Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Këto gjëra besojua njerëzve të besueshëm’

‘Këto gjëra besojua njerëzve të besueshëm’

‘Këto gjëra besojua njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.’​—2 TIM. 2:2.

KËNGËT: 123, 53

1, 2. Si e shohin shumë njerëz punën që bëjnë?

NJERËZIT shpesh e matin rëndësinë e tyre sipas punës që bëjnë. Për shumë njerëz, puna ose pozita përcakton vlerësimin që kanë për veten. Në disa kultura, kur njeh dikë, një nga pyetjet e para është: «Çfarë pune bën?»

2 Ndonjëherë Bibla i përshkruan njerëzit me anë të punës që bënin. Ajo flet për ‘Mateun taksambledhës’, për ‘Simonin regjës lëkurësh’ dhe për ‘Lukën, mjekun e dashur’. (Mat. 10:3; Vep. 10:6; Kolos. 4:14) Edhe caktimet ose privilegjet teokratike përdoren për të identifikuar. Për shembull, Shkrimet flasin për mbretin David, profetin Elija dhe apostullin Pavël. Ata burra i vlerësonin caktimet që u kishte dhënë Perëndia. Në rast se kemi privilegje shërbimi, edhe ne duhet t’i vlerësojmë.

3. Pse është e nevojshme që të moshuarit të stërvitin më të rinjtë? (Shih figurën hapëse.)

3 Shumë prej nesh i kemi qejf caktimet tona teokratike dhe do të na pëlqente të vazhdonim t’i bënim gjithmonë. Por mjerisht, që nga koha e Adamit, çdo brez plaket dhe ia zë vendin një tjetër. (Ekl. 1:4) Kohët e fundit, ky proces ndryshimi ka paraqitur sfida unike për të krishterët e vërtetë. Vepra e popullit të Jehovait është zgjeruar dhe është bërë më komplekse. Teksa ndërmarrim projekte të reja, mësojmë t’i bëjmë gjërat në mënyra të reja​—e këto shpesh përfshijnë përdorimin e teknologjisë që ndryshon me shpejtësi marramendëse. Disa të moshuarve mund t’u duket e vështirë të ecin në një hap me këto përparime. (Luka 5:39) Edhe kur nuk është kështu, më të rinjtë mund të kenë më shumë fuqi dhe energji sesa të moshuarit. (Prov. 20:29) Prandaj është qoftë e dashur, qoftë praktike që të moshuarit t’i përgatitin më të rinjtë për të mbajtur mbi supe më shumë përgjegjësi.​—Lexo Psalmin 71:18.

4. Pse disa e kanë të vështirë të delegojnë autoritet? (Shih kutinë « Pse disa nuk delegojnë autoritet».)

4 Ata që kanë detyra me përgjegjësi mund të mos e kenë të lehtë t’u delegojnë autoritet më të rinjve. Disa kanë frikë se mos u ikën nga duart një detyrë që e duan shumë. Të tjerë kanë merak se mos u del situata jashtë kontrollit dhe janë të bindur se më të rinjtë nuk mund t’i bëjnë gjërat aq mirë. Disa të tjerë mund të arsyetojnë se nuk kanë kohë të stërvitin dikë. Nga ana tjetër, ata që janë më të rinj duhen të bëjnë kujdes të mos e humbin durimin kur nuk u besohet më shumë punë.

5. Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

5 Le ta shqyrtojmë nga dy këndvështrime çështjen e delegimit të autoritetit. Së pari, si mund t’i ndihmojnë të moshuarit më të rinjtë që të marrin përsipër më shumë përgjegjësi, dhe pse është e rëndësishme kjo? (2 Tim. 2:2) Së dyti, pse ka rëndësi që më të rinjtë të mbajnë qëndrimin e duhur ndërsa ndihmojnë vëllezërit më me përvojë dhe mësojnë prej tyre? Si fillim, le të shohim si e përgatiti mbreti David të birin që të mbante një përgjegjësi me peshë.

DAVIDI PËRGATITI DHE MBËSHTETI SOLOMONIN

6. Çfarë donte të bënte mbreti David, dhe si u përgjigj Jehovai?

6 Pasi jetoi vite të tëra në arrati, Davidi u bë mbret dhe jetonte në një shtëpi të rehatshme. Tepër i mërzitur që Jehovait nuk i ishte kushtuar një «shtëpi», ose tempull, ai donte të ndërtonte një tempull. Prandaj i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi me dru cedri, kurse arka e besëlidhjes së Jehovait është nën pëlhurat e tendës.» Natani ia ktheu: «Bëj gjithçka ke në zemër, se Perëndia i vërtetë është me ty.» Mirëpo, Jehovai dha një drejtim tjetër. Ai e udhëzoi Natanin t’i thoshte Davidit: «Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj.» Edhe pse e siguroi me dashuri Davidin se do të vazhdonte ta bekonte, Jehovai dha drejtimin që tempullin ta ndërtonte Solomoni, biri i Davidit. Si reagoi Davidi?​—1 Kron. 17:1-4, 8, 11, 12; 29:1.

7. Si reagoi Davidi ndaj drejtimit të Jehovait?

7 Davidi nuk e kurseu ndihmën duke menduar qejfprishur se në fund meritën për ndërtimin e tempullit nuk do ta merrte ai. E në fakt, ndërtesa u bë e njohur si tempulli i Solomonit, jo tempulli i Davidit. Ndonëse mund të jetë zhgënjyer që nuk e plotësonte dot atë dëshirë të zemrës, Davidi e mbështeti plotësisht projektin. Gjithë zell, organizoi grupe pune dhe mblodhi hekur, bakër, argjend e ar, si edhe dru cedri. Veç kësaj, i dha zemër Solomonit me fjalët: «Tani, biri im, Jehovai qoftë me ty, dhe ia dalsh mbanë e ndërtofsh shtëpinë e Jehovait, Perëndisë tënd, ashtu si ka folur ai për ty!»​—1 Kron. 22:11, 14-16.

8. Pse Davidi mund të ketë nxjerrë përfundimin se Solomoni nuk ishte i kualifikuar, por çfarë bëri?

8 Lexo 1 Kronikave 22:5. Ka të ngjarë që Davidi të ketë nxjerrë përfundimin se Solomoni nuk ishte i kualifikuar të mbikëqyrte një projekt aq të rëndësishëm. Fundja e fundit, tempulli do të ishte ‘tejet madhështor’ dhe Solomoni në atë kohë ishte «i ri e i papërvojë». Sidoqoftë, Davidi e dinte mirë se Jehovai do ta ndihmonte Solomonin ta kryente punën që iu caktua. Kështu, Davidi u përqendrua tek ajo që mund të bënte për të ndihmuar dhe përgatiti materiale me shumicë.

PROVO GËZIMIN QË VJEN KUR STËRVIT

Është kënaqësi të shohësh vëllezër më të rinj që mbajnë përgjegjësi më të mëdha (Shih paragrafin 9.)

9. Si mund të gjejnë kënaqësi të moshuarit ndërsa ua kalojnë përgjegjësitë më të rinjve? Ilustrojeni.

9 Vëllezërit e moshuar nuk duhet t’i lëshojë zemra kur bëhet e nevojshme t’ua kalojnë caktimet e tyre më të rinjve. Përkundrazi, kur më të rinjtë stërviten që të mbajnë përgjegjësi, kjo është për të mirën e veprës. Burrat e emëruar duhet të ndiejnë kënaqësi të madhe kur më të rinjtë që kanë stërvitur, kualifikohen të marrin përsipër punën. Për ta ilustruar, le të mendojmë për një baba që i tregon të birit si të ngasë makinën. Kur është i vogël, djali thjesht vëzhgon të atin. Kur rritet ca, babai i shpjegon çfarë po bën. Pastaj, kur djali mbush moshën të marrë patentën dhe fillon të ngasë makinën, babai vazhdon t’i japë udhëzime praktike. Ndonjëherë ata mund t’i japin makinës me radhë. Por, ndërsa babai plaket, djali e nget makinën për të në shumicën e rasteve, në mos gjithmonë. Babait të mençur i gëzon zemra që i biri e ka marrë përsipër këtë dhe nuk ndihet sikur duhet t’i ketë gjërat nën kontroll. Po njësoj, të moshuarit ndihen krenarë kur i kanë stërvitur më të rinjtë që të mbajnë përgjegjësi teokratike.

10. Si ndihej Moisiu për lavdinë dhe autoritetin e tij?

10 Nëse jemi të moshuar, duhet të ruhemi nga xhelozia. Të mendojmë si reagoi Moisiu kur disa në kampin e Izraelit filluan të vepronin si profetë. (Lexo Numrat 11:24-29.) Josiu, ndihmësi i tij, donte t’i ndalonte. Siç duket, mendonte se ata po i ulnin prestigjin dhe autoritetin Moisiut. Por Moisiu ia ktheu: «Mos je gjë xheloz për mua? Mos ji, sepse unë do të doja që tërë populli i Jehovait të ishin profetë, pasi Jehovai do ta vinte frymën e tij mbi ta!» Moisiu e dalloi dorën e Jehovait në atë çështje. Ai nuk kërkoi lavdinë e vet, por shprehu dëshirën që të gjithë shërbëtorët e Jehovait t’i gëzonin ato dhurata frymore. Ashtu si Moisiu, a nuk ndiejmë kënaqësi kur të tjerët marrin privilegje që mund të kishin qenë tonat?

11. Si u shpreh një vëlla për faktin që ia kaloi përgjegjësinë e tij një tjetri?

11 Sot ka plot shembuj të vëllezërve që kanë punuar me mish e me shpirt për dekada të tëra dhe që kanë përgatitur të tjerë për të mbajtur më shumë përgjegjësi. Për shembull, të marrim rastin e një vëllai që quhet Piter. Ai shërbeu mbi 74 vjet në kohë të plotë, dhe 35 vjet nga këto shërbeu në një zyrë dege në Evropë. Deri para pak kohësh, ai ishte mbikëqyrësi i Repartit të Shërbimit. Tani këtë përgjegjësi po e përmbush Poli, një vëlla më i ri që kishte punuar disa vjet përkrah Piterit. Kur e pyetën Piterin se si ndihej për atë ndryshim caktimi, u përgjigj: «Më bëhet zemra mal që ka vëllezër që janë stërvitur të pranojnë përgjegjësi më të mëdha dhe që e kryejnë kaq mirë punën.»

T’I ÇMOJMË TË MOSHUARIT MES NESH

12. Ç’mësim duhet të nxjerrim nga tregimi biblik për Rehoboamin?

12 Pas vdekjes së Solomonit, u bë mbret biri i tij Rehoboami. Kur iu deshën këshilla se si t’i përmbushte përgjegjësitë, Rehoboami pyeti në fillim pleqtë. Megjithatë, e hodhi poshtë këshillën e tyre. Në vend të kësaj, u këshillua me më të rinjtë që ishin rritur me të dhe që tani ishin në shërbim të tij. Rezultatet ishin një katastrofë e vërtetë. (2 Kron. 10:6-11, 19) Mësimi për ne? Është e mençur të kërkojmë dhe t’i peshojmë me kujdes këshillat e atyre që janë më të mëdhenj e kanë përvojë. Vërtet, më të rinjtë s’ka pse të ndihen sikur i kanë duart e lidhura dhe se duhet t’i bëjnë gjërat fiks siç bëheshin dikur; por as nuk duhet të nguten e t’i shpërfillin këshillat e të moshuarve.

13. Si duhet të bashkëpunojnë më të rinjtë me të moshuarit?

13 Ndoshta sot disa që janë më të rinj po mbikëqyrin aktivitete ku përfshihen vëllezër të moshuar. Ndonëse tani këta vëllezër më të rinj kanë një rol tjetër, do të bënin mirë të shfrytëzonin mençurinë dhe përvojën e të moshuarve para se të marrin vendime. Poli që u përmend më lart, i cili zëvendësoi Piterin si mbikëqyrës i një reparti në Bethel, tha: «Lija kohë që të këshillohesha me Piterin, dhe i inkurajoja të tjerët në repart të bënin po njësoj.»

14. Çfarë mësojmë nga bashkëpunimi mes Timoteut dhe apostullit Pavël?

14 Timoteu ishte më i ri se apostulli Pavël dhe punoi përkrah tij për shumë vjet. (Lexo Filipianëve 2:20-22.) Pavli u kishte shkruar korintasve: «Po ju dërgoj Timoteun, meqë është biri im i dashur dhe i besueshëm në Zotërinë. Ai do t’ju sjellë ndër mend metodat e mia në shërbimin e Krishtit Jezu, ashtu si mësoj kudo në çdo kongregacion.» (1 Kor. 4:17) Këto pak fjalë nxjerrin në pah bashkëpunimin e ngushtë mes Pavlit dhe Timoteut. Pavli kishte lënë kohë që t’i mësonte Timoteut ‘metodat e tij në shërbimin e Krishtit’. Timoteu mësoi mirë e i fitoi zemrën Pavlit, dhe Pavli kishte besim se ai mund t’i plotësonte nevojat frymore të bashkëbesimtarëve në Korint. Çfarë shembulli i shkëlqyer për pleqtë sot ndërsa stërvitin vëllezër të tjerë që të marrin drejtimin në kongregacion!

SECILI NGA NE KA NJË ROL

15. Si duhet të na ndihmojë këshilla që u dha Pavli të krishterëve në Romë kur ndryshimet ndikojnë te ne personalisht?

15 Jetojmë në kohë emocionuese. Pjesa tokësore e organizatës së Jehovait po rritet në shumë mënyra, veçse rritja kërkon ndryshime. Teksa ndryshimet ndikojnë te ne personalisht, qofshim të përulur, duke u merakosur jo për interesat tona, po për ato të Jehovait. Kur veprojmë kështu, nxitim unitetin. Pavli u shkroi të krishterëve në Romë: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë, por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë, secili sipas masës së besimit që i ka ndarë Perëndia. Sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë, por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtin funksion, ashtu edhe ne, ndonëse shumë, jemi një trup në unitet me Krishtin.»​—Rom. 12:3-5.

16. Ç’mund të bëjnë vëllezërit e moshuar e ata më të rinj, si edhe bashkëshortet e tyre, për të ruajtur paqen dhe unitetin në organizatën e Jehovait?

16 Pra, sido që t’i kemi rrethanat, le të punojmë të gjithë për të mbështetur Mbretërinë madhështore të Jehovait. Ju të moshuar, përgatitini më të rinjtë të bëjnë atë që bëni ju. Ju vëllezër më të rinj, pranoni përgjegjësi, jini modestë dhe mbani një qëndrim plot respekt ndaj të moshuarve. Dhe ju bashkëshorte, imitoni Prishilën, gruan e Akuilës, që e shoqëroi dhe e mbështeti me besnikëri të shoqin ndërsa rrethanat e tyre ndryshonin.​—Vep. 18:2.

17. Për çfarë ishte i sigurt Jezui në lidhje me dishepujt e tij, dhe për çfarë i stërviti?

17 Kur është fjala për të stërvitur të tjerët që të mbajnë më shumë përgjegjësi, s’ka shembull më të mirë se ai i Jezuit. Ai e dinte se shërbimi i tij në tokë do të merrte fund dhe se punën e tij do ta vazhdonin të tjerë. Edhe pse dishepujt e tij ishin të papërsosur, kishte besim të plotë tek ata dhe u tha se do të bënin vepra më të mëdha se të tijat. (Gjoni 14:12) Jezui i stërviti plotësisht, dhe ata e përhapën lajmin e mirë anekënd botës së njohur atëherë.​—Kolos. 1:23.

18. Cila e ardhme shpaloset para nesh, dhe ç’mund të bëjmë sot?

18 Pas vdekjes së tij flijuese, Jezui u ringjall në qiell, ku iu caktua akoma më tepër punë me një autoritet ‘shumë më të lartë se çdo qeveri, autoritet, fuqi e pushtet sundues’. (Efes. 1:19-21) Në rast se vdesim besnikë para Harmagedonit, do të ringjallemi në një botë të re të drejtë, ku na presin plot punë që do të na mbushin me kënaqësi. Por, tani kemi një vepër me rëndësi jetësore ku mund të marrim pjesë të gjithë​—të predikojmë lajmin e mirë dhe të bëjmë dishepuj. Të gjithë ne, të rinj e të moshuar, vazhdofshim ‘të kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’!​—1 Kor. 15:58.