Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u prekim zemrën të afërmve jobesimtarë

T’u prekim zemrën të afërmve jobesimtarë

«SHKO në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju të gjitha ato që Jehovai bëri për ty dhe si pati mëshirë për ty»,—tha Jezu Krishti. Me këto fjalë iu drejtua një burri që donte të bëhej dishepull i tij kur ishte në juglindje të Detit të Galilesë, ka të ngjarë në Gadarë. Fjalët e Jezuit tregojnë se ai kuptonte një prirje themelore të njerëzve: dëshirën për të ndarë me të afërmit gjëra të rëndësishme dhe që na interesojnë.Mar. 5:19.

Edhe sot nxjerr kokë kjo prirje, edhe pse në disa kultura mund të jetë më e dukshme sesa në disa të tjera. Prandaj, kur dikush bëhet adhurues i Perëndisë së vërtetë, Jehovait, zakonisht mezi pret t’u tregojë të afërmve për besimin e sapogjetur. Por, si duhet ta bëjë këtë? Si mund t’u prekë zemrën të afërmve që kanë një fe tjetër ose që nuk besojnë fare? Bibla jep këshilla pozitive e realiste.

«KEMI GJETUR MESINË»

Në shekullin e parë Andrea ishte ndër të parët që e identifikoi Jezuin si Mesia. Kujt i tregoi menjëherë për këtë zbulim? «Ai [Andrea] shkoi së pari të gjente vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ‘Kemi gjetur Mesinë’, (që do të thotë Krisht).» Andrea e çoi Pjetrin te Jezui, dhe kështu i dha mundësi të bëhej dishepull i Jezuit.Gjoni 1:35-42.

Rreth gjashtë vjet më vonë, kur Pjetri po qëndronte në Jopë, e ftuan të udhëtonte për në Cezare, në veri, që të vizitonte shtëpinë e Kornelit, një oficer ushtrie. Cilët gjeti Pjetri atje? «Korneli, natyrisht, po i priste [Pjetrin dhe ata që udhëtuan me të] dhe kishte mbledhur farefisin e miqtë e tij të ngushtë.» Kështu, Korneli u dha mundësi të afërmve të dëgjonin Pjetrin teksa fliste e të vendosnin në bazë të kësaj.Vep. 10:22-33.

Çfarë mund të mësojmë nga mënyra si vepruan me të afërmit Andrea dhe Korneli?

As Andrea, as Korneli nuk i lanë gjërat në dorë të rastësisë. Andrea e çoi Pjetrin te Jezui, dhe Korneli mori masa që të afërmit e tij të dëgjonin atë që do t’u thoshte Pjetri. Por, Andrea dhe Korneli nuk u bënë presion të afërmve ose nuk ua punuan me marifet që të bëheshin dishepuj të Krishtit. A shohim ndonjë mësim këtu? Bëjmë mirë të veprojmë po njësoj. Mbase mund të na jepet rasti t’u themi ca mendime të afërmve dhe të krijojmë rrethana të tilla që të dëgjojnë për të vërtetën biblike e të takojnë bashkëbesimtarët tanë. Prapëseprapë, respektojmë lirinë e tyre për të zgjedhur dhe nuk i shtyjmë me zor. Për ta ilustruar si mund t’i ndihmojmë të afërmit, të shqyrtojmë shembullin e Jurgenit e të Petrës, një çift nga Gjermania.

Petra studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe me kohë u pagëzua. Jurgeni, i shoqi, ishte oficer ushtrie. Në fillim Jurgenit nuk i pëlqente vendimi i saj. Mirëpo, me kalimin e kohës kuptoi se Dëshmitarët predikojnë të vërtetën nga Bibla. Edhe ai ia kushtoi jetën Jehovait, dhe sot shërben si plak në kongregacionin vendës. Çfarë këshille jep se si t’i prekim zemrën një të afërmi që ka besim tjetër?

Jurgeni vëren: «S’duhet t’i detyrojmë e t’i mbytim me gjëra frymore të afërmit. Kjo i step edhe më tepër. Në fund të fundit, mund të jetë më mirë nëse me takt u japim ca informacione pak nga pak. Po ashtu, mund të jetë e dobishme t’i njohim me vëllezër që janë në të njëjtën moshë apo që u interesojnë gjëra të ngjashme. Kjo mund të mbyllë hendekun.»

«S’duhet t’i detyrojmë e t’i mbytim me gjëra frymore të afërmit.»—Jurgeni

Apostulli Pjetër dhe të afërmit e Kornelit e pranuan shpejt mesazhin e Biblës. Disa të tjerëve në shekullin e parë që dëgjuan për të vërtetën u duhej më shumë kohë që të merrnin një vendim.

PO VËLLEZËRIT E JEZUIT?

Disa nga të afërmit e Jezuit treguan besim tek ai gjatë kohës që predikoi. Për shembull, duket se Jakovi dhe Gjoni ishin kushërinj të Jezuit dhe mamaja e tyre, Saloma, ishte tezja e tij. Mbase ajo mund të ketë qenë ndër «shumë të tjera, që po u shërbenin [Jezuit dhe apostujve] duke përdorur pasuritë e tyre».Luka 8:1-3.

Megjithatë, pjesëtarë të tjerë të familjes së Jezuit nuk besuan menjëherë. Për shembull, më se një vit pas pagëzimit të Jezuit, një turmë u mblodh në një shtëpi për ta dëgjuar. «Mirëpo, kur e morën vesh njerëzit e vet, dolën ta kapnin, sepse thoshin: ‘Ai ka luajtur mendsh.’» Ca kohë më vonë kur gjysmëvëllezërit e pyetën për planet e udhëtimit, Jezui nuk u tregoi hapur. Pse? Ngaqë «vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai».Mar. 3:21; Gjoni 7:5.

Ç’mësojmë nga mënyra si veproi Jezui me të afërmit? Ai nuk u ofendua kur disa thanë se kishte luajtur mendsh. Edhe pas ekzekutimit dhe ringjalljes, Jezui vazhdoi t’i nxiste të afërmit, duke iu shfaqur Jakovit, gjysmëvëllait. Me sa duket, kjo bindi jo vetëm Jakovin, por edhe gjysmëvëllanë tjetër të Jezuit, se Ai ishte vërtet Mesia. Si pasojë, ata ishin bashkë me apostujt e me të tjerë në një dhomë të sipërme në Jerusalem dhe duket qartë se morën frymën e shenjtë. Pas njëfarë kohe, Jakovi dhe Juda, një tjetër gjysmëvëlla i Jezuit, morën privilegje të mrekullueshme.Vep. 1:12-14; 2:1-4; 1 Kor. 15:7.

DISAVE U DUHET MË SHUMË KOHË

«Shumë gjëra të mira mund të arrihen me durim, durim dhe akoma me më shumë durim.»—Rosuita

Ashtu si në shekullin e parë, disa të afërm sot kanë nevojë për goxha kohë para se të futen në rrugën e jetës. Për shembull, Rosuita ishte një katolike e flaktë kur burri i saj u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait më 1978. Ngaqë besonte sinqerisht në fenë e vet, në fillim e kundërshtoi të shoqin. Por, me kalimin e viteve kundërshtonte më pak dhe arriti të kuptonte se Dëshmitarët mësojnë të vërtetën. Më 2003 u pagëzua edhe ajo. Çfarë e ndihmoi të ndryshonte? Burri nuk u fye nga kundërshtimi i saj, por i jepte mundësi të ndryshonte mendim. Çfarë këshille jep ajo? «Shumë gjëra të mira mund të arrihen me durim, durim dhe akoma me më shumë durim.»

Monika u pagëzua më 1974 dhe dy djemtë e saj u bënë Dëshmitarë rreth dhjetë vjet më vonë. Edhe pse Hansi, i shoqi, nuk e kundërshtoi kurrë besimin e saj, gjithsesi, nuk u pagëzua deri në vitin 2006. Kur kthejnë kokën mbrapa, çfarë këshille jep kjo familje? «Rrini besnikë ndaj Jehovait dhe mos bëni kompromis në çështje besimi.» Sigurisht, ishte e rëndësishme ta siguronin pareshtur Hansin se e donin. Dhe kurrë nuk hoqën dorë nga shpresa se ai mund ta pranonte besimin e tyre.

TË FRESKUAR ME UJIN E SË VËRTETËS

Një herë Jezui e krahasoi mesazhin e së vërtetës me ujin që jep jetë të përhershme. (Gjoni 4:13, 14) Duam që të afërmit tanë të freskohen duke pirë nga uji i freskët dhe i pastër i së vërtetës. Patjetër, nuk duam t’i mbytim ngaqë u kemi dhënë tepër ujë me pahir e me ngut. Nëse do të ndihen të freskuar ose të mbytur, deri diku varet nga mënyra si u flasim për besimin tonë. Bibla thotë se «zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet» dhe se «zemra e njeriut të mençur e bën gojën e tij të tregojë gjykim të thellë dhe u shton forcë bindëse buzëve të tij». Si mund ta zbatojmë këtë këshillë?Prov. 15:28; 16:23.

Një grua mund të ketë dëshirë t’i flasë të shoqit për besimin e saj. Nëse «mediton para se të përgjigjet», do t’i zgjedhë me kujdes fjalët dhe nuk do të flasë nxitimthi. Nuk do të lërë përshtypjen se ndihet më e drejtë dhe më lart se ai. Fjalët e saj të menduara mirë mund të jenë freskuese e të nxitin paqen. Kur është më i qetë burri i saj dhe kur është në humor për t’i folur? Për cilat tema ka qejf të flasë a të lexojë? A i intereson shkenca, politika ose sporti? Si mund t’i grishë kureshtjen për Biblën e në të njëjtën kohë të respektojë ndjenjat dhe pikëpamjet e tij? Nëse mendon për këto aspekte, do të arrijë të flasë dhe të veprojë me gjykim të thellë.

Për t’u prekur zemrën pjesëtarëve të familjes që ende nuk janë Dëshmitarë, nuk kërkohet vetëm të flasim me karar për besimin tonë. Duhet të njihemi edhe për sjellje të shkëlqyer.

SJELLJA SHEMBULLORE

Jurgeni i përmendur më sipër shpjegon: «Vazhdoni t’i zbatoni parimet biblike çdo ditë. Kjo është një mënyrë vërtet e efektshme për t’i prekur dhe s’ka si të mos e vërejnë, edhe pse mund të mos e pranojnë.» Hansi, që u pagëzua gati 30 vjet pas gruas, është dakord. «Sjellja shembullore e krishterë është e rëndësishme, pasi kështu të afërmit vërejnë sa mirë ndikon e vërteta në jetën tonë.» Të afërmit tanë duhet të arrijnë të shohin se besimi na bën të ndryshëm, por jo në mënyrë negative ose ofenduese.

«Sjellja shembullore e krishterë është e rëndësishme, kështu që të afërmit mund të shohin ndikimin pozitiv që ka e vërteta në jetën tonë.»—Hansi

Apostulli Pjetër u jep një këshillë të vyer grave, bashkëshortët e të cilave nuk kanë të njëjtin besim: «Jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë. Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, domethënë gërshetimi i flokëve, vënia e stolive prej ari ose veshjet e sipërme, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.»1 Pjet. 3:1-4.

Pjetri shkroi se një burrë mund të bindej për të vërtetën falë sjelljes shembullore të gruas së tij. Me këtë këshillë biblike në mendje, një motër që quhet Krista, është përpjekur t’i prekë zemrën të shoqit me anë të sjelljes, që kur u pagëzua në vitin 1972. Edhe pse i shoqi dikur ka studiuar me Dëshmitarët, ende nuk e ka bërë të tijën të vërtetën. Ka ndjekur disa mbledhje të krishtere dhe shkon mirë me pjesëtarët e kongregacionit. Ata e respektojnë të drejtën e tij për të vendosur. Si përpiqet Krista t’i prekë zemrën?

«Jam e vendosur të eci në rrugën që do Jehovai. Ndërkohë, përpiqem ta fitoj burrin ‘pa fjalë’ nëpërmjet sjelljes së mirë. Bëj çmos të marr parasysh dëshirat e tij nëse nuk bien ndesh me parimet biblike. Dhe, sigurisht, respektoj vullnetin e tij të lirë dhe ia lë në dorë Jehovait situatën.»

Mënyra si vepron Krista tregon sa vlerë ka të jemi elastikë. Ajo mban një program frymor ndërtues që përfshin ndjekjen e mbledhjeve rregullisht dhe pjesëmarrjen domethënëse në predikim. Ama, e kupton se i shoqi me të drejtë kërkon dashurinë, kohën dhe vëmendjen e saj. Është e mençur që secili nga ne të jetë elastik dhe mirëkuptues kur ka të bëjë me të afërm jobesimtarë. Bibla shpjegon: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.» Kjo përfshin të kalojmë kohë me pjesëtarët e familjes, sidomos me bashkëshortët, që nuk kanë të njëjtin besim. Koha që kalojmë së bashku nxit komunikimin. Përvoja tregon se komunikimi i mirë ul rrezikun që ata të ndihen të vetmuar, të lënë mënjanë ose xhelozë.Ekl. 3:1.

KURRË MOS I HUMB SHPRESAT

Holgeri, babai i të cilit u pagëzua 20 vjet pas pjesëtarëve të tjerë të familjes, vëren: «Është e rëndësishme të tregojmë se e duam pjesëtarin e familjes dhe të lutemi për të.» Krista shton se ‘kurrë nuk do t’i humbë shpresat se në fund i shoqi do të marrë anën e Jehovait dhe do ta pranojë të vërtetën’. Qëndrimi ynë ndaj të afërmve që nuk kanë të njëjtin besim duhet të jetë gjithmonë pozitiv, plot shpresë.

Synimi ynë është të mos i prishim marrëdhëniet me të afërmit, por t’u japim mundësi që ta pranojnë të vërtetën e t’u prekim zemrën me mesazhin e Biblës. Dhe në gjithë këto gjëra duhet të sillemi me «frymë butësie dhe me respekt të thellë».1 Pjet. 3:15.