Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Tri pyetje që më ndryshuan jetën

Tri pyetje që më ndryshuan jetën
  • LINDUR: 1949

  • VENDI I LINDJES: SHTETET E BASHKUARA

  • TË DHËNA: KËRKONTE QËLLIMIN E JETËS

E KALUARA IME:

U rrita në Ankram, qytezë e vogël në veri të Nju-Jorkut, SHBA. Në qytezë kishte kryesisht ferma ku përpunohej bulmeti. Ç’është e vërteta, atje kishte më shumë lopë se njerëz.

Familja ime shkonte në të vetmen kishë të qytezës. Të dielave në mëngjes gjyshi më lustronte këpucët e më pas nisesha për në shkollën e së dielës me Biblën e vogël të bardhë që më kishte dhuruar gjyshja. Bashkë me vëllanë e motrën na mësuan të punonim fort, të respektonim e të ndihmonim fqinjët dhe të ishim mirënjohës për bekimet.

Kur u rrita, u largova nga familja dhe fillova punë në një shkollë si mësuese. Kisha shumë pyetje për Zotin dhe për jetën. Disa nga nxënësit e mi ishin tejet të talentuar. Të tjerë jo dhe aq, por lexonin shumë. Disa kishin paaftësi fizike, kurse të tjerë ishin tejet të zhdërvjellët. Kjo më dukej e padrejtë. Ndonjëherë prindërit e nxënësve që nuk ishin edhe aq të aftë, thoshin: «Kështu e ka bërë Zoti fëmijën tim.» Pyesja veten pse Zoti lejonte që disa foshnja të lindnin me paaftësi. Në fund të fundit, foshnja nuk kishte bërë asnjë gabim.

Gjithashtu mendoja: «Për ç’qëllim domethënës duhet ta përdor jetën?» E ndieja se koha fluturonte. U rrita në një familje të mirë, studiova në shkolla të mira dhe tani kisha një punë që më pëlqente. Por, pjesa tjetër e jetës më dukej bosh. Më e mira që mund të shpresoja ishte të martohesha, të kisha një shtëpi të mirë e fëmijë, të vazhdoja punën deri në pension dhe të kisha pleqëri të mbarë. Vrisja mendjen ç’mund të më ofronte tjetër jeta.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Gjatë një vere udhëtova nëpër Evropë me disa kolege. Shkuam në Abacinë e Uestminsterit, në Notrë Dam të Parisit dhe në Vatikan, si edhe në shumë kisha më të vogla. Kudo që shkoja, bëja pyetjet që më mundonin. Pasi u ktheva nga Sloatsburgu, Nju-Jork, vizitova disa kisha. Mirëpo, askund nuk mora përgjigje domethënëse.

Një ditë, u çudita kur m’u afrua një nxënëse 12-vjeçare e më bëri tri pyetje. Së pari, më pyeti nëse e dija se ishte Dëshmitare e Jehovait. I thashë po. Së dyti, më pyeti nëse doja t’i njihja më mirë Dëshmitarët e Jehovait. Sërish iu përgjigja po. Së treti, më pyeti ku jetoja. Kur i tregova adresën, kuptuam se i kishim shtëpitë afër. As e mendoja se tri pyetjet e një vajze të vogël do të ma ndryshonin jetën njëherë e mirë.

Shpejt pas kësaj ajo erdhi me biçikletë në shtëpinë time që të fillonim një studim biblik. I bëra pyetjet që ua kisha bërë shumë udhëheqësve fetarë. Ndryshe nga ata, më tregoi përgjigje të qarta e kuptimplota nga Bibla ime, përgjigje që s’i kisha hasur kurrë më parë.

Ajo që mësova nga Bibla më mbushi me gëzim e lumturi. U preka kur lexova 1 Gjonit 5:19: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» U lehtësova kur mësova se ai që shkakton gjithë trishtimin që shohim përreth nuk është Zoti, por Satanai, dhe se Zoti do ta ndreqë këtë gjendje. (Zbulesa 21:3, 4) Pashë se Bibla ka logjikë kur shpjegohet qartë. Ndonëse Dëshmitarja që studioi me mua ishte vetëm 12 vjeçe, arsyetoja se e vërteta është e vërtetë, pavarësisht se kush e shpjegon.

Sidoqoftë doja të shihja nëse Dëshmitarët e zbatonin atë që predikonin. Për shembull, vajza e vogël theksonte se të krishterët e vërtetë shfaqin cilësi të tilla, si durimi dhe mirësia. (Galatasve 5:22, 23) Vendosa ta vija në provë e të shihja nëse i shfaqte vetë këto cilësi. Një ditë u vonova qëllimisht për studimin. Mendoja: «A do të më presë? Nëse po, a do të mërzitet ngaqë po vonohem?» Teksa frenoja para hyrjes sime, e pashë të më priste te shkallët e shtëpisë. Vrapoi drejt makinës sime e tha: «Tani sa do të shkoja në shtëpi që t’i thosha mamit t’u telefononim spitaleve dhe policisë për të marrë vesh nëse ishe mirë, se ti s’vonohesh kurrë për studimin. Më bëre shumë merak.»

Në një rast tjetër e pyeta për diçka që e mendoja tepër të vështirë për një 12-vjeçare. Doja të shihja nëse do ta sajonte përgjigjen. Kur i bëra pyetjen, më pa ngultas dhe tha: «Kjo është pyetje e vështirë. Do ta mbaj shënim e do të pyes prindërit.» S’do mend, herën tjetër kur erdhi për studimin, solli një revistë Kulla e Rojës me përgjigjen e pyetjes sime. Ja ç’më tërhoqi te Dëshmitarët: botimet e tyre kishin përgjigje të bazuara në Bibël për të gjitha pyetjet e mia. Vazhdova studimin me atë vajzë të vogël dhe një vit më vonë u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait. *

DOBITË:

Kur më në fund mora përgjigje domethënëse për pyetjet e mia, doja t’ua tregoja të gjithëve. (Mateu 12:35) Në fillim familja i kundërshtoi bindjet e mia të reja. Por, me kalimin e kohës, e zbutën qëndrimin. Mamaja nisi të studionte Biblën vitet e fundit të jetës. Megjithëse nuk jetoi aq sa të pagëzohej, jam e sigurt se kishte vendosur t’i shërbente Jehovait.

Më 1978 u martova me një Dëshmitar që quhej Elias Kazani. Në vitin 1981 na ftuan të bëheshim pjesëtarë të familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara. * Pasi kishim punuar atje vetëm për katër vjet, mjerisht Eliasi vdiq. Ndonëse vejushë, qëndrova në caktimin tim në Bethel, e ky u bë boshti i jetës sime që më solli njëfarë ngushëllimi.

Më 2006 u martova me Riçard Eldredin, edhe ai pjesëtar i familjes Bethel. Riçardi dhe unë vazhdojmë ta shijojmë privilegjin e shërbimit në Bethel. Tani që e di të vërtetën për Zotin, sinqerisht mendoj se s’kam gjetur vetëm përgjigjet që po kërkoja, por edhe një qëllim të vërtetë në jetë, e gjithë kjo falë tri pyetjeve të një vajze të vogël.

^ par. 16 Kjo vajzë, bashkë me motrat e vëllezërit më të mëdhenj, ndihmuan gjithsej pesë mësues të studionin Biblën dhe fillonin të adhuronin Jehovain.

^ par. 18 «Bethel», që do të thotë «shtëpi e Perëndisë», është termi që Dëshmitarët e Jehovait përdorin për të përshkruar godinat e tyre të degëve nëpër botë. (Zanafilla 28:17, 19; shënimi) Pjesëtarët e familjes Bethel kujdesen për caktime të ndryshme që mbështetin veprën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait.