Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Banorët indigjenë të Meksikës dëgjojnë lajmin e mirë

Banorët indigjenë të Meksikës dëgjojnë lajmin e mirë

Banorët indigjenë të Meksikës dëgjojnë lajmin e mirë

MË DATËN 10 nëntor 2002, një grup banorësh indigjenë të fisit mikse të Meksikës u mblodh në San-Migel, Ketzaltepek. Ky qytet është në shtetin e bukur jugor të Oaksakës. Grupi po ndiqte një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. Atë mëngjes, pika kulmore e programit ishte një dramë biblike.

Kur nga altoparlantët u dëgjuan fjalët e para të dramës biblike, të pranishmit shtangën të mahnitur. Ata shpërthyen në duartrokitje dhe shumë vetave iu mbushën sytë me lot. Drama ishte në gjuhën mikse! Kur mbaroi, shumë veta shprehën çmueshmërinë e tyre të thellë për këtë bekim të papritur. «Për herën e parë arrita ta kuptoja dramën. Më preku në zemër»,​—u shpreh një grua. «Tani mund të vdes e lumtur, sepse Jehovai më ka dhënë mundësi ta dëgjoj dramën në gjuhën time»,​—tha një grua tjetër.

Ajo që ndodhi atë mëngjes ishte pjesë e një përpjekjeje të fuqishme që bënë Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë, për t’u dhënë banorëve indigjenë lajmin e mirë të Mbretërisë në gjuhën e tyre.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

Jehovai dëgjon lutjet

Në Meksikë ka më shumë se 6.000.000 banorë indigjenë ose vendës, aq sa për të formuar një komb të tyrin, një komb me shumë kultura e ku fliten 62 gjuhë. Pesëmbëdhjetë gjuhë nga këto i flasin më shumë se 100.000 njerëz për secilën. Më shumë se 1.000.000 nga këta banorë indigjenë nuk flasin spanjisht, që është gjuha zyrtare e Meksikës. Por, edhe nëse flasin spanjisht, për shumicën është më e lehtë ta mësojnë të vërtetën biblike në gjuhën e tyre. (Veprat 2:6; 22:2) Disa prej tyre e kanë studiuar Biblën në gjuhë tjetër dhe me besnikëri kanë ndjekur mbledhjet e krishtere për vite të tëra, megjithatë kuptueshmëria e tyre ka qenë e kufizuar. Prandaj ata kanë kohë që luten për ta pasur mesazhin e së vërtetës në gjuhën e tyre amtare.

Për të përballuar këtë detyrë të vështirë, në vitin 1999 zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë bëri disa rregullime për të mbajtur mbledhjet e kongregacionit në gjuhët indigjene. U formuan edhe skuadra përkthimi. Në vitin 2000, drama e kongresit krahinor u paraqit në gjuhën maja e më vonë në disa gjuhë të tjera.

Hapi tjetër ishte të fillonte puna për përkthimin e mjeteve ndihmëse që përdorin Dëshmitarët e Jehovait për studimin biblik. Në fillim u përkthye broshura Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! në gjuhët: huave, maja, masateko, totonako, tzeltale dhe tzotzile. Pas kësaj u përkthyen edhe botime të tjera, përfshirë këtu edhe fletushkën Shërbimi ynë i Mbretërisë që botohet rregullisht në gjuhën maja. Janë bërë edhe regjistrime në audiokasetë të disa botimeve. Për t’u mësuar banorëve indigjenë të lexojnë e të shkruajnë gjuhën e tyre, një broshurë me titull Të mësojmë lexim dhe shkrim po përshtatet për t’u përdorur me ta. Tani botohet literaturë biblike në 15 gjuhë indigjene, por janë duke u përgatitur edhe botime të tjera.

«Po bëjnë çdo përpjekje»

Puna e përkthimit nuk ka qenë e lehtë. Pikësëpari në gjuhët indigjene të Meksikës është botuar shumë pak literaturë jofetare. Në shumë raste ka qenë e vështirë edhe të gjendeshin fjalorë. Pastaj disa gjuhë kanë shumë dialekte. Për shembull vetëm gjuha zapoteke ka të paktën pesë dialekte. Këto dialekte ndryshojnë kaq shumë nga njëri-tjetri, saqë zapotekët që nuk jetojnë në të njëjtën zonë nuk e kuptojnë fare njëri-tjetrin.

Për më tepër, aty ku nuk ka rregulla gjuhësore të vendosura, përkthyesit duhet t’i vendosin vetë. Kjo kërkon shumë kërkime dhe diskutime. Prandaj s’habitemi pse shumë nga përkthyesit fillimisht u ndien si Elida që bën pjesë në skuadrën huave. Ajo sjell ndër mend: «Kur më ftuan në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë për të përkthyer, pata dy ndjesi: gëzim dhe frikë.»

Përkthyesve u duhet të mësojnë edhe kompjuterin, programin dhe metodat e përkthimit. Vërtet, kjo punë ka qenë mjaft e vështirë për ta, por, si ndihen? Gloria, që është në skuadrën maja, përgjigjet: «S’kemi fjalë për të përshkruar gëzimin që ndiejmë, sepse po ndihmojmë për përkthimin e botimeve biblike në gjuhën tonë amtare maja.» Kurse një mbikëqyrës i repartit të përkthimit thotë për përkthyesit: «Dëshira për t’i pasur botimet biblike në gjuhën e tyre është kaq e fortë, saqë po bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të përballuar këtë punë të vështirë.» A ia kanë vlejtur gjithë këto përpjekje?

«O Jehova, faleminderit!»

Bekimi i Jehovait në veprën e predikimit te banorët indigjenë ka qenë i dukshëm. Numri i të pranishmëve në mbledhjet e krishtere dhe në asamble është shumëfishuar. Për shembull, në vitin 2001, të 223 Dëshmitarët që flasin gjuhën mikse u mblodhën për Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Por gjithsej të pranishëm ishin 1.674 veta, pra shtatë herë e gjysmë më shumë sesa numri i Dëshmitarëve.

Disa njerëz që pranojnë të vërtetën, tani mund ta kuptojnë siç duhet atë që nga fillimi. Mirnës i kujtohet çfarë ndodhi me të para se mbledhjet të mbaheshin në gjuhën maja. Ajo thotë: «Vetëm tre muaj pasi fillova studimin e Biblës u pagëzova. E dija se duhej të pagëzohesha, por më duhet ta pranoj se nuk i kuptoja të vërtetat biblike siç duhet. Mendoj se arsyeja është që gjuha ime amtare është maja, dhe spanjishten nuk e kuptoja shumë mirë. M’u desh ca kohë që ta kuptoja plotësisht të vërtetën.» Sot ajo dhe i shoqi bëjnë pjesë në skuadrën e përkthimit të gjuhës maja dhe janë shumë të lumtur për këtë.

Për të gjithë në kongregacione është gëzim i madh që i marrin botimet në gjuhën e tyre. Kur u prezantua broshura e parë e përkthyer në gjuhën tzotzile, Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, një grua që kishte filluar të ndiqte mbledhjet e krishtere e përqafoi broshurën dhe thirri: «O Jehova, faleminderit!» Raportet tregojnë se shumë studentë të Biblës kanë përparuar më shpejt drejt pagëzimit, lajmëtarët joaktivë po aktivizohen përsëri dhe shumë vëllezër të krishterë tani ndihen më të kualifikuar të pranojnë përgjegjësi në kongregacion. Disa pronarë shtëpie janë më të gatshëm ta pranojnë literaturën biblike në gjuhën e tyre dhe ta studiojnë atë.

Në një rast, një Dëshmitare shkoi të drejtonte një studim biblik, por studentja nuk ishte në shtëpi. Kur te dera doli burri i studentes, ajo donte t’i lexonte atij diçka nga një broshurë. «S’dua asgjë»,​—u përgjigj ai. Motra i shpjegoi në gjuhën totonako se broshura ishte në gjuhën e tyre. Me të dëgjuar këtë, burri mori një stol dhe u ul. Ndërsa ajo lexonte, ai thoshte vazhdimisht: «Kjo është e vërtetë, po, është e vërtetë.» Tani ky burrë ndjek mbledhjet e krishtere.

Në shtetin e Jukatanit, burri i një Dëshmitareje e kundërshtonte të vërtetën dhe nganjëherë e rrihte të shoqen kur kthehej nga mbledhjet. Kur mbledhjet filluan të mbaheshin në gjuhën maja, motra vendosi ta ftonte burrin në mbledhje. Ai erdhi dhe i pëlqeu vërtet mbledhja. Tani i ndjek rregullisht mbledhjet, po bën studim biblik dhe, s’ka nevojë ta themi që nuk e rreh më të shoqen.

Një burrë që flet gjuhën totonako u tha dy Dëshmitareve se nuk ishte lutur kurrë, sepse prifti katolik i kishte thënë se Perëndia i dëgjon lutjet vetëm në spanjisht. Madje e paguante priftin që të lutej për ata që flitnin gjuhën totonako. Dëshmitaret i shpjeguan se Perëndia i dëgjon lutjet në çfarëdo gjuhe dhe i dhanë një broshurë në totonako, të cilën e pranoi me gëzim të madh.​—2 Kronikave 6:32, 33; Psalm 65:2.

«Kualtsin taktoua»

Të entuziazmuar nga këto zhvillime, shumë lajmëtarë të Mbretërisë po përpiqen të mësojnë një gjuhë vendëse ose të përmirësojnë njohurinë që kanë për të. Kështu po bën edhe një mbikëqyrës qarkor që u shërben pesë kongregacioneve të gjuhës nahuatl në veri të shtetit të Pueblës. Ai tregon: «Fëmijët që në përgjithësi i zinte gjumi në mbledhje tani janë shumë të vëmendshëm dhe më dëgjojnë kur flas në gjuhën nahuatl. Në fund të një mbledhjeje, m’u afrua një djalë katërvjeçar dhe më tha: ‘Kualtsin taktoua’ (ti flet mirë). Kjo më bëri të ndieja se përpjekjet e mia ia vlenin vërtet.»

Po, territori me gjuhët vendëse është vërtet gati «për korrje», dhe të gjithë ata që predikojnë aty ndihen shumë të inkurajuar. (Gjoni 4:35) Robertoja, i cili punoi për të organizuar skuadrat e përkthimit, e përmbledh gjithçka në këto fjalë: «Ka qenë një përvojë e paharrueshme të shoh lot gëzimi në sytë e vëllezërve dhe të motrave ndërsa e dëgjojnë të vërtetën në gjuhën e tyre amtare dhe kapin kuptimin e saj. Kur mendoj për këtë, më mblidhet një lëmsh në grykë.» Pa dyshim, të ndihmosh këta njerëz të sinqertë të pranojnë Mbretërinë gëzon edhe zemrën e Jehovait.​—Fjalët e urta 27:11.

[Kutia në faqet 10, 11]

Njihuni me disa nga përkthyesit

● «Prindërit ma mësuan të vërtetën që kur isha shumë e vogël. Mjerisht im atë u largua nga kongregacioni i krishterë kur isha 11 vjeçe. Dy vjet më vonë, mamaja na braktisi. Meqë isha më e madhja nga pesë fëmijët, m’u desh t’i merrja unë përsipër përgjegjësitë e mamasë, ndonëse isha ende në shkollë.

Vëllezërit frymorë dhe motrat frymore na mbështetnin me dashuri, por prapë jeta ishte e vështirë. Nganjëherë pyesja veten: ‘Po pse të më ndodhë mua? Jam kaq e re!’ Arrita t’i përballoja gjërat vetëm me ndihmën e Jehovait. Pasi mbarova shkollën e mesme fillova shërbimin në kohë të plotë, dhe kjo më ndihmoi shumë. Kur u formua skuadra e përkthimit në nahuatl, më ftuan të bëja pjesë në të.

Im atë tani është kthyer përsëri në kongregacion dhe vëllezërit e motrat më të vogla po i shërbejnë Jehovait. Ia ka vlejtur vërtet që i qëndrova besnike Jehovait. Ai e ka bekuar shumë familjen time.»​—Alisja.

● «Një shoqe klase që ishte Dëshmitare mbajti një fjalim për origjinën e jetës. Unë s’isha në mësim dhe isha në merak për provimin, prandaj i kërkova të ma shpjegonte temën që trajtoi. Gjithnjë e kisha pyetur veten pse vdesin njerëzit. Kur ajo më dha librin Krijim * dhe më ofroi një studim biblik, e pranova. Më preku thellë qëllimi dhe dashuria e Krijuesit tonë.

Kur mbarova shkollën, m’u ofrua mundësia të bëhesha mësues dygjuhësh në spanjisht dhe tzotzile. Por kjo do të më kishte kërkuar të transferohesha larg, të shkoja nëpër kurse në fundjavë dhe të humbja mbledhjet e krishtere. Prandaj zura punë si murator. Tim eti, që nuk ishte Dëshmitar, s’i pëlqeu fare ky vendim. Më vonë, kur po shërbeja si pionier, u organizua një skuadër për të përkthyer literaturë biblike në gjuhën tzotzile. U nxita të bëja pjesë edhe unë në të.

E kuptoj se vëllezërit dhe motrat ndihen të çmuar dhe me dinjitet kur i kanë botimet në gjuhën e tyre. Kjo është një gjë shumë e kënaqshme. Ndihem shumë i privilegjuar që kam këtë caktim.»​—Umberto.

● «Mamaja na braktisi kur isha gjashtë vjeçe. Në vitet e adoleshencës sime, babai filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait. Një ditë, një motër më propozoi të studionim Biblën bashkë, studim që do të përfshinte këshilla për të rinjtë. Meqë isha adoleshente dhe pa nënë, mendova se kjo ishte pikërisht ajo që më duhej. U pagëzova kur isha 15 vjeçe.

Në vitin 1999, tim atë e vranë disa njerëz të ligj që donin tokën e tij. Kjo më shkatërroi. Rashë në depresion të rëndë dhe mendova se nuk mund të jetoja dot më. Por gjatë kësaj kohe vazhdova t’i lutesha Jehovait për të më dhënë forcë. Mbikëqyrësi udhëtues dhe gruaja e tij më inkurajuan shumë. S’kaloi shumë dhe u bëra pioniere e rregullt.

Një herë vërejta disa njerëz që kishin bërë gjashtë orë rrugë në këmbë vetëm për të dëgjuar një fjalim 20-minutësh në gjuhën totonako, edhe pse pjesa tjetër e mbledhjes ishte në spanjisht dhe nuk e kuptonin. Prandaj u kënaqa shumë kur më ftuan të ndihmoja me përkthimin e botimeve biblike në totonako.

I thosha gjithnjë babait se ëndërroja të shërbeja në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait. Ai më thoshte se s’do të ishte e lehtë për një vajzë beqare në moshën time. Sa i kënaqur do të jetë kur të ringjallet dhe të marrë vesh se e realizova këtë ëndërr dhe ndihmova për të përkthyer literaturë biblike në gjuhën tonë!»​—Editi.

[Shënimi]

^ par. 28 Jeta: Si erdhi këtu? Me evolucion apo me krijim?, botuar në vitin 1995 në shqip nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 9]

Pjesëtarë të skuadrës së përkthimit të gjuhës tzotzile diskutojnë rreth një fjale të vështirë për t’u përkthyer