kur ndodh rrethimi i përshkruar në kapitullin 22 të Isaisë?

2 Në kapitullin 22 të Isaisë lexojmë për një rrethim të tillë, për rrethimin e Jerusalemit. Kur ndodh ai? Është e vështirë të përcaktosh ndonjë rrethim në të cilin u përmbushën të gjitha elementet e përshkruara. Duke u nisur nga dëshmitë që janë në dispozicion, profecia duhet marrë si një përshkrim i përgjithshëm i një sërë rrethimesh që do t’i bëhen Jerusalemit, si një paralajmërim i përgjithshëm për atë që pritet të ndodhë.

3. Si reagojnë banorët e Jerusalemit përballë rrethimit që përshkruan Isaia?

3 Çfarë bëjnë banorët e Jerusalemit të gjendur përballë rrethimit që përshkruan Isaia? Si populli që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë, a i thërrasin Jehovait që t’i shpëtojë? Jo, ata shfaqin një qëndrim që s’është aspak i mençur, një qëndrim si ai që vërehet sot mes shumë personave, të cilët pohojnë se e adhurojnë Perëndinë.

Një qytet nën rrethim

4. (a) Çfarë është ‘lugina e vizionit’ dhe pse ka këtë emër? (b) Cila është gjendja frymore e banorëve të Jerusalemit?

4 Në kapitullin 21, secili nga tre mesazhet e gjykimit u hap me fjalën «shpallja». (Isaia 21:1, 11, 13) Kapitulli 22 hapet në të njëjtën mënyrë: «Shpallja lidhur me luginën e vizionit: Çfarë ke, pra, që ke hipur i tëri mbi tarraca?» (Isaia 22:1) ‘Lugina e vizionit’ i referohet Jerusalemit. Qyteti quhet luginë sepse ndonëse është i ngritur, rrethohet nga male më të larta. Quhet «e vizionit» sepse atje janë dhënë shumë vizione dhe zbulesa hyjnore. Për këtë arsye, pritet që banorët e qytetit t’ua vënë veshin fjalëve të Jehovait. Por, në vend të kësaj, ata e kanë shpërfillur dhe kanë devijuar në adhurimin e rremë. Armiku që ka rrethuar qytetin është një mjet për ekzekutimin e gjykimit të Perëndisë kundër popullit të tij rebel.—Ligji i përtërirë 28:45, 49, 50, 52.

5. Ndoshta për cilën arsye hipin njerëzit në tarracat e shtëpive të tyre?

5 Vini re që banorët e Jerusalemit kanë ‘hipur të tërë mbi tarracat’ e shtëpive të tyre. Në kohën e lashtë shtëpitë izraelite ishin me tarraca të sheshta dhe shpesh familjet i përdornin ato si vende për t’u mbledhur bashkë. Isaia nuk na tregon përse veprojnë kështu në këtë rast, por fjalët e tij shprehin mosmiratim. Prandaj, ka mundësi që të kenë hipur në tarraca për të thirrur perënditë e tyre të rreme. Ky është një zakon që ndiqnin në periudhën para shkatërrimit të Jerusalemit, i cili erdhi në vitin 607 p.e.s.—Jeremia 19:13; Sofonia 1:5.

6. (a) Çfarë kushtesh mbizotërojnë brenda në Jerusalem? (b) Përse ngazëllohen disa, por çfarë i pret në të ardhmen?

6 Isaia vazhdon: «Ti ishe plot rrëmujë, një qytet i zhurmshëm, një qytet i ngazëlluar. Të vrarët e tu nuk janë të vrarët me shpatë, as të vdekurit në betejë.» (Isaia 22:2) Në qytet ka vërshuar një numër i madh njerëzish dhe në të mbretëron rrëmuja. Njerëzit nëpër rrugë bëjnë zhurmë dhe kanë frikë. Megjithatë, disa ngazëllojnë, ndoshta sepse ndihen të sigurt ose sepse mendojnë që rreziku po kalon. * Por të ngazëllosh në këtë kohë është marrëzi. Shumë njerëz në qytet do të përjetojnë një vdekje shumë më mizore, sesa ajo prej tehut të shpatës. Një qyteti të rrethuar i priten lidhjet me burimet e jashtme të ushqimit. Rezervat brenda qytetit pakësohen. Njerëzit që vuajnë urie dhe mbipopullimi shkaktojnë epidemi. Kështu, shumë njerëz në Jerusalem do të vdesin për shkak të urisë dhe të epidemive. Kjo ndodh si në vitin 607 p.e.s., ashtu edhe në vitin 70 të e.s.—2 Mbretërve 25:3; Vajtimet 4:9, 10. *

7. Çfarë bëjnë sundimtarët e Jerusalemit gjatë rrethimit dhe çfarë u ndodh atyre?

7 Çfarë drejtimi japin udhëheqësit e Jerusalemit gjatë kësaj krize? Isaia përgjigjet: «Të gjithë diktatorët e tu ia kanë mbathur në të njëjtën kohë. Ata janë marrë robër pa qenë nevoja për një hark. Të gjithë ata që të përkasin ty dhe që janë gjetur, i kanë marrë robër së bashku. Kishin ikur larg.» (Isaia 22:3) Sundimtarët dhe njerëzit e fuqishëm ia mbathin dhe si pasojë kapen. Ata kapen dhe merren robër pa përkulur madje as edhe një hark drejt tyre. Kjo ndodh në vitin 607 p.e.s. Pas çarjes së murit të Jerusalemit, mbreti Sedekia ia mbath natën me njerëzit e tij të fuqishëm. Armiku e merr vesh këtë, i ndjek dhe i arrin në rrafshinën e Jerikos. Njerëzit e fuqishëm ikin nga sytë këmbët. Sedekinë e kapin, e verbojnë, e lidhin me vargonj bakri dhe e marrin zvarrë në Babiloni. (2 Mbretërve 25:2-7) Çfarë pasoje tragjike për jobesnikërinë e tij!

Ankth për shkak të katastrofës

8. (a) Si reagon Isaia ndaj profecisë që parathotë ardhjen e një katastrofe mbi Jerusalem? (b) Cila do të jetë tabloja në Jerusalem?

8 Kjo profeci e prek thellë Isainë. Ai thotë: «Largojeni shikimin nga unë. Do të shfaq hidhërim në vajtim. Mos këmbëngulni të më ngushëlloni për plaçkitjen e bijës së popullit tim.» (Isaia 22:4) Isaia u hidhërua për fatin e profetizuar të Moabit dhe të Babilonisë. (Isaia 16:11; 21:3) Tani, ankthi dhe vajtimi i tij janë në një shkallë akoma më të lartë, ndërsa mendon për katastrofën që po vjen mbi popullin e tij. Ai është i pangushëllueshëm. Pse? «Sepse është dita e pështjellimit, e shtypjes dhe e trazimit, që Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive, ka në luginën e vizionit. Është shkatërruesi i murit dhe thirrja drejtuar malit.» (Isaia 22:5) Jerusalemi do të zhytet në një pështjellim të shfrenuar. Njerëzit do të enden andej-këtej të goditur nga paniku, pa ndonjë qëllim. Ndërsa armiku fillon të çajë muret e qytetit, do të dëgjohet një ‘thirrje drejtuar malit’. A do të thotë kjo se banorët e qytetit do t’i thërrasin Perëndisë në tempullin e tij të shenjtë në malin Moriah? Ndoshta. Por, duke pasur parasysh jobesnikërinë e tyre, ka mundësi që kjo të nënkuptojë thjesht që britmat e tyre të lëshuara nga tmerri do të jehojnë në malet përreth.

9. Përshkruani ushtrinë që kërcënon Jerusalemin.

9 Ç’lloj armiku është ai që po kërcënon Jerusalemin? Isaia na thotë: «Vetë Elami ka marrë kukurën e shigjetave, në karrocën e luftës së njeriut tokësor me kuaj; dhe vetë Kiri ka zhveshur mburojën.» (Isaia 22:6) Armiqtë janë të armatosur deri në dhëmbë. Ata kanë harkëtarë, të cilët e kanë kukurën e shigjetave plot. Luftëtarët po bëjnë gati mburojat e tyre për betejë. Ata kanë karroca dhe kuaj të stërvitur për luftë. Ushtria përfshin ushtarë nga Elami, i cili gjendet në veri të atij që sot quhet Gjiri Persik, si dhe nga Kiri, i cili gjendet ndoshta pranë Elamit. Përmendja e këtyre vendeve tregon largësinë e madhe nga e cila vijnë pushtuesit. Ajo tregon, gjithashtu, se harkëtarët elamitë mund të kenë marrë pjesë në ushtrinë që kërcënoi Jerusalemin në kohën e Hezekisë.

Përpjekje për t’u mbrojtur

10. Cili zhvillim është një tregues negativ për qytetin?

10 Isaia përshkruan rrjedhën e ngjarjeve: «Do të ndodhë që ultësirat e tua më të mira do të mbushen me karroca lufte dhe kuajt me siguri do të vendosen në pozicion te porta dhe dikush do të heqë mbrojtjen e Judës.» (Isaia 22:7, 8a) Karrocat dhe kuajt mbushin ultësirat jashtë qytetit të Jerusalemit dhe vendosen në pozicion sulmi kundër portave të qytetit. Çfarë është ‘mbrojtja e Judës’ që hiqet? Ka mundësi të jetë porta e qytetit, marrja e së cilës është një tregues negativ për mbrojtësit. * Kur kjo mbrojtje hiqet, qyteti zbulohet para sulmuesve.

11, 12. Çfarë masash mbrojtëse marrin banorët e Jerusalemit?

11 Tani Isaia përqendrohet në përpjekjet e njerëzve për t’u vetëmbrojtur. Mendja u shkon menjëherë tek armët. «Në atë ditë do të shikosh drejt depos së armëve të shtëpisë së pyllit dhe me siguri do të shikoni të çarat e qytetit të Davidit, sepse faktikisht do të jenë shumë. Dhe do të mblidhni ujërat e pellgut të poshtëm.» (Isaia 22:8b, 9) Armët mbahen në depon e armëve të shtëpisë së pyllit. Këtë depo armësh e ndërtoi Solomoni. Meqenëse u ndërtua me drurin e cedrave të Libanit, u njoh me emrin ‘shtëpia e Pyllit të Libanit’. (1 Mbretërve 7:2-5, Dio) Çarjet e mureve shqyrtohen me kujdes. Uji mblidhet. Kjo është një masë e rëndësishme mbrojtëse. Njerëzve u duhet ujë për të jetuar. Pa të, një qytet nuk mund të rezistojë. Megjithatë, vini re që nuk thuhet asgjë që të tregojë se i drejtohen Jehovait për t’i çliruar. Në vend të kësaj, ata mbështeten te forcat e veta. Mos e bëfshim kurrë këtë gabim!—Psalmi 127:1.

12 Çfarë mund të bëhet për ato të çara në mur? «Në të vërtetë do të numëroni shtëpitë e Jerusalemit. Gjithashtu, do të rrëzoni shtëpitë për t’i bërë muret të pathyeshëm.» (Isaia 22:10) Shtëpitë vlerësohen për të parë se cilat mund të prishen që të sigurohen materialet për riparimin e të çarave. Kjo është një përpjekje për të mos lejuar që armiku të fitojë kontroll të plotë mbi muret.

Një popull pa besim

13. Në ç’mënyrë përpiqen njerëzit të sigurojnë një furnizim me ujë, por cilin harrojnë ata?

13 «Duhet të ndërtoni një rezervuar midis dy mureve për ujërat e pellgut të vjetër. Dhe me siguri nuk do të shikoni bërësin e madh të tij, dhe atë që e formoi kohë më parë me siguri nuk do ta shihni.» (Isaia 22:11) Përpjekjet për të mbledhur ujë, të përshkruara këtu dhe në vargun 9, na kujtojnë veprimin që ndërmori mbreti Hezekia për ta mbrojtur qytetin nga pushtuesit asirianë. (2 Kronikave 32:2-5) Megjithatë, banorët e qytetit në këtë profeci të Isaisë janë krejt pa besim. Ndryshe nga Hezekia, ndërsa përpiqen të mbrojnë qytetin, ata nuk mendojnë fare për Krijuesin.

14. Me gjithë mesazhin paralajmërues të Jehovait, çfarë qëndrimi jo të mençur shfaqin njerëzit?

14 Isaia vazhdon: «Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive, do të kërkojë në atë ditë vajtim, mbajtje zie, mungesë flokësh dhe ngjeshje me copë thesi. Por ja, ngazëllim dhe gëzim, vrasje gjedhësh e therje delesh, ngrënie mishi e pirje vere: ‘Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.’» (Isaia 22:12, 13) Banorët e Jerusalemit nuk tregojnë aspak keqardhje për rebelimin e tyre ndaj Jehovait. Ata nuk vajtojnë, nuk i presin flokët dhe as vishen me copë thesi në shenjë pendimi. Nëse do të vepronin kështu, ka mundësi që Jehovai t’i shpëtonte nga tmerret që do të vijnë. Në vend të kësaj, ata e lëshojnë veten në kënaqësi sensuale. Të njëjtin qëndrim e shfaqin sot shumë njerëz që nuk kanë besim te Perëndia. Meqenëse nuk kanë asnjë shpresë, as për një ringjallje nga të vdekurit dhe as për një jetë në tokën e ardhshme parajsore, ata bëjnë një jetë të dhënë pas qejfeve, duke thënë: «Le të hamë e të pimë, se nesër kemi për të vdekur.» (1 Korintasve 15:32) Sa dritëshkurtër! Nëse do të kishin besim te Jehovai, do të kishin një shpresë të përhershme!—Psalmi 4:6-8; Proverbat 1:33.

15. (a) Cili është mesazhi i gjykimit që shpall Jehovai kundër Jerusalemit dhe kush e ekzekuton gjykimin e tij? (b) Pse i ashtuquajturi krishterim do të ketë një fund të ngjashëm me atë të Jerusalemit?

15 Banorët e rrethuar të Jerusalemit nuk do të kenë aspak siguri. Isaia thotë: «Në veshët e mi Jehovai i ushtrive ka zbuluar këtë: “ ‘Ky gabim nuk do të shlyhet për ju derisa të vdisni,’—ka thënë Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive.”» (Isaia 22:14) Për shkak të qëndrimit zemërgur të njerëzve nuk do të ketë falje. I pret vdekja e sigurt. Kjo është përtej çdo dyshimi. E ka thënë Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive. Në përmbushje të fjalëve profetike të Isaisë, Jerusalemi jobesnik përjeton dy katastrofa. Ai shkatërrohet nga forcat ushtarake babilonase dhe më vonë nga ato të Romës. Në mënyrë të ngjashme, një katastrofë do të bjerë edhe mbi të ashtuquajturin krishterim jobesnik, anëtarët e të cilit pohojnë se e adhurojnë Perëndinë, por faktikisht e mohojnë atë me veprat e tyre. (Titit 1:16) Mëkatet e të ashtuquajturit krishterim, bashkë me ato të feve të tjera të botës që i shpërfillin udhët e drejta të Perëndisë, «janë grumbulluar deri në qiell». Ashtu si gabimi i Jerusalemit apostat, mëkati i tyre është tepër i madh për t’u shlyer.—Zbulesa 18:5, 8, 21.

Një kujdestar egoist

16, 17. (a) Kujt i jepet tani një mesazh paralajmërues nga Jehovai dhe pse? (b) Çfarë do t’i ndodhë Shebnës për shkak të aspiratave të tij të larta?

16 Tani profeti e kalon vëmendjen nga një popull jobesnik te një individ jobesnik. Isaia shkruan: «Kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive: “Shko, hyr në shtëpinë e këtij kujdestari, në shtëpinë e Shebnës, i cili ka në ngarkim shtëpinë: ‘Çfarë gjëje ka këtu që të intereson dhe kush është këtu që të intereson, që ke gërmuar për vete një vend varrimi?’ Ai e gërmon vendin e tij të varrimit në një vend të lartë dhe gdhend në një shkëmb një banesë për vete.”»—Isaia 22:15, 16.

17 Shebna është një ‘kujdestar që ka në ngarkim shtëpinë’, ndoshta shtëpinë e mbretit Hezekia. Si i tillë ka një pozitë me influencë, i dyti menjëherë pas mbretit. Prej tij pritet shumë. (1 Korintasve 4:2) E megjithatë, në një kohë kur duhet t’u kushtojë vëmendje kryesore çështjeve të kombit, Shebna kërkon lavdinë e vet. Ai po gdhend për vete mbi një shkëmb të lartë një varr luksoz të ngjashëm me atë të një mbreti. Duke vërejtur këtë, Jehovai e frymëzon Isainë ta paralajmërojë kujdestarin jobesnik: «Ja, Jehovai do të të flakë përtokë në një mënyrë të dhunshme, o njeri i bëshëm dhe do të të mbërthejë me forcë. Me siguri ai do të të mbështjellë fort, si një top për një vend të hapur. Atje do të vdesësh dhe atje karrocat e lavdisë sate do të jenë turpi i shtëpisë së zotërisë tënd. Dhe unë do të të largoj nga pozita jote, dhe nga posti yt zyrtar dikush do të të rrëzojë.» (Isaia 22:17-19) Për shkak të egocentrizmit të tij, Shebna nuk do të ketë, madje, as një varr normal në Jerusalem. Në vend të kësaj, ai do të flaket si një top, për të vdekur në një vend të largët. Ky është një paralajmërim për të gjithë ata të cilëve u janë besuar përgjegjësi në popullin e Perëndisë. Abuzimi me autoritetin do të sjellë si pasojë humbjen e atij autoriteti dhe ndoshta edhe përjashtimin.

18. Kush do ta zëvendësojë Shebnën dhe çfarë nënkupton fakti që ky do të marrë rrobat zyrtare të Shebnës dhe çelësin e shtëpisë së Davidit?

18 Por si do të hiqet Shebna nga pozita e tij? Nëpërmjet Isaisë, Jehovai shpjegon: «Në atë ditë duhet të ndodhë që unë do të thërras shërbëtorin tim, domethënë Eliakimin, birin e Hilkiahut. Dhe do ta vesh me mantelin tënd, do të mbështjell fort rreth tij shiritin tënd dhe do t’i jap në dorë autoritetin tënd, dhe ai duhet të bëhet një atë për banorin e Jerusalemit dhe për shtëpinë e Judës. Do ta vendos çelësin e shtëpisë së Davidit mbi shpatullën e tij dhe ai duhet të hapë në mënyrë që asnjë të mos mbyllë dhe duhet të mbyllë në mënyrë që asnjë të mos hapë.» (Isaia 22:20-22) Meqenëse do të zëvendësojë Shebnën, veshjet zyrtare të kujdestarit bashkë me çelësin e shtëpisë së Davidit do t’i jepen Eliakimit. Bibla e përdor fjalën ‘çelës’ si simbol të autoritetit, të qeverisjes ose të pushtetit. (Krahaso Mateun 16:19.) Në kohën e lashtë, një këshilltar i mbretit, të cilit i ishin besuar çelësat, mund të kishte si përgjegjësi mbikëqyrjen e përgjithshme të dhomave mbretërore e, madje, edhe zgjedhjen e kandidatëve për t’u pranuar në shërbim të mbretit. (Krahaso Zbulesën 3:7, 8.) Prandaj, posti i kujdestarit është i rëndësishëm dhe prej kujtdo që shërben në këtë pozitë pritet shumë. (Luka 12:48) Shebna mund të jetë i aftë, por meqenëse është jobesnik, Jehovai do ta zëvendësojë.

Dy kunja simbolike

19, 20. (a) Si do të tregojë Eliakimi se është një bekim për popullin e tij? (b) Çfarë do t’u ndodhë atyre që vazhdojnë të mbështeten te Shebna?

19 Së fundi, Jehovai përdor një gjuhë simbolike për të përshkruar kalimin e autoritetit nga Shebna tek Eliakimi. Ai thotë: «‘Unë do ta ngul atë [Eliakimin] si një kunj në një vend të qëndrueshëm dhe ai duhet të bëhet si një fron lavdie për shtëpinë e atit të tij. Dhe duhet të varin tek ai gjithë lavdinë e shtëpisë së atit të tij, pasardhësit dhe filizat, gjithë enët me përmasa të vogla, enët në formë kupe, si dhe gjithë enët që janë qypa të mëdhenj. Në atë ditë,—është shprehja e Jehovait të ushtrive,—kunji [Shebna] që është ngulur në një vend të qëndrueshëm do të hiqet dhe duhet të shkulet e të bjerë dhe ngarkesa që është mbi të duhet të këputet, sepse këtë e ka thënë vetë Jehovai i ushtrive.’»—Isaia 22:23-25.

20 Në këto vargje kunji i parë është Eliakimi. Ai do të bëhet «një fron lavdie» për shtëpinë e atit të tij, Hilkiahut. Ndryshe nga Shebna, ai nuk do ta turpërojë shtëpinë e të atit ose nuk do ta prishë reputacionin e tij. Eliakimi do të jetë një mbështetje e qëndrueshme për enët e shtëpisë, domethënë, për të tjerët që janë në shërbim të mbretit. (2 Timoteut 2:20, 21) Në kontrast me këtë, kunji i dytë i referohet Shebnës. Ndonëse mund të duket i sigurt, ai do të hiqet. Kushdo që vazhdon të mbështetet tek ai do të bjerë.

21. Në kohët moderne, kush u zëvendësua ngjashëm Shebnës, pse dhe nga kush?

21 Ajo që i ndodh Shebnës na kujton se midis atyre që pohojnë se e adhurojnë Perëndinë, ata që pranojnë privilegje shërbimi duhet t’i përdorin ato për t’u shërbyer të tjerëve dhe për t’i sjellë lavdi Jehovait. Ata nuk duhet të abuzojnë me pozitën e tyre për t’u pasuruar ose për të fituar famë personale. Për shembull, prej një kohe të gjatë, i ashtuquajturi krishterim e ka paraqitur veten si një kujdestar i emëruar, si përfaqësuesi tokësor i Jezu Krishtit. Por, ashtu si Shebna që solli sharje mbi atin e tij, duke kërkuar lavdinë e vet, edhe udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim kanë sjellë sharje mbi Krijuesin, duke grumbulluar pasuri dhe pushtet për veten e tyre. Kështu, në vitin 1918, kur erdhi koha që gjykimi ‘të fillojë nga shtëpia e Perëndisë’, Jehovai e hoqi nga ajo pozitë të ashtuquajturin krishterim. Një kujdestar tjetër u identifikua—«kujdestari i besueshëm, i maturi»—dhe u caktua mbi shtëpinë tokësore të Jezuit. (1 Pjetrit 4:17; Luka 12:42-44) Kjo klasë e përbërë ka treguar se është e denjë të marrë në ngarkim «çelësin» mbretëror të shtëpisë së Davidit. Si një «kunj» i denjë për t’u besuar, ajo ka provuar se është një mbështetje e besueshme për të gjitha «enët» (të krishterët e mirosur me përgjegjësi të ndryshme që i drejtohen asaj për mbështetje frymore). Edhe ‘delet e tjera’, ngjashëm ‘banorit të huaj brenda portave’ të Jerusalemit të lashtë, mbështeten te ky «kunj», Eliakimi modern.—Gjoni 10:16; Ligji i përtërirë 5:14.

22. (a) Pse zëvendësimi i Shebnës si kujdestar ishte në kohën e duhur? (b) Pse caktimi i ‘kujdestarit të besueshëm, të maturit’, në kohët moderne, ishte në kohën e duhur?

22 Eliakimi e zëvendësoi Shebnën kur Senakeribi dhe hordhitë e tij po kërcënonin Jerusalemin. Në mënyrë të ngjashme, «kujdestari i besueshëm, i maturi», është caktuar për të shërbyer gjatë kohës së fundit, e cila do të mbyllet me një sulm përfundimtar të Satanait dhe të forcave të tij kundër ‘Izraelit të Perëndisë’ dhe kundër shokëve të tyre, deleve të tjera. (Galatasve 6:16) Ashtu si në ditët e Hezekisë, ai sulm do të përfundojë me shkatërrimin e armiqve të drejtësisë. Ata që mbështeten te ‘kunji në një vend të qëndrueshëm’, pra, te kujdestari i besueshëm, do të mbijetojnë, ashtu si banorët besimplotë të Jerusalemit mbijetuan gjatë sulmit asirian kundër Judës. Sa e mençur është, pra, që të mos jemi të lidhur me ‘kunjin’ e zhvlerësuar—me të ashtuquajturin krishterim!

23. Çfarë ndodh më në fund me Shebnën dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?

23 Çfarë ndodh me Shebnën? Nuk ka asgjë të shkruar që të na tregojë se si u përmbush profecia e Isaisë 22:18 në lidhje me të. Kur e lartëson veten dhe për shkak të kësaj poshtërohet, ai i ngjan të ashtuquajturit krishterim, por ai mund të ketë nxjerrë mësime nga disiplina. Në këtë aspekt, ai është krejt i ndryshëm nga i ashtuquajturi krishterim. Kur Rabshakehu asirian i bën thirrje Jerusalemit të dorëzohet, kujdestari i ri në shërbim të Hezekisë, Eliakimi, udhëheq delegacionin që del për ta takuar. Megjithatë, Shebna gjendet në krah të tij si sekretari i mbretit. Siç duket, Shebna vazhdon të jetë në shërbim të mbretit. (Isaia 36:2, 22) Çfarë mësimi i shkëlqyer për ata që humbasin privilegjet e shërbimit në organizatën e Perëndisë! Në vend që të hidhërohen e të mbajnë mëri, do të tregohen të mençur nëse vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait në cilëndo pozitë që ai i cakton. (Hebrenjve 12:6) Duke vepruar kështu, do ta shmangin katastrofën që do të bjerë mbi të ashtuquajturin krishterim. Gjithashtu, do të kenë miratimin dhe bekimin e Perëndisë për tërë përjetësinë.

[Shënimet]

^ par. 6 Në vitin 66 të e.s., shumë judenj u ngazëlluan kur forcat romake që kishin rrethuar Jerusalemin u tërhoqën.

^ par. 6 Sipas Jozefit, historian i shekullit të parë, në vitin 70 të e.s. uria në Jerusalem ishte kaq e rëndë, saqë njerëzit hanin lëkurë, bar dhe sanë. Thuhet se në një rast, një nënë poqi dhe hëngri birin e saj.

^ par. 10 Por ‘mbrojtja e Judës’ mund t’i referohet edhe ndonjë gjëje tjetër që mbron qytetin, si për shembull, fortesave ku mbahen armatimet dhe ku strehohen ushtarët.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 231]

Kur Sedekia ia mbath, e kapin dhe e verbojnë

[Figura në faqet 232, 233]

Perspektiva është e zymtë për judenjtë e zënë në grackë në Jerusalem

[Figura në faqen 239]

Hezekia e bën Eliakimin ‘një kunj në një vend të qëndrueshëm’

[Figura në faqen 241]

Ashtu si Shebna, shumë nga udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim kanë sjellë sharje mbi Krijuesin duke grumbulluar pasuri

[Figurat në faqen 242]

Në kohët moderne, mbi shtëpinë e Jezuit është caktuar një klasë në rolin e kujdestarit të besueshëm