Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 29

A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha festat?

A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha festat?

Pse ishte i kënaqur Perëndia me këtë festë?

A TË pëlqen të shkosh nëpër festa? . . . Ato mund të jenë shumë zbavitëse. A mendon se Mësuesi i Madh do të donte që ne të shkonim në festa? . . . Po edhe ai vetë shkoi në një festë, në një dasmë, e me të shkuan edhe disa dishepuj të tij. Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’, prandaj ai kënaqet kur ne gëzojmë nëpër festa që janë të mira.1 Timoteut 1:11; Gjoni 2:1-11.

Në faqen 29 të këtij libri kemi lexuar se Jehovai e ndau Detin e Kuq, që izraelitët të kalonin përmes tij. A të kujtohet që e lexuam këtë? . . . Pas kësaj, njerëzit që ishin aty kënduan e kërcyen dhe i dhanë falënderime Jehovait. Ishte si një festë. Njerëzit ishin shumë të lumtur dhe mund të jemi të sigurt se edhe Perëndia ishte i lumtur.Dalja 15:1, 20, 21.

Rreth 40 vjet më vonë, izraelitët shkuan në një festë tjetër të madhe. Kësaj radhe, njerëzit që i ftuan izraelitët në këtë festë as nuk e adhuronin Jehovain. Ata përkuleshin për të adhuruar perëndi të tjera dhe kishin marrëdhënie seksuale me persona me të cilët nuk ishin të martuar. Si mendon, a do të ishte e drejtë që izraelitët të shkonin në një festë të tillë? . . . Jehovait nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj i ndëshkoi izraelitët.Numrat 25:1-9; 1 Korintasve 10:8.

Bibla flet edhe për dy festa ditëlindjesh. A u bë ndonjëra prej tyre për të festuar ditëlindjen e Mësuesit të Madh? . . . Jo. Të dyja këto festa ditëlindjesh u bënë për njerëz që nuk i shërbenin Jehovait. Njëra ishte festa e ditëlindjes së mbretit Herod Antipa. Ky ishte qeveritari i krahinës së Galilesë, në kohën që jetonte atje Jezui.

Mbreti Herod kishte bërë shumë gjëra të këqija. Ai kishte marrë për vete gruan e vëllait të tij. Këtë grua e quanin Herodiada. Gjon Pagëzori, që ishte një shërbëtor i Perëndisë, i tha Herodit se kishte bërë gabim që kishte marrë gruan e të vëllait. Herodit nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj e futi Gjonin në burg.Luka 3:19, 20.

Kur Gjoni ishte në burg, erdhi dita për të festuar ditëlindjen e Herodit. Herodi bëri një festë të madhe dhe ftoi shumë njerëz të rëndësishëm. Ata hëngrën, pinë dhe po kënaqeshin shumë. Pastaj aty hyri e bija e Herodiadës dhe kërceu për ta. Të gjithëve u pëlqeu kaq shumë ky kërcim, saqë mbreti Herod donte t’i jepte asaj një dhuratë të veçantë. Ai i tha: «Çfarëdo që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime.»

Çfarë do të kërkonte ajo? Do të kërkonte para? Rroba të bukura? Një pallat që ta kishte për vete? Vajza nuk dinte çfarë të thoshte, prandaj shkoi te mamaja e vet, Herodiada, dhe i tha: «Çfarë duhet t’i kërkoj?»

Që ta dish, Herodiada e urrente shumë Gjon Pagëzorin. Prandaj i tha të bijës që të kërkonte t’i jepnin kokën e tij. Vajza shkoi prapë te mbreti dhe i tha: «Dua të më japësh menjëherë mbi tabaka kokën e Gjon Pagëzorit.»

Mbreti Herod nuk donte ta vriste Gjonin, sepse e dinte që Gjoni ishte njeri i mirë. Por kishte bërë një premtim dhe kishte frikë nga ajo që do të mendonin të tjerët që ishin në festë, po të ndërronte mendje. Prandaj dërgoi një burrë te burgu që t’i priste kokën Gjonit. Pas pak burri u kthye me kokën e Gjonit mbi një tabaka dhe ia dha vajzës. Pastaj vajza ia dha mamasë.Marku 6:17-29.

Festa tjetër e ditëlindjes për të cilën flet Bibla nuk ishte më e mirë se e para. Ajo u bë për një mbret të Egjiptit. Edhe gjatë kësaj feste mbreti urdhëroi që t’i pritnin kokën një njeriu. Pas kësaj ai e vari njeriun të cilit i kishin prerë kokën, që ta hanin zogjtë! (Zanafilla 40:19-22) A mendon se Perëndia i miratoi këto dy festa? . . . A do të doje të kishe qenë në këto festa? . . .

Çfarë ndodhi në festën e ditëlindjes së Herodit?

E dimë që çdo gjë në Bibël është shkruar me një qëllim të caktuar. Bibla tregon vetëm për dy festa ditëlindjesh. Në të dyja rastet, gjatë festës u bënë gjëra të këqija. Prandaj, si thua, çfarë po na tregon Perëndia lidhur me festat e ditëlindjeve? A dëshiron Perëndia që ne t’i festojmë ditëlindjet? . . .

Është e vërtetë që sot në festa të tilla njerëzit nuk i presin kokën ndokujt. Por puna është se ideja për të festuar ditëlindjet u lindi njerëzve që nuk adhuronin Perëndinë e vërtetë. Për festat e ditëlindjeve që përmenden në Bibël, një libër fetar thotë: «Vetëm mëkatarët . . . gëzohen shumë për ditën në të cilën kanë lindur.» (The Catholic Encyclopedia) A duam ne të jemi si ata? . . .

Po Mësuesi i Madh, a e festoi ditëlindjen e tij? . . . Jo, Bibla nuk thotë asgjë për ndonjë festë ditëlindjeje për Jezuin. Në të vërtetë, dishepujt e hershëm të Jezuit nuk e festonin ditëlindjen e tij. Po përse më vonë njerëzit vendosën që ta festonin ditëlindjen e Jezuit më 25 dhjetor, e di? . . .

Kjo datë u zgjodh sepse, siç thotë një libër, «njerëzit në Romë në këtë datë kishin tashmë festën e Saturnit, pra festonin ditëlindjen e diellit». (The World Book Encyclopedia) Mendo, njerëzit vendosën ta festonin ditëlindjen e Jezuit në një datë kur adhuruesit e perëndive të rreme tashmë kishin një festë të tyren!

Pse nuk ka mundësi që Jezui të ketë lindur në dhjetor, e di? . . . Sepse Bibla thotë që kur lindi Jezui, barinjtë ishin ende në fusha natën. (Luka 2:8-12) Ata nuk do të kishin ndenjur jashtë në dhjetor, që ishte një muaj i ftohtë e me shira.

Pse Jezui s’mund të ketë lindur më 25 dhjetor?

Shumë njerëz e dinë se festa e Krishtlindjeve nuk është ditëlindja e Jezuit. E dinë edhe që atë ditë paganët bënin një festë që nuk i pëlqente Perëndisë. Por prapëseprapë i festojnë Krishtlindjet. Atyre u intereson më shumë të bëjnë festë, sesa të kuptojnë çfarë mendon në të vërtetë Perëndia për këtë festë. Por ne duam t’i pëlqejmë Jehovait, apo jo? . . .

Prandaj, kur bëjmë festa, duam të sigurohemi se ato janë të mira në sytë e Jehovait. Mund të bëjmë festa në çdo kohë gjatë vitit. S’kemi pse të presim ndonjë ditë të veçantë. Mund të hamë ndonjë gjë të mirë që kemi gatuar dhe të kënaqemi duke bërë lojëra të ndryshme. A do të të pëlqente ta bëje këtë? . . . Ndoshta mund të flasësh me prindërit dhe të planifikosh një festë me ndihmën e tyre. Kjo do të ishte zbavitëse, apo jo? . . . Por para se të bësh plane për një festë, duhet të sigurohesh se është diçka e mirë në sytë e Perëndisë.

Si mund të sigurohemi se festat tona i pëlqejnë Perëndisë?

Se sa e rëndësishme është të bëjmë gjithnjë gjëra që Perëndia i miraton tregohet edhe te Proverbat 12:2; Gjoni 8:29; Romakëve 12:2 dhe 1 Gjonit 3:22.