Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mposht këtë ves?

Si ta mposht këtë ves?

Të rinjtë pyesin . . .

Si ta mposht këtë ves?

«Fillova të masturbohesha kur isha tetë vjeç. Më vonë mësova se çfarë mendonte Perëndia për këtë gjë. Ndihesha tmerrësisht keq sa herë dorëzohesha. ‘E si mund të dojë Perëndia një si unë?’—pyesja veten. Isha i sigurt që nuk do t’ia dilja të hyja në botën e re të Perëndisë.»​—Luizi. *

NDOSHTA edhe ti, ashtu si Luizi, je bërë skllav i vesit të masturbimit. E di që Jehovai do të kënaqej po t’i rezistoje dëshirës së fortë e të tregoje vetëkontroll, këtë fryt të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23; 2 Pjetrit 1:5, 6) Por ka raste që dorëzohesh. Sa herë që bie prapë në këtë ves, nxjerr si përfundim se je i pandreqshëm, se nuk je i zoti të jetosh sipas normave të Perëndisë.

Tamam kështu mendonte për veten edhe i riu Pedro. Ai thotë: «Kur i dorëzohesha këtij vesi, ndihesha tmerrësisht keq. Mendoja se s’mund ta shlyeja kurrë atë që kisha bërë. Mezi lutesha. Filloja kështu: ‘Jehova, nuk e di a do ta dëgjosh këtë lutje, por . . .’» Një i ri me emrin Andrea, mendonte pak a shumë njëlloj. «Më dukej vetja shumë hipokrit,—thotë ai.—Ishte një luftë të çohesha nga krevati e të nisja ditën. E kisha të vështirë të shkoja në mbledhjet e krishtere ose të merrja pjesë në shërbim.»

Nëse edhe ti ndihesh si Luizi, Pedroja ose Andrea, merr zemër. Nuk je i vetmi dhe nuk je i pandreqshëm. Shumë të tjerë, qofshin këta të rinj, qofshin të rritur, kanë luftuar me masturbimin dhe kanë arritur ta mposhtin këtë ves. Edhe ti mund t’ia dalësh. *

Si t’i përballosh ndjenjat e fajit?

Siç e pamë, ata që kanë rënë pre e vesit të masturbimit shpesh torturohen nga ndjenjat e fajit. Pa dyshim, ‘trishtimi në mënyrë të perëndishme’ mund të të japë nxitjen që ta heqësh këtë ves. (2 Korintasve 7:11) Por, kur ndihesh tepër në faj, kjo mund të ndikojë për keq. Mund të të bëjë të ndihesh kaq i shkurajuar, sa të mos duash të luftosh më.—Proverbat 24:10.

Prandaj, përpiqu t’i shohësh gjërat siç duhet. Masturbimi është një formë e sjelljes së papastër. Mund të të bëjë ‘skllav të dëshirave dhe kënaqësive të ndryshme’, si edhe ushqen mendime që mund të ta ndotin mendjen. (Titit 3:3) Nga ana tjetër, masturbimi i vetes nuk është një formë e imoralitetit të rëndë seksual, siç është kurvëria. (Efesianëve 4:19) Pra, nëse ke ndonjë problem me masturbimin, s’ke pse arrin në përfundimin se ke bërë një mëkat të pafalshëm. Çelësi është t’i rezistosh dëshirës dhe kurrë të mos e ndalësh luftën.

Ndonjëherë është e lehtë të ndihesh përtokë, kur i je dorëzuar sërish këtij vesi. Kur ndodh kjo, kujto fjalët e Proverbave 24:16: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur, por të ligjtë do të pengohen për shkak të gjëmës.» Se dështove një rast, kjo nuk do të thotë që je njeri i keq. Prandaj mos u dorëzo. Përkundrazi, mendo me kujdes se çfarë të çoi deri atje dhe përpiqu të mos i përsëritësh ato veprime.

Në vend që ta shash veten vazhdimisht për problemin tënd, gjej kohë për të medituar për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë. Psalmisti David, që edhe vetë kishte pasur çaste dobësie, tha: «Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar dhe nuk harron që jemi pluhur.» (Psalmi 103:13, 14) Po, Jehovai e merr parasysh papërsosmërinë tonë dhe është ‘gati të falë’ kur gabojmë. (Psalmi 86:5) Nga ana tjetër, dëshiron që ne të bëjmë çmos për t’u përmirësuar.

Çfarë të bësh praktikisht që ta mposhtësh këtë ves e të mos dorëzohesh prapë?

Të bën mirë kur hapesh me dikë

Edhe pse në shumë vende flitet goxha për seksin, shumë njerëz ende e kanë të vështirë të flasin për seksin me seriozitet dhe dinjitet. Në rastin tënd, ndoshta turpi ta bën të vështirë të hapësh këtë bisedë edhe me një mik të besuar. Një i krishterë që luftoi për vite me radhë që ta hiqte vesin e masturbimit, tha: «Sa do të doja ta kisha gjetur guximin e të flitja me dikë kur isha i ri! Ndjenjat e fajit më munduan për shumë vjet dhe i dëmtuan goxha lidhjet e mia me të tjerët e, mbi të gjitha, me Jehovain.»

Me kë të flasësh? Më i përshtatshëm do të ishte një njeri i pjekur frymësisht; e mira do të ishte prindi. Mund ta hapësh kështu bisedën: «A flasim pak për një problem që më shqetëson tepër?»

Mario vendosi të fliste me të atin, i cili u tregua shumë i dhembshur dhe mirëkuptues. Madje i tha Marios se edhe ai vetë kishte luftuar me këtë ves kur kishte qenë i ri. «Babai foli hapur dhe u tregua i sinqertë, e kjo më dha shumë zemër,—thotë Mario.—Arrita në përfundimin se meqë ai ia kishte dalë mbanë, edhe unë mund t’ia dilja. Reagimi i babait më preku aq shumë, saqë ia shkrepa të qarit.»

Andrea mblodhi forcat e foli me një plak të krishterë, dhe është i kënaqur që u hap me të. * «Teksa më dëgjonte, sytë iu mbushën me lot,—thotë Andrea.—Kur mbarova më siguroi se Jehovai më do. Më tha se shumë veta e kishin këtë problem. Më premtoi se do të interesohej se si po ecja dhe se do të më sillte më shumë informacione nga botimet e bazuara në Bibël. Pasi fola me të, vendosa ta vazhdoja betejën edhe sikur të ndodhte që të dorëzohesha prapë.»

Ashtu si Mario dhe Andrea, edhe ti nuk je pa ndihmë ndërsa përpiqesh të mposhtësh vesin e masturbimit. Ndiq këshillat e dhëna në kutinë shoqëruese: «Kundërpërgjigju!» Po, ji i sigurt se mund ta fitosh betejën!

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 6 Ndonëse në këtë artikull janë cituar fjalët e disa djemve, ka edhe shumë vajza që luftojnë me masturbimin. Prandaj këshillat janë të vlefshme për të dyja gjinitë. Veç kësaj, vini re se në këtë artikull flitet për masturbimin e vetes. Kur ky akt kryhet ndaj një njeriu tjetër, jashtë martese, atëherë kemi të bëjmë me një nga rastet që Bibla i quan kurvëri, një mëkat shumë i rëndë në sytë e Perëndisë.—Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Ç’të keqe ka seksi para martesës?» në revistën Zgjohuni! të 22 korrikut 2004, faqet 12-14.

^ par. 17 Një vajzë mund të flasë me nënën ose me një motër të pjekur frymësisht në kongregacion.

PËR TË MENDUAR

▪ Pse është e rëndësishme të kujtosh se Jehovai është ‘gati të falë’?—Psalmi 86:5.

▪ Çfarë hapash do të bësh për ta mposhtur vesin e masturbimit?

▪ Pse nuk duhet të kesh turp për të kërkuar ndihmë?

▪ Cila është mënyra më e mirë për ta mbajtur mendjen te gjërat që janë të dëlira?

[Kutia dhe figura në faqen 19]

Një dështim nuk do të thotë se ke humbur!

Sa e lehtë është të mendosh: ‘Dështova, kështu që më mirë ta lë fare.’ Luftoje këtë mendim. Mos lejo që një dështim i vetëm të të bëjë të mendosh se e humbe luftën, madje edhe sikur kjo të ndodhë disa herë.

Të bëjmë një shembull: nëse je duke ngjitur disa shkallë dhe pengohesh e rrëshqet prapa një ose dy shkallë, a do të thoshe: ‘Duhet të kthehem e t’ia nis edhe një herë nga shkalla e parë?’ Sigurisht që jo. Atëherë, përse ta përdorësh këtë arsyetim të gabuar në luftën kundër zakoneve të këqija?

Shpesh një dështim shoqërohet nga ndjenjat e fajit. Këto ndjenja mund të arrijnë deri atje sa të nxjerrësh përfundimin se je njeri koti, se ke karakter të dobët dhe nuk meriton asgjë. Mos lejo që të të mbysin këto ndjenja faji kaq të ekzagjeruara! Kjo t’i pret fuqitë që të duhen për ta nisur sërish luftën. E mos harro: njeriu më i madh që ka jetuar në tokë, Jezu Krishti, erdhi për të shpenguar mëkatarët, jo njerëzit e përsosur. Pra, në këto kohë, asnjëri prej nesh nuk i bën dot gjërat në mënyrë të përsosur.—Marrë nga Zgjohuni! i 8 prillit 1991, faqja 15, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

Kundërpërgjigju!

▪ Detyroje mendjen të mendojë për gjëra të tjera.—Filipianëve 4:8.

▪ Mos shih gjëra që të ngjallin dëshira të papërshtatshme.—Psalmi 119:37.

▪ Lutu për ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Korintasve 4:7.

▪ Zëre kohën me veprimtaritë e krishtere.—1 Korintasve 15:58.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

Ndihmë e mëtejshme

Për më shumë informacione se si ta mposhtësh vesin e masturbimit, shih kapitujt 25 dhe 26 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.