Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?

Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?

JE ULUR e po rri me dy shoqe të shkollës në pushim. Njëra prej tyre nuk ia ndan sytë një nxënësi të ri.

«Ej, e di që e ka me ty,—të thotë ajo.—Shiko si po të sheh. Sa s’po të ha me sy!»

«Dhe e di më të bukurën?—të pëshpërit shoqja tjetër duke t’u afruar.—Është i lirë.»

«Çfarë tersi, unë jam e zënë,—vazhdon shoqja e parë,—se nuk e lija pa ia hedhur grepat!»

Pastaj ajo thotë diçka që ti e ke tmerr kur e dëgjon.

«Si ka mundësi që nuk ke një të dashur?»

E dije që do ta thoshte. Ç’është e vërteta, edhe ty do të të pëlqente të kishe një të dashur. Por të kanë thënë se është mirë të presësh derisa të jesh gati për martesë, pastaj të nisësh një lidhje. Po të mos ishte për . . .

«Për punën e fesë, apo jo?»—thotë shoqja e dytë.

‘Mos po më lexon mendimet?’—thua me vete.

«Aman edhe ti, ngele Bibla, Bibla, gjithmonë Bibla,—të ngacmon shoqja e parë. —Pse s’ia bën një herë qejfin vetes?»

A të ka ndodhur ndonjëherë kështu—të të tallin ngaqë përpiqesh të jetosh sipas normave të Biblës? Si ke reaguar?

Mbrojte me bindje parimet e tua morale

▪ U ndjeve në siklet, por i shpjegove bindjet e tua sa më mirë që munde

▪ Mendove se shokët a shoqet kishin të drejtë—se në fund të fundit po i privoje vetes kënaqësitë!

A e ke pyetur ndonjëherë veten: ‘A ia vlen vërtet të jetosh sipas normave të Biblës?’ Një e re me emrin Bora mendoi për këtë. * Ajo thotë: «Moshatarët e mi bënin çfarë t’u donte qejfi, dukej sikur nuk duhej t’i jepnin llogari askujt. Normat e Biblës më dukeshin kufizuese. Liria që kishin shokët e shkollës ma bënte zili.»

A është gabim të kesh dyshime?

Një nga shkrimtarët e Biblës, Asafi, pati një periudhë në jetë kur nisi të dyshonte nëse ia vlen të jetosh siç i pëlqen Perëndisë. Ai shkroi: «E kisha zili mburravecin, e kisha zili të ligun kur shihja paqen e tij.» Madje tha: «Më kot, pra, e kam pastruar zemrën e i laj duart në pafajësi.»​—Psalmi 73:3, 13.

Është e qartë se Perëndia Jehova e kupton që ndonjëherë njerëzit mund të dyshojnë nëse ia vlen të jetojnë sipas normave të tij. Në fund të fundit, ai i ka dokumentuar në Bibël mendimet e Asafit. Si përfundim, Asafi u bind se të jetosh sipas ligjeve të Perëndisë është mënyra më e mirë për të jetuar. (Psalmi 73:28) Si arriti në këtë përfundim? E pra, Asafi ishte i mençur. Atij iu krijua kjo bindje, jo ngaqë e pësoi vetë, por duke mësuar nga gabimet e të tjerëve. (Psalmi 73:16-19) A mund të bësh edhe ti të njëjtën gjë?

Mëso nga përvoja e të tjerëve

Ndryshe nga Asafi, mbreti David mësoi nga përvoja e hidhur se ata që i shpërfillin normat e Perëndisë e pësojnë keq. Davidi kreu kurorëshkelje me gruan e njërit prej shërbëtorëve të tij dhe pastaj u përpoq të mbulonte gjurmët. Si pasojë u solli dëm të tjerëve, lëndoi Perëndinë dhe kaloi një stres të madh. (2 Samuelit 11:1–12:23) Pasi Davidi u pendua, Jehovai e frymëzoi t’i shprehte ndjenjat në këngë dhe i ruajti ato fjalë në Bibël për dobinë tonë. (Psalmi 51:1-19; Romakëve 15:4) Pra, është e mençur dhe në përputhje me Shkrimet të mësosh nga gabimet e të tjerëve.

Komentet e disa të rinjve nga vende të ndryshme do të të ndihmojnë të ndjekësh shembullin e Asafit dhe të mos bësh gabimet e Davidit. Këta të rinj për njëfarë kohe i braktisën normat e Biblës dhe kryen marrëdhënie seksuale pa qenë të martuar. Ashtu si Davidi, ata u penduan për gabimet e tyre dhe tani kanë përsëri një qëndrim të pastër para Perëndisë. (Isaia 1:18; 55:7) Vër re komentet e tyre.

Zgjohuni!: Çfarë ndikoi në mendimet dhe në veprimet e tua?

Bora: «Kur shkoja në shkollë, shihja që të gjithë kishin të dashur dhe dukeshin të lumtur. Kur dilja me ta dhe i shihja që putheshin e përqafoheshin, bëhesha xheloze dhe ndihesha e vetmuar. Shpesh ëndërroja me orë të tëra për një djalë që simpatizoja. Kjo ma shtonte dëshirën të rrija me të dhe të bëja gjithçka për ta plotësuar këtë dëshirë.»

Juli: «Lexoja materiale dhe shihja programe që e paraqitnin seksin si një gjë fantastike. Kur flitja me shokët për seksin, bëhesha edhe më kurioz. Pastaj, kur isha vetëm me një vajzë, mendoja se mund ta tregonim përzemërsinë me veprime intime pa arritur deri në marrëdhënie seksuale, se mund të ndalesha kur të doja.»

Andri: «E kisha zakon të shihja pornografi në Internet. Fillova të pija shumë. Shkoja në festa me të rinj që nuk donin t’ia dinin për normat morale të Biblës.»

Nensi: «Kur isha 16 vjeçe, mendjen e kisha vetëm të rrija me të dashurin. E dija që seksi para martesës ishte i gabuar, por nuk e urreja një gjë të tillë. S’kisha ndër mend të kryeja marrëdhënie para se të martohesha, por ndjenjat ma mposhtën arsyen. Për njëfarë kohe, ndërgjegjja m’u mpi dhe nuk më brente asnjë ndjenjë faji.»

Zgjohuni!: A të bëri të lumtur ajo mënyrë jetese?

Bora: «Në fillim, kisha një ndjesi lirie dhe isha e lumtur që më në fund isha si shokët. Por këto ndjenja nuk zgjatën shumë. Më dukej vetja e ulët, sikur më kishin rrëmbyer dëlirësinë, ndihesha bosh. Më vinte tmerrësisht keq që e kisha hedhur tej virgjërinë, diçka që nuk mund ta ktheja më kurrë. Që prej asaj kohe shpesh e kam pyetur veten: ‘Kush kujtoja se isha që t’ia hidhja lehtë?’ Dhe: ‘Pse—pse i hodha poshtë normat e dashura të Jehovait?’»

Juli: «Më dukej sikur një pjesë e imja kishte vdekur. U mundova t’i shpërfillja pasojat që po u sillnin të tjerëve veprimet e mia, por më kot. Vuaja kur mendoja se po lëndoja të tjerët ngaqë shihja vetëm qejfin tim. Kisha probleme me pagjumësinë. Si përfundim, kënaqësia e marrëdhënieve imorale u venit dhe mbizotëroi dhembja e turpi.»

Andri: «Sa vinte dhe i dorëzohesha më kollaj dëshirave të gabuara. Por në të njëjtën kohë, po më sfiliste ndjenja e fajit dhe më vinte inat me veten.»

Nensi: «S’kaloi shumë dhe realiteti më goditi si me shuplakë. Imoraliteti ma shkatërroi rininë. Mendoja se me të dashurin do t’ia kalonim për mrekulli, por ja që s’ndodhi ashtu. U lënduam dhe i sollëm trishtim e vuajtje njëri-tjetrit. Net të tëra qaja me dënesë në shtrat dhe thosha: ‘Ah, sikur të kisha bërë siç thotë Jehovai!’»

Zgjohuni!: Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që mendojnë se ndoshta normat morale të Biblës janë kufizuese?

Bora: «Nuk do të bësh një jetë më të mirë po të braktisësh normat e Biblës. Imagjino si do të ndihet Jehovai po të zbatosh këshillat e tij. Mendohu mirë për pasojat që do të kesh po të mos ia dëgjosh fjalën. Mos harro, nuk është puna vetëm te ti dhe te dëshira jote. Veprimet e tua do të ndikojnë edhe te të tjerët. Dhe, po të shpërfillësh këshillat e Perëndisë, vetëm sa do t’i bësh dëm vetes.»

Juli: «Vërtet jeta e moshatarëve të tu mund të duket interesante në pamje të parë. Por shiko përtej sipërfaqes para se të veprosh. Ndër gjërat më të vyera që Jehovai të ka dhënë, janë dinjiteti dhe dëlirësia. T’i flakësh tej këto dhurata vetëm ngaqë nuk ke vetëkontroll, do të thotë ta ulësh veten. Fol me prindërit dhe me njerëz të pjekur për problemet e tua. Nëse gabon, fol pa humbur kohë dhe ndreqe situatën. Po të bësh siç thotë Jehovai, do të kesh prapë paqe të vërtetë.»

Andri: «Kur nuk ke përvojë, kujton se jeta që bëjnë moshatarët e tu është fantastike. Si pa kuptuar, fillon t’i imitosh. Prandaj zgjidhi shokët me kujdes. Beso te Jehovai që t’i kursesh vetes shumë vuajtje.»

Nensi: «Mos mendo: ‘S’do të më ndodhë gjë.’ Mami u ul me mua dhe më tha hapur se po të vazhdoja siç e kisha nisur, vetëm do të vuaja. Kjo m’i ngriti nervat. Kujtoja se isha më e mençur. Por ja që s’ishte ashtu. Zbato normat e Jehovait dhe shoqërohu me ata që veprojnë njësoj. Kështu do të jesh më i lumtur.»

Normat e Biblës​—Kafaz apo rrip sigurimi?

Nëse shokët të tallin ngaqë përpiqesh të jetosh sipas parimeve të Biblës, bëji vetes këto pyetje: ‘Përse nuk u pëlqen ideja që të jetojnë sipas normave morale të Biblës? A e kanë lexuar vetë Biblën dhe a i kanë shqyrtuar dobitë që vijnë kur u bindesh ligjeve të Perëndisë? A i kanë menduar seriozisht pasojat që korr kur i shpërfill këto norma? Apo thjesht shohin çfarë bëjnë të tjerët dhe i imitojnë?’

Ka të ngjarë të njohësh njerëz të cilët ‘shkojnë pas shumicës’. (Dalja 23:2) A nuk dëshiron të marrësh vendime më të mira sesa të bësh siç bëjnë të tjerët? Si mund ta arrish këtë? Duke i vënë veshin këshillës së Biblës që ‘të vërtetosh se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë’. (Romakëve 12:2) Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’ dhe dëshiron që edhe ti të jesh i lumtur. (1 Timoteut 1:11; Eklisiastiu 11:9) Normat e shkruara në Bibël janë për të mirën tënde. Mbase vërtet mund të të duken si një kafaz që të kufizon lirinë. Por në të vërtetë, normat morale të Biblës ngjasojnë më shumë me një rrip sigurimi që e mbron pasagjerin nga dëmtimet.

S’diskutohet që mund t’i besosh Biblës. Nëse vendos të jetosh sipas normave të saj, jo vetëm që do ta bësh Jehovain të lumtur, por edhe vetë do të nxjerrësh dobi.​—Isaia 48:17.

[Shënimi]

^ par. 17 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

▪ Përse mund ta kesh të vështirë të jetosh sipas normave të Biblës?

▪ Pse ke nevojë të vërtetosh se të jetosh sipas normave të Perëndisë është mënyra më e mirë për të jetuar?