Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zgjedhja e trajtimit mjekësor: A ka rëndësi?

Zgjedhja e trajtimit mjekësor: A ka rëndësi?

Pikëpamja e Biblës

Zgjedhja e trajtimit mjekësor: A ka rëndësi?

SHËNDETI i dobët, sëmundjet dhe dëmtimet janë gjëra krejt të zakonshme për njerëzimin. Kur përballen me këta armiq të mirëqenies, shumë njerëz kërkojnë lehtësim nëpërmjet trajtimeve mjekësore. Jezu Krishti e dinte se këto përpjekje mund të sjellin dobi, kur tha se «ata që janë të shëndoshë nuk kanë nevojë për mjek, ndërsa ata që janë të sëmurë, po».—Luka 5:31.

Vetë shkrimtari biblik që shkroi këto fjalë, Luka, ishte mjek. (Kolosianëve 4:14) Ndoshta gjatë udhëtimeve që bënë së bashku, apostulli Pavël nxori dobi nga përvoja mjekësore e Lukës. Por, a jepen udhëzime në Shkrime se çfarë lloj kurash mjekësore janë të pranueshme për të krishterët? A ka rëndësi çfarë trajtimi mjekësor zgjedhim?

Udhëzime nga Shkrimet

Bibla mund ta drejtojë një person që të marrë vendime të mençura në lidhje me trajtimin mjekësor. Për shembull, në Ligjin e përtërirë 18:10-12 bëhet e qartë se praktika të tilla, si falli dhe magjia janë ‘të neveritshme’ për Jehovain. «Praktika e spiritizmit», kundër së cilës paralajmëroi Pavli, përfshinte këto vepra të ndaluara. (Galatasve 5:19-21) Prandaj, të krishterët e vërtetë shmangin çdo procedurë diagnostikuese ose terapeutike që përfshin në mënyrë të qartë spiritizmin.

Veç kësaj, Bibla zbulon se sa shumë e vlerëson Krijuesi shenjtërinë e jetës dhe të gjakut. (Zanafilla 9:3, 4) Të vendosur t’i vënë veshin urdhrit që të ‘vazhdojnë të përmbahen nga gjaku’, Dëshmitarët e Jehovait nuk i pranojnë ato procedura mjekësore që dhunojnë urdhrin biblik për t’u përmbajtur nga gjaku. (Veprat 15:28, 29) Kjo nuk do të thotë se hedhin poshtë çdo trajtim mjekësor. Përkundrazi, interesohen që të kenë kurën më të mirë të mundshme për veten dhe për fëmijët e tyre. Por u kërkojnë punonjësve të shëndetësisë të përdorin trajtime mjekësore që janë në përputhje me bindjet e tyre fetare.

Të shqyrtojmë hapat tanë

Mbreti Solomon paralajmëroi se «kushdo që është i papërvojë i beson çdo fjale, por mendjemprehti i shqyrton hapat e tij». (Fjalët e urta 14:15, BR) Një person duhet ‘t’i shqyrtojë hapat e tij’ edhe atëherë kur një vendim mjekësor nuk bie ndesh drejtpërdrejt me parimet biblike. Jo çdo formë trajtimi mjekësor është dobiprurëse. Kur tha se ‘ata që janë të sëmurë kanë nevojë për mjek’, Jezui nuk po miratonte çdo lloj trajtimi mjekësor që ekzistonte në kohën e tij. Ai e dinte se disa forma trajtimi mjekësor ishin me vlerë, ndërsa disa ishin të gabuara. *

Po ashtu, sot disa trajtime mjekësore mund të jenë të kota, e madje mashtruese. Nëse s’ka gjykim të shëndoshë, një person mund të gjendet para rreziqesh të panevojshme. Duhet pranuar, veç kësaj, se një trajtim që i sjell dobi një personi, mund të jetë i pafrytshëm, madje edhe i dëmshëm, për një tjetër. Kur i duhet të marrë një vendim mjekësor, një njeri i matur i peshon me kujdes mundësitë që ka, në vend që ‘t’i besojë çdo fjale’, madje edhe kur merr këshilla nga miq qëllimmirë. Ai tregon «mendje të shëndoshë» duke kërkuar informacione të besueshme, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë një zgjedhje që bazohet te njohuria.—Titit 2:12.

Të jemi realistë dhe të arsyeshëm

Është me vend që një njeri të shqetësohet për shëndetin e tij. T’i kushtosh vëmendje të ekuilibruar mirëqenies fizike tregon çmueshmëri për dhuratën e jetës dhe për Burimin e saj hyjnor. (Psalmi 36:9) Ndonëse kërkojnë të sigurojnë një trajtim të përshtatshëm mjekësor, të krishterët duan të jenë të ekuilibruar në çështjet e shëndetit. Për shembull, nëse një person që është i shëndetshëm në një masë të arsyeshme, nis të jetë shumë në merak për shëndetin dhe formën e tij fizike, kjo gjë mund ta bëjë të mos ketë më parasysh «gjërat më të rëndësishme».—Filipianëve 1:10; 2:3, 4.

Në kohën e Jezuit, një grua që ishte shumë e sëmurë ‘harxhoi gjithë pasurinë e saj’ duke kërkuar ndihmën e mjekëve, që ta kuronin për sëmundjen kronike që kishte. Cili qe rezultati? Në vend që të shërohej, ajo u keqësua, dhe kjo gjë duhet ta ketë pezmatuar shumë. (Marku 5:25, 26) Bëri gjithçka që kishte në dorë për të gjetur lehtësim, por më kot. Përvoja e saj nxjerr në pah kufizimet e shkencës mjekësore të asaj kohe. Edhe sot, me gjithë përparimet që janë bërë në fushën e kërkimeve dhe të teknologjisë mjekësore, shumë njerëz gjenden në një situatë të ngjashme. Ndaj është e rëndësishme të kemi një pikëpamje realiste për atë që mund të bëjë shkenca mjekësore. Tani për tani shëndeti i përsosur është diçka e paarritshme. Të krishterët e kuptojnë se koha e Perëndisë për «shërimin e kombeve» nuk ka ardhur ende. (Zbulesa 22:1, 2) Prandaj, duhet të zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për trajtimin mjekësor.—Filipianëve 4:5.

Është e qartë, pra, se zgjedhjet që bëjmë kanë rëndësi. Për këtë arsye, kur na duhet të marrim vendime rreth trajtimit mjekësor, zgjedhja jonë duhet të pasqyrojë si dëshirën për të pasur shëndet të mirë, ashtu edhe dëshirën për të mbajtur një marrëdhënie të shëndoshë me Perëndinë. Ndërsa veprojmë kështu, mund të vazhdojmë të presim të sigurt përmbushjen e premtimit të Jehovait se në botën e re të lavdishme që do të vijë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’».—Isaia 33:24, BR.

[Shënimi]

^ par. 9 Për shembull, në shekullin e parë në enciklopedinë mjekësore të Dioskoridit, një e ashtuquajtur kurë për verdhëzën ishte të pije një përzierje që përmbante verë dhe jashtëqitje dhie! Sigurisht, sot ne e dimë se një kurë e tillë kishte më shumë të ngjarë t’ia shtonte vuajtjet të sëmurit.

[Figura në faqen 26]

«Mjeku», 1891, nga sër Luke Fildes

[Burimi]

Tate Gallery, London/Art Resource, NY