Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga cilat gjëra duhet të ikim?

Nga cilat gjëra duhet të ikim?

Nga cilat gjëra duhet të ikim?

«Pjellë nepërkash, kush jua futi në mendje të ikni nga zemërimi që po vjen?»—MAT. 3:7.

1. Nga cilat rrethana kanë ikur në disa raste shërbëtorët e Perëndisë?

ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalën «ik»? Disave mund t’u kujtohet i riu i pashëm Jozef që iku nga propozimet imorale të gruas së Potifarit. (Zan. 39:7-12) Të tjerë mund të mendojnë për të krishterët që ikën nga Jerusalemi në vitin 66 të e.s., duke iu bindur paralajmërimit të Jezuit: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë . . . ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen.»—Luka 21:20, 21.

2, 3. (a) Çfarë donte të thoshte Gjon Pagëzori kur kritikoi udhëheqësit fetarë? (b) Si e përforcoi Jezui paralajmërimin që kishte dhënë Gjoni?

2 Në shembujt e përmendur më sipër, shërbëtorët e Perëndisë ikën në kuptimin e mirëfilltë. Sot, për të krishterët e vërtetë, që gjenden pothuajse në çdo vend të tokës, ekziston një nevojë urgjente që të ikin në kuptimin e figurshëm. Gjon Pagëzori e përdori fjalën «ik» në një kuptim të tillë. Ndër ata që erdhën të shihnin Gjonin ishin udhëheqësit fetarë judenj, që e quanin veten të drejtë, të cilët mendonin se s’kishin nevojë të pendoheshin. Ata i përbuznin njerëzit e thjeshtë që pagëzoheshin në simbol të pendimit. Pa u trembur, Gjoni i demaskoi këta udhëheqës hipokritë: «Pjellë nepërkash, kush jua futi në mendje të ikni nga zemërimi që po vjen? Jepni fryte të denja për pendim.»—Mat. 3:7, 8.

3 Gjoni nuk e kishte fjalën për të ikur në kuptimin e mirëfilltë. Ai po paralajmëronte për një gjykim që do të vinte, për një ditë zemërimi, dhe i paralajmëroi udhëheqësit fetarë që, nëse donin të shpëtonin atë ditë, duhej të jepnin fryte që tregonin pendimin e tyre. Më vonë, Jezui i dënoi pa frikë udhëheqësit fetarë, sepse qëndrimi i tyre prej vrasësish tregonte se ati i tyre i vërtetë ishte Djalli. (Gjoni 8:44) Duke e përforcuar paralajmërimin e mëparshëm të Gjonit, Jezui i quajti ata «pjellë nepërkash» dhe i pyeti: «Si do të shpëtoni nga gjykimi i Gehenës?» (Mat. 23:33) Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalën ‘Gehenë’?

4. Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalën ‘Gehenë’?

4 Gehena ishte një luginë jashtë mureve të Jerusalemit ku digjeshin plehrat dhe kufomat e kafshëve të ngordhura. Jezui e përdori Gehenën si simbol të vdekjes së përhershme. (Shih faqen 27.) Kur pyeti se si do të shpëtonin nga Gehena, Jezui po tregonte se, si grup, ata udhëheqës fetarë meritonin shkatërrimin e përhershëm.—Mat. 5:22, 29.

5. Si e tregon historia se paralajmërimi i Gjonit dhe i Jezuit dolën të vërteta?

5 Udhëheqësit judenj i shtuan mëkatet e tyre duke përndjekur Jezuin dhe dishepujt. Më vonë, siç kishin paralajmëruar Gjoni e Jezui, dita e zemërimit të Perëndisë erdhi. Në atë rast, «zemërimi» u përqendrua vetëm te një zonë e veçantë, në Jerusalem e në Jude, prandaj mund të ketë qenë e mundur të ikje në kuptimin e mirëfilltë. Zemërimi erdhi kur Jerusalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan nga ushtritë romake në vitin 70 të e.s. Ai «shtrëngim» ishte më i madh se çdo gjë tjetër që kishte ndodhur në Jerusalem. Shumë u vranë ose u morën robër. Një shkatërrim i ngjashëm, por më i madh, i pret shumë të ashtuquajtur të krishterë dhe pjesëtarë të feve të tjera.—Mat. 24:21.

Një zemërim i ardhshëm nga i cili duhet të ikim

6. Çfarë nisi të zhvillohej në kongregacionin e hershëm të krishterë?

6 Disa të krishterë të hershëm u bënë apostatë dhe të tjerë u shkuan pas. (Vep. 20:29, 30) Sa ishin gjallë, apostujt e Jezuit vepronin si «një forcë frenuese» kundër kësaj apostazie, por pas vdekjes së tyre lindën shumë sekte të krishtere të rreme. Sot ka qindra fe kontradiktore brenda krishterimit të rremë. Bibla paratha lindjen e klerit të krishterimit të rremë, duke e përshkruar si grup si ‘njeriun e paligjshmërisë’ dhe ‘birin e shkatërrimit të cilin Zotëria Jezu do ta shfarosë dhe do ta asgjësojë me shfaqjen e pranisë së tij’.—2 Sel. 2:3, 6-8.

7. Pse shprehja «njeriu i paligjshmërisë» i shkon për shtat klerit të krishterimit të rremë?

7 Kleri i krishterimit të rremë është i paligjshëm në kuptimin që ka mashtruar miliona njerëz duke toleruar ose duke përhapur mësime, festa dhe sjellje që janë në kundërshtim me Biblën. Ashtu si udhëheqësit fetarë që dënoi Jezui, këta adhurues të sotëm që janë pjesë e ‘birit të shkatërrimit’, do të shkatërrohen pa pasur shpresën e ringjalljes. (2 Sel. 1:6-9) Por, çfarë i pret ata që janë mashtruar nga kleri i krishterimit të rremë dhe nga klerikët e formave të tjera të fesë së rreme? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë ngjarjet që vijuan pas një shkatërrimi të mëparshëm të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s.

«Ikni me të shpejtë nga Babilonia»

8, 9. (a) Çfarë mesazhi profetik kishte Jeremia për robërit judenj në Babiloni? (b) Ç’lloj mundësie për të ikur u krijua pasi Babilonia u pushtua nga medët dhe persët?

8 Profeti Jeremia paratha shkatërrimin e Jerusalemit që ndodhi në vitin 607 p.e.s. Ai tha se populli i Perëndisë do të merrej rob, por do të rivendosej në atdheun e vet pas ‘shtatëdhjetë vjetësh’. (Jer. 29:4, 10) Për robërit judenj në Babiloni, Jeremia kishte një mesazh të rëndësishëm: duhej të qëndronin të pandotur nga feja e rreme që praktikohej në Babiloni. Në këtë mënyrë do të ishin gati të riktheheshin në Jerusalem e të rivendosnin adhurimin e pastër kur të vinte koha e caktuar. Kjo ndodhi fill pas pushtimit të Babilonisë nga medët dhe persët në vitin 539 p.e.s. Mbreti pers, Kiri II, nxori një dekret që judenjtë të riktheheshin dhe të rindërtonin tempullin e Jehovait në Jerusalem.—Ezd. 1:1-4.

9 Mijëra judenj e shfrytëzuan këtë rast dhe u rikthyen. (Ezd. 2:64-67) Duke vepruar kështu, përmbushën urdhrin profetik të Jeremisë që, në rastin e tyre, nënkuptonte vetëm një gjë: të largoheshin në një vend tjetër. (Lexo Jereminë 51:6, 45, 50.) Për shkak të rrethanave, jo të gjithë judenjtë mundën të bënin udhëtimin e gjatë për t’u kthyer në Jerusalem dhe në Judë. Ata që mbetën në Babiloni, si për shembull, profeti i moshuar Daniel, mund të kishin bekimin e Perëndisë, me kusht që të mbështetnin me gjithë zemër adhurimin e pastër që ishte përqendruar në Jerusalem dhe të qëndronin të ndarë nga adhurimi i rremë babilonas.

10. Për ç’lloj ‘gjërash të neveritshme’ mban përgjegjësi «Babilonia e Madhe»?

10 Sot, miliarda njerëz janë përfshirë në forma të ndryshme të fesë së rreme që e kanë origjinën në Babiloninë e lashtë. (Zan. 11:6-9) Të gjitha së bashku, këto fe janë quajtur «Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës». (Zbul. 17:5) Feja e rreme prej kohësh i ka mbështetur sundimtarët politikë të kësaj bote. Ndër ‘gjërat e neveritshme’ për të cilat mban përgjegjësi, janë luftërat e shumta në të cilat ‘janë vrarë pa mëshirë mbi tokë’ qindra milionë njerëz. (Zbul. 18:24) Gjithashtu, ndër ‘gjërat e neveritshme’ përfshihen edhe aktet e pedofilisë dhe të formave të tjera të imoralitetit seksual që kanë kryer klerikët e që i kanë toleruar autoritetet e kishave. A është për t’u habitur, pra, që Perëndia Jehova së shpejti do ta pastrojë këtë tokë nga feja e rreme?—Zbul. 18:8.

11. Çfarë përgjegjësie kanë të krishterët e vërtetë derisa Babilonia e Madhe të shkatërrohet?

11 Të krishterët e vërtetë që e dinë këtë, kanë përgjegjësinë t’i paralajmërojnë pjesëtarët e Babilonisë së Madhe. Një mënyrë si e bëjnë këtë është duke shpërndarë Bibla dhe literaturë biblike të botuar nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», të cilin Jezui e emëroi për të siguruar «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mat. 24:45) Kur njerëzit tregojnë interes për mesazhin e Biblës, merren masa për t’i ndihmuar me anë të një studimi biblik. Ne shpresojmë se ata do ta kuptojnë nevojën që ‘të ikin me të shpejtë nga Babilonia’, para se të jetë tepër vonë.—Zbul. 18:4.

Të ikim nga idhujtaria

12. Si e konsideron Perëndia adhurimin e shëmbëlltyrave dhe të idhujve?

12 Një praktikë tjetër e neveritshme, e zakonshme në Babiloninë e Madhe, është adhurimi i shëmbëlltyrave dhe i idhujve. Perëndia i quan ato ‘gjëra të neveritshme’ dhe ‘idhuj të pështirë’. (Ligj. 29:17) Cilido që dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë, duhet të shmangë idhujtarinë, në përputhje me deklaratën e Jehovait: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.»—Isa. 42:8.

13. Nga cilat forma dinake të idhujtarisë duhet të ikim?

13 Fjala e Perëndisë demaskon gjithashtu edhe format dinake të idhujtarisë. Për shembull, ajo e quan lakminë «idhujtari». (Kolos. 3:5) Të lakmosh do të thotë të dëshirosh diçka të ndaluar, si për shembull, gjërat që zotëron një tjetër. (Dal. 20:17) Engjëlli që u bë Satana Djalli ushqeu një dëshirë lakmitare që të ishte si Më i Larti dhe ta adhuronin. (Luka 4:5-7) Si pasojë, ai u rebelua ndaj Jehovait dhe e joshi Evën të lakmonte diçka që Perëndia e kishte ndaluar. Në njëfarë kuptimi, edhe Adami kreu idhujtari duke lejuar që dëshira e tij egoiste për të pasur shoqërinë e gruas së vet, të ishte më e rëndësishme se bindja ndaj Atit të tij të dashur qiellor. Në kontrast me këtë, të gjithë ata që duan të ikin nga dita e zemërimit të Perëndisë duhet t’i përkushtohen vetëm Atij dhe duhet t’i rezistojnë çdo lloj lakmie të tillë.

«Ikni nga kurvëria!»

14-16. (a) Pse Jozefi ishte një shembull i shkëlqyer nga ana morale? (b) Çfarë duhet të bëjmë nëse kemi dëshira seksuale të papastra? (c) Si mund të arrijmë të ikim nga kurvëria?

14 Lexo 1 Korintasve 6:18. Kur gruaja e Potifarit u orvat të joshte Jozefin, ai iku në kuptimin e mirëfilltë. Sa shembull të shkëlqyer la ai për të krishterët, beqarë e të martuar! Sigurisht, ndërgjegjja e Jozefit ishte modeluar nga ngjarjet e së kaluarës që tregonin pikëpamjen e Perëndisë për imoralitetin. Nëse duam t’i bindemi urdhrit «ikni nga kurvëria», do të shmangim gjëra që mund të na ngjallin dëshira seksuale për dikë që nuk është bashkëshorti ynë. Bibla thotë: «Bëni . . . të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave po vjen zemërimi i Perëndisë.»—Kolos. 3:5, 6.

15 Vini re se shkrimi thotë: «Po vjen zemërimi i Perëndisë.» Shumë veta në botë ushqejnë dëshira seksuale të papërshtatshme dhe dorëzohen para tyre. Prandaj, ne si të krishterë duhet të lutemi për ndihmën e Perëndisë dhe frymën e shenjtë që dëshirat seksuale të papastra të mos na kenë nën kontroll. Gjithashtu, studimi i Biblës, ndjekja e mbledhjeve të krishtere dhe predikimi i lajmit të mirë, do të na ndihmojnë që ‘të vazhdojmë të ecim sipas frymës’. Kështu ‘nuk do të përmbushim asnjë dëshirë të mishit’.—Gal. 5:16.

16 Sigurisht, nëse shohim pornografi, nuk po ‘ecim sipas frymës’. Po kështu, çdo i krishterë duhet të ketë kujdes të mos lexojë, shohë ose dëgjojë materiale që ngjallin ndjenja seksuale. Në mënyrë të ngjashme, është e gabuar që ‘të shenjtët’ e Perëndisë të kënaqen sadopak duke bërë shaka rreth këtyre temave ose duke bërë biseda të pahijshme. (Efes. 5:3, 4) Në këtë mënyrë i tregojmë Atit tonë të dashur se vërtet duam të shpëtojmë nga zemërimi i tij që po vjen dhe duam të jetojmë në botën e re e të drejtë.

Të ikim nga «dashuria për para»

17, 18. Pse duhet të ikim nga «dashuria për para»?

17 Në letrën e tij të parë drejtuar Timoteut, Pavli theksoi parime që duhej të drejtonin skllevërit e krishterë, disa prej të cilëve ndoshta pritnin përfitime materiale meqë pronarët e tyre ishin të krishterë. Të tjerë mbase përpiqeshin të nxirrnin fitime egoiste nga vëllazëria e krishterë. Pavli paralajmëroi që të mos ‘mendonin se përkushtimi hyjnor është një mjet fitimi’ për gjëra materiale. Rrënja e problemit mund të ishte «dashuria për para», e cila mund të ketë pasoja të këqija te kushdo, i pasur a i varfër qoftë.—1 Tim. 6:1, 2, 5, 9, 10.

18 A ju vijnë ndër mend shembuj biblikë të individëve që e prishën marrëdhënien me Perëndinë për shkak të ‘dashurisë për para’ ose për gjëra jo të domosdoshme që mund të bliheshin me to? (Jos. 7:11, 21; 2 Mbret. 5:20, 25-27) Pavli e nxiti Timoteun: «Ti, o njeri i Perëndisë, ik nga këto gjëra. Ndiq më mirë drejtësinë, përkushtimin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit.» (1 Tim. 6:11) Zbatimi i kësaj këshille është jetësor për këdo që dëshiron të mbijetojë nga dita e zemërimit që po vjen.

«Ik nga dëshirat karakteristike rinore»

19. Për çfarë kanë nevojë të gjithë të rinjtë?

19 Lexo Proverbat 22:15. Marrëzia që ka një i ri në zemër mund ta çojë në rrugë të gabuar. Një gjë që mund ta ndihmojë të ndreqet është disiplina e bazuar në Bibël. Shumë të rinj të krishterë me prindër jobesimtarë, përpiqen të gjejnë dhe të zbatojnë parimet që ndodhen në Bibël. Të tjerë nxjerrin dobi nga këshillat e mençura të të krishterëve në kongregacion që janë të pjekur frymësisht. Pavarësisht se kush i jep këshillat e bazuara në Bibël, zbatimi i tyre mund të na sjellë lumturi tani e në të ardhmen.—Hebr. 12:8-11.

20. Ku mund të gjejnë ndihmë të rinjtë që të ikin nga dëshirat e gabuara?

20 Lexo 2 Timoteut 2:20-22. Ngaqë u mungonte disiplina e dobishme, shumë të rinj kanë rënë pre e sjelljes së marrë, si për shembull, fryma e konkurrencës, lakmia, kurvëria, dashuria për para dhe dhënia pas kënaqësive. Këto pasqyrojnë «dëshirat karakteristike rinore» nga të cilat Bibla na nxit të ikim. Që të ikë prej tyre, një i ri i krishterë duhet të ruhet nga ndikimet e dëmshme, pavarësisht se nga vijnë. Është e dobishme sidomos këshilla e Perëndisë që të ndjekin cilësi hyjnore «bashkë me ata që e thërrasin Zotërinë me zemër të pastër».

21. Çfarë premtimi të mrekullueshëm bëri Jezu Krishti për dishepujt ose delet e tij?

21 Qofshim të rinj a të moshuar, nëse refuzojmë të dëgjojmë ata njerëz që orvaten të na mashtrojnë, po tregojmë se duam të jemi ndër dishepujt ose delet e Jezuit që ‘ikin nga zëri i të panjohurve’. (Gjoni 10:5) Por, që të shpëtojmë nga dita e zemërimit të Perëndisë, nuk mjafton vetëm të ikim nga gjërat e dëmshme. Duhet edhe të ndjekim cilësi që janë pozitive. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë shtatë cilësi të tilla. Kemi arsye të vlefshme për ta shqyrtuar edhe më mirë këtë temë, sepse Jezui bëri këtë premtim të mrekullueshëm: «Unë u jap [deleve të mia] jetë të përhershme dhe ato nuk do të shkatërrohen kurrën e kurrës, e askush nuk do të m’i rrëmbejë nga dora.»—Gjoni 10:28.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë paralajmërimi u dha Jezui udhëheqësve fetarë?

• Në çfarë situate të rrezikshme ndodhen miliona njerëz sot?

• Nga cilat forma dinake të idhujtarisë duhet të ikim?

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 8, 9]

Nga cilat gjëra duhet ‘të ikim’?