Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur Jehovai përshkroi veten

Kur Jehovai përshkroi veten

Afrojuni Perëndisë

Kur Jehovai përshkroi veten

Dalja 34:6, 7

SI DO ta përshkruanit Perëndinë​—personalitetin dhe mënyrën si vepron? Përfytyroni sikur të mund ta pyesnit Perëndinë për veten e tij dhe ta dëgjonit ndërsa përshkruante cilësitë e veta. Profeti Moisi pati pikërisht një mundësi të tillë. Jemi të kënaqur që ai u frymëzua të dokumentonte atë që ndodhi.

Kur ishte në malin Sinai, Moisiu iu përgjërua Jehovait: «Të lutem, më trego lavdinë tënde.» (Dalja 33:18) Të nesërmen, profeti pati privilegjin të shihte kalimthi lavdinë e Perëndisë. * Moisiu nuk e përshkroi me hollësi atë që pa në këtë vegim të mrekullueshëm. Por, ai shkroi diçka me rëndësi më të madhe​—fjalët e Perëndisë. Le të shohim se çfarë tha Jehovai te Dalja 34:6, 7.

Në fillim, Jehovai tregon për veten se është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh». (Vargu 6) Sipas një studiuesi, fjala hebraike që përkthehet «i mëshirshëm» nënkupton «dhembshurinë e butë [të Perëndisë], si ajo e një ati për fëmijët e tij». Kurse fjala e përkthyer «hirmadh» lidhet me një folje që «përshkruan një person që nga zemra ndihmon dikë në nevojë». Qartë, Jehovai dëshiron që ne ta dimë se ai kujdeset për adhuruesit e tij sikurse prindërit për fëmijët e tyre, domethënë me dashuri të butë dhe me merak të thellë për nevojat e tyre.​—Psalmi 103:8, 13.

Pastaj, Jehovai thotë se ai «nuk zemërohet shpejt». (Vargu 6) Ai nuk ka prirjen të zemërohet me shërbëtorët e tij në tokë. Përkundrazi, është i durueshëm me ta e me papërsosmëritë e tyre dhe u jep kohë të largohen nga udha mëkatare.​—2 Pjetrit 3:9.

Perëndia vazhdon duke thënë se është «plot dashamirësi e të vërtetë». (Vargu 6) Dashamirësia ose dashuria besnike është një cilësi e vyer me anë të së cilës Jehovai krijon një lidhje të qëndrueshme dhe të pandryshueshme me popullin e tij. (Ligji i përtërirë 7:9) Jehovai është gjithashtu burim i së vërtetës. Ai as mashtron e as mund të mashtrohet. Ngaqë është «Perëndi i së vërtetës», mund të kemi besim të plotë në çdo gjë që thotë, përfshirë edhe në premtimet e tij për të ardhmen.​—Psalmi 31:5.

Një e vërtetë tjetër e rëndësishme të cilën Jehovai do që ta dimë, është se ai fal «fajin, shkeljen dhe mëkatin». (Vargu 7) Ai është ‘gati t’i falë’ mëkatarët e penduar. (Psalmi 86:5) Por, në të njëjtën kohë, Jehovai nuk i mbyll sytë para ligësisë. Ai shpjegon se «në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin». (Vargu 7) Perëndia i shenjtë dhe i drejtë nuk do të lejojë që mëkatarët e vullnetshëm t’ia hedhin pa u ndëshkuar. Herët a vonë, ata do të paguajnë pasojat e sjelljes së tyre mëkatare.

Përshkrimi që Jehovai u bën cilësive të tij, tregon qartë se ai do që ta njohim atë, personalitetin e tij dhe mënyrën si vepron. A nuk nxiteni të mësoni më shumë për cilësitë e tij të mrekullueshme?

[Shënimi]

^ par. 2 Moisiu nuk e pa në mënyrë të mirëfilltë Jehovain, pasi asnjë njeri nuk mund ta shohë Perëndinë e të jetojë. (Dalja 33:20) Me sa duket, Jehovai i dha Moisiut një vegim të lavdisë së Tij, duke komunikuar me të nëpërmjet një engjëlli.