Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Punojnë në «arë» para korrjes

Punojnë në «arë» para korrjes

Punojnë në «arë» para korrjes

DISHEPUJT e Mësuesit të Madh ishin të hutuar. Jezui sapo kishte thënë një tregim të shkurtër për grurin dhe egjrat. Kjo ishte një nga shëmbëlltyrat që kishte treguar atë ditë. Kur ai mbaroi së foluri, shumica e auditorit u largua. Por ithtarët e tij e dinin se shëmbëlltyrat duhej të kishin një domethënie të veçantë, e, në veçanti, ajo për grurin dhe egjrat. E dinin se Jezui nuk ishte vetëm një tregimtar interesant.

Mateu raporton pyetjen që bënë ata: «Na shpjego ilustrimin e egjrave në arë.» Duke u përgjigjur, Jezui e interpretoi shëmbëlltyrën, duke parathënë një apostazi të madhe që do të zhvillohej mes atyre që deklaronin se ishin dishepujt e tij. (Mateu 13:24-30, 36-38, 43) Kjo ndodhi vërtet dhe apostazia u përhap me të shpejtë pas vdekjes së apostullit Gjon. (Veprat 20:29, 30; 2 Selanikasve 2:6-12) Efektet e saj u përhapën kaq shumë, saqë pyetja që bëri Jezui, të cilën e gjejmë të dokumentuar te Luka 18:8, u duk më se e përshtatshme: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vërtet besim në tokë?»

Mbërritja e Jezuit do të shënonte fillimin e «korrjes» së të krishterëve ngjashëm grurit. Kjo do të ishte një shenjë e ‘përfundimit të sistemit’, që filloi në vitin 1914. Prandaj, nuk duhet të na habitë fakti që pati një ngjallje interesi për të vërtetën biblike në periudhën që i parapriu fillimit të korrjes.​—Mateu 13:39.

Një shqyrtim i dokumentimit historik e bën të qartë se veçanërisht nga shekulli i 15-të e më tej, pati mendje që po zgjoheshin, madje, edhe ndër masat e njerëzve në të ashtuquajturin krishterim, të cilët ishin si «egjrat» ose të krishterë të rremë. Dora-dorës që u bë e lehtë të kishe një Bibël dhe u përgatitën tregues biblikë, njerëzit me zemër të ndershme filluan t’i shqyrtonin me kujdes Shkrimet.

Drita ndriçon

Një ndër këta njerëz, në fillim të shekullit të 19-të, ishte Henri Gru (1781-1862) nga Birmingemi, Angli. Në moshën 13-vjeçare, duke udhëtuar përmes Atlantikut, ai shkoi së bashku me familjen në Shtetet e Bashkuara, ku mbërriti më 8 korrik 1795. U vendosën në Providëns, në Ishullin e Rodit. Prindërit i ngulitën dashurinë për Biblën. Në vitin 1807, në moshën 25-vjeçare, Grun e ftuan të shërbente si pastor i Kishës Baptiste në Hartford, Kënektikat.

Ai i mori seriozisht përgjegjësitë e tij të të mësuarit dhe u përpoq t’i ndihmonte ata që i ishin lënë në kujdes që të jetonin në harmoni me Shkrimet. Megjithatë, besonte se kongregacioni duhej mbajtur i pastër nga çdo person që praktikonte vullnetarisht mëkatin. Disa herë, ai së bashku me burra të tjerë përgjegjës në kishë duhej të dëbonin (të përjashtonin) ata që kryenin kurvëri ose që merreshin me praktika të tjera të papastra.

Në kishë, kishte edhe probleme të tjera që e shqetësonin. Aty kishte burra që nuk ishin anëtarë të kishës, por që merreshin me çështjet tregtare të kishës dhe kryesonin këngët në shërbimet kishtare. Këta burra mund edhe të votonin për çështjet me interes për kongregacionin, prandaj kishin njëfarë kontrolli mbi punët e tij. I bazuar në parimin e ndarjes nga bota, Gru besonte fortësisht se vetëm burra besimplotë duhej të kryenin këto funksione. (2 Korintasve 6:14-18; Jakovit 1:27) Nga pikëpamja e tij, të lije që jobesimtarë t’i këndonin këngë lavdie Perëndisë ishte një blasfemi. Për shkak të këtij qëndrimi, në vitin 1811 Henri Grun e nxorën nga kisha. Në të njëjtën kohë, pjesëtarë të tjerë me pikëpamje të ngjashme u ndanë nga kisha.

Ndahen nga i ashtuquajturi krishterim

Ky grup, duke përfshirë edhe Henri Grun, filloi një studim të Biblës me qëllimin që ta vinin në harmoni jetën dhe aktivitetet e tyre me këshillat e saj. Studimet e tyre i çuan me të shpejtë në një kuptueshmëri më të madhe të së vërtetës së Biblës dhe i bënë të demaskonin gabimet e të ashtuquajturit krishterim. Për shembull, në vitin 1824, Gru shkroi një përgënjeshtrim të arsyetuar mirë të Trinitetit. Vini re logjikën në këtë fragment nga shkrimet e tij: «‘Sa për atë ditë dhe për atë orë nuk e di asnjë njeri, as engjëjt që janë në qiej, as Biri, por ATI.’ [Marku 13:32] Vini re këtu dallimin në shkallën e ekzistencës. Njeriu, engjëjt, Biri, Ati. . . . Zotëria ynë na mëson se vetëm Ati e dinte atë ditë. Por, kjo nuk është e vërtetë, nëse, siç supozojnë disa, Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë janë tri persona në një Perëndi; sepse, sipas këtij [mësimi, doktrinës së Trinitetit] . . . Biri e dinte, po ashtu si Ati.»

Gru demaskoi hipokrizinë e klerikëve dhe të komandantëve ushtarakë që pretendonin se i shërbenin Krishtit. Në vitin 1828, ai deklaroi: «A mund të imagjinojmë papajtueshmëri më të madhe se kjo, që një i krishterë të dalë nga dhoma e tij e veçuar, ku po lutej për armiqtë dhe t’i komandojë trupat që t’i ngulin armët e vdekjes me mizori të tërbuar në zemrat e po atyre armiqve? Në rastin e parë, ai i ngjan lumturisht Zotërisë së tij që vdiq, por kujt i ngjan në rastin tjetër? Jezui u lut për vrasësit e tij. Të krishterët vrasin ata për të cilët luten.»

Edhe me më shumë forcë, Gru shkroi: «Kur do ti zëmë besë të Plotfuqishmit që na siguron se ‘nuk vihet në lojë’? Kur do ta kuptojmë natyrën, gjenialitetin e asaj feje të shenjtë që na kërkon të përmbahemi edhe nga ‘pamja e jashtme e së ligës’? . . . A nuk është një shpifje mbi Birin e të bekuarit, të supozojmë se feja e tij i kërkon një njeriu të veprojë si engjëll në një situatë dhe e lejon të veprojë si demon në një tjetër?»

Jeta e përjetshme nuk është e lindur brenda nesh

Në ato vite para se të shfaqej radioja dhe televizioni, një mënyrë e përhapur për të shprehur pikëpamjet ishte të shkruaje e të shpërndaje broshura. Rreth vitit 1835, Gru shkroi një broshurë të rëndësishme që i demaskonte si jobiblike mësimet e pavdekësisë së shpirtit dhe të zjarrit të ferrit. Ai mendonte se këto doktrina blasfemonin Perëndinë.

Kjo broshurë do të kishte ndikime me një shtrirje të gjerë. Në vitin 1837, 40-vjeçari Xhorxh Stors gjeti një kopje të saj në një tren. Storsi kishte lindur në Lebanon, Nju-Hampshir, por banonte në atë kohë në Utika, Nju-Jork.

Ai ishte një shërbëtor shumë i respektuar në Kishën Metodiste-Episkopale. Pasi e lexoi broshurën, i bëri përshtypje që mund të nxirrej një argumentim kaq i fortë kundër këtyre mësimeve bazë të të ashtuquajturit krishterim, mësime të cilat ai nuk i kishte vënë kurrë më parë në dyshim. Nuk e dinte kush ishte autori i saj dhe vetëm disa vjet më vonë, të paktën në vitin 1844, takoi Henri Grun, ndërsa jetonin të dy në Filadelfia, Pensilvani. Megjithatë, Storsi e studioi vetë çështjen për tri vjet, duke folur për të vetëm me shërbëtorët e tjerë.

Përfundimisht, meqë askush nuk mundi t’i hidhte poshtë gjërat që po mësonte, Xhorxh Storsi vendosi se nuk mund të ishte besnik ndaj Perëndisë, po të mbetej në Kishën Metodiste. Dha dorëheqjen në vitin 1840 dhe u transferua në Albani, Nju-Jork.

Në fillim të pranverës së vitit 1842, Storsi mbajti një seri prej gjashtë fjalimesh në gjashtë javë, me temën: «Një hetim: A janë të pavdekshëm të ligjtë?» Interesi ishte kaq i madh, saqë ai e rishikoi për botim këtë argument dhe për 40 vjetët që pasuan, ky botim arriti një tirazh prej 200 000 kopjesh në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe. Storsi dhe Gru bashkëpunuan në debate kundër doktrinës së shpirtit të pavdekshëm. Gru vazhdoi të predikonte me zell derisa vdiq, më 8 gusht 1862, në Filadelfia.

Pak kohë pasi paraqiti gjashtë fjalimet e sapopërmendura, Storsi u interesua në predikimin e Uilliam Millerit, i cili po priste kthimin e dukshëm të Krishtit në vitin 1843. Për afro dy vjet, Storsi u përfshi aktivisht në predikimin e këtij mesazhi gjatë gjithë pjesës verilindore të Shteteve të Bashkuara. Pas vitit 1844, ai nuk vazhdonte më me vendosjen e një date për kthimin e Krishtit, megjithatë nuk kishte asnjë kundërshtim nëse të tjerët donin të hetonin kronologjinë. Storsi besonte se kthimi i Krishtit ishte afër dhe se ishte e rëndësishme që të krishterët të qëndronin zgjuar e syçelë frymësisht, gati për ditën e gjykimit. Por, ai u nda nga grupi i Millerit sepse ata pranonin doktrina jobiblike, si pavdekësinë e shpirtit, djegien e botës dhe mungesën e shpresës për jetën e përhershme, për ata që vdesin në padije.

Ku do të çonte dashuria për Perëndinë?

Storsin e neveriste pikëpamja e adventistëve se Perëndia do t’i ringjallte njerëzit e ligj për qëllimin e vetëm që t’i dënonte përsëri me vdekje. Nuk shihte asnjë dëshmi në Shkrime për këtë veprim të pakuptimtë dhe hakmarrës nga ana e Perëndisë. Storsi dhe shokët e tij shkuan në ekstremin tjetër dhe nxorën si përfundim se të ligjtë nuk do të ringjalleshin fare. Ndonëse kishin vështirësi për të shpjeguar disa shkrime që i referoheshin ringjalljes së të padrejtëve, përfundimi i tyre u dukej më në harmoni me dashurinë e Perëndisë. Një hap i mëtejshëm në kuptueshmërinë e qëllimit të Perëndisë do të vinte së shpejti.

Në vitin 1870, Storsi u sëmur rëndë dhe nuk punonte dot për disa muaj. Gjatë kësaj kohe, ai pati mundësi të rishqyrtonte gjithçka që kishte mësuar gjatë 74 vjetëve të jetës së tij. Nxori përfundimin se kishte humbur një pjesë jetësore të qëllimit të Perëndisë ndaj njerëzimit, siç tregohej në besëlidhjen abrahamike, që ‘të gjitha familjet e tokës do të bekoheshin sepse Abrahami e dëgjoi zërin e Perëndisë’.​—Zanafilla 22:18; Veprat 3:25.

Kjo i solli në mendje një mendim të ri. Nëse do të bekoheshin «të gjitha familjet», a nuk do t’u duhej të gjithëve të dëgjonin lajmin e mirë? Si do ta dëgjonin? A nuk kishin vdekur tashmë miliona e miliona njerëz? Pasi shqyrtoi më tej shkrimet, ai arriti në përfundimin se kishte dy klasa njerëzish «të ligj» që kishin vdekur: ata që e kishin hedhur poshtë përfundimisht dashurinë e Perëndisë dhe ata që kishin vdekur në padije.

Storsi nxori përfundimin se këta të fundit duheshin ngritur nga të vdekurit për t’u dhënë një mundësi që të nxirrnin dobi nga flijimi shpërblyes i Krishtit Jezu. Ata që e pranonin, do të jetonin përgjithmonë në tokë. Ata që e hidhnin poshtë, do të shkatërroheshin. Po, Storsi besonte se Perëndia nuk do të ngrinte askënd pa i vënë një shpresë para tij. Përfundimisht, asnjë nuk do të ishte i vdekur për shkak të mëkatit të Adamit, përveç Adamit vetë! Por, ç’të themi për ata që jetonin gjatë kthimit të Zotërisë Jezu Krisht? Storsi më në fund arriti të kuptonte se për t’i arritur ata, do të duhej të ndërmerrej një fushatë globale predikimi. Ai nuk kishte as idenë më të vogël si mund të bëhej një gjë e tillë, por me besim shkroi: «Ka shumë veta që, nëse nuk e kuptojnë dot si bëhet një gjë, e hedhin poshtë, sikur të ishte e pamundur për Perëndinë ta bënte këtë gjë, sepse nuk e kuptojnë si do të bëhet.»

Xhorxh Storsi vdiq në dhjetor të vitit 1879, në shtëpinë e tij në Bruklin, Nju-Jork, vetëm disa blloqe ndërtesash larg asaj që më vonë do të bëhej pika kyçe e fushatës globale të predikimit, të cilën ai e kishte pritur me kaq zjarr.

Nevojitej më shumë dritë

A e kuptonin njerëz si Henri Gru dhe Xhorxh Stors, të vërtetën kaq qartësisht sa e kuptojmë ne sot? Jo. Ata ishin të vetëdijshëm për luftën e tyre, siç pohoi Storsi në vitin 1847: «Bëjmë mirë të kujtojmë se sapo kemi dalë nga epoka e errët e kishës dhe nuk do të ishte aspak e çuditshme nëse do të gjenim disa ‘veshje babilonase’ që ende i veshim duke i marrë për të vërtetën.» Gru, për shembull, e vlerësonte shpërblesën që siguroi Jezui, por nuk e kuptonte se ajo ishte një ‘shpërblesë përkatëse’, domethënë jeta e përsosur njerëzore e Jezuit që u dha në këmbim të jetës së përsosur njerëzore që humbi Adami. (1 Timoteut 2:6) Gjithashtu, Henri Gru besonte në mënyrë të gabuar se Jezui do të kthehej e do të sundonte në mënyrë të dukshme në tokë. Megjithatë, Gru ishte i interesuar për shenjtërimin e emrit të Jehovait, një temë që kishte qenë me interes për shumë pak njerëz që nga shekulli i dytë i e.s.

Në mënyrë të ngjashme, Xhorxh Storsi nuk kishte kuptueshmëri të saktë të disa pikave të rëndësishme. Ai ishte në gjendje t’i kuptonte mashtrimet që nxiste kleri, por disa herë shkoi në ekstremin e kundërt. Për shembull, ndoshta duke reaguar në mënyrë të tepruar ndaj pikëpamjes tradicionale të klerit për Satanain, Storsi hodhi poshtë idenë e Djallit si një person real. Ai hodhi poshtë Trinitetin, e megjithatë, ishte i pasigurt deri pak kohë para vdekjes, nëse fryma e shenjtë ishte një person apo jo. Ndonëse Xhorxh Storsi priste që kthimi i Krishtit të ishte fillimisht i padukshëm, ai mendonte se përfundimisht do të kishte një shfaqje të dukshme. Megjithatë, duket se që të dy burrat ishin me zemër të ndershme dhe të sinqertë e iu afruan së vërtetës më shumë se pjesa më e madhe e njerëzve.

«Ara» që përshkroi Jezui në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave nuk ishte tamam gati për t’u korrur. (Mateu 13:38) Gru, Storsi dhe të tjerë po punonin në ‘arë’, duke e përgatitur për korrje.

Çarls Teiz Rasëlli, i cili filloi ta botonte këtë revistë në vitin 1879, shkroi në lidhje me vitet e tij të hershme: «Zotëria na dha shumë ndihma për studimin e fjalës së Tij, ndër të cilët qëndroi i spikatur vëllai ynë shumë i dashur e i moshuar, Xhorxh Storsi, i cili, si me fjalë, edhe me shkrim, na dha shumë ndihmë; por ne u përpoqëm gjithnjë të mos ishim ithtarë njerëzish, sado të mirë e të mençur të ishin, por ‘Ithtarë të Perëndisë si fëmijë të dashur’.» Po, studentët e sinqertë të Biblës mund të nxirrnin dobi nga përpjekjet e burrave si Gru dhe Storsi, por prapëseprapë ishte jetësore të shqyrtonin Fjalën e Perëndisë, Biblën, si burimin real të së vërtetës.​—Gjoni 17:17.

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Çfarë besonte Henri Gru?

Emri i Jehovait është poshtëruar dhe duhet shenjtëruar.

Triniteti, pavdekësia e shpirtit dhe zjarri i ferrit janë doktrina të rreme.

Kongregacioni i krishterë duhet të jetë i ndarë nga bota.

Të krishterët nuk duhet të marrin pjesë në luftërat e kombeve.

Të krishterët nuk janë nën ligjin e sabatit të së shtunës ose të së dielës.

Të krishterët nuk duhet t’u përkasin shoqërive sekrete, si masonët.

Ndërmjet të krishterëve nuk duhet të ketë klasë kleri dhe laikësh.

Titujt fetarë janë nga antikrishti.

Që të gjitha kongregacionet duhet të kenë një trup pleqsh.

Pleqtë duhet të jenë të shenjtë në gjithë sjelljen e tyre, pa mundësi për t’i sharë.

Që të gjithë të krishterët duhet të predikojnë lajmin e mirë.

Do të ketë njerëz që do të jetojnë përgjithmonë në Parajsë në tokë.

Këngët e krishtere duhet të jenë lavdi drejtuar Jehovait dhe Krishtit.

[Burimi]

Fotografi: Koleksion i Shoqërisë Historike të Nju-Jorkut/69288

[Kutia dhe figura në faqen 28]

Çfarë besonte Xhorxh Storsi?

Jezui e dha jetën e tij si çmim shpërblese për njerëzimin.

Predikimi i lajmit të mirë nuk është bërë ende (në vitin 1871).

Për shkak të kësaj, fundi nuk mund të ishte afër në atë kohë (në vitin 1871). Do të kishte një periudhë të ardhme, në të cilën do të bëhej predikimi.

Do të ketë njerëz që do të trashëgojnë jetën e përhershme në tokë.

Do të ketë një ringjallje të të gjithëve që vdiqën në padije. Ata që pranojnë flijimin shpërblyes të Krishtit do të marrin jetën e përjetshme në tokë. Ata që e hedhin poshtë do të shkatërrohen.

Pavdekësia e shpirtit dhe zjarri i ferrit janë doktrina të rreme që e çnderojnë Perëndinë.

Darka e Zotërisë është një kremtim vjetor më 14 nisan.

[Burimi]

Fotografi: GJASHTË FJALIMET, nga Xhorxh Storsi (1855)

[Figurat në faqen 29]

Në vitin 1909, Ç. T. Rasëlli, botues i «Kullës së Rojës së Sionit» u transferua në Bruklin, Nju-Jork, SHBA