Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë Dëshmitarët e Jehovait fe protestante?

A janë Dëshmitarët e Jehovait fe protestante?

 Lexuesit pyesin

A janë Dëshmitarët e Jehovait fe protestante?

Dëshmitarët e Jehovait nuk e konsiderojnë veten fe protestante. Përse jo?

Protestantizmi lindi në Evropë në shekullin e 16-të, si një përpjekje për të reformuar Kishën Katolike të Romës. Për herë të parë, fjala «protestant» u përdor për pasuesit e Martin Luterit në kuvendin që u mbajt në Shpajer, në vitin 1529. Që nga ajo kohë, termi ka përfshirë në përgjithësi të gjithë ata që u përmbahen parimeve dhe synimeve të Reformës. Kështu, një fjalor e përkufizon një protestant si «anëtar i cilitdo prej grupeve të ndryshme kishtare që nuk e pranon autoritetin universal të papës dhe pranon parimet e Reformës se shpëtimi vjen vetëm me anë të besimit, se të gjithë besimtarët janë priftërinj dhe se Bibla është i vetmi burim i së vërtetës së zbuluar».—Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, 11th Edition.

Ndonëse nuk e pranojnë autoritetin universal të papës dhe mbështetin me gjithë zemër Biblën si të vetmin burim të së vërtetës, Dëshmitarët e Jehovait ndryshojnë nga fetë protestante në shumë mënyra domethënëse. Në fakt, The Encyclopedia of Religion thotë se Dëshmitarët e Jehovait «dallohen» nga të tjerët. Shqyrtoni tri mënyra se si janë të ndryshëm.

Së pari, ndonëse fetë protestante hedhin poshtë disa aspekte të fesë katolike, udhëheqësit e Reformës i mbajtën disa dogma katolike, si besimin te Triniteti, ferri dhe pavdekësia e shpirtit. Kurse Dëshmitarët e Jehovait besojnë se ato doktrina jo vetëm që janë në kundërshtim me Biblën, por edhe përcjellin një pikëpamje të shtrembëruar për Perëndinë.—Shih faqet 4-7 të kësaj reviste.

Së dyti, feja që ndjekin Dëshmitarët e Jehovait nuk ka si qëllim të protestojë kundër diçkaje, por të ndikojë për mirë me anë të mësimeve të saj. Ata e marrin seriozisht këshillën e Biblës: «Shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët.» (2 Timoteut 2:24, 25, Diodati i Ri) Qartë, Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin në dritë kontradiktat mes asaj që thotë Bibla dhe asaj që mësojnë shumë grupe fetare. Por, synimi pse e bëjnë këtë, nuk është që të reformojnë organizatat e tjera fetare. Synimi është të ndihmojnë njerëzit e sinqertë të fitojnë njohuri të saktë për Perëndinë e për Fjalën e tij, Biblën. (Kolosianëve 1:9, 10) Kur njerëzit e besimeve të tjera këmbëngulin me forcë në të tyren, Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në debate pa fryt.—2 Timoteut 2:23.

Së treti, ndryshe nga lëvizja protestante, e cila është përçarë në qindra sekte, Dëshmitarët e Jehovait kanë ruajtur një vëllazëri mbarëbotërore të bashkuar. Për sa u përket doktrinave të Biblës, Dëshmitarët e Jehovait në mbi 230 vende ndjekin këshillën e apostullit Pavël, që ‘të flasin në harmoni’. Mes tyre nuk ka përçarje. Përkundrazi, janë vërtet «të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi». (1 Korintasve 1:10) Ata përpiqen që mes tyre ‘të ruajnë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’.—Efesianëve 4:3.