Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një çelës për të kuptuar Biblën

Një çelës për të kuptuar Biblën

«Si e dini se interpretimi që i bëni ju Biblës është i saktë? Ajo mund të interpretohet në shumë mënyra.»

Mbase i keni dëgjuar këto fjalë. Sidoqoftë, a e dini se Bibla e shpjegon vetë veten, dhe kjo mund të jetë një mënyrë për ta studiuar? Sekreti është ky: nëse kuptimi i një thënieje të caktuar nuk del qartë nga vargjet para dhe pas, atëherë mund të krahasohet me vargje të tjera në Bibël që trajtojnë të njëjtën temë. Në këtë mënyrë drejtohemi nga Bibla, jo nga pikëpamjet tona.

Për shembull, shqyrtoni çfarë thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve. Më poshtë janë renditur gjashtë vargje nga pjesë të ndryshme të Biblës. Vini re si formojnë një tablo të harmonishme.

  • «Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.»​Psalmi 115:17. *
  • «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.»​—Psalmi 146:3, 4.
  • «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë.»​Eklisiastiu 9:5.
  • «Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë. . . . I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon, siç po bëj unë sot.»​Isaia 38:18, 19.
  • «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.»​Ezekieli 18:4.
  • Pak ditë pas vdekjes së mikut të tij, Lazarit, Jezu Krishti tha: «‘Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.’ Atëherë dishepujt e tij thanë: ‘Zot, po të flejë, do të shpëtojë.’ . . . Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ‘Llazari ka vdekur.’»​Gjoni 11:11-14.

A e vutë re harmoninë mes këtyre vargjeve? Po, ndryshe nga çfarë besohet gjerësisht, Bibla mëson se të vdekurit janë në të vërtetë të vdekur. Nuk janë gjallë në qiell ose diku tjetër, por në një gjumë të thellë, domethënë të pavetëdijshëm për asgjë. Prandaj nuk mund ta lëvdojnë Perëndinë dhe as të mendojnë. *

Pika kryesore është: Kur e shqyrtojmë Biblën sipas temave, mësimet e saj bazë qartësohen. Natyrisht, kjo metodë, që përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait, kërkon përpjekje. (Proverbat 2:1-5) Por, a nuk bëjmë përpjekje për çdo gjë që ia vlen?!

^ par. 5 Shkrimet janë marrë nga përkthimi Diodati i Ri

^ par. 11 Bibla mëson se të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë do të ‘zgjohen’ ose do të ringjallen, në kohën e caktuar nga Perëndia në të ardhmen.​—Shihni Jobin 14:14, 15; Gjonin 5:28, 29; Veprat 24:15.