Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Pikëpamja e Biblës

A ke nevojë për fenë e organizuar?

A ke nevojë për fenë e organizuar?

NËSE ke mbetur i zhgënjyer nga feja e organizuar ose i ke hequr vizën si gjë e pavlerë, nuk je i vetmi. Në të vërtetë, numri i atyre që zgjedhin të mos jenë pjesë e organizatave fetare, po shtohet si kërpudhat pas shiut.

Disa kanë hequr dorë nga organizatat fetare pasi mendojnë se këto institucione ushqejnë hipokrizinë dhe mostolerancën. Të tjerëve u duket tepër e ndërlikuar të ndjekin një formë adhurimi të organizuar. Kurse disa mendojnë se feja e organizuar s’është gjë tjetër veç një «ndërmjetës» i panevojshëm mes Perëndisë dhe adhuruesve të tij. Por, çfarë mëson Bibla për fenë e organizuar?

Miqtë e Perëndisë në kohët e lashta

Bibla përshkruan qartë si e adhuronin Perëndinë patriarkët e lashtë, si Abrahami, Isaku dhe Jakobi. Për shembull, në një rast Perëndia tha: «Kam lidhur një miqësi të ngushtë me [Abrahamin], me qëllim që ai të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij, që të qëndrojnë në udhën e Jehovait për të praktikuar drejtësinë dhe gjykimin.» (Zanafilla 18:19) Abrahami ishte mik i Perëndisë, prandaj kishte një marrëdhënie personale me Krijuesin. Megjithatë, e adhuronte Perëndinë edhe bashkë me familjen. Edhe patriarkë të tjerë që ishin miq të Perëndisë, e adhuronin atë si grup, zakonisht me familjen e fisin, si edhe me shërbëtorët e tyre.

Me kohë, Perëndia u kërkoi izraelitëve të lashtë, e më pas edhe të krishterëve të shekullit të parë, të mblidheshin tok për ta adhuruar. (Levitiku 23:2, 4; Hebrenjve 10:24, 25) Në ato raste adhurimi të organizuar, këndohej, lexoheshin Shkrimet dhe bëheshin lutje publike. (Nehemia 8:1-8; Kolosianëve 3:16) Veç kësaj, Shkrimet udhëzonin që një grup burrash të kualifikuar të drejtonte kongregacionin në adhurim.​—1 Timoteut 3:1-10.

Dobitë e adhurimit bashkë me një kongregacion

Duke u bazuar në këto modele nga Shkrimet, është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se edhe sot, Perëndia pret që miqtë e tij ta adhurojnë në mënyrë të organizuar. E kur e adhuron Perëndinë si pjesë e një kongregacioni, ke dobi.

Për shembull, Shkrimet e krahasojnë një besimtar të sinqertë me një udhëtar që ndjek një rrugë të kufizuar, e në një rast tjetër me një vrapues në një garë. (Mateu 7:14; 1 Korintasve 9:24-27) Kur gara është e gjatë, e mundimshme dhe terreni i vështirë, vrapuesi fare lehtë mund të rraskapitet e si përfundim të dorëzohet. Por, nëse të tjerët i japin zemër, shpesh arrin t’i mbledhë forcat dhe të bëjë më tepër nga ç’ia merrte mendja. Po njësoj, nëse bashkëbesimtarët të japin zemër, mund t’ia dalësh të ruash miqësinë me Perëndinë pavarësisht nga vështirësitë.

Kjo shpjegon atë që thuhet në Bibël te Hebrenjve 10:24, 25: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet  tona.» Në fakt, sipas Shkrimeve, besimtarët e vërtetë do ta adhuronin Perëndinë si vëllezër e motra, të bashkuar si një trup i figurshëm.

A duhet t’ia heqësh fare vizën fesë së organizuar?

Bibla e përshkruan këtë trup, ose kongregacion, si të bashkuar nga një lidhje dashurie dhe paqeje. Për shembull, Efesianëve 4:2, 3 i këshillon adhuruesit e vërtetë të veprojnë ‘me përulësi të plotë mendjeje, me butësi dhe me shpirtgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin me dashuri dhe duke u përpjekur me zell që të ruajnë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. E si mund ta zbatosh këtë këshillë nëse e adhuron Perëndinë i pavarur, veçmas besimtarëve të tjerë?!

Vullneti i Perëndisë është që adhuruesit e vërtetë të mos jenë thjesht një grup individësh të devotshëm pa ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por një bashkësi besimtarësh të lidhur ngushtë. Bibla i nxit besimtarët të flasin në harmoni, të shmangin përçarjet dhe të jenë «të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi». (1 Korintasve 1:10) Këto fjalë s’do të kishin kuptim sikur Perëndia të donte që njerëzit ta adhuronin thjesht si individë, të veçuar nga njëri-tjetri.

Pra, në Bibël gjejmë prova se adhurimi që pranon Perëndia është një adhurim i organizuar. Veç kësaj, feja e organizuar që përshkruhet në Shkrime, domethënë ajo që përkrah Perëndia, mund të të ndihmojë të plotësosh nevojën që të mësosh për Perëndinë.​—Mateu 5:3.

Dihet se shumë organizata fetare sot janë fajtore për hipokrizi dhe për mizori të panumërta. Por, kjo s’do të thotë se duhet ta hedhësh poshtë krejtësisht fenë e organizuar. Në tokë duhet të ekzistojë një fe e organizuar që t’u tregojë dashuri të gjithë njerëzve​—një fe e organizuar që t’u mësojë të tjerëve parimet morale të Perëndisë. Kjo fe e organizuar mund të të ndihmojë të ndërtosh besim të vërtetë. Bibla të ndihmon të dallosh qartë ç’lloj adhurimi të organizuar pranon Perëndia.