Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rritësh fëmijët në një vend të huaj: Vështirësitë dhe shpërblimet

Të rritësh fëmijët në një vend të huaj: Vështirësitë dhe shpërblimet

Të rritësh fëmijët në një vend të huaj: Vështirësitë dhe shpërblimet

MILIONA njerëz emigrojnë me shpresa për të nisur një jetë të re në një vend të ri. Në Evropë tani strehohen më shumë se 20 milionë emigrantë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës banojnë më tepër se 26 milionë njerëz që kanë lindur në një vend tjetër, kurse më shumë se 21 për qind e popullsisë së përgjithshme të Australisë ka lindur në vende të tjera. Shpesh këto familje emigrantësh duhet të përpiqen fort për të mësuar një gjuhë të re dhe duhet të përshtaten me një kulturë të re.

Zakonisht, fëmijët mësojnë shpejt gjuhën e vendit të ri dhe fillojnë të mendojnë në gjuhën e re. Prindërve mund t’ju duhet më shumë kohë. Ndërsa fëmijët rriten në një vend që është i huaj për prindërit, vështirësitë e gjuhës mund të krijojnë një hendek komunikimi i cili nuk kapërcehet lehtë.

Gjuha e re ndikon në mënyrën e të menduarit të fëmijëve, por kultura e vendit të ri mund të ndikojë edhe në mënyrën se si ndihen. Prindërit mund ta kenë të vështirë t’i kuptojnë reagimet e fëmijëve. Prandaj, prindërit emigrantë që po përpiqen të rritin fëmijët në «disiplinën dhe normën mendore të Jehovait», hasin vështirësi të pazakonta.​—Efesianëve 6:4.

Vështirësia për të arritur mendjen dhe zemrën

Prindërit e krishterë kanë dëshirën dhe përgjegjësinë për t’u mësuar fëmijëve ‘gjuhën e kulluar’ të së vërtetës së Biblës. (Sofonia 3:9, BR) Megjithatë, si mund ta ngulitin ligjin e Jehovait në zemrën e fëmijëve nëse fëmijët kanë vetëm një njohuri të kufizuar të gjuhës së prindërve? Gjithashtu, si mund ta bëjnë këtë prindërit nëse nuk janë në gjendje të shprehen në mënyrë të kuptueshme në gjuhën e huaj me të cilën fëmijët janë mësuar të flasin? (Ligji i përtërirë 6:7) Fëmijët mund të kuptojnë fjalët që flasin prindërit, por nëse ajo që thuhet nuk arrin zemrën, ata mund të bëhen të huaj në vetë shtëpinë e tyre.

Pedroja dhe Sandra u transferuan nga Amerika Jugore në Australi dhe po hasin këtë vështirësi, ndërsa po rritin dy djemtë adoleshentë. * Pedroja thotë: «Kur je duke folur për gjëra frymore, përfshihet zemra dhe emocionet. Duhen shprehur mendimet më të thella dhe më domethënëse, prandaj është e nevojshme të kesh një fjalor më të pasur.» Sandra shton: «Nëse fëmijët nuk e kuptojnë plotësisht gjuhën tonë amtare, atëherë kjo mund të ndikojë për keq në jetën e tyre frymore. Ata mund ta humbasin kuptueshmërinë e thellë të së vërtetës, duke mos e kapur parimin që gjendet pas asaj që po mësojnë. Mund të pengohet aftësia e tyre dalluese, dhe kjo mund të ndikojë për keq në marrëdhënien e tyre me Jehovain.»

Njanapirakasami dhe Helena emigruan nga Sri-Lanka në Gjermani dhe tani kanë dy fëmijë. Ata pranojnë: «Mendojmë se është shumë e rëndësishme që fëmijët të flasin edhe gjuhën tonë amtare, ndërsa mësojnë gjermanishten. Është e rëndësishme të jenë në gjendje të komunikojnë me ne për emocionet e tyre, të na hapin zemrën.»

Migueli dhe Karmena, të cilët emigruan nga Uruguai në Australi, thonë: «Prindërit që ndodhen në të njëjtën rrethanë si ne duhet të bëjnë shumë përpjekje. Duhet ose të mësojnë gjuhën e re kaq mirë, sa mund t’i kuptojnë dhe t’i shpjegojnë gjërat frymore në atë gjuhë, ose t’i mësojnë fëmijët në mënyrë që ta zotërojnë shumë mirë gjuhën e prindërve.»

Një vendim familjar

Gjëja kryesore për shëndetin frymor të çdo familjeje emigrantësh është të vendosin se çfarë gjuhe do të përdorë familja ‘për t’u mësuar nga Jehovai’. (Isaia 54:13, BR) Nëse ndodhet pranë një kongregacioni ku flitet gjuha amtare e familjes, familja mund të zgjedhë të shkojë në këtë kongregacion. Nga ana tjetër mund të zgjedhin të shkojnë në një kongregacion ku flitet gjuha kryesore e vendit në të cilin kanë emigruar. Cilët faktorë do të ndikojnë në këtë vendim?

Dhimitri dhe Patrula, të cilët emigruan nga Qipro në Angli dhe rritën atje pesë fëmijë, shpjegojnë se çfarë ndikoi në vendimin e tyre: «Në fillim, familja jonë shkonte në kongregacionin greqishtfolës. Megjithëse kjo gjë na ndihmoi shumë neve, ajo ishte një pengesë për zhvillimin frymor të fëmijëve. Edhe pse kishin kuptueshmëri bazë të gjuhës greke, kishin vështirësi për gjërat më të thella me natyrë frymore. Kjo u bë e dukshme nga zhvillimi i tyre frymor relativisht i ngadaltë. U transferuam si familje në kongregacionin anglishtfolës dhe rezultatet e mira te fëmijët qenë pothuaj të menjëhershme. Ata janë forcuar nga ana frymore. Vendimi për t’u transferuar nuk qe i lehtë, por në rastin tonë, doli se ishte një vendim i mençur.»

Gjithsesi familja i ruajti lidhjet me gjuhën amtare dhe korri bekime të bollshme. Fëmijët e tyre thonë: «Është diçka e dobishme të dish më shumë se një gjuhë. Ndonëse anglishtja është gjuha jonë e parë, kemi vërejtur që njohuria për greqishten ka bërë të mundur të kemi marrëdhënie të forta e të ngushta familjare, veçanërisht me gjyshërit. Gjithashtu, na ka bërë më empatikë ndaj emigrantëve dhe na dha sigurinë se mund të mësonim një gjuhë tjetër. Prandaj, kur u rritëm, familja jonë u transferua për të ndihmuar një kongregacion shqipfolës.»

Edhe Kristofori e Margarita u transferuan nga Qipro në Angli dhe rritën tre fëmijë atje. Ata zgjodhën të shkonin në kongregacionin greqishtfolës. Djali i tyre, Nikoja, i cili tani shërben si plak në një kongregacion greqishtfolës, kujton: «U inkurajuam që të merrnim pjesë në kongregacionin e sapoformuar greqishtfolës. Familja jonë e shihte këtë si një caktim teokratik.»

Margarita thekson: «Kur dy djemtë ishin në moshën shtatë dhe tetë vjeç, u regjistruan në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Si prindër, ishim paksa të shqetësuar për kuptueshmërinë e tyre të kufizuar të greqishtes. Megjithatë, çdo caktim shihej si projekt familjar dhe kalonim shumë orë duke i ndihmuar që të përgatitnin fjalimet.»

Vajza e tyre, Joana, thotë: «Më kujtohet kur babi na mësonte greqisht duke shkruar alfabetin mbi një dërrasë të zezë në shtëpi dhe ne duhet ta mësonin atë të gjithë. Shumë njerëz kalojnë vite duke studiuar një gjuhë, por me ndihmën e mamit dhe të babit, mësuam greqisht pa harxhuar shumë kohë.»

Disa familje shkojnë në një kongregacion ku flitet gjuha e tyre, sepse prindërit mendojnë se për të zhvilluar «kuptueshmëri frymore» dhe për të bërë përparim, duhet të mësohen në gjuhën amtare. (Kolosianëve 1:9, 10; 1 Timoteut 4:13, 15) Ose familja mund t’i konsiderojë aftësitë gjuhësore si mjete të dobishme për të ndihmuar emigrantë të tjerë të mësojnë të vërtetën.

Nga ana tjetër, një familje mund të mendojë se është në interesin e tyre më të mirë të shkojnë në një kongregacion ku flitet gjuha mbizotëruese e vendit në të cilin kanë emigruar. (Filipianëve 2:4; 1 Timoteut 3:5) Pasi ta ketë shqyrtuar rrethanën me familjen, kreu i familjes duhet ta marrë vendimin nën drejtimin e lutjes. (Romakëve 14:4; 1 Korintasve 11:3; Filipianëve 4:6, 7) Çfarë sugjerimesh mund t’i ndihmojnë këto familje?

Disa sugjerime praktike

Pedroja dhe Sandra, të përmendur më parë, thonë: «Në shtëpi kemi një rregull për të folur vetëm spanjisht për t’u siguruar që të mos harrojmë gjuhën amtare. Është e vështirë për t’iu përmbajtur, sepse djemtë e dinë se ne kuptojmë anglisht. Por po të mos i përmbaheshim këtij rregulli, shumë shpejt mund ta harronin spanjishten.»

Migueli dhe Karmena, edhe këta të përmendur më lart, japin këtë këshillë: «Nëse prindërit drejtojnë një studim të rregullt familjar dhe çdo ditë e trajtojnë shkrimin e ditës në gjuhën amtare, atëherë fëmijët do të mësojnë më shumë se vetëm njohuritë kryesore të gjuhës; do të mësojnë të shprehin në atë gjuhë ide frymore.»

Gjithashtu Migueli jep këtë sugjerim: «Bëjeni të këndshme veprën e dhënies së dëshmisë. Territori ynë përfshin një pjesë të gjerë të një qyteti të madh dhe shumë kohë harxhohet duke udhëtuar me makinë për të gjetur njerëzit që flasin gjuhën tonë. E përdorim këtë kohë për të bërë lojëra biblike dhe për të folur për gjëra të rëndësishme. Përpiqem t’i planifikoj udhëtimet për dhënien e dëshmisë në atë mënyrë që të bëjmë disa rivizita frytdhënëse. Si rrjedhim, në fund të ditës, fëmijët janë përfshirë të paktën në një bisedë domethënëse.»

Të përballoni ndryshimet kulturore

Fjala e Perëndisë i inkurajon të rinjtë: «Dëgjo, o biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.» (Proverbat 1:8, BR) Sidoqoftë, mund të lindin vështirësi kur normat e disiplinës së babait dhe ‘ligji’ i nënës ndikohen nga një kulturë e cila është e ndryshme nga kultura që i rrethon fëmijët.

Sigurisht, çdo kryefamiljar duhet të vendosë se si do të drejtojë shtëpinë e vet dhe nuk duhet të ndikohet së tepërmi nga familjet e tjera. (Galatasve 6:4, 5) Megjithatë, komunikimi i mirë midis prindërve dhe fëmijëve mund t’ua bëjë më të lehtë prindërve t’i pranojnë zakonet e reja.

Gjithsesi, shumë zakone ose praktika mbizotëruese në vendet e zhvilluara janë të dëmshme për shëndetin frymor të të krishterëve. Imoraliteti seksual, lakmia dhe rebelimi shpesh nxiten nëpërmjet muzikës dhe zbavitjeve të përhapura. (Romakëve 1:26-32) Prindërit e krishterë nuk mund të heqin dorë nga përgjegjësia për të kontrolluar se çfarë muzike ose zbavitjeje zgjedhin fëmijët, vetëm sepse kanë vështirësi që të kuptojnë gjuhën. Ata duhet të japin udhëzime të prera. Sidoqoftë kjo mund të paraqesë vështirësi.

Karmena thotë: «Shpesh nuk i kuptojmë fjalët e këngëve që dëgjojnë fëmijët tanë. Melodia mund të tingëllojë si e pranueshme, por nuk e dimë nëse fjalët kanë dy kuptime ose zhargone të cilat janë imorale.» Si e kanë përballuar këtë situatë? Migueli thotë: «Kalojmë shumë kohë duke i mësuar fëmijët për rreziqet e muzikës imorale dhe përpiqemi t’i ndihmojmë që të zgjedhin atë lloj muzike që do të miratohej nga Jehovai.» Po, për të përballuar ndryshimet kulturore nevojiten vigjilencë dhe arsyetueshmëri.​—Ligji i përtërirë 11:18, 19; Filipianëve 4:5.

Të korrni shpërblimet

Të rritësh fëmijët në vend të huaj kërkon kohë dhe përpjekje më tepër se zakonisht. Kjo nuk diskutohet. Por si prindërit, edhe fëmijët, mund të korrin më tepër shpërblime për përpjekjet e tyre.

Azemi dhe gruaja e tij, Sara, emigruan nga Turqia në Gjermani, ku rritën tri djem. Djali i madh tani shërben në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Zelters të Gjermanisë. Azemi thotë: «Një dobi e madhe për fëmijët është se mund të zhvillojnë cilësi të cilat janë thelbësore në të dyja kulturat.»

Antonioja dhe Lutonadia u transferuan nga Angola në Gjermani dhe po rritin atje nëntë fëmijë. Familja flet gjuhët lingale, frënge dhe gjermane. Antonioja thotë: «Aftësia për të folur në gjuhë të ndryshme e ndihmon familjen tonë që t’u dëshmojë njerëzve nga shumë vende të ndryshme. Kjo na sjell vërtet kënaqësi të madhe.»

Dy fëmijët e një çifti japonez, i cili u transferua në Angli, mendojnë se nxjerrin shumë dobi nga fakti që dinë si japonisht, edhe anglisht. Këta të rinj thonë: «Fakti që dimë dy gjuhë na ndihmon të gjejmë punë. Kemi nxjerrë dobi nga kongreset e mëdha në gjuhën angleze. Në të njëjtën kohë, kemi privilegjin të shërbejmë në një kongregacion ku flitet japonisht, në të cilin nevoja është shumë e madhe.»

Mund t’ia dilni mbanë

Për një individ të rritë fëmijë, kur jeton në mes të njerëzve që nuk kanë të njëjtat vlera kulturore me të, është diçka e vështirë që shërbëtorët e Perëndisë e kanë hasur që në kohët biblike. Prindërit e Moisiut ia dolën mbanë, edhe pse u rrit në Egjipt. (Eksodi 2:9, 10) Shumë judenj të mërguar në Babiloni rritën fëmijë të cilët ishin të gatshëm të ktheheshin në Jerusalem për të rivendosur adhurimin e vërtetë.​—Ezdra 2:1, 2, 64-70.

Ngjashëm sot, prindërit e krishterë mund t’ia dalin mbanë. Ata mund të kenë si shpërblim të dëgjojnë fëmijët e tyre të thonë atë që dëgjoi një çift nga fëmijët e tij: «Jemi një familje shumë e lidhur për shkak të kujdesit të dashur të babit dhe të mamit, me të cilët kemi pasur gjithmonë komunikim të mirë. Jemi të lumtur të bëjmë pjesë në familjen mbarëbotërore që po i shërben Jehovait.»

[Shënimi]

^ par. 7 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 24]

Duke folur në shtëpi vetëm në gjuhën amtare u jepni fëmijëve njohurinë bazë të kësaj gjuhe

[Figura në faqen 24]

Një gjuhë e njëjtë ruan lidhjet midis gjyshërve dhe nipërve

[Figura në faqen 25]

Duke studiuar Biblën me fëmijët zhvilloni ‘kuptueshmërinë e tyre frymore’