Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjendet në plehra një margaritar i lashtë

Gjendet në plehra një margaritar i lashtë

Ç’TË vjen ndër mend kur përfytyron një kapicë plehrash? Ndoshta mbeturina dhe erë e pakëndshme. Zor se do të prisje të gjeje diçka me vlerë atje, aq më tepër një margaritar të vyer.

Pikërisht në një vend të tillë, në plehra, u gjet një lloj thesari një shekull më parë. Nuk ishte margaritar i mirëfilltë, por diçka tjetër me vlerë të pakrahasueshme. Për ç’thesar bëhet fjalë? Pse zbulimi i tij ka rëndësi për ne?

GJETJE E PAPRITUR

Në fillim të shekullit të 20-të Bernard Grenfeli dhe Artur Hanti, studiues në Universitetin e Oksfordit, vizituan Egjiptin. Atje, mes pirgjeve të plehrave pranë luginës së Nilit, zbuluan plot copëza papirusi. Më vonë, në vitin 1920, teksa dy kolegët po e sistemonin këtë koleksion në një katalog, Grenfeli gjeti copa të tjera papirusi të zbuluara në Egjipt. Këto ia bleu bibliotekës «Xhon Rajlënds» në Mançester, Angli. Sidoqoftë, të dy burrat vdiqën para se të mbaronin katalogun.

Këtë detyrë e përfundoi Kolin Robertsi, një tjetër studiues në Universitetin e Oksfordit. Teksa seleksiononte copëzat e gjetura, vuri re një copë papirusi sa një kartë identiteti. Për çudi, dorëshkrimi në gjuhën greke kishte fjalë të njohura për të. Në njërën anë kishte fjalë nga Gjoni 18:31-33, kurse në anën tjetër gjendeshin pjesë të vargjeve 37 dhe 38. Robertsi kuptoi se kishte zbuluar një margaritar të vyer.

PËRCAKTOHET VJETËRSIA

Robertsi dyshonte se kjo copë papirusi ishte shumë e vjetër. Por sa e vjetër? Për ta gjetur këtë, e krahasoi shkrimin në të me dorëshkrime të tjera të lashta, diçka që arrihet me anë të paleografisë. * Ndonëse me anë të kësaj metode e përcaktoi me përafërsi vjetërsinë, donte të sigurohej. Kështu që fotografoi papirusin, u dërgoi kopje të tij tre paleografëve dhe u kërkoi të përcaktonin vjetërsinë. Në ç’përfundim arritën këta ekspertë?

Duke studiuar stilin e shkrimit dhe llojin e shkronjave, të tre ekspertët ranë dakord se papirusi ishte shkruar rreth vitit 125 të e.s, vetëm pak dekada pas vdekjes së apostullit Gjon. Mirëpo, paleografia nuk është metodë e sigurt për të datuar dorëshkrimet, ndaj një tjetër studiues mendon se teksti mund të jetë shkruar kurdo gjatë shekullit të dytë. Gjithsesi, kjo copëz e vogël papirusi ishte dhe mbetet dorëshkrimi më i lashtë ekzistues i Shkrimeve të Krishtere Greke të gjetur ndonjëherë.

PSE KA RËNDËSI PAPIRUSI RAJLËNDS?

Pse kjo copëz papirusi nga Ungjilli i Gjonit është kaq e rëndësishme sot për ata që e duan Biblën? Të paktën për dy arsye. Pikësëpari, forma e tij e të shkruarit na tregon sa i vlerësonin Shkrimet të krishterët e hershëm.

Pse kjo copëz papirusi nga Ungjilli i Gjonit është kaq e rëndësishme sot për ata që e duan Biblën?

Në shekullin e dytë të e.s. teksti i shkruar gjendej në dy forma, rrotull e kodik. Rrotullat ishin pjesë papirusi ose pergamenash të ngjitura a të kapura bashkë për të formuar një letër të vetme të gjatë. Pastaj, kjo letër mund të mbështillej e të çmbështillej kurdoherë që nevojitej. Në shumicën e rasteve shkruhej vetëm në njërën anë të rrotullës.

Mirëpo, papirusi i vogël që zbuloi Robertsi ishte i shkruar në të dyja anët. Kjo nënkuptonte se kishte qenë pjesë e një kodiku, jo e një rrotulle. Kodiku përbëhej nga faqe pergamenash ose papirusi të qepura së bashku e të renditura si një libër.

Cilat ishin përparësitë e kodikut në krahasim me rrotullën? Po ja, të krishterët e hershëm ishin ungjillëzues. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ata e përhapnin mesazhin biblik kudo që gjenin njerëz: nëpër shtëpi, në tregje e në rrugë. (Veprat 5:42; 17:17; 20:20) Kështu që ishte shumë më praktike t’i kishin të gjitha Shkrimet në një format kompakt.

Gjithashtu, kodiku ua lehtësonte punën kongregacioneve e individëve që të bënin kopjet e tyre të Shkrimeve. Ja përse ungjijtë u kopjuan shumë e shumë herë, dhe kjo pa dyshim ndikoi jashtë mase te përhapja e vrullshme e krishterimit.

Papirusi Rajlënds para dhe pas

Arsyeja e dytë pse papirusi Rajlënds ka rëndësi për ne është se tregon saktësinë me të cilën ka ardhur teksti origjinal biblik deri më sot. Ndonëse ky papirus përmban vetëm pak vargje nga Ungjilli i Gjonit, ato përputhen thuajse plotësisht me atë që lexojmë sot në Biblat tona. Pra, papirusi Rajlënds tregon se Bibla nuk ka ndryshuar, edhe pse është kopjuar e rikopjuar shumë herë gjatë historisë.

Natyrisht, kjo copëz e lashtë nga Ungjilli i Gjonit nuk është veçse një dëshmi e vogël mes mijëra pjesëve e dorëshkrimeve që tregojnë saktësinë me të cilën ka ardhur teksti origjinal biblik. Në librin e tij The Bible as History, Verner Kelleri arriti në këtë përfundim: «Këto [dorëshkrime] të vjetra u japin përgjigjen më bindëse të gjitha dyshimeve për saktësinë dhe besueshmërinë e tekstit që kemi në Biblat tona sot.»

S’diskutohet, të krishterët nuk e bazojnë besimin te gjetjet arkeologjike. Ata besojnë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2 Timoteut 3:16) Prapëseprapë, na rritet besimi kur margaritarë nga e kaluara vërtetojnë atë që thuhet në Bibël prej kohësh: «Fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë.»1 Pjetrit 1:25.

^ par. 8 Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, paleografia është «shkenca që merret me studimin e veçorive të shkrimeve të vjetra». Stili i shkrimit me dorë pëson ndryshime me kalimin e kohës. Këto ndryshime tregojnë sa i vjetër është një dorëshkrim nëse krahasohet me dokumente të tjera të datuara saktë.