Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Më në fund kam gjetur lirinë e vërtetë.»

«Më në fund kam gjetur lirinë e vërtetë.»
  • LINDUR: 1981

  • VENDI I LINDJES: SHTETET E BASHKUARA

  • MË PARË: BIR PLËNGPRISHËS

E KALUARA IME:

Linda në Maundsvil, një qytet i qetë përgjatë lumit Ohajo në veri të Virxhinias Perëndimore, SHBA. Isha i dyti nga katër fëmijët, tre prej të cilëve ishin djem, prandaj për asnjë moment s’mungonte gjallëria në shtëpinë tonë. Prindërit ishin punëtorë, të ndershëm dhe kishin dashuri për të tjerët. Ndonëse kurrë s’kemi pasur ndonjë pasuri të madhe, gjërat e nevojshme s’na kanë munguar asnjëherë. Si Dëshmitarë të Jehovait, prindërit u përpoqën fort të na i ngulitnin parimet biblike kur ishim të vegjël.

Gjithsesi, gjatë adoleshencës, zemra tashmë kishte filluar të më joshej e të më largohej nga gjërat që kisha mësuar. Dyshoja nëse një jetë e udhëhequr nga parimet biblike mund të ketë kuptim ose të sjellë kënaqësi. Arsyetoja se liria absolute ishte e vetmja mënyrë për t’u ndier vërtet i lumtur. S’kaloi shumë dhe nuk i ndoqa më mbledhjet e krishtere. Në të njëjtën udhë rebelimi u futën edhe vëllai i madh e motra ime. Prindërit bënë çmos të na ndihmonin, por i hodhëm poshtë përpjekjet e tyre.

Nuk e kuptoja fare se e ashtuquajtura liri që dëshiroja, do të më bënte rob të veseve. Një ditë, kur po kthehesha nga shkolla, një shok më ofroi një cigare. E pranova. Që nga ajo ditë, u kam thënë po shumë veseve të tjera shkatërrimtare. Koha kalonte dhe unë kisha filluar të merrja drogë, të pija alkool e të bëja jetë imorale. Vitet pasuese, dalëngadalë nisa të merrja droga më të forta dhe u bëra skllav i shumë prej tyre. Çengelat e veseve më nguleshin thellë e më thellë, kështu që fillova të shisja drogë për të siguruar para.

Sa më shumë përpiqesha ta shpërfillja ndërgjegjen, aq më tepër ajo më sinjalizonte se jeta që po bëja ishte e gabuar. Gjithsesi, e ndieja se dëmi ishte bërë tashmë dhe s’kishte më kthim mbrapa. Pavarësisht se isha i rrethuar nga njerëz nëpër festa dhe koncerte, shpesh ndihesha i vetmuar e i dëshpëruar. Ndonjëherë mendoja sa të mirë e për së mbari ishin prindërit e mi dhe pyesja veten si vallë kisha devijuar kaq shumë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Megjithëse unë i kisha humbur shpresat te vetja, të tjerët s’i kishin humbur. Në vitin 2000, prindërit më ftuan të ndiqja një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. Shkova, edhe pse me ngurrim. U habita që erdhi edhe vëllai me motrën që ishin larguar si unë.

Në kongres m’u kujtua që pikërisht në këtë vend kisha ndjekur një koncert roku rreth një vit më parë. Kontrasti që vërejta, më preku thellë. Në koncert, ambienti ishte i mbushur me mbeturina dhe tym duhani. Shumica e të pranishmëve nuk ishin miqësorë dhe mesazhi që përcillte muzika ishte dëshpëruese. Kurse në kongres, isha i rrethuar nga njerëz vërtet të lumtur, njerëz që më mirëpritën me ngrohtësi, ndonëse s’i kisha parë prej vitesh. Ambienti ishte i pastër dhe mesazhi që përcillej ishte mesazh shprese. Tek shihja ndikimin pozitiv të së vërtetës biblike, pyesja veten pse vallë e kisha hedhur poshtë.—Isaia 48:17, 18.

«Bibla më ka dhënë fuqi të mos përdor e të mos shes më drogë dhe të bëhem një individ i dobishëm për shoqërinë»

Me të mbaruar kongresi, vendosa të kthehesha në kongregacionin e krishterë. Edhe vëllai me motrën vendosën të ktheheshin, të shtyrë nga ajo që kishin përjetuar në kongres. Secili nga ne të tre pranoi të studionte Biblën.

Një varg i Biblës që më preku veçanërisht ishte Jakovi 4:8, i cili thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» Kuptova se duhej ta pastroja jetën, nëse doja t’i afrohesha Perëndisë. Ndër ndryshimet që duhej të bëja, ishin të lija duhanin, drogat dhe pijen.—2 Korintasve 7:1.

I ndërpreva shoqëritë e vjetra dhe i zëvendësova me shoqëri të reja të cilat i gjeta mes adhuruesve të Jehovait. Plaku i krishterë që studioi Biblën me mua, më ndihmoi tej mase. Më merrte rregullisht në telefon dhe kalonte nga unë për të më përshëndetur. Deri sot e kësaj dite, ai është një nga shokët e mi më të ngushtë.

Në pranverën e vitit 2001, e simbolizova kushtimin ndaj Perëndisë duke u pagëzuar në ujë, siç bëri edhe vëllai me motrën. Vetëm ta imagjinosh gëzimin e prindërve e të vëllait të vogël besnik, kur familja jonë më në fund u bashkua në adhurimin e Jehovait.

DOBITË:

Dikur i shihja parimet biblike si tepër kufizuese, por tani i konsideroj si një mbrojtje tejet të çmuar. Bibla më ka dhënë fuqi të mos përdor e të mos shes më drogë dhe të bëhem individ i dobishëm për shoqërinë.

Kam privilegjin të jem pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore me adhurues të Jehovait. Këta njerëz e duan vërtet njëri-tjetrin dhe i shërbejnë të bashkuar Perëndisë. (Gjoni 13:34, 35) Te kjo vëllazëri kam gjetur një bekim tepër të veçantë: gruan time, Adrianën, të cilën e dua dhe e çmoj nga thellësia e zemrës. Gëzohemi tej mase teksa i shërbejmë së bashku Krijuesit.

Në vend që të ndjek një drejtim egoist në jetë, tani vullnetarisht predikoj në kohë të plotë; mësoj njerëzit si të nxjerrin dobi edhe ata nga Fjala e Perëndisë. Kjo vepër më ka sjellë lumturinë më të madhe që mund të ekzistojë. Mund të them me bindje më se të plotë se Bibla më ka ndryshuar jetën. Më në fund kam gjetur lirinë e vërtetë.