Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni mëkatuar kundër frymës së shenjtë?

A keni mëkatuar kundër frymës së shenjtë?

A keni mëkatuar kundër frymës së shenjtë?

«Ka një mëkat që çon në vdekje.»​—1 GJONIT 5:16.

1, 2. Si e dimë se mund të mëkatohet kundër frymës së shenjtë të Perëndisë?

«E KAM pasur gjithnjë fiksim mendimin se kam mëkatuar kundër frymës së shenjtë.» Kështu shkroi një grua në Gjermani, edhe pse i shërbente Perëndisë. A mund të mëkatojë faktikisht një i krishterë kundër frymës së shenjtë ose forcës vepruese të Perëndisë?

2 Po, mund të mëkatohet kundër frymës së shenjtë të Jehovait. Jezu Krishti tha: «Njerëzve do t’u falet çdo lloj mëkati dhe blasfemie, kurse blasfemia kundër frymës nuk do të falet.» (Mateu 12:31) Jemi paralajmëruar se «po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet, por një pritje e frikshme e gjykimit». (Hebrenjve 10:26, 27) Dhe apostulli Gjon shkroi: «Ka një mëkat që çon në vdekje.» (1 Gjonit 5:16) Mirëpo, a i është lënë në dorë atij që ka mëkatuar rëndë ta përcaktojë nëse ka kryer ‘mëkatin që çon në vdekje’?

Pendimi sjell faljen

3. Çfarë ka shumë të ngjarë të ndodhë, nëse jemi thellësisht të trishtuar për një mëkat që kemi kryer?

3 Jehovai është ai që gjykon përfundimisht keqbërësit. Ai bën gjithmonë atë që është e drejtë dhe të gjithë do t’i japim llogari atij. (Zanafilla 18:25; Romakëve 14:12) Është Jehovai që e përcakton nëse kemi kryer një mëkat të pafalshëm dhe vetëm ai mund ta heqë nga ne frymën e tij. (Psalmi 51:11) Megjithatë, nëse jemi thellësisht të trishtuar për një mëkat që kemi kryer, ka shumë të ngjarë që të jemi vërtet të penduar. Por, çfarë është pendimi i vërtetë?

4. (a) Si do ta përkufizonit pendimin? (b) Përse ju ngushëllon Psalmi 103:10-14?

4 Të pendohesh do të thotë të ndryshosh qëndrim ndaj një keqbërjeje që ke kryer ose ke pasur ndër mend të kryeje. Do të thotë të trishtohesh ose të të vijë keq dhe të largohesh nga rruga mëkatare. Nëse kemi mëkatuar rëndë, por kemi bërë hapat e nevojshëm për të treguar se jemi penduar vërtet, mund të ngushëllohemi me fjalët e psalmistit: «Ai [Jehovai] nuk vepron me ne sipas mëkateve tona, dhe nuk na ndëshkon siç e meritojnë fajet tona. Sepse, ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, po aq lart qëndron edhe dashamirësia e tij për ata që i frikësohen. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq larg nga ne i ka vënë shkeljet tona. Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.»​—Psalmi 103:10-14.

5, 6. Përmblidhni 1 Gjonit 3:19-22, dhe shpjegoni domethënien e fjalëve të apostullit.

5 Na ngushëllojnë edhe fjalët e apostullit Gjon: «Nga kjo do ta dimë se vijmë nga e vërteta dhe do të sigurojmë zemrën tonë para tij, për gjithçka që zemra mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka. Të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, mund të flasim me lirshmëri me Perëndinë, dhe çdo gjë që kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyeshme në sytë e tij.»​—1 Gjonit 3:19-22.

6 Ne e «dimë se vijmë nga e vërteta» ngaqë shfaqim dashuri vëllazërore dhe nuk e bëjmë rrugë mëkatin. (Psalmi 119:11) Nëse zemra na dënon për ndonjë arsye, duhet të mbajmë mend se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». Jehovai tregon mëshirë ndaj nesh sepse shikon ‘përzemërsinë tonë vëllazërore pa hipokrizi’, shikon luftën tonë me mëkatin dhe përpjekjet tona për të bërë vullnetin e tij. (1 Pjetrit 1:22) Zemra ‘nuk do të na dënojë’ nëse kemi besim te Jehovai, nëse shfaqim dashuri vëllazërore dhe nuk jemi fajtorë për mëkat të vullnetshëm. Do të kemi ‘lirshmëri për të folur me Perëndinë’ në lutje dhe ai do të na përgjigjet, sepse zbatojmë urdhërimet e tij.

Disa që mëkatuan kundër frymës së shenjtë

7. Si përcaktohet nëse një mëkat mund të falet ose jo?

7 Cilat mëkate nuk falen? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të shqyrtojmë disa shembuj biblikë. Ky shqyrtim duhet të na ngushëllojë, nëse jemi të penduar, por ende ndihemi shumë të mërzitur për mëkatet tona të rënda. Do të kuptojmë se nuk ka rëndësi edhe aq shumë se ç’lloj mëkati ka kryer një njeri; ajo që e përcakton nëse një mëkat mund të falet ose jo është motivi, gjendja e zemrës dhe se sa me dashje është bërë.

8. Si mëkatuan kundër frymës së shenjtë disa udhëheqës fetarë judenj në shekullin e parë?

8 Në shekullin e parë, udhëheqësit fetarë judenj që iu kundërvunë me ligësi Jezu Krishtit, po mëkatonin kundër frymës së shenjtë. Ata armiq të Krishtit e panë se fryma e Perëndisë po vepronte te Jezui për të kryer mrekulli që nderonin Jehovain, por thanë se kjo fuqi vinte nga Satana Djalli. Sipas Jezuit, ata që po blasfemonin në këtë mënyrë kundër frymës së shenjtë të Perëndisë, po kryenin një mëkat që nuk do të falej «as në këtë sistem dhe as në atë që do të vijë».​—Mateu 12:22-32.

9. Çfarë është blasfemia dhe çfarë tha Jezui për të?

9 Blasfemia është sharje ose një i folur i dëmshëm e shpifës. Meqë Burimi i frymës së shenjtë është Perëndia, të thuash gjëra kundër kësaj fryme është si të flasësh kundër Jehovait. Të përdorësh një të folur të tillë pa u penduar, është e pafalshme. Fjalët që tha Jezui për këtë lloj mëkati, tregojnë se ai po u referohej atyre që me dashje i kundërvihen veprimit të frymës së shenjtë të Perëndisë. Ngaqë fryma e Jehovait po vepronte te Jezui, por kundërshtarët e tij thanë se kjo fuqi vinte nga Djalli, ata mëkatuan dhe blasfemuan kundër frymës së shenjtë. Prandaj Jezui tha: «Kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të ketë falje kurrën e kurrës. Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.»​—Marku 3:20-29.

10. Pse Jezui e quajti Judën ‘biri i shkatërrimit’?

10 Shqyrtoni edhe rastin e Judë Iskariotit. Ai vepronte me pandershmëri, duke vjedhur para nga arka e parave që i ishte lënë nën kujdes. (Gjoni 12:5, 6) Më vonë, Juda shkoi të takonte krerët judenj dhe u mor vesh me ta që ta tradhtonte Jezuin për 30 monedha argjendi. Vërtet që Judën nisi ta brente ndërgjegjja pas tradhtisë, por ai nuk u pendua kurrë për mëkatin e tij të vullnetshëm. Si pasojë, Juda nuk meriton të ringjallet. Kështu, Jezui e quajti ‘biri i shkatërrimit’​—Gjoni 17:12; Mateu 26:14-16.

Disa që nuk mëkatuan kundër frymës

11-13. Ç’mëkat kreu mbreti David me Betshebën, dhe si na ngushëllon mënyra se si e zgjidhi Perëndia rastin e tyre?

11 Edhe pasi e kanë rrëfyer mëkatin e rëndë dhe kanë marrë ndihmë frymore nga pleqtë e kongregacionit, disa të krishterë, prapëseprapë, ndihen të trazuar që, në të kaluarën, kanë shkelur ligjin e Perëndisë. (Jakovi 5:14) Nëse edhe ne personalisht ndihemi të trazuar për këtë, me siguri do të nxjerrim dobi duke shqyrtuar ç’thonë Shkrimet për disa njerëz të cilëve iu falën mëkatet.

12 Mbreti David mëkatoi rëndë me Betshebën, të shoqen e Uriahut. Ai ishte në tarracën e shtëpisë së tij aty afër dhe pa këtë grua të bukur tek lahej, kështu që urdhëroi t’ia sillnin në pallat dhe pati marrëdhënie seksuale me të. Më vonë mori vesh që ajo kishte ngelur shtatzënë, prandaj bëri plane që Uriahu, i shoqi, të flinte me Betshebën për të mbuluar kurorëshkeljen. Meqë ky plan dështoi, mbreti e rregulloi që Uriahu të vritej në betejë. Atëherë Betsheba u bë gruaja e Davidit dhe më pas lindi fëmijën, i cili vdiq.​—2 Samuelit 11:1-27.

13 Rastin e Davidit me Betshebën e zgjidhi vetë Jehovai. Ai e fali Davidin, ndoshta duke marrë parasysh faktorë të tillë si pendimin e tij dhe besëlidhjen e Mbretërisë që kishte bërë me të. (2 Samuelit 7:11-16; 12:7-14) Betsheba, me sa duket, ishte penduar, sepse pati privilegjin të bëhej nëna e mbretit Solomon dhe paraardhëse e Jezu Krishtit. (Mateu 1:1, 6, 16) Nëse kemi mëkatuar, është mirë të mbajmë në mendje se Jehovai e vëren qëndrimin tonë të penduar.

14. Si ilustrohet në rastin e mbretit Manase se deri në ç’masë fal Perëndia?

14 Edhe rasti i Manaseut, mbretit të Judës, ilustron se deri në ç’masë fal Jehovai. Manaseu bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. Ngriti altarë për Baalin, adhuroi ‘gjithë ushtrinë e qiejve’, e madje ndërtoi altarë për perënditë e rreme në dy oborret e tempullit. I kaloi bijtë e tij në zjarr, nxiti praktikat spiritiste dhe i bëri banorët e Judës e të Jerusalemit «që të bënin më keq se kombet që Jehovai kishte shfarosur para bijve të Izraelit». Paralajmërimet që dhanë profetët e Perëndisë, ranë në vesh të shurdhër. Në fund, mbreti i Asirisë e zuri rob Manaseun. Ndërsa ishte rob, Manaseu u pendua dhe vazhdoi t’i lutej me përulësi Perëndisë, i cili e fali dhe e rivendosi në mbretërinë në Jerusalem, ku pastaj ai nxiti adhurimin e vërtetë.​—2 Kronikave 33:2-17.

15. Cila ngjarje në jetën e apostullit Pjetër tregon se Jehovai fal «në masë të madhe»?

15 Shekuj më vonë, apostulli Pjetër mëkatoi rëndë duke mohuar Jezuin. (Marku 14:30, 66-72) Por, Jehovai e fali Pjetrin «në masë të madhe». (Isaia 55:7) Përse? Sepse ishte vërtet i penduar. (Luka 22:62) Privilegji që iu dha Pjetrit 50 ditë më vonë, në festën e Ditës së Pesëdhjetë, për të dhënë dëshmi me guxim për Jezuin, ishte provë e qartë se Perëndia e kishte falur. (Veprat 2:14-36) A ka arsye të mendojmë që sot Perëndia i fal më pak të krishterët që janë vërtet të penduar? «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?​—këndoi psalmisti.​—Ti fal me të vërtetë.»​—Psalmi 130:3, 4.

Të heqim frikën për mëkatin kundër frymës

16. Në cilat rrethana na fal Perëndia?

16 Shembujt e mësipërm duhet të na ndihmojnë që të mos jemi më në ankth se mos kemi mëkatuar kundër frymës së shenjtë. Këta shembuj tregojnë se Jehovai i fal mëkatarët e penduar. Rëndësi parësore kanë lutjet e zjarrta drejtuar Perëndisë. Nëse kemi mëkatuar, mund të përgjërohemi për falje në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit, të mëshirës së Jehovait, si dhe duke marrë parasysh papërsosmërinë tonë të trashëguar dhe shërbimin besnik që kemi kryer më parë. Meqë e njohim dashamirësinë e pamerituar të Jehovait, mund të kërkojmë falje, të sigurt se ai do të na falë.​—Efesianëve 1:7.

17. Ç’duhet bërë nëse kemi mëkatuar dhe kemi nevojë për ndihmë frymore?

17 Po sikur të kemi mëkatuar, por nuk kemi mundësi të lutemi sepse mëkati na ka sëmurur frymësisht? Lidhur me këtë, dishepulli Jakov shkroi: «[Ai njeri] le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.»​—Jakovi 5:14, 15.

18. Pse nuk është e thënë që mëkati i dikujt të jetë i pafalshëm, edhe sikur ai të përjashtohet nga kongregacioni?

18 Edhe nëse një keqbërës nuk pendohet në kohën kur mëkaton dhe përjashtohet nga kongregacioni, s’është e thënë që mëkati i tij të jetë i pafalshëm. Për një të mirosur në Korint që ishte përjashtuar si keqbërës, Pavli shkroi: «Për atë njeri mjafton qortimi që i dha shumica. Përkundrazi, tani duhet ta falni me dashamirësi e ta ngushëlloni, që ai të mos përpihet në ndonjë mënyrë nga trishtimi i tepërt.» (2 Korintasve 2:6-8; 1 Korintasve 5:1-5) Por, që të rivendosin marrëdhënien e tyre me Jehovain, ata që kanë gabuar duhet të pranojnë ndihmën biblike të pleqve të krishterë dhe të japin prova se janë vërtet të penduar. Duhet ‘të japin fryte të denja për pendim’.​—Luka 3:8.

19. Ç’mund të na ndihmojë që të jemi «të shëndoshë në besim»?

19 Pse mund të lindë ndjenja se kemi mëkatuar kundër frymës së shenjtë? Një ndër faktorët mund të jetë ndjeshmëria e tepruar ose gjendja e dobët fizike a mendore. Në rast të tillë mund të na ndihmojë lutja. Gjithashtu, mund të kemi nevojë të pushojmë më shumë. Por sidomos nuk duhet ta lëmë Satanain të na shkurajojë, që të mos i shërbejmë më Perëndisë. Nëse Jehovai nuk kënaqet me vdekjen e të ligjve, aq më shumë nuk kënaqet me humbjen e ndonjë shërbëtori të tij. Prandaj, nëse kemi frikë se mos kemi mëkatuar kundër frymës, duhet të vazhdojmë të ushqehemi me Fjalën e Perëndisë, ku përfshihen pjesë ngushëlluese, si për shembull Psalmet. Duhet të vazhdojmë të ndjekim mbledhjet e kongregacionit dhe të marrim pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë. Kjo do të na ndihmojë të jemi «të shëndoshë në besim» dhe të mos jemi më në ankth se mos kemi kryer mëkatin e pafalshëm.​—Titit 2:2.

20. Cili arsyetim mund ta ndihmojë dikë që të kuptojë se nuk ka mëkatuar kundër frymës së shenjtë?

20 Nëse dikush ka frikë se mos ka mëkatuar kundër frymës së shenjtë, mund të pyesë veten: ‘A kam blasfemuar kundër frymës së shenjtë? A jam penduar vërtet për mëkatin tim? A kam besim se Perëndia fal? A jam një apostat që ka hedhur poshtë dritën frymore?’ Ka shumë të ngjarë që një individ i tillë të kuptojë se nuk ka blasfemuar kundër frymës së shenjtë të Perëndisë dhe as është bërë apostat. Ai është penduar dhe ka besim të patundur se Jehovai i fal mëkatet. Në rast të tillë, nuk ka mëkatuar kundër frymës së shenjtë të Jehovait.

21. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

21 Ç’bekim është të jemi të sigurt se nuk kemi mëkatuar kundër frymës së shenjtë! Por, me këtë çështje lidhen edhe disa pyetje që do të shqyrtohen në artikullin vijues. Për shembull, mund të pyesim veten: ‘A po më udhëheq vërtet fryma e shenjtë e Perëndisë? A e shfaq frytin e saj në jetën time?’

Si do të përgjigjeni?

• Pse themi që mund të mëkatohet kundër frymës së shenjtë?

• Ç’do të thotë të pendohesh?

• Cilët mëkatuan kundër frymës, kur Jezui ishte në tokë?

• Ç’të bëjmë që të mos jemi më në ankth se mos kemi kryer një mëkat të pafalshëm?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Ata që thanë se Jezui i kryente mrekullitë me fuqinë e Satanait, mëkatuan kundër frymës së shenjtë të Perëndisë

[Figura në faqen 18]

Edhe pse mohoi Jezuin, Pjetri nuk kreu një mëkat të pafalshëm