Ligji i përtërirë 5:1-33

  • Besëlidhja e Jehovait në Horeb (1-5)

  • Përsëriten Dhjetë Urdhërimet (6-22)

  • Populli frikësohet në malin Sinai (23-33)

5  Atëherë Moisiu thirri tërë Izraelin dhe i tha: «Dëgjo, o Izrael, rregullat dhe ligjet që po të bëj të ditur sot. Mësoji dhe zbatoji me kujdes.  Jehovai, Perëndia ynë, bëri një besëlidhje me ne në Horeb.+  Jehovai nuk e bëri këtë besëlidhje me paraardhësit tanë, por me ne, me të gjithë ne që sot jemi gjallë këtu.  Jehovai foli sy për sy me ju në mal, nga zjarri.+  E meqë në atë kohë kishit frikë nga zjarri e nuk u ngjitët në mal,+ unë qëndrova mes Jehovait dhe jush+ që t’ju përcillja fjalën e Jehovait. Ai më tha:  ‘Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.+  Mos ki kurrë perëndi të tjera përveç meje.*+  Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur,+ ose ndonjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat e tokës.  Mos u përkul para tyre dhe mos u tundo t’u shërbesh,+ sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua,+ që për fajin e etërve ndëshkoj bijtë, deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë.+ 10  Por u tregoj dashuri besnike* për mijëra breza atyre që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia. 11  Mos e zër në gojë kot* emrin e Jehovait, Perëndisë tënd,+ sepse Jehovai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e zë në gojë kot emrin e Tij.+ 12  Mbaj ditën e Sabatit dhe shenjtëroje, si të urdhëroi Jehovai, Perëndia yt.+ 13  Do të punosh e do të bësh gjithçka që ke për të bërë për gjashtë ditë.+ 14  Ndërsa dita e shtatë është sabat për Jehovain, Perëndinë tënd.+ Mos bëj asnjë punë,+ as ti, as biri e as bija jote, as skllavi e as skllavja jote, as demi, as gomari, as kafsha jote shtëpiake dhe as i ardhuri që gjendet brenda qyteteve* të tua,+ me qëllim që skllavi dhe skllavja jote të pushojnë njësoj si ti.+ 15  Mos harro se ti u bëre skllav në Egjipt dhe se Jehovai, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fortë dhe me krah të fuqishëm.*+ Prandaj Jehovai, Perëndia yt, të urdhëroi të mbash ditën e Sabatit. 16  Ndero babanë dhe nënën tënde,+ si të ka urdhëruar Jehovai, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të të vejë mbarë* në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt.+ 17  Mos vrit.+ 18  Mos kryej kurorëshkelje.*+ 19  Mos vidh.+ 20  Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.*+ 21  Mos dëshiro gruan e tjetrit.+ Mos lakmo shtëpinë e tjetrit, as arën e tij, as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, asgjë të tijën.’+ 22  Këto urdhërime* Jehovai i tha me zë të fortë para tërë kongregacionit* tuaj në mal, nga zjarri, nga reja e nga terri i zi,+ dhe nuk shtoi asgjë tjetër. Më pas i shkroi ato në dy pllaka guri dhe m’i dha mua.+ 23  Por me të dëgjuar zërin nga errësira, teksa mali ishte në flakë,+ të gjithë krerët e fiseve dhe pleqtë tuaj m’u afruan 24  dhe më thanë: ‘Ja, Jehovai, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhështinë e tij, dhe ne e dëgjuam zërin e tij nga zjarri.+ Sot kuptuam se Perëndia mund të flasë me njeriun, e ky të mbetet gjallë.+ 25  Por, pse ta vëmë jetën në rrezik tani? Se ky zjarr i madh mund të na përpijë. Po të dëgjojmë akoma zërin e Jehovait, Perëndisë tonë, me siguri do të vdesim, 26  sepse ku ka njeri si ne që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë së gjallë duke folur nga zjarri e të ketë mbetur gjallë?! 27  Afrohu ti që të dëgjosh gjithçka që do të thotë Jehovai, Perëndia ynë, pastaj na i thuaj neve gjithçka që do të të thotë Jehovai, dhe ne do të dëgjojmë e do t’i zbatojmë.’+ 28  Kështu Jehovai i dëgjoi fjalët tuaja dhe Jehovai më tha: “E dëgjova çfarë të tha populli. Çdo gjë që thanë është me vend.+ 29  Veç të jetë zemra e tyre gjithnjë e prirur për të më nderuar thellë*+ dhe për t’i zbatuar tërë urdhërimet e mia!+ Atëherë do t’u vejë mbarë atyre dhe bijve të tyre në jetë të jetëve!+ 30  Shko e thuaju: ‘Kthehuni në tendat tuaja.’ 31  Kurse ti qëndro këtu me mua, që të të jap tërë urdhërimet, rregullat dhe ligjet që duhet t’u mësosh dhe që ata duhet t’i zbatojnë në vendin që po u jap si pronë.” 32  Tani, o popull, kini kujdes që të bëni pikërisht si ju ka urdhëruar Jehovai, Perëndia juaj.+ Mos u ktheni as djathtas, as majtas.+ 33  Ecni në të gjitha udhët që ju ka urdhëruar Jehovai, Perëndia juaj,+ që të jetoni, t’ju vejë mbarë e të keni ditë të gjata në vendin që do të zotëroni.+

Shënime në fund të faqes

Ose «për të më sfiduar». Fjalë për fjalë «kundër fytyrës sime».
Ose «dashamirësi».
Ose «Mos e përdor në mënyrë të papërshtatshme».
Fjalë për fjalë «portave».
Fjalë për fjalë «të shtrirë».
Ose «dhe të kesh sukses».
Ose «tradhti bashkëshortore».
Ose «tjetrit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «fjalë».
Fjalë për fjalë «e prirur drejt frikës ndaj meje». Shih Fjalorthin.