Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku mund të gjeni paqe të brendshme?

Ku mund të gjeni paqe të brendshme?

Ku mund të gjeni paqe të brendshme?

Ka shumë ndryshime midis kohës sonë dhe asaj të Thorosë, i cili u përmend në artikullin e mëparshëm. Një ndryshim kryesor është se sot nuk mungojnë këshillat si të fitohet paqja mendore. Psikologët, shkrimtarët e librave për të ndihmuar vetveten e, madje, edhe gazetarët ofrojnë idetë e tyre. Këshillat e tyre ndoshta mund të ndihmojnë për pak kohë, por për zgjidhje afatgjata duhet diçka më e thellë. Pikërisht këtë zbuluan individët e përmendur në artikullin e mëparshëm.

ANTONIOJA, Markosi, Gerzoni, Vanja dhe Marçeloja vinin nga shtresa të ndryshme dhe kishin probleme të ndryshme. Por kishin të paktën tri gjëra të përbashkëta. Së pari, për një periudhë kohe ata jetuan «pa pasur shpresë dhe duke qenë pa Perëndi në botë». (Efesianëve 2:12) Së dyti, dëshironin shumë të kishin paqe mendore. Dhe së treti, të gjithë ata e gjetën paqen e brendshme që dëshironin pasi pranuan një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Ndërsa përparonin, arritën të kuptonin se Perëndia interesohet për ta. Në të vërtetë, siç u tha Pavli athinasve të ditëve të tij, Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Të jemi vërtet të bindur për këtë është një faktor kryesor për të fituar paqe të brendshme.

Përse kaq pak paqe?

Bibla jep dy arsye themelore për mungesën e paqes në botë, qoftë paqe të brendshme, qoftë paqe midis njerëzve. E para shpjegohet te Jeremia 10:23: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» Njeriu nuk ka as mençurinë, as aftësinë parashikuese që të sundojë vetë, pa ndihmë, dhe e vetmja ndihmë që ka vlerë reale vjen nga Perëndia. Njerëzit që nuk kërkojnë udhëheqjen e Perëndisë nuk do të arrijnë kurrë paqe të qëndrueshme. Arsyeja e dytë për mungesën e paqes shihet në fjalët e apostullit Gjon: «E gjithë bota dergjet në ligësi [në pushtetin e të ligut, BR].» (1 Gjonit 5:19) Pa udhëheqjen hyjnore, përpjekjet e njeriut për të arritur paqen do të pengohen gjithnjë nga aktivitetet e «të ligut», Satanait, të cilin nuk e shohim, por që është shumë real e shumë i fuqishëm.

Për këto dy arsye: që shumë njerëz nuk kërkojnë udhëheqjen e Perëndisë dhe që Satanai është shumë aktiv në botë, raca njerëzore në tërësi është në një gjendje të mjerueshme. Apostulli Pavël e përshkroi mirë këtë gjendje: «Deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.» (Romakëve 8:22) Kush mund ta vërë në dyshim këtë pohim? Si në kombet e pasura, ashtu edhe në ato të varfra, problemet familjare, krimi, padrejtësitë, përplasjet e personaliteteve, pasiguria ekonomike, urrejtjet fisnore dhe etnike, shtypja, sëmundjet e shumë e shumë të tjera, ua grabitin njerëzve paqen mendore.

Ku të gjejmë paqe të brendshme?

Kur Antonioja, Markosi, Gerzoni, Vanja dhe Marçeloja studiuan Fjalën e Perëndisë, Biblën, mësuan gjëra që ua ndryshuan jetën. Pikësëpari, mësuan se një ditë situata e botës do të ndryshojë. Kjo nuk është thjesht një shpresë e mekur se çdo gjë do të rregullohet më në fund. Është një siguri reale dhe e bazuar se Perëndia ka një qëllim për njerëzimin e se, madje, edhe tani mund të nxjerrim dobi nga ky qëllim, nëse bëjmë vullnetin e tij. Ata zbatuan në jetën e tyre atë që mësuan nga Bibla dhe gjërat u përmirësuan. Gjetën më shumë lumturi dhe paqe, sesa kishin menduar se do të ishte e mundur.

Antonioja nuk është më i përfshirë në protesta dhe përleshje sindikaliste. Ai e di se ndryshimet e sjella në këtë mënyrë janë vetëm të kufizuara dhe të përkohshme. Ky ish-sindikalist ka mësuar për Mbretërinë e Perëndisë. Është Mbretëria për të cilën miliona njerëz luten kur thonë përmendësh Lutjen e Zotërisë (ose Ati Ynë) dhe i thonë Perëndisë: «Të vijë mbretëria jote.» (Mateu 6:10a, New International Version) Antonioja mësoi se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale qiellore që do t’i sjellë paqe të vërtetë njerëzimit.

Markosi mësoi të vinte në praktikë këshillat e mençura të Biblës për martesën. Si rezultat, ky ish-politikan tani është lumturisht i ribashkuar me gruan e tij. Edhe ai mezi pret kohën, që do të vijë shpejt, kur Mbretëria e Perëndisë ta zëvendësojë këtë sistem botëror lakmitar dhe egoist me një më të mirë. Ai ka një kuptueshmëri shumë më të thellë për fjalinë në Lutjen e Zotërisë që thotë: «Vullneti yt të bëhet në tokë siç është bërë në qiell.» (Mateu 6:10b, NIV) Kur në tokë të bëhet vullneti i Perëndisë, njerëzit do të përjetojnë një cilësi jete që nuk është parë kurrë më parë.

Çfarë u bë me Gerzonin? Ai nuk është më endacak dhe vjedhës. Jeta e këtij fëmije që më parë jetonte në rrugë, tani ka domethënie, sepse ai e përdor energjinë e tij duke ndihmuar të tjerët për të gjetur paqe të brendshme. Siç e tregojnë këto përvoja, studimi i Biblës dhe zbatimi i asaj që thotë ajo mund ta ndryshojë shumë jetën e një personi për më mirë.

Paqe e brendshme në një botë të turbullt

Personazhi qendror historik në zbatimin e vullnetit të Perëndisë është Jezu Krishti dhe kur njerëzit studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, mësojnë shumë gjëra për të. Natën që lindi ai, engjëjt i kënduan lavdi Perëndisë: «Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!» (Luka 2:14) Kur u rrit, Jezui ishte i interesuar të përmirësonte jetën e njerëzve. Ai i kuptonte ndjenjat e tyre dhe tregonte dhembshuri të jashtëzakonshme për të pikëlluarit dhe për të sëmurët. Gjithashtu, në harmoni me fjalët e engjëjve, ai u solli një masë paqeje të brendshme njerëzve zemërbutë. Në fund të shërbimit, ai u tha dishepujve: «Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po juaj jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.»​—Gjoni 14:27.

Jezui ishte më tepër se një njeri humanitar. Ai e krahasoi veten me një bari dhe i krahasoi ithtarët e tij të butë me dele, kur tha: «Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.» (Gjoni 10:10, 11) Pikërisht, në kontrast me udhëheqësit e shumtë sot që kujdesen para së gjithash për veten e tyre, Jezui dha jetën për delet e tij.

Si mund të nxjerrim dobi nga ajo që bëri Jezui? Shumë veta i njohin fjalët: «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» (Gjoni 3:16) Të ushtrojmë besim te Jezui kërkon, para së gjithash, njohuri për të dhe për Atin e tij, Jehovain. Njohuria për Perëndinë dhe për Jezu Krishtin mund të çojë në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova, marrëdhënie që do të na ndihmojë të arrijmë paqen mendore.

Jezui tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.» (Gjoni 10:27, 28) Sa fjalë të përzemërta e ngushëlluese! Vërtet, Jezui i tha ato pothuajse dy mijë vjet më parë, por kanë po aq forcë tani, sa kishin atëherë. Të mos harrojmë kurrë se Jezu Krishti është ende gjallë dhe aktiv, duke sunduar tani si Mbreti i kurorëzuar i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Tamam si atëherë kur ishte në tokë shumë vjet më parë, ai është ende i interesuar për zemërbutët të cilët dëshirojnë me zjarr paqen mendore. Më tej, ai është akoma Bariu i deleve të tij. Nëse e ndjekim, ai do të na ndihmojë të fitojmë paqe të brendshme, e cila përfshin një pritje të sigurt për të parë në të ardhmen paqe të plotë, që do të nënkuptojë mungesën e dhunës, të luftës dhe të krimit.

Kemi dobi të vërteta kur e dimë dhe kur besojmë se Jehovai, nëpërmjet Jezuit, do të na ndihmojë. E kujtoni Vanjën, së cilës, kur ishte e re, i ranë mbi supe përgjegjësi të rënda dhe mendoi se Perëndia e kishte harruar? Tani Vanja e di se Perëndia nuk e ka braktisur. Ajo thotë: «Mësova se Perëndia është një person real me cilësi që të bëjnë ta duash. Dashuria e tij e shtyu të dërgonte Birin e tij në tokë për të na dhënë jetë. Është shumë e rëndësishme ta dimë këtë.»

Marçeloja dëshmon se marrëdhënia e tij me Perëndinë është reale. Ky person, që më parë frekuentonte shumë festat, komenton: «Shpesh të rinjtë nuk dinë ç’të bëjnë dhe përfundojnë duke i bërë dëm vetes së tyre. Disa fillojnë të abuzojnë me drogën, siç bëra unë. Shpresoj që shumë të tjerë të bekohen, si unë, duke mësuar të vërtetën për Perëndinë dhe për Birin e tij.»

Nëpërmjet një studimi të kujdesshëm të Biblës, Vanja dhe Marçeloja zhvilluan një besim të fortë te Perëndia dhe një siguri në gatishmërinë e tij për t’i ndihmuar që të zgjidhin problemet e tyre. Nëse bëjmë atë që bënë ata, pra, nëse studiojmë Biblën dhe e zbatojmë atë që thotë ajo, do të gjejmë një masë të madhe paqeje të brendshme, pikërisht siç e gjetën ata. Atëherë inkurajimi i apostullit Pavël do të zbatohet vërtet në rastin tonë: «Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezu.»​—Filipianëve 4:6, 7.

Të gjejmë paqe të vërtetë sot

Jezu Krishti po i udhëheq njerëzit e uritur për të vërtetën gjatë rrugës që të çon në jetën e përhershme në një parajsë tokësore. Ndërsa i udhëheq drejt adhurimit të pastër të Perëndisë, ata përjetojnë paqe të ngjashme me atë që përshkruhet në Bibël: «Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi.» (Isaia 32:18) E ky është vetëm një shijim paraprak i paqes që do të gëzojnë në të ardhmen. Lexojmë: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:11, 29.

Prandaj, a mund të kemi paqe të brendshme sot? Po. Për më tepër, mund të jemi të sigurt se në të ardhmen e afërt, Perëndia do ta bekojë njerëzimin e bindur me paqe si kurrë më parë. Atëherë, përse të mos i kërkoni në lutje që t’ju japë paqen e tij? Nëse keni probleme që jua heqin paqen, lutjuni në mënyrën që iu lut mbreti David: «Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia. Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.» (Psalmi 25:17, 18) Të jini të sigurt se Perëndia i dëgjon lutje të tilla. Ai e hap dorën e tij dhe u jep paqe të gjithë atyre që e kërkojnë me sinqeritet nga zemra. Me dashuri, na jepet kjo siguri: «Zoti është pranë gjithë atyre që e kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.»​—Psalmi 145:18, 19.

[Diçitura në faqen 5]

Njeriu nuk ka as mençurinë, as aftësinë parashikuese për të sunduar vetë, pa ndihmë, dhe e vetmja ndihmë që ka vlerë të vërtetë vjen nga Perëndia

[Diçitura në faqen 6]

Njohuria për Perëndinë dhe për Jezu Krishtin mund të çojë në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova, marrëdhënie që do të na ndihmojë të arrijmë paqen mendore

[Figura në faqen 7]

Ndjekja e këshillave të Biblës i kontribuon një jete paqësore familjare