Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kohë për të zgjedhur të ardhmen tënde

Një kohë për të zgjedhur të ardhmen tënde

Një kohë për të zgjedhur të ardhmen tënde

«Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.»—Zanafilla 1:27.

KËTO fjalë të njohura që gjenden në faqet e para të Biblës, shprehin një nga gjërat më madhështore që Perëndia «e ka bërë të bukur . . . në kohën e vet»: krijimin e një çifti të përsosur njerëzor, Adamit dhe Evës. (Eklisiastiu 3:11) Si Krijuesi i tyre, Perëndia Jehova u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»—Zanafilla 1:28.

Me këto fjalë që i tha çiftit të parë njerëzor, Perëndia bëri të ditur qëllimin që kishte për ta. Ata duhej të shumoheshin dhe të kujdeseshin për tokën, ta kthenin në një shtëpi parajsore për veten dhe për pasardhësit e tyre. Perëndia nuk kishte paracaktuar një kohë se kur do të vdisnin. Përkundrazi, ai u premtoi diçka të mrekullueshme. Duke bërë zgjedhjen e duhur dhe duke mbajtur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, do të mund të jetonin përgjithmonë në paqe dhe lumturi të përsosur.

Ata bënë zgjedhjen e gabuar dhe si rezultat të gjithë njerëzit plaken dhe vdesin. Në fakt, patriarku Job pranoi: «Njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur me halle.» (Jobi 14:1) Çfarë nuk shkoi si duhet?

Bibla shpjegon: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) «Njeriu» i përmendur në këtë shkrim sigurisht është Adami, i cili zgjodhi vetë të mos i bindej urdhrit të thjeshtë e të qartë të Perëndisë. (Zanafilla 2:17) Me zgjedhjen që bëri, Adami humbi mundësinë për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Ai gjithashtu bëri që pasardhësit e tij të humbnin një trashëgimi të çmuar dhe u kaloi mallkimin e mëkatit e të vdekjes. Dukej se kishin humbur gjithçka. Por a ishte vërtet kështu?

Një kohë për të bërë çdo gjë të re

Mijëvjeçarë më vonë, psalmisti i frymëzuar shkroi: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Si garanci se premtimi i bërë në Eden do të përmbushet, Fjala e Perëndisë përshkruan bukur se çfarë do të bëjë ai së shpejti: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» Pastaj vetë Perëndia thotë: «Ja, po bëj çdo gjë të re.»—Zbulesa 21:4, 5.

Meqë ka një kohë të caktuar për çdo gjë, natyrshëm lind pyetja: kur do të vijë ajo kohë që Perëndia të bëjë çdo gjë të re dhe të përmbushë premtimet e tij të mrekullueshme? Botuesit e kësaj reviste, Dëshmitarët e Jehovait, janë përpjekur fort t’u bëjnë të ditur njerëzve se po jetojmë në periudhën që Bibla e quan «ditët e fundit» dhe se po afron koha kur Perëndia do të veprojë ‘për të bërë çdo gjë të re’. (2 Timoteut 3:1) Të inkurajojmë të shqyrtosh Biblën dhe të mësosh për të ardhmen e mrekullueshme që mund të kesh edhe ti. Gjithashtu të nxitim të pranosh këtë ftesë: «Kërkojeni Jehovain ndërsa mund të gjendet. Thirreni ndërsa është afër.» (Isaia 55:6) Jeta dhe e ardhmja jote nuk janë vendosur nga fati, por i ke ti në dorë.

[Diçitura në faqen 8]

«Ja, po bëj çdo gjë të re»