Numrat 20:1-29

20  Tërë asambleja e bijve të Izraelit mbërriti në shkretëtirën e Zinit+ muajin e parë, dhe populli u vendos në Kadesh.+ Atje vdiq dhe u varros Miriami.+  Mirëpo atje nuk kishte ujë për asamblenë,+ dhe ata u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit.+  Populli u grind+ me Moisiun dhe tha: «Më mirë të kishim vdekur kur vdiqën vëllezërit tanë para Jehovait!+  Pse e keni sjellë kongregacionin e Jehovait në këtë shkretëtirë? Që të vdesim ne dhe kafshët tona të barrës?+  Pse na keni sjellë nga Egjipti në këtë vend të keq?+ Në këtë vend nuk mund të mbillet. Nuk ka fiq, hardhi dhe shegë,+ e madje as ujë për të pirë.»  Atëherë Moisiu dhe Aaroni u larguan nga kongregacioni për të vajtur në hyrje të tendës së takimit, u përkulën me fytyrë përdhe+ dhe para tyre u shfaq lavdia e Jehovait.+  Jehovai i tha Moisiut:  «Merr shkopin+ dhe mblidh asamblenë bashkë me Aaronin, vëllanë tënd, dhe para syve të tyre flitini shkrepit që ai të nxjerrë ujë. Nxirrni ujë nga shkrepi dhe jepjani për të pirë asamblesë dhe kafshëve të tyre të barrës.»+  Kështu, Moisiu mori shkopin që ishte përpara Jehovait,+ siç e urdhëroi ai. 10  Pastaj ai dhe Aaroni mblodhën kongregacionin para shkrepit dhe Moisiu tha: «Dëgjoni, tani, o rebelë!+ A të nxjerrim ujë nga ky shkrep për ju?»+ 11  Ndërkaq Moisiu ngriti dorën dhe e goditi shkrepin dy herë me shkop. Nga ai filloi të dilte shumë ujë, dhe asambleja bashkë me kafshët e barrës zunë të pinin.+ 12  Më vonë Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit: «Meqenëse nuk treguat besim tek unë që të më shenjtëronit+ para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta çoni këtë kongregacion në vendin që unë do t’u jap.»+ 13  Këto janë ujërat e Meribës,*+ sepse bijtë e Izraelit u grindën me Jehovain, dhe ai u shenjtërua mes tyre. 14  Më pas, nga Kadeshi, Moisiu i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit+ për t’i thënë: «Kështu thotë yt vëlla, Izraeli:+ ‘Ti i di mirë të gjitha vështirësitë që kemi kaluar.+ 15  Etërit tanë zbritën në Egjipt+ dhe ne qëndruam atje për shumë kohë.+ Mirëpo egjiptianët filluan të na keqtrajtonin ne dhe etërit tanë.+ 16  Në fund i thirrëm Jehovait,+ dhe ai e dëgjoi zërin tonë, dërgoi një engjëll+ dhe na nxori nga Egjipti. Tani ja tek jemi në Kadesh, një qytet në skaj të territorit tënd. 17  Të lutemi, na lër të kalojmë nëpër vendin tënd! Nuk do të kalojmë as nëpër ara, as nëpër vreshta dhe nuk do të pimë ujë nga puset. Do të ecim në rrugën e mbretit+ dhe nuk do të kthehemi as djathtas, as majtas+ gjersa ta kemi kaluar territorin tënd.’» 18  Por Edomi ia ktheu: «Nuk do të kaloni këtej nga unë, përndryshe do t’ju dal para me shpatë.» 19  Bijtë e Izraelit i thanë: «Ne ngjitemi nga rruga kryesore dhe, po qe se ne dhe bagëtia jonë pimë nga uji yt, do të ta paguajmë.+ S’duam gjë tjetër veç të kalojmë përmes më këmbë.»+ 20  Por ai tha: «Jo, nuk do të kaloni.»+ Ndërkaq Edomi+ i doli para me shumë e shumë njerëz dhe me fuqi të madhe. 21  Kështu, Edomi nuk pranoi që Izraeli të kalonte nëpër territorin e vet,+ prandaj Izraeli u largua nga ai.+ 22  Tërë asambleja e bijve të Izraelit u largua nga Kadeshi+ dhe vajti në malin e Horit.+ 23  Pastaj Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit në malin e Horit, pranë kufirit të Edomit: 24  «Aaroni do të bashkohet me popullin e tij+ dhe nuk do të hyjë në vendin që do t’u jap bijve të Izraelit, sepse ju ngritët krye kundër urdhrit tim, në lidhje me ujërat e Meribës.+ 25  Merr Aaronin dhe të birin, Eleazarin, e çoji në malin e Horit. 26  Zhvishja Aaronit rrobat+ dhe vishja të birit, Eleazarit.+ Aaroni do të vdesë atje e do të bashkohet me popullin e tij.»+ 27  Moisiu bëri siç e urdhëroi Jehovai. Para syve të tërë asamblesë ata u ngjitën në malin e Horit. 28  Moisiu ia zhveshi rrobat Aaronit dhe ia veshi të birit, Eleazarit. Pas kësaj, Aaroni vdiq atje në majë të malit,+ kurse Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali. 29  Tërë asambleja pa se Aaroni kishte dhënë frymë, dhe gjithë shtëpia e Izraelit e qau atë për tridhjetë ditë.+

Shënimet

Që do të thotë «grindje; zënkë».