Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

 A e dini?

Pse Bibla e lidh adhurimin e perëndisë së rremë, Baalit, me orgjitë seksuale?

Hyjnia kananite Baal në thelb ishte një perëndi i pjellorisë. Adhuruesit e tij besonin se Baali ishte përgjegjës për prodhimtarinë e arave dhe të bagëtisë së tyre. Prandaj, sipas një vepre referimi «aktet seksuale nëpër faltore kishin si qëllim të shtonin pjellorinë e tokës duke e nxitur perëndinë e stuhisë, Baalin, dhe bashkëshorten e tij, Asherahun, që të kryenin marrëdhënie e si rrjedhim të kishte prodhime dhe bagëti me bollëk.»—Manners and Customs in the Bible.

Kananitët besonin se Baali tërhiqej në thellësitë e tokës gjatë stinës së thatë kur mposhtej nga Moti, perëndia i thatësirës dhe i vdekjes. Por, nisja e shirave besohej se shënonte rikthimin e Baalit në fuqi dhe si rrjedhim rikthimin e bimësisë e të jetës me bollëk. Kananitët e festonin këtë stinë me orgji të shfrenuara. Kjo shpjegon përse përkushtimi i izraelitëve ndaj Baalit të Peorit bëri që ata ‘të kurvëroheshin me bijat e Moabit’.—Numrat 25:1-3.

Çfarë donte të thoshte Jezui kur pohoi se skribët dhe farisenjtë u përngjanin «varreve të zbardhura me gëlqere»?

Jezui i dënoi skribët e farisenjtë si hipokritë, dhe u tha: «Ju u përngjani varreve të zbardhura me gëlqere, që duken të bukura nga jashtë, por përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe me çdo lloj ndyrësie.» (Mateu 23:27) Judenjtë e kishin zakon që t’i bënin gurët e varrit të dukshëm duke i lyer me gëlqere nga fundi i stinës së shirave, më 15 adar, një muaj para Pashkës. Në fakt, shirat mund ta fshinin gëlqeren.

Sipas The Jewish Encyclopedia, lyerja e varreve bëhej për të mbrojtur nga ndotja «pelegrinët e shumtë që përshkonin rrugët gjatë festës së Pashkës». Ligji i dokumentuar te Numrat 19:16 thoshte se kushdo që prekte një kufomë, një eshtër njeriu ose një varr, do të ishte i papastër për shtatë ditë. Papastërtia ceremoniale i pengonte izraelitët të merrnin pjesë në aktet e adhurimit të pastër, dhe po ta shkelnin këtë ligj, do të dënoheshin me vdekje. (Levitiku 15:31) Jezui e tha këtë ilustrim vetëm pak ditë para Pashkës; kështu lyerja e përvitshme e varreve me gëlqere duhet të ketë qenë e freskët në mendjen e dëgjuesve. Jezui po theksonte se kundërshtarët e tij fetarë nuk ishin siç dukeshin nga jashtë dhe se kontakti me ta ishte ndotës nga ana frymore.

[Figura në faqen 15]

Stelë prej guri gëlqeror i Baalit të vetëtimës, e shekujve 14 ose 13 p.e.s.

[Burimi]

Musée du Louvre, Paris