Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ti mund t’ia dalësh mbanë si prind i vetëm

Ti mund t’ia dalësh mbanë si prind i vetëm

Ti mund t’ia dalësh mbanë si prind i vetëm

THUHET se, familjet me dy prindër po bëhen kaq të rralla, sa mund të futen në «listën e specieve në zhdukje». Mendoni: vetëm në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 13 milionë prindër të vetëm, shumica dërrmuese janë nëna të vetme. Studimet tregojnë se rreth gjysma e të gjithë fëmijëve në këtë vend do të kalojnë të paktën një pjesë të rinisë së tyre në një familje me një prind.

Nëse je prind i vetëm, të jesh i sigurt se mund të kesh sukses në jetën familjare. Përpiqu të zbatosh sugjerimet e mëposhtme.

Shmang etiketimet negative. Bibla thotë: «Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.» (Proverbat 15:15) Vërtet, jeta jote mund të mos duket festë, por siç tregon ky varg, gëzimi ka të bëjë më shumë me zemrën sesa me rrethanat. (Proverbat 17:22) Nuk arrihet gjë duke menduar se fëmijët e tu janë «të pashpresë» ose se familja jote «e prishur» s’ndreqet më. Këto etiketime vetëm të presin krahët dhe ta bëjnë më të vështirë të plotësosh detyrat prindërore.—Proverbat 24:10.

Sugjerim: bëj një listë të çdo pohimi negativ që përdor për të përshkruar gjendjen tënde, pastaj, përbri secilës shkruaj një pohim pozitiv për ta zëvendësuar. Për shembull, zëvendëso pohimin «s’ia dal dot» me «jam në gjendje të përmbush përgjegjësitë e mia si prind i vetëm dhe mund ta marr ndihmën që më duhet».—Filipianëve 4:13.

Bëj ekonomi. Goditjen më të fortë shumë prindër të vetëm, sidomos nënat e vetme, e marrin te portofoli. Gjithsesi, në disa raste stresi financiar mund të lehtësohet po të bësh ekonomi. Një proverb biblik thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Për të shmangur «të keqen» financiare, është e domosdoshme të planifikosh e të tregohesh largpamës.

Sugjerim: bëj një buxhet dhe shkruaje. Mbaj llogari të shpenzimeve për një muaj dhe shiko ku të ikin paratë. Shqyrto si i harxhon paratë. A të ndodh shpesh të paguash me kartë krediti? A u blen gjëra fëmijëve si kompensim për mungesën e prindit tjetër? Nëse fëmijët e kanë moshën të logjikojnë, uluni bashkë dhe vritni mendjen si të kurseni. Ata do të mësojnë goxha nga kjo. Madje mund të kenë ca ide praktike.

Mbaj marrëdhënie paqësore me ish-bashkëshortin. Nëse e keni bashkë kujdestarinë e fëmijëve, ki parasysh se nuk është mirë t’i flasësh keq fëmijës për ish-bashkëshortin ose ta përdorësh fëmijën për të spiunuar çfarë ndodh në jetën e ish-bashkëshortit. * Do të ishte shumë më mirë të ndërtoje një marrëdhënie kolegësh me ish-bashkëshortin në lidhje me disiplinën ose çfarëdo çështjeje tjetër që ndikon në mirëqenien e fëmijës. Bibla thotë: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë»—dhe këtu përfshihet edhe ish-bashkëshorti.—Romakëve 12:18.

Sugjerim: herën tjetër që do të të lindë ndonjë mosmarrëveshje, trajtoje ish-bashkëshortin siç do të trajtoje një koleg pune. Në punë, përpiqesh të jesh miqësor me këdo, edhe me ata që nuk ke ndonjë simpati të veçantë. Bëj njësoj me ish-bashkëshortin. Nuk do të jeni përherë dakord, por shkëndijat s’kanë pse të ndezin gjithnjë zjarr.—Luka 12:58.

Lër një shembull të mirë. Pyet veten: «Çfarë vlerash dhe qëndrimesh dua të ngulit te fëmijët e mi? A i reflektoj këto vlera dhe qëndrime në jetën time?» Për shembull, a je në përgjithësi i gëzuar, ndonëse je prind i vetëm? Apo lejon që rrethanat të ta zymtësojnë pikëpamjen për jetën? A të ka mbërthyer mëria për mënyrën si të ka trajtuar ish-bashkëshorti? Apo je elastik kur has padrejtësi që nuk i ke në dorë? (Proverbat 15:18) Kuptohet, këto nuk janë çështje të thjeshta dhe nuk do t’i përballosh në mënyrë të përsosur. Sidoqoftë, ka shumë të ngjarë që fëmijët të pasqyrojnë të njëjtin qëndrim për jetën që shohin te ti.

Sugjerim: shkruaj në një fletë tri cilësi që dëshiron të shfaqë secili nga fëmijët kur të rritet. * Përbri çdo cilësie shkruaj ç’mund të bësh që tani për t’i lënë një shembull që do ta ndihmojë fëmijën të kultivojë atë cilësi.

Kujdesu për veten. Me ritmin e shpejtë të jetës, është fare kollaj ta lësh pas dore shëndetin fizik dhe emocional. Mos bjer në këtë grackë. Është e domosdoshme të plotësosh ‘nevojën që të mësosh për Perëndinë’. (Mateu 5:3) Mbaj mend: një makinë nuk ecën dot pa karburant. Edhe ti nuk do t’ia dalësh dot nëse nuk rezervon kohë «të furnizohesh».

Gjithashtu ka edhe «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të kërcyer». (Eklisiastiu 3:4) Zbavitja nuk është humbje kohe. Ajo të freskon e të përtërin forcat që të përballosh jetën si prind i vetëm.

Sugjerim: bisedo me prindër të tjerë të vetëm se si kujdesen për veten. Ndërsa ‘sigurohesh për gjërat më të rëndësishme’, a mund të rezervosh të paktën ca kohë çdo javë që të bësh diçka vetëm për qejf? (Filipianëve 1:10) Shkruaj çfarë dëshiron të bësh dhe kur mund ta bësh.

[Shënimet]

^ par. 8 Për më shumë informacion, shih artikullin «Shtëpi e ndarë: Si ndikon divorci tek adoleshentët?», në faqet 18-21 të kësaj reviste.

^ par. 11 Disa cilësi mund të jenë respekti, arsyetueshmëria dhe gatishmëria për të falur, që trajtohen në faqet 6-8 të kësaj reviste.