Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i dallon shenjat e udhëheqjes së Perëndisë?

A i dallon shenjat e udhëheqjes së Perëndisë?

A i dallon shenjat e udhëheqjes së Perëndisë?

AS IZRAELITËT, as egjiptianët nuk kishin parë një gjë të tillë. Teksa izraelitët dilnin nga Egjipti, një shtyllë reje qëndronte pezull pranë tyre ditë pas dite. Natën bëhej një shtyllë zjarri. Sa mbresëlënëse! Por, nga vinte? Cili ishte qëllimi i saj? Ç’mund të mësojmë ne, rreth 3.500 vjet më pas, nga mënyra si e konsideronte Izraeli ‘shtyllën e zjarrit dhe të resë’?​—Dal. 14:24.

Fjala e Perëndisë zbulon burimin dhe qëllimin e asaj shtylle: «Gjatë ditës Jehovai shkonte para tyre në një shtyllë reje, që t’u printe udhën, kurse gjatë natës në një shtyllë zjarri, që t’u jepte dritë. Kështu ata mund të ecnin ditën dhe natën.» (Dal. 13:21, 22) Perëndia Jehova e përdori shtyllën e zjarrit dhe të resë që ta udhëhiqte popullin e tij kur e nxori nga Egjipti, si edhe nëpër shkretëtirë. Ata duhej të ishin gati të lëviznin që ta ndiqnin shtyllën. Kur forcat egjiptiane që u ishin qepur nga pas po bëheshin gati të sulmonin popullin e Perëndisë, shtylla u vendos midis dy palëve dhe i mbrojti izraelitët. (Dal. 14:19, 20) Megjithëse shtylla nuk tregonte udhën më të drejtpërdrejtë, ndjekja e drejtimit të saj ishte e vetmja mënyrë që izraelitët të arrinin në Tokën e Premtuar.

Prania e shtyllës e siguronte popullin e Jehovait se Ai ishte me ta. Ajo përfaqësonte Jehovain dhe ndonjëherë ai foli prej saj. (Num. 14:14; Psal. 99:7) Më tej, reja e identifikoi Moisiun si atë që Jehovai e kishte emëruar për t’i prirë popullit. (Dal. 33:9) Po ashtu, me shfaqjen e fundit të dokumentuar të resë, Jehovai tregoi se kishte emëruar Josiun si pasues të Moisiut. (Ligj. 31:14, 15) Po, suksesi i udhëtimit të izraelitëve varej nëse do të dallonin shenjat e udhëheqjes së Perëndisë dhe më pas do t’i ndiqnin.

Nuk i mbajtën parasysh shenjat

Herën e parë që izraelitët panë shtyllën, duhet të kenë mbetur të mahnitur. Por mjerisht, ajo mrekulli që ishte gjithnjë e pranishme, nuk u bëri aq përshtypje izraelitëve sa të kishin vazhdimisht siguri te Jehovai. Ata e sfiduan disa herë udhëheqjen e Perëndisë. Kur ushtria egjiptiane i ndoqi, nuk treguan besim te fuqia shpëtuese e Jehovait. Përkundrazi, e akuzuan Moisiun, shërbëtorin e Perëndisë, se po i çonte drejt vdekjes. (Dal. 14:10-12) Pas çlirimit përmes Detit të Kuq, murmuritën kundër Moisiut, Aaronit dhe Jehovait sepse gjoja s’kishin ushqim dhe ujë. (Dal. 15:22-24; 16:1-3; 17:1-3, 7) E, disa javë më pas, i bënë presion Aaronit që t’u bënte një viç të artë. Imagjino pak! Në një anë të kampit izraelitët shihnin shtyllën e zjarrit dhe të resë​—shenjë madhështore e Atij që i kishte nxjerrë nga Egjipti—​kurse jo shumë larg që andej, filluan të adhuronin një idhull të pajetë duke thënë: «Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.» Çfarë ‘veprimesh që tregonin përbuzje të thellë’!​—Dal. 32:4; Neh. 9:18.

Veprimet rebele të Izraelit treguan shpërfillje të habitshme për udhëheqjen e Jehovait. Problemi nuk ishte te shikimi i tyre i mirëfilltë, por te këndvështrimi frymor. E shihni shtyllën, por nuk e çmonin më kuptimin e saj. Ndonëse veprimet e tyre «i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit», me mëshirë Jehovai vazhdoi t’i udhëhiqte nëpërmjet shtyllës, derisa Izraeli arriti në Tokën e Premtuar.​—Psal. 78:40-42, 52-54; Neh. 9:19.

Shih shenjat e udhëheqjes së Perëndisë sot

Në mënyrë të ngjashme, në kohët tona Jehovai nuk e ka lënë kurrë popullin e tij pa një drejtim të qartë. Ashtu si nuk priste që izraelitët ta gjenin vetë udhën, edhe nga ne sot nuk kërkon ta gjejmë vetë udhën për në botën e re që na është premtuar. Jezu Krishti është Udhëheqësi i emëruar i kongregacionit. (Mat. 23:10; Efes. 5:23) Ai i ka deleguar një masë autoriteti klasës së skllavit të besueshëm, e cila përbëhet nga të krishterë besnikë të mirosur me frymë të shenjtë. Nga ana tjetër, kjo klasë e skllavit emëron mbikëqyrës në kongregacionin e krishterë.​—Mat. 24:45-47; Titit 1:5-9.

Si mund të jemi të sigurt se cila është kjo klasë e skllavit ose e kujdestarit të besueshëm? Vër re se si e përshkruan vetë Jezui: «Kush është në të vërtetë kujdestari i besueshëm, i maturi, të cilin zotëria i tij do ta emërojë mbi gjithë shërbëtorët e vet, që të vazhdojë t’u japë furnizime të mjaftueshme me ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të vijë, e gjen duke bërë kështu!»​—Luka 12:42, 43.

Pra, klasa e kujdestarit është ‘e besueshme’, domethënë kurrë nuk tradhton ose braktis Jehovain, Jezuin, të vërtetat biblike a popullin e Perëndisë. Duke qenë ‘e matur’, klasa e kujdestarit tregon gjykim të mirë ndërsa drejton veprën tejet të rëndësishme të predikimit të ‘lajmit të mirë për mbretërinë’ dhe të bërjes së ‘dishepujve njerëz nga të gjitha kombet’. (Mat. 24:14; 28:19, 20) «Në kohën e duhur», duke u bindur, klasa e kujdestarit shpërndan ushqim frymor të shëndetshëm dhe me vlera ushqyese. Miratimi i Jehovait ndaj kësaj klase shihet në mënyrën si e bekon popullin e tij me rritje, udhëheqje për vendime të rëndësishme, kuptueshmëri më të mirë për të vërtetat biblike, mbrojtje nga asgjësimi prej duarve të armiqve dhe paqe në mendje e në zemër.​—Isa. 54:17; Filip. 4:7.

Të pranojmë udhëheqjen e Perëndisë

Si mund të tregojmë se e çmojmë udhëheqjen e Perëndisë? Apostulli Pavël tha: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar.» (Hebr. 13:17) Kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Ta ilustrojmë: zëre se je një izraelit në kohën e Moisiut. Imagjino sikur, pasi ke ecur për ca kohë, shtylla ndalet. Sa do të qëndrojë aty? Një ditë? Një javë? Disa muaj? Ti pyet veten: «A ia vlen të shpaketoj të gjitha gjërat e mia?» Në fillim mbase shpaketon vetëm gjërat më të nevojshme. Por, pas pak ditësh, i mërzitur ngaqë ke rrëmuar te të gjitha plaçkat, fillon të shpaketosh gjithçka. Megjithatë, pikërisht kur je duke mbaruar, sheh shtyllën që ngrihet​—të duhet të paketosh përsëri gjithçka. Nuk do të ishte e lehtë ose praktike. Gjithsesi, izraelitët duhej ‘të niseshin menjëherë’.​—Num. 9:17-22.

Po ne, si reagojmë kur marrim drejtim nga Perëndia? A përpiqemi ta zbatojmë «menjëherë»? Apo vazhdojmë t’i bëjmë gjërat siç e kishim zakon? A i njohim mirë udhëzimet e përditësuara, si ato për drejtimin e studimeve biblike, predikimin te njerëzit që flasin gjuhë të huaj, pjesëmarrjen e rregullt në adhurimin familjar, bashkëpunimin me Komitetet e Lidhjes me Spitalet dhe sjelljen e duhur në kongrese? E tregojmë çmueshmërinë për udhëheqjen e Perëndisë edhe duke pranuar këshillat. Kur duhet të marrim vendime të rëndësishme, nuk besojmë te mençuria jonë, por i drejtohemi Jehovait dhe organizatës së tij për udhëheqje. Dhe, ashtu si një fëmijë kërkon mbrojtjen e prindërve kur shpërthen një furtunë, kërkojmë mbrojtjen e organizatës së Jehovait kur, si një stuhi, na godasin problemet e kësaj bote.

Natyrisht, ata që marrin drejtimin në pjesën tokësore të organizatës së Jehovait nuk janë të përsosur, por as Moisiu nuk ishte. Prapëseprapë, shtylla jepte dëshmi të vazhdueshme se Moisiu ishte emëruar nga Perëndia dhe kishte miratimin e Tij. Vër re edhe që nuk i takonte çdo izraeliti të vendoste se kur të niseshin. Përkundrazi, populli vepronte sipas asaj që Jehovai «kishte urdhëruar me anë të Moisiut». (Num. 9:23, Diodati i Ri) Kështu, ka shumë të ngjarë që Moisiu, kanali i drejtimit të Perëndisë, jepte sinjalin për t’u nisur.

Sot, klasa e kujdestarit e Jehovait jep një sinjal të qartë kurdoherë që është koha për të lëvizur. Si e bën këtë kujdestari? Me anë të artikujve të Kullës së Rojës e të Shërbimi ynë i Mbretërisë, të botimeve të reja dhe të fjalimeve në asamble e kongrese. Gjithashtu, kongregacioneve u jepen udhëzime edhe nëpërmjet mbikëqyrësve udhëtues ose letrave a stërvitjes që marrin vëllezër me përgjegjësi në kongregacion.

A i dallon qartë shenjat e udhëheqjes së Perëndisë? Gjatë këtyre ditëve të fundit, Jehovai po përdor organizatën e tij që të na udhëheqë ne, popullin e tij, përmes kësaj bote të ligë të Satanait e cila i ngjan një shkretëtire të rrezikshme. Si rezultat, kemi unitet, dashuri dhe siguri.

Kur Izraeli arriti në Tokën e Premtuar, Josiu tha: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta.» (Jos. 23:14) Po kështu, populli i Perëndisë sot do të arrijë patjetër në botën e re të premtuar. Megjithatë, do të jemi apo jo atje, varet shumë nëse me përulësi tregohemi të gatshëm të ndjekim drejtimin e Perëndisë. Prandaj, le të vazhdojmë të dallojmë shenjat e udhëheqjes së Perëndisë!

[Figurat në faqen 5]

Sot po udhëhiqemi me anë të organizatës së Jehovait

Botime të reja në kongrese

Stërvitje teokratike

Stërvitje në mbledhjet për shërbim