Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

 Bibla të ndryshon jetën

Pse një njeri, jeta e të cilit ishin motorët, droga e sporti, zgjodhi të bëhej shërbëtor në kohë të plotë? Ç’e shtyu një bixhozçi profesionist të shkëputej nga kjo varësi e ta mbante familjen me punë të ndershme? Çfarë e nxiti një të re që ishte rritur si Dëshmitare e Jehovait, por i kishte braktisur normat e Biblës, të rishqyrtonte jetën e saj? Lexoni se ç’thonë ata.

TË DHËNA

EMRI: TERENS XH. O BRAJENI

MOSHA: 57 VJEÇ

VENDI I LINDJES: AUSTRALI

MË PARË: PROVOI DROGA TË NDRYSHME, LINTE KOKËN PAS MOTORËVE

E KALUARA IME: Fëmijërinë e kalova në Brisbejn, një qytet i zhurmshëm që është kryeqyteti i Kuinslandit. Familja ishte katolike, por, pasi mbusha tetë vjeç, nuk shkuam më në kishë dhe kurrë nuk flitnim për fenë. Kur isha dhjetë vjeç, familja u transferua në Bregun e Artë, në Australi. Jetonim afër plazhit dhe vitet e adoleshencës i mbusha me not e sërf.

Gjithsesi, nuk kisha një fëmijëri të lumtur. Babai na braktisi kur isha tetë vjeç. Mamaja u martua sërish dhe, në shtëpinë tonë, alkooli e zënkat ishin të përditshme. Një natë, pas një zënke shumë të dhunshme të prindërve, isha ulur në krevat dhe u betova se po të martohesha, nuk do të zihesha kurrë me gruan. Gjithsesi, me gjithë problemet në shtëpi, familja jonë, e përbërë nga gjashtë fëmijë, mamaja dhe njerku, ishte e bashkuar.

Gjatë adoleshencës së vonë, shumë nga moshatarët e mi u rebeluan ndaj autoritetit. Provuan marihuanën, duhanin dhe droga të tjera e pinin alkool me tepri. Edhe unë bëja të njëjtën jetë të shpenguar si ata. Gjithashtu, vdisja t’i jepja motorit. Ndonëse pata disa aksidente të rënda, vazhdoja t’i doja motorët dhe vendosa të përshkoja me motor Australinë.

Edhe pse kisha gjithë atë liri, shpesh ndihesha i dëshpëruar kur mendoja për gjendjen e botës dhe sa të painteresuar ishin  shumica e njerëzve për problemet e njerëzimit. Kisha shumë dëshirë të dija të vërtetën për Perëndinë, fenë dhe kushtet e botës. Por kur pyeta dy priftërinj katolikë, u zhgënjeva nga përgjigjet e tyre. I diskutova të njëjtat argumente me disa pastorë protestantë, por edhe përgjigjet e tyre më zhgënjyen. Pastaj, një shok e rregulloi të takohesha me Edin, një Dëshmitar të Jehovait. U takova katër herë me të dhe çdo herë përdori Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia. Që herën e parë, e kuptova se kisha gjetur diçka të veçantë. Por, atëherë s’e shihja të nevojshme të ndryshoja ndonjë gjë në stilin e jetesës.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në udhëtimin tim përmes Australisë, bëra biseda me një Dëshmitar tjetër, të cilin e takova rrugës. Por, kur u ktheva në Kuinsland, për gjashtë muaj nuk pata asnjë kontakt me Dëshmitarët.

Pastaj, një ditë, ndërsa kthehesha nga puna, pashë dy burra të veshur mirë e me çanta në dorë që po ecnin në rrugë dhe ma mori mendja se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Iu afrova, mora vesh se ishin pikërisht ata dhe pastaj u kërkova të studionin Biblën me mua. Menjëherë nisa të ndiqja mbledhjet që mbanin Dëshmitarët e madje ndoqa edhe një kongres të madh që u mbajt në vitin 1973 në Sidnei. Mirëpo, kur e mori vesh familja, e sidomos mamaja, u mërzitën shumë. Për këtë e për arsye të tjera, i ndërpreva lidhjet me Dëshmitarët. Për një vit, e zura gjithë kohën me pasionin tjetër të madh që kisha, lojën e kriketit.

Por, së fundi, e kuptova se e vetmja kohë kur ndihesha vërtet i lumtur ishte kur studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. I takova sërish dhe nisa të ndiqja mbledhjet. Gjithashtu, ndërpreva shoqërinë me miqtë e mi që drogoheshin.

Ajo që më shtyu në të vërtetë të bëja këto ndryshime ishte çka mësova për personazhin biblik Jobin. Ato kohë diskutoja rregullisht për Biblën me Billin, një Dëshmitar të butë, por të vendosur. Pasi kishim studiuar historinë e Jobit, Billi më pyeti kë tjetër ka akuzuar Satanai se i shërben Perëndisë me gjysmë zemre. (Jobi 2:3-5) I rendita gjithë personazhet biblike që njihja dhe me durim Billi përgjigjej: «Po, po, edhe ata.» Pastaj, më pa drejt e në sy e më tha: «Satanai po thotë të njëjtën gjë edhe për ty!» Gati sa s’rashë nga karrigia. Para atij studimi, e dija se doktrinat që po mësoja ishin të vërteta. Por tani e kuptova pse duhej të veproja në bazë të asaj që po mësoja. Katër muaj më vonë u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

DOBITË: Dridhem kur mendoj si do të ishte jeta ime tani, po të mos kisha mësuar të jetoja sipas normave të Biblës. Ka shumë të ngjarë të isha i vdekur. Shumë nga shokët e mi të dikurshëm vdiqën nga droga ose alkooli. Veç kësaj, martesat e tyre nuk ishin të lumtura. Ma do mendja se edhe jeta ime do të kish qenë njësoj.

Tani jam i martuar dhe bashkë me gruan, Margaretën, shërbejmë me kënaqësi në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. Asnjë pjesëtar tjetër i familjes nuk është bashkuar me mua për të adhuruar  Jehovain. Megjithatë, gjatë viteve, unë dhe Margareta kemi pasur kënaqësinë të studionim Biblën me disa individë e çifte që e kanë transformuar jetën e tyre, njësoj si unë. Ndërkohë, kemi zënë miq të mrekullueshëm. Veç kësaj, Margareta, e cila u rrit si Dëshmitare, më ka ndihmuar të mbaj betimin që bëra rreth 40 vjet më parë. Kemi më shumë se 25 vjet që jetojmë të lumtur bashkë. Jo gjithnjë jemi dakord për çdo gjë, por deri tani s’kemi pasur kurrë një zënkë. Të dy mendojmë se për këtë duhet të falënderojmë Biblën.

TË DHËNA

EMRI: MASAHIRO OKABAJASHI

MOSHA: 39 VJEÇ

VENDI I LINDJES: JAPONI

MË PARË: BIXHOZÇI

E KALUARA IME: U rrita në Ivakura, një vend relativisht i vogël rreth gjysmë ore me tren larg Nagojës. Si nënën, dhe babanë, i kujtoj si njerëz shumë të dashur. Por, më vonë, mora vesh se im atë ishte një jakuza ose gangster, i cili për njëfarë kohe e mbështeti familjen tonë me pesë pjesëtarë duke kryer mashtrime. Pinte rëndshëm çdo ditë dhe vdiq nga cirroza e mëlçisë kur isha 20 vjeç.

Babai ishte korean, kështu që shpesh familja jonë diskriminohej nga të tjerët. Kjo dhe probleme të tjera ma bënë të mjerueshme adoleshencën. Hyra në shkollë të mesme, por e ndiqja me hope dhe e lashë pas një viti. Tashmë isha i skeduar nga policia dhe kjo, bashkë me faktin që isha korean nga babai, ma bëri të vështirë të gjeja punë. Përfundimisht gjeta punë, por dëmtova gjunjët dhe s’mund të bëja punë fizike.

Nisa të fitoja para duke luajtur paçinko, një lloj bixhozi që luhet me një makinë të ngjashme me atë të pinbollit. Në atë kohë bashkëjetoja me një vajzë, e cila donte që unë të gjeja një punë për të qenë e të martoheshim. Mirëpo, nxirrja shumë para me bixhozin dhe s’doja të ndryshoja këtë stil jetese.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Një ditë, më erdhi në shtëpi një Dëshmitar i Jehovait dhe më la librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? S’e kisha menduar ndonjëherë këtë pyetje. Por, pasi lexova librin, pranova të mësoja më shumë për Biblën. Gjithnjë kisha pyetur veten ç’ndodh pas vdekjes. Përgjigjet e qarta që mora nga Bibla për këtë argument e për të tjera, më bënë të ndihesha sikur më kishin rënë luspa nga sytë.

E kuptova se duhej të zbatoja atë që po mësoja nga Bibla. Kështu, bëra celebrimin, lashë duhanin, preva flokët e gjatë që i kisha bërë të verdha dhe rregullova paraqitjen e jashtme. Gjithashtu, lashë bixhozin.

 Asnjë nga këto ndryshime nuk ishte i lehtë. Për shembull, duhanin s’e lija dot me forcat e mia. Por me lutje të zjarrta e duke u mbështetur te Perëndia Jehova, arrita ta lija. Veç kësaj, puna e parë që gjeta pasi lashë lojën e paçinkos ishte vërtet një sfidë për mua. Fitoja gjysmën e parave që më parë merrja nga bixhozi dhe puna ishte e vështirë e stresuese. Një varg biblik që më ndihmoi gjatë asaj kohe të vështirë, ishte Filipianëve 4:6, 7. Aty thuhet: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Ky premtim ka dalë i vërtetë për mua në shumë raste.

DOBITË: Kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, gruas sime nuk i pëlqeu. Por, kur pa ndryshimet e mëdha në sjelljen time, u bashkua me mua në studim dhe nisi të ndiqte edhe ajo mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Tani, që të dy jemi Dëshmitarë të Jehovait. Ç’bekim është t’i shërbejmë Perëndisë së bashku!

Para se të studioja Biblën, mendoja se isha i lumtur. Por, tani e di ç’është lumturia e vërtetë. Jeta sipas normave të Biblës nuk është kurrsesi e lehtë, por jam i sigurt se është mënyra më e mirë e jetesës.

TË DHËNA

EMRI: ELIZABET XHEJN SKOUFILDI

MOSHA: 35 VJEÇE

VENDI I LINDJES: MBRETËRIA E BASHKUAR

MË PARË: JETONTE PËR FUNDJAVËT

E KALUARA IME: U rrita në Hardgejt, një qytezë e vogël pranë Glasgout, Skoci. Kur isha shtatë vjeçe, mamaja, e cila ishte bërë Dëshmitare e Jehovait, nisi të më mësonte për Biblën. Mirëpo, në kohën kur mbusha 17 vjeçe, më interesonte më shumë të dilja me shokët e shoqet e shkollës, të shkonim në klube nate, të dëgjonim muzikë heavy metal e të pinim alkool. Gjëja e fundit që më shkonte ndër mend ishin gjërat fetare. Jetoja për fundjavët. Por, gjithçka ndryshoi në moshën 21 vjeçe.

Shkova të vizitoja disa të afërm në Irlandën e Veriut. Atje pashë një paradë  protestante, të quajtur Orinxh Uok. Urrejtja e thellë dhe qëndrimi luftarak që shprehën për njëri-tjetrin protestantët e katolikët në atë rast, më tronditi. Madje, më solli në vete. M’u kujtuan gjërat që më kishte mësuar mamaja nga Bibla dhe e dija se Perëndia nuk do t’i miratonte kurrë ata që shpërfillin normat e tij të dashura. Pastaj, papritur kuptova se deri në atë kohë isha marrë vetëm me interesat e mia, duke shpërfillur se si donte Perëndia që të jetoja. Vendosa që, kur të kthehesha në shtëpi, në Skoci, të shqyrtoja seriozisht çfarë mëson Bibla.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Herën e parë që shkova përsëri në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait në qytezën time, u ndjeva në siklet dhe nervoze. Por, të gjithë më mikpritën me përzemërsi. Ndërkohë që nisa të zbatoja gjërat që po mësoja nga Bibla, një pjesëtare shumë e dashur e kongregacionit u interesua veçanërisht për mua. Ajo më ndihmoi të ndihesha sërish pjesë e tij. Miqtë me të cilët dilja më parë vazhduan të më ftonin të shkoja në klube nate, por u thashë se doja seriozisht të jetoja sipas normave të Biblës. Pas njëfarë kohe, i shkëputën lidhjet.

Në të kaluarën, Biblën e shihja thjesht si libër me rregulla. Tani, ndryshova qëndrim. Nisa t’i shihja personazhet biblike si njerëz realë që kishin ndjenja e dobësi, njësoj si unë. Edhe ata kishin bërë gabime, por Perëndia Jehova i kishte falur kur ishin penduar sinqerisht. U ndjeva e sigurt se, ndonëse i kisha kthyer shpinën Perëndisë kur isha e re, ai do të më falte e do t’i harronte gabimet e së kaluarës, po të përpiqesha fort t’i pëlqeja.

Edhe sjellja e mamasë më la mbresa të thella. Unë e kisha braktisur Perëndinë, por ajo kurrë s’e braktisi. Shembulli i saj i qëndrueshëm i besnikërisë më bëri të kuptoj se ia vlen t’i shërbesh Jehovait. Kur isha e vogël dhe dilja në predikim me mamanë, s’më pëlqente fare dhe nuk e përfytyroja dot të kaloja orë të tëra duke u predikuar të tjerëve. Kurse tani vendosa të vija në provë premtimin e Jezuit te Mateu 6:31-33. Aty, ai tha: «Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ . . . Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» Pak pasi u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait, e lashë punën tetorëshe, gjeta një punë me orar të shkurtuar dhe fillova shërbimin e plotkohor.

DOBITË: Kur isha më e re dhe jetoja vetëm për fundjavët, nuk ndihesha kurrë e kënaqur. Jeta ime ishte bosh. Tani që jam përfshirë plotësisht në shërbim të Jehovait, provoj një ndjenjë kënaqësie. Jeta ime ka kuptim e qëllim. Tani jam e martuar dhe bashkë me burrin udhëtojmë çdo javë në kongregacione të ndryshme të Dëshmitarëve të Jehovait për t’i inkurajuar. Këtë vepër e shoh si privilegjin më të madh të jetës sime. I jam shumë mirënjohëse Jehovait që më dha një mundësi të dytë.

[Diçitura në faqen 27]

«Që herën e parë, e kuptova se kisha gjetur diçka të veçantë. Por, atëherë s’e shihja të nevojshme të ndryshoja ndonjë gjë në stilin e jetesës»

[Diçitura në faqen 29]

«Duhanin s’e lija dot me forcat e mia. Por me lutje të zjarrta e duke u mbështetur te Perëndia Jehova, arrita ta lija»

[Diçitura në faqen 30]

«Në të kaluarën, Biblën e shihja thjesht si libër me rregulla. Tani, ndryshova qëndrim. Nisa t’i shihja personazhet biblike si njerëz realë që kishin ndjenja e dobësi, njësoj si unë»