Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjej gëzim pavarësisht nga problemet fizike

Gjej gëzim pavarësisht nga problemet fizike

Gjej gëzim pavarësisht nga problemet fizike

Treguar nga Polet Gaspari

Megjithëse peshoja rreth tre kilogramë kur linda, doktori e dinte se kisha një problem të rëndë. Gjatë lindjes, pësova thyerje në disa kocka. Vuaj nga një sëmundje e quajtur osteogjenezë e paplotë ose siç njihet ndryshe sëmundja e kockave të brishta. Më çuan menjëherë për të më operuar, por doktorët nuk dhanë shumë shpresë. Ata prisnin që të vdisja brenda 24 orësh.

LINDA në Kanberrë, kryeqyteti i Australisë, më 14 qershor 1972. Ndryshe nga gjithë parashikimet, i kalova 24 orët. Por pastaj u sëmura me pneumoni. Ngaqë mendonin që gjithsesi do të vdisja, doktorët nuk më dhanë asnjë lloj mjekimi dhe vendosën që «natyra të bënte punën e saj». Dhe natyra e bëri punën e saj, unë mbijetova.

Mund ta marr me mend sa e vështirë duhet të ketë qenë për prindërit e mi gjatë asaj kohe. Ngaqë gjasat që unë të shpëtoja ishin të pakta, mjekët pa qëllim të keq i këshilluan prindërit e mi të mos lidheshin shumë me mua. Në fakt, gjatë tri muajve të parë që qëndrova në spital, prindërit nuk i linin as të më preknin. Rreziku se mos më dëmtonin ishte mjaft i madh. Kur u siguruan që isha jashtë rrezikut, mjekët u sugjeruan prindërve të më çonin në një qendër për fëmijët invalidë.

Por prindërit vendosën të më merrnin në shtëpi. Mamaja sapo kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo çka mësonte, ia shtonte ndjenjën e detyrës që të kujdesej për mua. Por duhet ta ketë pasur të vështirë të lidhej me mua, pasi kujdesi i jashtëzakonshëm për të cilin kisha nevojë ia merrte gjithë forcën emocionale dhe fizike. Më çonin shpesh në spital. Kockat e mia thyheshin edhe nga një gjë e thjeshtë si larja në vaskë. Edhe vetëm po të teshtija, më krisej ndonjë kockë.

Bie në depresion

Ndërsa rritesha, karrigia me rrota ishte shoqja ime e pandarë. As që bëhej fjalë të mësoja të ecja. Pavarësisht nga vështirësitë, prindërit e mi u kujdesën për nevojat e mia fizike në mënyrë të jashtëzakonshme.

Përveç kësaj, mamaja bënte çmos që të më mësonte mesazhin ngushëllues të Biblës. Për shembull, ajo më mësoi se në të ardhmen, Perëndia do ta bëjë tokën një parajsë ku të gjithë njerëzit do të gëzojnë shëndet të përsosur shpirtëror, mendor dhe fizik. (Psalmi 37:10, 11; Isaia 33:24) Por mamaja e pranonte hapur se, derisa të vinte ajo kohë, e kishte të vështirë të imagjinonte një jetë të këndshme për mua.

Në fillim, ndoqa një shkollë për invalidët. Mësuesit nuk kishin asnjë synim për mua dhe unë nuk vura asnjë synim për veten. Në të vërtetë, vetëm të rezistoja në atë shkollë ishte një sfidë. Shumë fëmijë ishin mizorë me mua. Më vonë, ndoqa një shkollë për fëmijë normalë. Kuptova që duhej të jepja gjithë forcën time fizike, emocionale dhe mendore për të mësuar të shkoja mirë me të tjerët. Megjithatë, isha e vendosur që të bëja 12 vjet arsimim.

Sidomos gjatë viteve të shkollës së mesme mendoja se sa jetë të pashpresë dhe boshe dukej se bënin nxënësit e tjerë. Mendoja edhe për atë që më kishte mësuar mamaja nga Bibla. E dija se ajo që thoshte ishte e vërteta. Por në atë kohë, nuk më ishte prekur zemra nga mësimet e Biblës. Për pak kohë, u përpoqa ta mbushja jetën duke qeshur e duke u argëtuar, pa menduar fare për të nesërmen.

Kur isha 18 vjeçe, u largova nga shtëpia e prindërve dhe shkova të jetoja me një grup invalidësh të tjerë. Ky ndryshim më dukej edhe emocionues, edhe frikësues. Më pëlqente fakti që do të isha më e lirë, e pavarur, do të kisha miq të rinj dhe një jetë shoqërore fantastike. Shumë nga miqtë e mi u martuan. Edhe unë kisha një dëshirë të zjarrtë për t’u martuar dhe për t’u dashuruar. Por, me problemet e mia fizike nuk kishte aspak të ngjarë që të gjeja një bashkëshort. U trishtova kur e kuptova këtë.

Megjithatë, nuk ia vija kurrë fajin Perëndisë për gjendjen time. Kisha mësuar aq për Perëndinë sa për të kuptuar se ai nuk vepron kurrë me padrejtësi. (Jobi 34:10) U përpoqa ta pranoja jetën time ashtu siç ishte. Pavarësisht nga kjo, rashë në depresion të rëndë.

Rrugë e gjatë drejt shërimit

Mirë që mamaja e kuptoi gjendjen time dhe foli me një nga pleqtë e kongregacionit që jetonte afër meje. Ai më mori në telefon dhe më ftoi të ndiqja mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Pastaj, fillova të studioja Biblën çdo javë me një motër të kongregacionit.

Ndërsa kujtoja të vërtetat biblike që mamaja më kishte mësuar vite më parë, pikëpamja ime për jetën filloi të përmirësohej. Më pëlqente të rrija në shoqërinë e të bashkëkrishterëve. Megjithatë, kisha mësuar të mos flisja për ndjenjat e mia sepse kisha frikë se mos vritesha emocionalisht. Mendoj se kjo ma bënte të vështirë të ndieja një dashuri të thellë për Perëndinë. Pavarësisht nga kjo, e dija se ishte e drejtë t’ia kushtoja jetën atij. Kështu, në dhjetor të vitit 1991, u pagëzova në simbol të kushtimit tim.

Ika nga shtëpia ku rrija me shokët e tjerë invalidë dhe mora një apartament më vete. Ky ndryshim kishte të mirat dhe të këqijat e veta. Për shembull, ndihesha shumë vetëm. Dhe ideja se mund të më futeshin në shtëpi të panjohur, më frikësonte. Shumë shpejt, rashë prapë në depresion. Megjithëse nga jashtë dukesha e qeshur dhe e lumtur, nuk isha aspak mirë. Kisha nevojë për një miqësi të mirë e të qëndrueshme.

Mendoj se ishte Perëndia Jehova që më siguroi një miqësi të tillë. Pleqtë në kongregacionin tim me dashuri morën masa që Suzi, një motër e martuar, të vazhdonte të më ndihmonte me studimin e Biblës. Suzi ishte më shumë se një mësuese për mua. Ajo u bë mikja ime më e ngushtë, që e dua shumë.

Suzi më stërviti që atë që po mësoja t’ua tregoja edhe të tjerëve—si në shërbimin shtëpi më shtëpi, edhe në mënyrë joformale. Tani fillova t’i vlerësoja më shumë cilësitë e Perëndisë. Por, edhe pse e pagëzuar, nuk kisha ende një dashuri të thellë për Perëndinë. Madje njëherë, mendova të mos e adhuroja më Jehovain. Fola me Suzin dhe ajo më ndihmoi ta kaloja atë krizë.

Suzi më ndihmoi edhe të kuptoja se trishtimi im vinte kryesisht nga shoqëria që kisha me disa që nuk kishin dashuri të fortë për Jehovain. Kështu, fillova të zija shoqëri me njerëz të pjekur frymësisht—sidomos me më të mëdhenj se unë në moshë. Po edhe me mamanë nuk kisha një marrëdhënie të mirë; prandaj fillova të rindërtoja një lidhje të mirë me të dhe me vëllanë tim. U habita kur ndjeva një lumturi që s’e kisha provuar më parë. Motrat dhe vëllezërit e krishterë, familja ime dhe, mbi të gjitha, Jehovai, u bënë për mua burim gëzimi dhe force.—Psalmi 28:7.

Një synim i ri

Pasi ndoqa një kongres ku dëgjova një fjalim që theksonte gëzimin që provonin shumë veta në shërbimin e krishterë në kohë të plotë, mendova: «Po edhe unë mund ta bëj!» Sigurisht e kuptoja që nga ana fizike kjo do të ishte shumë e vështirë për mua. Por, pasi u luta dhe e mendova mirë, vendosa të bëja kërkesën për t’u bërë një mësuese e Biblës në kohë të plotë dhe në prill 1998, fillova shërbimin si pioniere.

Si ia bëj në veprën e predikimit me gjendjen time fizike? Si natyrë, jam shumë e pavarur dhe urrej të jem barrë për të tjerët, të varem prej tyre për transportin dhe për gjëra të tjera. Kështu që Suzi dhe burri i saj, Majkëlli, më sugjeruan një zgjidhje: të blija një motoçikletë. Po si mund ta ngisja një motoçikletë? Siç tregohet edhe në fotografi, motoçikleta ime është bërë me porosi vetëm për mua. Dhe as që më duhet ta ngre trupin tim të vogël prej 19 kilogramësh nga karrigia me rrota.

Kjo pavarësi e re për mua më ndihmon që të shkoj te njerëzit dhe të studioj Biblën me ta në orare të përshtatshme për të dyja palët. Duhet ta pranoj se më pëlqen shumë ta ngas motoçikletën dhe të ndiej erën tek më rreh fytyrën—një nga kënaqësitë e pakta që kam.

Më pëlqen të bëj rrugës biseda joformale me njerëzit, që në përgjithësi janë të sjellshëm dhe më respektojnë. Ndiej kënaqësi kur ndihmoj të tjerët të mësojnë për Biblën. Më vjen për të qeshur kur kujtoj një rast kur isha në shërbim me një shok të gjatë. Ai përshëndeti të zonjën e shtëpisë, e cila më pa e habitur dhe pastaj pyeti atë: «Flet dot ajo?» Të dy ia plasëm të qeshurit. Pasi i predikova asaj, ajo patjetër e pa që mund të flisja.

Më pëlqen jeta që bëj tani dhe kam mësuar ta dua Perëndinë Jehova. I jam kaq mirënjohëse mamasë që më mësoi të vërtetat biblike dhe, me besim, mezi pres të ardhmen e afërt kur Perëndia ‘do të bëjë çdo gjë të re’, madje edhe trupin tim të vogël.—Zbulesa 21:4, 5.

[Diçitura në faqen 30]

«U përpoqa ta pranoja jetën time ashtu siç ishte. Pavarësisht nga kjo, rashë në depresion të rëndë»