Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po jetojmë vërtet në «ditët e fundit»?

A po jetojmë vërtet në «ditët e fundit»?

A po jetojmë vërtet në «ditët e fundit»?

ZHVILLIMET që vërehen në dy drejtime, na ndihmojnë të identifikojmë ato që Bibla i quan ditët e fundit. Shkrimet kishin parathënë ngjarje që do të ndodhnin gjatë «përfundimit të sistemit». (Mateu 24:3) Në Bibël flitet edhe për ndryshimet në qëndrimet dhe veprimet e njerëzve që do të jetonin në «ditët e fundit».—2 Timoteut 3:1.

Ngjarjet botërore bashkë me sjelljen dhe karakteristikat e njerëzve provojnë se jetojmë në ditët e fundit dhe që Mbretëria e Perëndisë do të sjellë së shpejti bekime të përjetshme për ata që e duan Perëndinë. Të shqyrtojmë së pari tri veçori që Jezui tha se do të karakterizonin ditët e fundit.

«Fillimi i dhembjeve të lindjes»

Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.» Ai shtoi: «Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.» (Mateu 24:7, 8) Le t’i shqyrtojmë një nga një këto gjëra.

Një numër shumë i madh njerëzish u vranë në luftërat dhe konfliktet etnike gjatë shekullit të kaluar. Në një raport kërkimor të Worldwatch Institute thuhet: «Në shekullin [e 20-të] pati tri herë më shumë viktima nga lufta, se në gjithë luftërat që nga shekulli i parë i e.s. deri në vitin 1899.» Xhonathan Gloveri, në librin e tij Humanity—A Moral History of the Twentieth Century (Njerëzimi: Një histori morale e shekullit të 20-të), shkruan: «Sipas një llogaritjeje të përafërt, për periudhën nga viti 1900 deri në vitin 1989, në luftëra u vranë 86 milionë njerëz. . . . Në luftërat e shekullit të 20-të vdekjet kanë qenë në një numër kaq të madh, saqë është e vështirë t’i marrësh me mend. Çdo pohim për një mesatare të numrit të të vdekurve, nuk është në përputhje me faktet, sepse rreth dy të tretat (58 milionë) u vranë vetëm në dy luftërat botërore. Por, nëse ky numër do të ndahej në pjesë të barabarta për të gjithë periudhën, në luftëra do të ishin vrarë rreth 2.500 njerëz çdo ditë. Kjo do të ishte sikur në një periudhë nëntëdhjetëvjeçare, për 24 orë rresht, të vriten më tepër se 100 veta në orë.» A mund ta imagjinoni pikëllimin dhe dhembjen e miliona të afërmve dhe miqve të atyre që humbën jetën?

Pavarësisht se në botë prodhohet ushqim me bollëk, në karakteristikat e ditëve të fundit përfshihet mungesa e ushqimit. Studiuesit thonë se gjatë 30 viteve të kaluara, prodhimi i ushqimit ia ka tejkaluar rritjes së popullsisë. Prapëseprapë, mungesa e ushqimit mbizotëron në zona të mëdha të botës, sepse shumë njerëz nuk kanë tokë të mjaftueshme që të prodhojnë ushqim ose nuk kanë mjaft para që ta blejnë atë. Në vendet në zhvillim, rreth 1,2 miliard njerëz rrojnë me një dollar (amerikan) në ditë ose më pak. Nga këta, rreth 780 milionë veta vuajnë nga uria kronike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit të ushqyerit e keq është shkaku kryesor për vdekjen e më tepër se pesë milionë fëmijëve.

Ç’mund të thuhet për tërmetet që ishin parathënë? Sipas Institutit të Studimeve Gjeologjike, SHBA, vetëm që nga viti 1990 numri i tërmeteve aq të fuqishëm sa të shkatërrojnë ndërtesa, ka qenë mesatarisht 17 në vit. Tërmete kaq të fortë sa t’i shkatërrojnë pothuajse plotësisht ndërtesat, kanë ndodhur mesatarisht çdo vit. Një burim tjetër thotë se «në 100 vitet e fundit, tërmetet u kanë marrë jetën qindra mijëra njerëzve». Një arsye është se, që nga viti 1914, shumë qendra me popullsi të madhe janë zhvilluar në zona ku shkaktohen tërmete.

Veçori të tjera domethënëse

«Do të ketë . . . murtaja . . . nga njëri vend në tjetrin»,—tha Jezui. (Luka 21:11) Sot mjekësia ka përparuar më shumë se kurrë më parë. Megjithatë, njerëzimin vazhdojnë ta godasin sëmundje të vjetra e të reja. Në një dokument të Këshillit Hetimor Kombëtar, SHBA, thuhet: «Që nga viti 1973, njëzet sëmundje të njohura mirë, përfshirë tuberkulozin, malarien dhe kolerën, janë rishfaqur ose përhapur gjeografikisht, shpesh në forma më të rënda e që u rezistojnë ilaçeve. Që nga viti 1973 janë identifikuar të paktën 30 mikroorganizma që shkaktojnë sëmundje të panjohura më parë. Në ta përfshihen HIV-i, virusi i Ebolës, hepatiti C dhe virusi i Nipahut, e për to nuk ka shërim.» Sipas një raporti të Kryqit të Kuq, të datës 28 qershor 2000, gjatë vitit të mëparshëm, numri i njerëzve që vdiqën nga sëmundjet ngjitëse, ishte rreth 160 herë më i madh se numri i atyre që vdiqën në katastrofat natyrore.

‘Rritja e paligjshmërisë’ është një tjetër karakteristikë domethënëse e ditëve të fundit. (Mateu 24:12) Në shumë vende përreth botës njerëzit nuk i lënë dyert të pakyçura ose ndihen të pasigurt të ecin në rrugë natën. Dhe ç’të themi për ndotjen e ajrit, të ujit e të tokës, që shpesh ndodh si pasojë e veprimeve të paligjshme? Edhe kjo përmbush atë që kishte parathënë Bibla. Në librin e Zbulesës flitet për kohën që Perëndia ka caktuar ‘të rrënojë ata që rrënojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.

Cilat janë karakteristikat e njerëzve në ditët e fundit?

Të lutemi, hape Biblën te 2 Timoteut 3:1-5 dhe lexoje. Apostulli Pavël shkruan: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» Më tej ai rendit 20 veçori të personalitetit që do të karakterizonin njerëzit që nuk jetojnë sipas parimeve të Perëndisë. A i ke vënë re këto karakteristika te njerëzit aty ku jeton? Shqyrto ç’është thënë kohët e fundit për njerëzit sot.

«Të dashuruar me veten.» (2 Timoteut 3:2) «Si kurrë më parë [njerëzit] ngulin këmbë të bëjnë si t’u pëlqejë. Po bëhen si perëndi, dhe presin që edhe të tjerët t’i trajtojnë si të tillë.»—Gazeta Financial Times, Angli.

«Të dashuruar pas parave.» (2 Timoteut 3:2) «Kohët e fundit egoja e materializmit e ka mposhtur frymën e modestisë. Nëse nuk të shohin si të pasur në shoqëri, nuk ia vlen të jetosh.»—Gazeta Jakarta Post, Indonezi.

«Të pabindur ndaj prindërve.» (2 Timoteut 3:2) «Prindërve u vjen çudi kur shohin fëmijën e tyre 4-vjeçar që u jep urdhra sikur të jetë Luigji XIV [mbret francez] ose kur fëmija i tyre 8-vjeçar u bërtet: ‘Të urrej!’»—Revista American Educator, Shtetet e Bashkuara.

«Të pabesë.» (2 Timoteut 3:2) «Fakti që njerëzit janë shumë më të gatshëm të braktisin bashkëshorten dhe fëmijët, përbën ndoshta ndryshimin më të madh në vlerat morale gjatë [40 viteve të kaluara].»—Revista Wilson Quarterly, Shtetet e Bashkuara.

«Pa përzemërsi të natyrshme.» (2 Timoteut 3:3) «Dhuna në familje është faktori mbizotërues në jetën e përditshme të komuniteteve në mbarë botën.»—Revista Journal of the American Medical Association, Shtetet e Bashkuara.

«Pa vetëkontroll.» (2 Timoteut 3:3) «Shumë ngjarje që shfaqen çdo mëngjes në faqen e parë të gazetave, pasqyrojnë mendjen e njerëzve që nuk kanë vetëkontroll, forcë morale dhe mëshirë për të tjerët e madje edhe për veten. . . . Nëse shoqëria jonë vazhdon të përkrahë sjelljen agresive siç po bën tani, shpejt do të hyjë në fazën e asgjësimit moral.»—Gazeta Bangkok Post, Tajlandë.

«Të egër.» (2 Timoteut 3:3) «Zemërimi i paarsyeshëm dhe tërbimi i pakontrolluar shihen në trafik, në keqtrajtimet brenda familjes, . . . dhe [në] dhunën me sa duket të pajustifikuar e të panevojshme që shpesh shoqëron krimin. Dhuna përjetohet pa precedent e në mënyrë të paparashikueshme, dhe njerëzit ndihen të veçuar e të pambrojtur.»—Gazeta Business Day, Afrika e Jugut.

«Kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» (2 Timoteut 3:4) «Emancipimi seksual është bërë një lëvizje morale ku armiku është morali i krishterë.»—Boundless, një revistë në Internet.

«Duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.» (2 Timoteut 3:5) «[Një ish-prostitutë në Holandë] pohoi se kundërshtimi i legalizimit [të prostitucionit] vjen kryesisht nga grupet fetare. Ajo bëri një pauzë, pastaj tha duke qeshur se, kur ishte prostitutë, ndër klientët e saj të rregullt ishin disa klerikë. ‘Prostitutat thonë gjithnjë se klientët e tyre më të mirë janë nga komunitetet fetare’,—tha ajo duke qeshur.»—Gazeta National Catholic Reporter, Shtetet e Bashkuara.

Si do të jetë e ardhmja?

Bota sot është plot me telashe, pikërisht siç e kishte parathënë Bibla. Megjithatë, profecia për ‘shenjën e pranisë [së Krishtit] dhe të përfundimit të sistemit’ përmban një veçori pozitive. Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:3, 14) Lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë po predikohet në më shumë se 230 vende. Më tepër se gjashtë milionë njerëz «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» po marrin pjesë aktivisht në veprën e shpalljes së Mbretërisë. (Zbulesa 7:9) Çfarë është arritur falë aktivitetit të tyre të zellshëm? Tani, mesazhin për Mbretërinë, për gjërat që do të bëjë ajo dhe për mënyrën se si të marrim bekimet e saj, mund ta mësojë pothuajse çdo njeri në tokë. Po, ‘njohuria e vërtetë është e bollshme në kohën e fundit’.—Danieli 12:4.

Duhet të përfitosh nga kjo njohuri. Mendo ç’do të ndodhë pasi lajmi i mirë të jetë predikuar aq sa t’i pëlqejë Jehovait. Jezui tha: «Atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Kjo do të jetë koha kur Perëndia do të zhdukë nga toka tërë ligësinë. Te Proverbat 2:22 thuhet: «Të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.» Ç’do të ndodhë me Satanain dhe demonët? Ata do të hidhen në humnerë ku nuk do të jenë më në gjendje të mashtrojnë kombet. (Zbulesa 20:1-3) Pastaj «të drejtët . . . dhe të paqortueshmit do të mbeten» në tokë. Ata do të gëzojnë bekimet e mrekullueshme të Mbretërisë.—Proverbat 2:21; Zbulesa 21:3-5.

Çfarë mund të bësh ti?

Nuk ka asnjë dyshim se fundi i sistemit të Satanait është shumë afër. Ata që i shpërfillin provat se po jetojmë në ditët e fundit, do të jenë të papërgatitur kur të vijë fundi. (Mateu 24:37-39; 1 Selanikasve 5:2) Prandaj Jezui u tha dëgjuesve të tij: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë sipërfaqen e tokës. Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»—Luka 21:34-36.

Vetëm ata që do të ruajnë një qëndrim të miratuar para Birit të njeriut, pra Jezuit, do të kenë shpresën të mbijetojnë në fundin e këtij sistemi. Sa jetësore është të kërkojmë miratimin e Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit në këtë kohë që ka mbetur! Në një lutje drejtuar Perëndisë, Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Pra, është e mençur të mësosh më shumë për Perëndinë Jehova dhe kërkesat e tij. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të jenë të lumtur të të ndihmojnë që të kuptosh çfarë mëson Bibla. Të ftojmë me përzemërsi t’i kontaktosh ata ose t’u shkruash botuesve të kësaj reviste.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

KARAKTERISTIKAT E DITËVE TË FUNDIT

VEÇORITË KRYESORE:

▪ Luftëra.—Mateu 24:6, 7.

▪ Mungesë ushqimi.—Mateu 24:7.

▪ Tërmete.—Mateu 24:7.

▪ Murtaja.—Luka 21:11.

▪ Rritje të paligjshmërisë.—Mateu 24:12.

▪ Rrënimi i tokës.—Zbulesa 11:18.

NJERËZIT:

▪ Të dashuruar me veten.—2 Timoteut 3:2.

▪ Të dashuruar pas parave.—2 Timoteut 3:2.

▪ Fodullë.—2 Timoteut 3:2.

▪ Të pabindur ndaj prindërve.—2 Timoteut 3:2.

▪ Mosmirënjohës.—2 Timoteut 3:2.

▪ Të pabesë.—2 Timoteut 3:2.

▪ Pa përzemërsi të natyrshme.—2 Timoteut 3:3.

▪ Pa vetëkontroll.—2 Timoteut 3:3.

▪ Të egër.—2 Timoteut 3:3.

▪ Kënaqësidashës.—2 Timoteut 3:4.

▪ Hipokritë fetarë.—2 Timoteut 3:5.

ADHURUESIT E VËRTETË:

▪ Kanë njohuri të bollshme.—Danieli 12:4.

▪ Predikojnë lajmin e mirë në mbarë botën.—Mateu 24:14.

[Burimi]

UNITED NATIONS/​Fotografi e F. GRIFFING