Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Mëso nga Fjala e Perëndisë

Çfarë do të ndodhë Ditën e Gjykimit?

Çfarë do të ndodhë Ditën e Gjykimit?

Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Çfarë është Dita e Gjykimit?

Siç tregohet në figurën djathtas, shumë njerëz mendojnë se Ditën e Gjykimit miliarda shpirtra do të paraqiten para fronit të Perëndisë që të gjykohen sipas veprave të mëparshme: disa do të shpërblehen me jetën në qiell, të tjerë do të mundohen në ferr. Por, Bibla tregon se Dita e Gjykimit ka si qëllim t’i çlirojë njerëzit nga padrejtësitë. (Psalmi 96:13) Perëndia ka caktuar Jezuin si Gjykatës i cili do t’i rikthejë drejtësinë njerëzimit.​—Lexo Isainë 11:1-5; Veprat 17:31.

2. Si do ta rivendosë drejtësinë Dita e Gjykimit?

Kur njeriu i parë, Adami, u rebelua me dashje ndaj Perëndisë, ia nënshtroi gjithë pasardhësit mëkatit, vuajtjeve dhe vdekjes. (Romakëve 5:12) Jezui do ta ndreqë këtë padrejtësi duke kthyer në jetë, ose duke ringjallur, miliarda të vdekur. Libri i Zbulesës tregon se kjo do të ndodhë gjatë sundimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit.​—Lexo Zbulesën 20:4, 11, 12.

Të ringjallurit s’do të gjykohen në bazë të veprave para vdekjes, por në bazë të veprave që bëjnë kur zbulohet përmbajtja e ‘rrotullave’ ose e kërkesave të mëtejshme të Perëndisë, që përmenden te kapitulli 20 i Zbulesës. (Romakëve 6:7) Sipas apostullit Pavël, mes atyre që do të kthehen në jetë dhe që do të kenë mundësinë të mësojnë për Perëndinë, do të jenë «si të drejtët, edhe të padrejtët».​—Lexo Veprat 24:15.

 3. Çfarë do të arrijë Dita e Gjykimit?

Ata që kanë vdekur pa pasur mundësinë ta njihnin e t’i shërbenin Perëndisë Jehova, do të kenë mundësinë të ndryshojnë e të bëjnë vepra të mira. Nëse veprojnë kështu, ringjallja e tyre do të jetë «një ringjallje jete». Por, disa nga të ringjallurit nuk do të duan të mësojnë udhët e Jehovait. Ringjallja e tyre do të jetë «një ringjallje gjykimi».​—Lexo Gjonin 5:28, 29; Isainë 26:10; 65:20.

Në fund të Ditës së Gjykimit që do të zgjatë një mijë vjet, Jehovai do ta ketë rikthyer njerëzimin e bindur në gjendjen e përsosur që ishte në fillim fare. (1 Korintasve 15:24-28) Ç’e ardhme e mrekullueshme i pret gjithë njerëzit e bindur! Perëndia do ta ngujojë Satana Djallin në humnerë për një mijë vjet dhe më pas do ta lirojë për një sprovë përfundimtare. Satanai do të përpiqet sërish t’i largojë njerëzit nga Jehovai, por ata që nuk do të marrin anën e Satanait, do të gëzojnë jetën në tokë përgjithmonë.​—Lexo Isainë 25:8; Zbulesën 20:7-9.

4. Cila ditë tjetër gjykimi do t’i sjellë dobi njerëzimit?

Bibla përdor shprehjen ‘ditë gjykimi’ edhe për ngjarjen që do ta çojë drejt fundit sistemin e tanishëm. Kjo ditë gjykimi do të vijë po aq papritur, sa edhe Përmbytja e ditëve të Noesë, e cila fshiu tej një brez të tërë të lig. Sa të lumtur jemi që shkatërrimi i afërt i «njerëzve të paperëndishëm» do t’i hapë rrugën një shoqërie të re tokësore ku «do të banojë drejtësia»!​—2 Pjetrit 3:6, 7, 13.