Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Manuel Reino Berengui/DeFodi Images via Getty Images

QËNDRONI VIGJILENTË!

A mund t’i bashkojë vërtet njerëzit Kupa e Botës?—Çfarë thotë Bibla?

A mund t’i bashkojë vërtet njerëzit Kupa e Botës?—Çfarë thotë Bibla?

 Gati 5 miliardë veta pritet të shohin Kupën e Botës të FIFA-s, e cila filloi më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor 2022. Shumë mendojnë se evente të tilla sportive kanë potencialin të arrijnë goxha më tepër sesa thjesht t’i bashkojnë njerëzit si spektatorë.

  •   «Sporti ka fuqi të ndryshojë botën. Ka fuqi të frymëzojë. Ka fuqi t’i bashkojë njerëzit më shumë se gjithçka tjetër.»—Nelson Mandela, ish-president i Afrikës së Jugut.

  •   «Futbolli . . . sjell shpresë e gëzim, ushqen dashuri e pasion, si dhe i bashkon njerëzit pavarësisht nga ndryshimet.»—Xhani Infantino, president i FIFA-s. a

 A mund të arrijë synime kaq fisnike Kupa e Botës ose ndonjë event tjetër sportiv? A ka vërtet shpresë për paqe e unitet?

A sjell vërtet unitet?

 Këtë vit, Kupa e Botës nuk u vërtit vetëm rreth fushës së blertë. Lojërat ndezën debate rreth çështjeve sociale e politike që lidhen me të drejtat e njeriut, me racizmin dhe me pabarazinë ekonomike.

 Prapëseprapë, shumë njerëz kënaqen kur shohin evente ndërkombëtare sportive, si Kupa e Botës. Gjithsesi, këto evente nuk sigurojnë unitet të qëndrueshëm, pavarësisht sa fort e dëshirojnë njerëzit unitetin. Përkundrazi, shpesh ato nxjerrin në pah qëndrime dhe veprime përçarëse, që Bibla kishte thënë se do të karakterizonin periudhën e kohës që quhet «ditët e fundit».—2 Timoteut 3:1-5.

Shpresë reale për unitet botëror

 Bibla ofron shpresë reale për unitet botëror. Ajo premton se të gjithë njerëzit në tokë do të bashkohen nën një qeveri qiellore që quhet ‘Mbretëria e Perëndisë’.—Luka 4:43; Mateu 6:10.

 Mbreti i kësaj Mbretërie, Jezu Krishti, do të sigurohet që në mbarë botën të mbizotërojë paqja. Bibla thotë:

  •   «I drejti do të lulëzojë dhe do të ketë paqe pa fund.»—Psalmi 72:7.

  •   «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë. . . . Do t’i çlirojë nga shtypja dhe dhuna.»—Psalmi 72:12, 14.

 Që sot, mësimet e Jezuit kanë bashkuar miliona njerëz në 239 vende. Ata kanë mësuar ta hedhin prapa krahëve urrejtjen. Që të mësosh më shumë, lexo serinë e artikujve me titull «Fundi i rrethit vicioz të urrejtjes».

a Fédération Internationale de Football Association, Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit.