Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për jetën familjare

Për jetën familjare

 Çfarë mësojmë nga Jezui

Për jetën familjare

Cila pikëpamje për martesën i bën familjet të lumtura?

Martesa është një lidhje e shenjtë. Kur e pyetën Jezuin nëse lejohej divorci, ai tha: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë. . . . Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mateu 19:4-6, 9) Kur një çift të martuarish ndjekin këshillën e Jezuit dhe i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit, të gjithë në familje ndihen të sigurt dhe të lumtur.

Pse dashuria për Perëndinë i bën familjet të lumtura?

Jezui tha: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.» Po cili është urdhërimi i dytë më i madh? Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd [përfshirë edhe ata që jetojnë me ju—familjen tuaj] si veten.» (Mateu 22:37-39) Pra, çelësi i lumturisë familjare është të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, sepse dashuria për të na shtyn të duam njëri-tjetrin.

 Si mund ta bëjnë të lumtur njëri-tjetrin burrat dhe gratë?

Burrat i bëjnë të lumtura gratë kur ndjekin shembullin e Jezuit. Ai kishte dashuri vetëmohuese për gruan e tij të figurshme, kongregacionin. (Efesianëve 5:25) Jezui tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë.» (Mateu 20:28) Jezui nuk sillej kurrë si diktator ose me ashpërsi me ata që kishte nën kujdesin e tij, por ishte freskues për ta. (Mateu 11:28) Prandaj, burrat duhet ta ushtrojnë autoritetin e tyre në mënyrë dashamirëse që të gjithë në familje të nxjerrin dobi.

Edhe gratë mund të nxjerrin dobi nga shembulli i Jezuit. «Kreu i Krishtit është Perëndia»,—thotë Bibla. Gjithashtu, thotë se «kreu i gruas është burri». (1 Korintasve 11:3) Jezui nuk e konsideronte ulje nënshtrimin ndaj Perëndisë. Ai kishte respekt të thellë për Atin e tij. «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij»,—tha Jezui. (Gjoni 8:29) Një grua që i nënshtrohet kryesisë së burrit nga dashuria dhe respekti për Perëndinë, ndihmon shumë për ta bërë të lumtur familjen e saj.

Ç’mund të mësojnë prindërit nga pikëpamja e Jezuit për fëmijët?

Jezui rrinte me fëmijët dhe interesohej për mendimet e ndjenjat e tyre. Bibla thotë: «Jezui i thirri fëmijët pranë dhe tha: ‘Lërini fëmijët të vijnë tek unë.’» (Luka 18:15, 16) Në një rast, njerëzit i kritikuan disa djem që folën për besimin e tyre te Jezui. Ndërsa ai i lavdëroi këta të rinj, duke iu përgjigjur atyre që i kritikuan: «Nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave të gjirit ke marrë lavdi.’»—Mateu 21:15, 16.

Ç’mund të mësojnë fëmijët nga Jezui?

Jezui u la fëmijëve një shembull të shkëlqyer për sa i përket interesimit për gjërat frymore. Kur ishte 12 vjeç, e gjetën «në tempull, të ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste». Me ç’rezultat? «Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij.» (Luka 2:42, 46, 47) Megjithatë, njohuria nuk e bëri fodull Jezuin. Përkundrazi, ajo e bënte t’i respektonte prindërit e tij. Bibla thotë se ai «vazhdoi t’u nënshtrohej atyre».—Luka 2:51.

Për më shumë informacion, shih kapitullin 14 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? *

[Shënimi]

^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.