Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai na lë të zgjedhim

Jehovai na lë të zgjedhim

 Afrojuni Perëndisë

Jehovai na lë të zgjedhim

Ligji i përtërirë 30:11-20

«SHPESH kam pasur një frikë të paarsyeshme se mos nuk i qëndroj besnike Jehovait.» Kështu tha një e krishterë që mendonte se përvojat e këqija të fëmijërisë e kishin dënuar për gjithë jetën. A është kështu? A jemi vërtet viktima të pafuqishme të rrethanave? Jo. Perëndia Jehova na ka dhënë dhuratën e vullnetit të lirë, prandaj mund të zgjedhim se si do të jetojmë. Jehovai dëshiron që të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe, në Fjalën e tij, në Bibël, na thotë si ta bëjmë këtë. Shqyrto fjalët e Moisiut, që i gjejmë te Ligji i përtërirë, kapitulli 30.

A është e vështirë të dimë ç’kërkon Perëndia nga ne e pastaj ta zbatojmë? * Moisiu thotë: «Ky urdhërim që po të jap sot, nuk është as tepër i vështirë për ty, as shumë larg teje.» (Vargu 11) Jehovai nuk kërkon të pamundurën. Kërkesat e tij janë të arsyeshme dhe të arritshme. Gjithashtu, janë të lehta për t’i zbuluar. S’kemi pse të ngjitemi «në qiell» ose të shkojmë «matanë detit» për të mësuar ç’pret Perëndia nga ne. (Vargjet 12, 13) Bibla e thotë qartë se si duhet të jetojmë.​—Mikea 6:8.

Gjithsesi, Jehovai nuk na detyron t’i bindemi. Moisiu thotë: «Sot unë të vë përpara jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen.» (Vargu 15) Jemi të lirë të zgjedhim jetën ose vdekjen, të mirën ose të keqen. Mund të vendosim të adhurojmë Perëndinë e t’i bindemi dhe kështu të kemi bekime ose mund të vendosim të mos i bindemi dhe të vuajmë pasojat. Sido që të jetë, zgjedhja na mbetet ne.​—Vargjet 16-18; Galatasve 6:7, 8.

A i intereson Jehovait ç’rrugë zgjedhim? Natyrisht që po! I frymëzuar nga Perëndia, Moisiu tha: «Zgjidhni jetën.» (Vargu 19) Si ta zgjedhim jetën? Moisiu shpjegoi: «Duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të.» (Vargu 20) Kur zhvillojmë dashurinë për Jehovain, do të duam ta dëgjojmë e t’i bindemi dhe të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të, sido që të vijë puna. Në këtë mënyrë, zgjedhim jetën—jetën më të mirë tani, me mundësinë e jetës së përhershme në botën e re që do të sjellë Perëndia.​—2 Pjetrit 3:11-13; 1 Gjonit 5:3.

Fjalët e Moisiut përcjellin një të vërtetë që na ngroh zemrën. Pavarësisht ç’ke provuar në këtë botë të ligë, nuk je viktimë e pashpresë dhe as je i dënuar përjetë. Jehovai të ka dhënë dinjitet duke të dhuruar vullnet të lirë. Po, mund të zgjedhësh ta duash Jehovain, ta dëgjosh e t’i mbetesh besnik. Nëse bën këtë zgjedhje, Jehovai do të t’i bekojë përpjekjet.

Kjo e vërtetë, pra se jemi të lirë të zgjedhim që ta duam Jehovain e t’i shërbejmë, e ngushëlloi gruan që përmendëm në fillim. Ajo thotë: «E dua shumë Jehovain. Nganjëherë e harroj se gjëja më e rëndësishme është që e dua Jehovain. Pra, mund të jem besnike.» Me ndihmën e Jehovait, edhe ti mund të jesh besnik.

[Shënimi]

^ par. 2 Shih artikullin «Afrojuni Perëndisë​—Çfarë kërkon Jehovai nga ne?»Kullën e Rojës, 1 tetor 2009.