Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i luteni virgjëreshës Mari?

A duhet t’i luteni virgjëreshës Mari?

Pikëpamja e Biblës

A duhet t’i luteni virgjëreshës Mari?

MARIA, është një figurë shumë e njohur për njerëzit që dinë diçka rreth krishterimit. Shkrimet thonë se Perëndia i Plotfuqishëm e bekoi në mënyrë të veçantë këtë grua të re, duke e zgjedhur të ishte nëna e Jezuit. Lindja e Jezuit ishte një rast unik pasi Maria ishte e virgjër kur u ngjiz. Disa kisha të krishterizmit, prej kohësh e kanë adhuruar Marinë në një mënyrë të veçantë. Në vitin 431 të e.s., Këshilli i Efesit e shpalli atë «Nënën e Perëndisë», dhe sot shumë vetave u mësojnë t’i luten asaj. *

Adhuruesit e sinqertë e dinë se duhet t’ia drejtojnë lutjet e tyre personit të duhur. Çfarë mëson Bibla në lidhje me këtë? A duhet të krishterët t’i luten Virgjëreshës Mari?

«Na mëso si të lutemi»

Ungjilli i Lukës tregon se një nga dishepujt e Jezuit i kërkoi atij: «Zotëri, na mëso si të lutemi.» Jezui iu përgjigj: «Kurdo që të luteni, thoni: ‘Atë, u shenjtëroftë emri yt.’» Gjatë predikimit të tij në mal, Jezui i udhëzoi në mënyrë të ngjashme ithtarët e tij të luteshin kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.»​—Luka 11:1, 2; Mateu 6:9.

Pra, gjëja e parë që mësojmë, është se lutja (fjalët përnderuese), duhet t’i drejtohet Atit të Jezuit, që është Jehovai. Në asnjë vend Bibla nuk na autorizon t’i lutemi dikujt tjetër. Kjo është më se e përshtatshme pasi, kur Moisiu mori Dhjetë Urdhërimet, iu tha se Jehovai është ‘një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij’.​—Eksodi 20:5, BR.

Çfarë mund të themi për rruzaret?

Shumë vetave që i luten Marisë, u është mësuar se mund të bekohen duke përsëritur një sërë lutjesh specifike, si për shembull lutjen Ave Maria, Ati ynë, etj. Libri Simbolet e Katolicizmit (anglisht) thotë se për katolikët, «forma më e përhapur e adhurimit të Marisë është pa dyshim ajo me anë të rruzareve». Rruzaret janë një praktikë fetare për nder të Virgjëreshës Mari. Po ashtu termi i referohet një vargu me rruaza që përdoren për të numëruar lutjet. «Pesë pjesët me nga dhjetë rruaza, që ndahen nga njëra-tjetra nga një rruazë që është ndryshe nga të tjerat, sugjerojnë recitimin pesëdhjetë herë të ‘Ave Marisë’, pesë herë lutjen ‘Ati ynë’, dhe pesë herë ‘Qoftë lëvduar Ati’»,​—shpjegon i njëjti libër. Nëse i përsëritni me përkushtim lutjet e rruzareve, a është duke ju dëgjuar me miratim Perëndia?

Sërish, udhëzimet që Jezui u dha dishepujve të tij, na sigurojnë një përgjigje të besueshme. «Kur lutesh, mos thuaj të njëjtat gjëra herë pas here, ashtu siç bëjnë njerëzit e kombeve,​—tha ai,​—sepse kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë.» (Mateu 6:7) Kështu Jezui, po u thoshte në mënyrë specifike ithtarëve të tij, që të shmangnin përsëritjen e formulave në lutjet e tyre.

«Por, a nuk i mësoi Jezui dishepujt e tij të përsëritnin lutjen Ati ynë, që është pjesë e rruzareve?»​—mund të pyesë dikush. Është e vërtetë që Jezui dha një lutje model, e cila u bë e njohur si lutja Ati ynë, ose Lutja e Zotërisë. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se ai i tha këto fjalë menjëherë pasi dha paralajmërimin kundër thënies ‘së të njëjtave gjëra herë pas here’. Jezui nuk kishte si qëllim që lutja model të përsëritej përmendësh. Kjo duket qartë edhe ngaqë ai nuk u shpreh njësoj në të dyja rastet kur i mësoi dishepujt si të luteshin. (Mateu 6:9-15; Luka 11:2-4) Idetë që shprehu Jezui në ato raste ishin të ngjashme, por jo fjalët. Kjo na çon në përfundimin se Jezui thjesht po siguronte modele ose shembuj se si dhe për çfarë gjërash të përshtatshme mund të luten ithtarët e tij. Por ajo që është më e rëndësishmja është se fjalët e tij tregojnë se kujt duhet t’i drejtohen lutjet.

Respekt për Marinë

Shkrimet nuk u mësojnë të krishterëve t’i luten Marisë, por kjo nuk nënkupton aspak mungesë respekti për rolin që luajti ajo në përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë. Bekimet që vijnë nëpërmjet Birit të saj, do të jenë me dobi të përhershme për të gjithë njerëzimin e bindur. «Të gjithë brezat do të më shpallin të lume»,​—pohoi vetë Maria. Edhe kushërira e saj, Elizabeta, tha se Maria ishte «e bekuar . . . ndër gratë». Vërtet, ajo ishte e bekuar. Për Marinë ishte një privilegj i mrekullueshëm që u zgjodh për të sjellë në jetë Mesinë.​—Luka 1:42, 48, 49.

Megjithatë, Maria nuk është e vetmja grua që Shkrimet e quajnë të bekuar. Edhe për Jaelën, për shkak të veprimeve që ndërmori në dobi të kombit të lashtë të Izraelit, u tha se ishte «fort e bekuar mes grave». (Gjyqtarët 5:24, BR) Jaela, Maria dhe shumë gra të tjera të perëndishme dhe besnike që përmenden në Bibël, sigurisht e meritojnë që t’i imitojmë​—por jo t’i adhurojmë.

Maria ishte ithtare besnike e Jezuit. Ishte e pranishme në disa raste gjatë shërbimit të tij në tokë, po ashtu, edhe kur vdiq. Pas ringjalljes së Jezuit, ajo ‘po ngulmonte në lutje’ bashkë me vëllezërit e Krishtit. Kjo na jep arsye të besojmë se edhe ajo u miros me frymën e shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë ose Ditën e Rrëshajëve në vitin 33 e.s., dhe kështu u bë pjesë e klasës së nuses që do të mbretërojë me Krishtin në qiell.​—Mateu 19:28; Veprat 1:14; 2:1-4; Zbulesa 21:2, 9.

Sidoqoftë, asnjë nga këto të dhëna nuk na autorizon t’i lutemi Marisë. Lutja e ndjerë nga zemra, është një pjesë thelbësore e adhurimit, dhe të krishterët nxiten të ‘ngulmojnë në lutje’. (Romakëve 12:12) Gjithsesi, të gjitha lutjet tona të përkushtimit, duhet t’i drejtohen vetëm Jehovait, nëpërmjet Jezu Krishtit.​—Mateu 4:10; 1 Timoteut 2:5.

[Shënimi]

^ par. 3 Koncepti se Maria është nëna e Perëndisë, bazohet në doktrinën e trinitetit që nuk mbështetet në Bibël, e cila thotë se Jezui është Perëndi.