Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku të gjejmë një zgjidhje të përhershme për varfërinë?

Ku të gjejmë një zgjidhje të përhershme për varfërinë?

Ku të gjejmë një zgjidhje të përhershme për varfërinë?

PAVARËSISHT se raportet për varfërinë nga e gjithë bota janë negative, ka nga ata që mbeten optimistë se mund të bëhet diçka konkrete. Për shembull, sipas një titulli në gazetën Manila Bulletin, Banka Aziatike e Zhvillimit raportonte se «Azia mund ta çrrënjosë varfërinë brenda 25 vjetëve». Banka rekomandonte rritjen ekonomike si një mënyrë për t’i shpëtuar njerëzit nga varfëria e thellë.

Organizata të tjera dhe qeveri të ndryshme kanë nxjerrë një listë të gjatë me sugjerime dhe plane, në përpjekje për të zgjidhur problemin. Midis tyre janë: programet e sigurimeve shoqërore, arsimimi i përmirësuar, falja e borxheve që kombet në zhvillim u detyrohen kombeve të industrializuara, heqja e pengesave të importit në mënyrë që kombet me një përqindje të lartë njerëzish të varfër të mund t’i shesin produktet e tyre më lehtë si dhe sigurimi i strehimit për të varfërit me mbështetjen e fondeve shtetërore.

Në vitin 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi disa synime për t’u arritur përpara vitit 2015. Këto përfshinin zhdukjen e varfërisë dhe të urisë së skajshme, si edhe të pabarazisë së theksuar të të ardhurave brenda një vendi. Sado fisnike që mund të jenë këto synime, shumë veta dyshojnë se ato mund të arrihen në këtë botë të përçarë.

Hapa praktikë për të përballuar varfërinë

Meqenëse shpresat për përparim të vërtetë në shkallë mbarëbotërore janë të pakta, ku mund të drejtohet për ndihmë një person? Siç u përmend më parë, ka një burim mençurie praktike që mund t’i ndihmojë njerëzit që tani. Cili është ai burim? Është Fjala e Perëndisë, Bibla.

Çfarë e bën Biblën që të jetë e ndryshme nga burimet e tjera të informacioneve? Ajo rrjedh nga autoriteti më i lartë, nga Krijuesi ynë. Ai ka vendosur në faqet e saj margaritarë mençurie, domethënë parime praktike që zbatohen për të gjithë njerëzit, në të gjitha vendet dhe në çdo kohë. Këto parime në qoftë se zbatohen mund t’i ndihmojnë të varfërit që të gëzojnë një jetë më të kënaqshme madje edhe tani. Le të shohim disa shembuj.

Të kemi pikëpamjen e duhur për paratë. Bibla thotë: «Mençuria është mbrojtje, njëlloj siç është mbrojtje paraja; por përfitimi i njohurisë është se mençuria i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» (Eklisiastiu 7:12, BR) Cili është kuptimi i këtij shkrimi? Paraja nuk është gjithçka. Sigurisht që na jep njëfarë sigurie. Na jep mundësi të blejmë disa gjëra që na nevojiten, por duke pasur para nuk jemi të pakufizuar. Ka gjëra me vlerë më të madhe që nuk mund të blihen me para. Pranimi i këtij fakti do të na ndihmojë që të kemi pikëpamjen e duhur për gjërat materiale dhe si rrjedhim nuk do të provojmë zhgënjim si ata persona jeta e të cilëve vërtitet rreth grumbullimit të parave. Jeta nuk mund të blihet me para, por nëse veprojmë me mençuri mund ta mbrojmë jetën tani e madje edhe të kemi mundësinë e jetës së pafundme.

Të jetojmë sipas asaj që kemi. Ajo që dëshirojmë nuk është medoemos ajo për të cilën kemi nevojë. Përparësi u duhet dhënë nevojave tona. Mund ta bindim lehtë veten se kemi nevojë për diçka, kur në të vërtetë është një dëshirë dhe jo një nevojë. Njeriu i mençur do t’i përdorë paratë që ka fituar së pari për nevojat më të ngutshme, si: ushqimi, veshja, strehimi e kështu me radhë. Pastaj, përpara se t’i shpenzojë për çfarëdo gjëje tjetër, do të vendosë nëse paratë e mbetura mjaftojnë për atë gjë. Në një nga ilustrimet e tij Jezui këshilloi që çdo individ ‘të ulet më parë e të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm’.​—Luka 14:28.

Eufrosina është një prind i vetëm nga Filipinet e cila ka tri fëmijë. Që kur burri e la para disa vjetësh, për të ka qenë një sfidë që të sigurojë mjetet e jetesës dhe t’i përdorë me kursim paratë. Ndërsa vepron kështu i ka stërvitur fëmijët që të kuptojnë se cilave gjëra u duhet dhënë përparësi në shpenzimin e parave. Për shembull, fëmijët mund të shohin diçka që u pëlqen. Në vend që vetëm sa t’u thotë jo fëmijëve, ajo arsyeton me ta duke u thënë: «Mirë mund ta blini nëse ju pëlqen, por më parë duhet të vendosni. Kemi para vetëm për një gjë. Mund të blejmë ose atë gjë që ju pëlqen, ose pak mish a perime për t’i ngrënë me oriz gjatë javës. Çfarë ju pëlqen? Vendosni.» Zakonisht fëmijët e kuptojnë menjëherë dhe e pranojnë se do t’u pëlqente të blinin ushqime sesa ndonjë gjë tjetër.

Të jemi të kënaqur. «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq»,​—thotë një parim tjetër i Biblës. (1 Timoteut 6:8) Paratë në vetvete nuk sjellin lumturi. Shumë të pasur nuk janë të lumtur, kurse shumë të varfër janë vërtet të lumtur. Këta të fundit kanë mësuar të kënaqen me gjërat e thjeshta që nevojiten në jetë. Jezui tha që të kemi ‘një sy të thjeshtë’ që është i përqendruar në gjërat më të rëndësishme. (Mateu 6:22) Kjo e ndihmon një individ që të jetë i kënaqur. Shumë të varfër ndihen mjaft të kënaqur, sepse kanë kultivuar një marrëdhënie të mirë me Perëndinë dhe kanë një jetë të lumtur familjare ​—gjëra që nuk mund të blihen me para.

Këta janë vetëm disa shembuj të këshillave praktike të Biblës që mund t’i ndihmojnë ata që janë të varfër të përballojnë gjendjen e tyre. Ka edhe shumë këshilla të tjera. Për shembull, të shmangim vese të tilla, si duhani dhe bixhozi, të cilat i çojnë dëm paratë; të kuptojmë se cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetë, sidomos synimet frymore; atje ku punësimi është i kufizuar, të përpiqemi të ofrojmë aftësi dhe shërbime për të cilat kanë nevojë njerëzit. (Fjalët e urta 22:29; 23:21; Filipianëve 1:9-11) Bibla këshillon zbatimin e ‘një mençurie të tillë praktike dhe aftësie për të menduar’, sepse ‘ato do të jenë jetë për shpirtin tonë’.​—Proverbat 3:21, 22, BR.

Megjithëse këshillat e Biblës mund t’u sjellin njëfarë lehtësimi atyre që luftojnë me varfërinë, mbeten ende disa pyetje për të ardhmen. A janë të dënuar të varfërit që të mbeten përgjithmonë nën kthetrat e varfërisë? A do të zhduken ndonjëherë pabarazitë ndërmjet njerëzve shumë të pasur dhe atyre tejet të varfër? Le të shqyrtojmë një zgjidhje për të cilën shumë veta nuk janë të vetëdijshëm.

Bibla jep arsye për të pasur shpresë

Shumë e pranojnë se Bibla është një libër i mirë. Por shpesh nuk e dinë se ajo jep të dhëna specifike që tregojnë për ndryshime të mëdha që do të ndodhin së shpejti.

Perëndia ka si qëllim të ndërmarrë veprime për të zgjidhur problemet e njerëzimit, përfshirë edhe varfërinë. Meqenëse qeveritë njerëzore kanë treguar se as nuk janë në gjendje dhe as nuk janë të gatshme për t’i zgjidhur problemet e njerëzimit, Perëndia ka si qëllim që t’i zëvendësojë ato. Si? Bibla thotë qartë te Danieli 2:44: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»

Pasi t’i ketë hequr këto «mbretëri», ose qeveri, Sundimtari i emëruar nga vetë Perëndia do të veprojë. Ky Sundimtar nuk është një njeri, por një qenie e fuqishme qiellore si Perëndia, i cili ka aftësinë për të bërë ndryshimet rrënjësore që nevojiten për të zhdukur pabarazitë e tanishme. Perëndia ka zgjedhur vetë Birin e tij për ta bërë këtë. (Veprat 17:31) Psalmi 72:12-14 përshkruan se çfarë do të bëjë ky Sundimtar, duke thënë: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.» (BR) Çfarë perspektive e mrekullueshme! Më në fund do të ketë lehtësim! Sundimtari i emëruar nga Perëndia do të veprojë në dobi të të varfërve dhe të të përvuajturve.

Në atë kohë problemet e shumta lidhur me varfërinë, do të zgjidhen. Vargu 16 i Psalmit 72 thotë: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve.» Nuk do të ketë më mungesa ushqimesh si pasojë e zive të bukës, të mospasjes së parave ose të administrimit të gabuar.

Do të zgjidhen edhe probleme të tjera. Për shembull, sot një përqindje e lartë e banorëve të tokës nuk kanë një shtëpi të tyren. Por Perëndia premton: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.» (Isaia 65:21, 22) Secili do të ketë shtëpinë e tij dhe do të gëzojë punën e tij. Kështu Perëndia premton një zgjidhje të përgjithshme dhe të përhershme për varfërinë. Nuk do të ketë më hendeqe të thella mes të pasurve e të varfërve, nuk do të ketë më njerëz që mezi e sigurojnë jetesën.

Kur i dëgjon për herë të parë këto premtime biblike, dikush mund të mendojë se nuk janë realiste. Por një shqyrtim më nga afër i Biblës tregon se të gjitha premtimet e Perëndisë në të kaluarën kanë dalë të vërteta. (Isaia 55:11) Prandaj nuk bëhet fjalë nëse do të ndodhë. Përkundrazi çështja në thelb është: çfarë duhet të bësh që të nxjerrësh dobi kur kjo të ndodhë?

A do të jesh atje?

Meqenëse qeveria është e Perëndisë, duhet të jemi ata lloj njerëzish që Perëndia do t’i pranojë si nënshtetas nën sundimin e asaj qeverie. Ai nuk na ka lënë në errësirë se si të kualifikohemi si të tillë. Udhëzimet jepen qartë në Bibël.

Sundimtari i emëruar, Biri i Perëndisë, është i drejtë. (Isaia 11:3-5) Prandaj, ata që do të pranohen për të jetuar nën këtë qeveri do të duhet që të jenë gjithashtu të drejtë. Në Fjalët e urta 2:21, 22, thuhet: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»

A ka ndonjë mënyrë për të mësuar se si të përmbushen këto kërkesa? Po, ka. Duke studiuar Biblën dhe duke zbatuar udhëzimet e saj, mund të gëzosh këtë të ardhme të mrekullueshme. (Gjoni 17:3) Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të ndihmojnë të bësh këtë studim. Të ftojmë të përfitosh nga mundësia që të bësh pjesë në një shoqëri ku nuk do të ketë më kurrë as varfëri dhe as padrejtësi.

[Figura në faqen 5]

Eufrosina: «Përdorimi me kursim i parave na ndihmon si familje që të kemi atë që na nevojitet»

[Figurat në faqen 6]

Nuk mund të blihen me para një marrëdhënie e mirë me Perëndinë dhe një jetë e lumtur familjare